Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jeta e përhershme në tokë—Një shpresë e krishterë?

Jeta e përhershme në tokë—Një shpresë e krishterë?

Jeta e përhershme në tokë—Një shpresë e krishterë?

«[Perëndia] do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje.»—ZBUL. 21:4.

1, 2. Nga e dimë se shumë judenj të shekullit të parë kishin shpresën e jetës së përhershme në tokë?

NJË i ri i pasur e me emër erdhi me vrap te Jezui, i ra në gjunjë dhe e pyeti: «Mësues i mirë, çfarë duhet të bëj që të trashëgoj jetën e përhershme?» (Mar. 10:17) I riu po pyeste se si të trashëgonte jetën e përhershme. Po ku mendonte se do të ishte kjo jetë? Siç shqyrtuam në artikullin e mëparshëm, shekuj më parë Perëndia u kishte dhënë judenjve shpresën e ringjalljes dhe të jetës së përhershme në tokë. Shumë judenj të shekullit të parë e kishin ende atë shpresë.

2 Marta, një mike e Jezuit, me sa duket kishte në mendje ringjalljen në tokë kur tha për të vëllanë që kishte vdekur: «E di se do të ringjallet ditën e fundit.» (Gjoni 11:24) Vërtet, saducenjtë e asaj kohe e mohonin ringjalljen. (Mar. 12:18) Megjithatë, në librin e tij Judaizmi në shekujt e parë të erës së krishterë (anglisht), autori Xhorxh Fut Mur thotë: «Shkrimet . . . e shekullit të dytë ose të parë para erës sonë dëshmojnë se shumë besonin që në një pikë kthese të shumëpritur të historisë, të vdekurit e brezave të dikurshëm do të riktheheshin në jetë në tokë.» I pasuri që iu afrua Jezuit donte të fitonte jetën e përhershme në tokë.

3. Cilat pyetje do të shqyrtohen në këtë artikull?

3 Sot, shumë fe dhe studiues të Biblës mohojnë se shpresa e jetës së përhershme në tokë është një mësim i krishterë. Shumica e njerëzve shpresojnë në jetën e përtejme në botën frymore. Prandaj, kur lexuesit e Shkrimeve të Krishtere Greke ndeshin shprehjen «jeta e përhershme», shumë mendojnë se bëhet fjalë gjithmonë për jetën në qiell. A është e vërtetë kjo? Për çfarë e kishte fjalën Jezui kur foli për jetën e përhershme? Çfarë besonin dishepujt e tij? A flasin Shkrimet e Krishtere Greke për shpresën e jetës së përhershme në tokë?

Jeta e përhershme «në përtëritjen e krijimit»

4. Çfarë do të ndodhë «në përtëritjen e krijimit»?

4 Bibla mëson se të krishterët e mirosur do të ringjallen për të sunduar nga qielli mbi tokë. (Luka 12:32; Zbul. 5:9, 10; 14:1-3) Por, kur Jezui foli për jetën e përhershme, nuk kishte gjithnjë në mendje vetëm atë grup. Të shqyrtojmë se çfarë u tha dishepujve pasi i riu i pasur u largua i hidhëruar kur Jezui e ftoi të linte gjithçka që zotëronte dhe të bëhej dishepull i Krishtit. (Lexo Mateun 19:28, 29.) Jezui u tha apostujve se do të ishin ndër ata që do të sundonin si mbretër dhe do të gjykonin «dymbëdhjetë fiset e Izraelit», domethënë të gjithë njerëzimin, përveç atyre që do të sundonin në qiell. (1 Kor. 6:2) Ai foli edhe për një shpërblim që do të marrë «kushdo» që e ndjek. Edhe këta individë ‘do të trashëgojnë jetën e përhershme’. E gjithë kjo do të ndodhë «në përtëritjen e krijimit».

5. Si do ta përkufizonit shprehjen ‘përtëritje e krijimit’?

5 Çfarë donte të thoshte Jezui me shprehjen ‘përtëritje e krijimit’? Kjo shprehje është përkthyer ‘krijimi i ri’ te Diodati i Ri dhe ‘ripërtëritje e botës’ te Simon Filipaj. Meqë Jezui e përdori këtë shprehje pa një shpjegim, me sa duket po i referohej asaj që kishte qenë shpresa e judenjve për shekuj. Do të kishte një përtëritje të kushteve në tokë dhe gjërat do të bëheshin siç kishin qenë në kopshtin e Edenit para se Adami dhe Eva të mëkatonin. Përtëritja e krijimit do të përmbushë premtimin e Perëndisë se ‘do të krijojë qiej të rinj dhe një tokë të re’.—Isa. 65:17.

6. Çfarë na mëson për shpresën e jetës së përhershme ilustrimi për delet dhe cjeptë?

6 Jezui foli përsëri për jetën e përhershme në fjalimin e tij për përfundimin e sistemit. (Mat. 24:1-3) «Kur Biri i njeriut të mbërrijë në lavdinë e tij, dhe bashkë me të edhe të gjithë engjëjt,—tha Jezui,—atëherë ai do të ulet në fronin e tij të lavdishëm. Tërë kombet do të mblidhen para tij, dhe ai do t’i ndajë njerëzit njërin nga tjetri, ashtu si ndan bariu delet nga cjeptë.» Ata që do të marrin një gjykim të pafavorshëm «do të përfundojnë në vdekjen e përhershme, kurse të drejtët do të marrin jetën e përhershme». «Të drejtët» që do të marrin jetën e përhershme janë ata që i mbështetin me besnikëri «vëllezërit» e Krishtit të mirosur nga fryma. (Mat. 25:31-34, 40, 41, 45, 46) Meqë të mirosurit zgjidhen për të qenë sundimtarë në Mbretërinë qiellore, «të drejtët» duhet të jenë nënshtetasit tokësorë të asaj Mbretërie. Bibla paratha: «[Mbreti i Jehovait] do të ketë nënshtetas nga deti në det, dhe nga Lumi deri në skajet e tokës.» (Psal. 72:8) Këta nënshtetas do të gëzojnë jetën e përhershme në tokë.

Çfarë tregon Ungjilli i Gjonit?

7, 8. Cilat ishin dy shpresat për të cilat i foli Jezui Nikodemit?

7 Siç tregohet në Ungjijtë e Mateut, Markut dhe të Lukës, Jezui përdori shprehjen «jetë e përhershme» në rastet e përmendura më sipër. Ungjilli sipas Gjonit përmend 17 raste ku Jezui foli për jetën e përhershme. Le të shqyrtojmë disa prej këtyre rasteve, për të parë se ç’tha Jezui për shpresën e jetës së përhershme në tokë.

8 Sipas Gjonit, fillimisht Jezui foli për jetën e përhershme me një farise që quhej Nikodem. Jezui i tha: «Nëse dikush nuk lind nga uji dhe nga fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë.» Ata që hyjnë në Mbretërinë e qiejve duhet ‘të lindin përsëri’. (Gjoni 3:3-5) Por Jezui nuk tha vetëm kaq. Më pas, ai foli për shpresën që mund të kenë të gjithë njerëzit. (Lexo Gjonin 3:16.) Jezui po i referohej shpresës së jetës së përhershme për dishepujt e tij të mirosur në qiell dhe për të tjerët në tokë.

9. Për cilën shpresë i foli Jezui gruas samaritane?

9 Pasi foli me Nikodemin në Jerusalem, Jezui udhëtoi në veri drejt Galilesë. Gjatë udhës, ai takoi një grua te burimi i Jakobit pranë qytetit të Siharit, në Samari. Jezui i tha asaj: «Kush pi nga uji që do t’i jap unë, nuk do të ketë etje kurrën e kurrës. Sepse uji që do t’i jap unë, do të bëhet për të një burim uji që gufon për të dhënë jetë të përhershme.» (Gjoni 4:5, 6, 14) Ky ujë përfaqëson masat e Perëndisë për t’i dhënë përsëri njerëzimit jetën e përhershme, përfshirë edhe atyre që do të jetojnë në tokë. Në librin e Zbulesës, përshkruhet vetë Perëndia tek thotë: «Kujtdo që ka etje, do t’i jap falas nga burimi i ujit të jetës.» (Zbul. 21:5, 6; 22:17) Pra, Jezui i foli gruas samaritane për jetën e përhershme që do të merrnin jo vetëm trashëgimtarët e mirosur të Mbretërisë, por edhe njerëzit me besim që do të kishin shpresë tokësore.

10. Çfarë u tha Jezui kundërshtarëve fetarë për jetën e përhershme, pasi shëroi një njeri në pellgun e Betzatasë?

10 Një vit më pas, Jezui ishte përsëri në Jerusalem. Atje shëroi një njeri të sëmurë në pellgun e Betzatasë. Judenjve që e kritikuan veprimin e tij, Jezui u shpjegoi se «Biri s’mund të bëjë as edhe një gjë me nismën e vet, por vetëm atë që sheh se bën Ati». Pasi u tha atyre se Ati ‘ia ka lënë në dorë Birit gjithë gjykimin’, Jezui tha: «Kush dëgjon fjalën time dhe i beson atij që më dërgoi, ka jetë të përhershme.» Pastaj shtoi: «Po vjen ora, kur të gjithë ata që janë në varre, do ta dëgjojnë zërin [e Birit të njeriut] dhe do të dalin: ata që bënë gjëra të mira, në një ringjallje jete, ata që praktikuan gjëra të poshtra, në një ringjallje gjykimi.» (Gjoni 5:1-9, 19, 22, 24-29) Jezui po u thoshte judenjve që e përndiqnin se ai ishte caktuar nga Perëndia që të realizonte shpresën judaike të jetës së përhershme në tokë dhe se do ta bënte këtë duke ringjallur të vdekurit.

11. Si e dimë se shpresa e jetës së përhershme në tokë përfshihet në fjalët që tha Jezui te Gjoni 6:48-51?

11 Në Galile, Jezuin filluan ta ndiqnin mijëra veta të cilët donin që t’u siguronte bukë me anë të mrekullive. Jezui u foli për një lloj tjetër buke, për ‘bukën e jetës’. (Lexo Gjonin 6:40, 48-51.) Ai tha: «Buka që do të jap, është mishi im.» Jezui dha jetën jo vetëm për ata që do të sundonin me të në Mbretërinë e tij qiellore, por edhe «për jetën e botës» së njerëzimit që mund të shpengohej. «Nëse dikush ha nga kjo bukë», pra, tregon besim në fuqinë shpenguese të flijimit të Jezuit, do të ketë shpresën e jetës së përhershme. Po, përmendja e mundësisë ‘për të jetuar përgjithmonë’ përfshinte shpresën që kishin prej kohësh judenjtë për jetën e përhershme në tokë gjatë mbretërimit të Mesisë.

12. Për cilën shpresë e kishte fjalën Jezui kur u tha kundërshtarëve se ‘do t’u jepte jetë të përhershme deleve të tij’?

12 Më vonë, në festën e kushtimit në Jerusalem, Jezui u tha kundërshtarëve: «Ju nuk besoni, sepse nuk jeni prej deleve të mia. Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh dhe ato më ndjekin. Unë u jap jetë të përhershme.» (Gjoni 10:26-28) A po fliste Jezui vetëm për jetën në qiell apo kishte në mendje edhe jetën e përhershme në një parajsë tokësore? Pak kohë më parë, Jezui i kishte ngushëlluar dishepujt me fjalët: «Mos ki frikë, o kope e vogël, sepse Atit tuaj i ka pëlqyer t’ju japë mbretërinë.» (Luka 12:32) Por, gjatë po kësaj feste të kushtimit, Jezui tha: «Kam edhe dele të tjera, që nuk janë të kësaj vathe. Edhe ato do t’i sjell.» (Gjoni 10:16) Pra, kur u foli kundërshtarëve, fjalët e tij përfshinin shpresën e jetës qiellore për ‘kopenë e vogël’ dhe shpresën e jetës së përhershme në tokë për miliona «dele të tjera».

Një shpresë që nuk kërkonte shpjegim

13. Çfarë donte të thoshte Jezui me fjalët «ti do të jesh me mua në Parajsë»?

13 Gjatë agonisë në shtyllën e torturës, Jezui e pohoi në mënyrë të pakundërshtueshme shpresën e njerëzimit. Një keqbërës që ishte vënë në shtyllë përbri tij, tha: «Jezu, më kujto kur të hysh në mbretërinë tënde.» Jezui i premtoi: «Vërtet po të them sot: ti do të jesh me mua në Parajsë.» (Luka 23:42, 43) Meqë ky njeri me sa duket ishte jude, nuk kishte nevojë për ndonjë shpjegim rreth Parajsës. Ai kishte njohuri për shpresën e jetës së përhershme në tokë në të ardhmen.

14. (a) Ç’gjë tregon se apostujt e kishin të vështirë ta kuptonin shpresën qiellore? (b) Kur arritën dishepujt e Jezuit të kuptonin qartë shpresën qiellore?

14 Megjithatë, ajo që kërkonte shpjegim ishte shpresa qiellore që përmendi Jezui. Kur u tregoi dishepujve se do të shkonte në qiell që të përgatiste një vend për ta, ata nuk e kuptuan se ç’donte të thoshte. (Lexo Gjonin 14:2-5.) Më vonë ai u tha: «Kam ende shumë gjëra për t’ju thënë, por tani për tani nuk jeni në gjendje t’i kuptoni. Megjithatë, kur të mbërrijë ai, fryma e së vërtetës, do t’ju drejtojë që të kuptoni gjithë të vërtetën.» (Gjoni 16:12, 13) Vetëm pas festës së Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., kur u mirosën me frymën e Perëndisë për të qenë mbretër të ardhshëm, dishepujt e Jezuit kuptuan se fronet e tyre do të ishin në qiell. (1 Kor. 15:49; Kolos. 1:5; 1 Pjet. 1:3, 4) Shpresa e një trashëgimie qiellore ishte një zbulesë dhe ajo u bë qendra e vëmendjes në letrat e frymëzuara të Shkrimeve të Krishtere Greke. Por, a e ripohojnë këto letra shpresën e njerëzimit për jetën e përhershme në tokë?

Çfarë thonë letrat e frymëzuara?

15, 16. Në ç’mënyrë letra e frymëzuar drejtuar hebrenjve dhe fjalët e Pjetrit theksojnë shpresën e jetës së përhershme në tokë?

15 Në letrën drejtuar hebrenjve, apostulli Pavël i quajti bashkëbesimtarët «vëllezër të shenjtë, pjesëmarrës të thirrjes qiellore». Por ai tha gjithashtu se Perëndia ia ka nënshtruar Jezuit «tokën e banuar që do të vijë». (Hebr. 2:3, 5; 3:1) Në Shkrimet e Krishtere Greke, fjala origjinale e përkthyer ‘toka e banuar’ i referohet gjithnjë tokës së populluar nga njerëzit. Prandaj, ‘toka e banuar që do të vijë’ është sistemi i ardhshëm në tokë nën sundimin e Jezu Krishtit. Në atë kohë, Jezui do të përmbushë premtimin: «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.»—Psal. 37:29.

16 Edhe apostulli Pjetër u frymëzua të shkruante për të ardhmen e njerëzimit. Ai shkroi: «Qiejt dhe toka që janë tani, janë ruajtur për zjarrin dhe po rezervohen për ditën e gjykimit e të shkatërrimit të njerëzve të paperëndishëm.» (2 Pjet. 3:7) Nga çfarë do të zëvendësohen qiejt qeverisës dhe shoqëria njerëzore e ligë që janë tani? (Lexo 2 Pjetrit 3:13.) Ata do të zëvendësohen nga «qiej të rinj», pra, Mbretëria mesianike e Perëndisë, dhe nga ‘një tokë e re’, një shoqëri njerëzore e drejtë e përbërë nga adhuruesit e vërtetë.

17. Si përshkruhet shpresa e njerëzimit te Zbulesa 21:1-4?

17 Libri i fundit i Biblës na e gjallëron zemrën me vegimin ku përshkruhet njerëzimi i rikthyer në përsosmëri. (Lexo Zbulesën 21:1-4.) Kjo ka qenë shpresa e njerëzve me besim që kur njeriu i parë humbi përsosmërinë në kopshtin e Edenit. Njerëzit e drejtë do të jetojnë pafundësisht në Parajsën në tokë pa u plakur. Kjo shpresë bazohet patundshmërisht qoftë në Shkrimet Hebraike, qoftë në Shkrimet e Krishtere Greke dhe vazhdon të forcojë shërbëtorët besnikë të Jehovait deri sot e kësaj dite.—Zbul. 22:1, 2.

A mund të shpjegoni?

• Çfarë donte të thoshte Jezui me shprehjen ‘përtëritje e krijimit’?

• Për çfarë i foli Jezui Nikodemit?

• Ç’premtim i bëri Jezui keqbërësit që e kishin vënë në shtyllë pranë tij?

• Në ç’mënyrë Letra drejtuar Hebrenjve dhe fjalët e Pjetrit vërtetojnë shpresën e jetës së përhershme në tokë?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 8]

Njerëzit si delet do të marrin jetën e përhershme në tokë

[Figurat në faqen 10]

Jezui u foli të tjerëve për jetën e përhershme