Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

‘Jehovai ka bërë që fytyra e tij të ndriçojë mbi ta’

‘Jehovai ka bërë që fytyra e tij të ndriçojë mbi ta’

‘Jehovai ka bërë që fytyra e tij të ndriçojë mbi ta’

FYTYRA e njeriut ka mbi 30 muskuj. Vetëm për të buzëqeshur, bashkëveprojnë 14 muskuj! A do të ishin të këndshme bisedat tuaja pa këta muskuj? Aspak. Por, për ata që nuk mund të dëgjojnë, muskujt e fytyrës nuk janë vetëm për të lezetuar bisedat. Kur kombinohen me gjestet, ata janë një mjet i rëndësishëm për të transmetuar mendime dhe ide. Shumë njerëz mrekullohen kur shohin se si gjuha e shenjave mund të shprehë edhe mendime të ndërlikuara, përfshirë edhe hollësi e ngjyrime kuptimore.

Kohët e fundit, ata që nuk dëgjojnë në mbarë botën kanë mundur të shohin një fytyrë më të pasur në shprehje se çdo fytyrë njeriu. Në kuptimin figurativ, ata kanë parë ‘fytyrën e Jehovait’. (Psal. 34:16) Kjo nuk ka qenë e rastësishme. Jehovai ka treguar prej kohësh dashuri të madhe për ata që nuk dëgjojnë. Madje u ka treguar dashuri që në kohën e kombit të lashtë të Izraelit. (Lev. 19:14) Edhe në kohët tona, dashuria e tij për ata që nuk dëgjojnë ka qenë më se e dukshme. «Vullneti i [Perëndisë] është që njerëz të çdo lloji të shpëtojnë dhe të fitojnë njohurinë e saktë të së vërtetës.» (1 Tim. 2:4) Duke marrë njohuri të saktë për të vërtetën rreth Perëndisë, shumë nga ata që nuk dëgjojnë në fakt arrijnë ta shohin fytyrën e tij. Po si ka ndodhur pa ndihmën e gjuhës së folur? Para se t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje, le të shqyrtojmë përse gjuha e shenjave është e rëndësishme për ata që nuk dëgjojnë.

Syri zëvendëson veshin

Ka shumë ide të gabuara lidhur me ata që nuk dëgjojnë dhe me gjuhën e shenjave. Le të qartësojmë disa prej tyre. Këta njerëz mund të ngasin makinën. E kanë shumë të vështirë të lexojnë buzët e të tjerëve kur flasin. Gjuha e shenjave nuk ka asgjë të përbashkët me gjuhën Braile dhe nuk është thjesht pantomimë. Nuk ka një gjuhë universale të shenjave. Për më tepër, shenjat mund të ndryshojnë disi edhe sipas krahinave të një vendi.

A mund të lexojnë ata? Edhe pse disa prej tyre lexojnë mirë, e vërteta është se për shumicën leximi është një stërmundim. Pse? Sepse ajo që është hedhur në letër ka për bazë gjuhën e folur. Mendoni se si e mëson gjuhën një fëmijë që dëgjon. Që kur lind, ai rrethohet nga njerëz që flasin gjuhën e vendit. Brenda pak kohësh, ai është në gjendje të lidhë fjalë dhe të formojë fjali. Kjo i vjen natyrshëm vetëm nga dëgjimi i gjuhës së folur. Prandaj, kur fëmijët që dëgjojnë fillojnë të lexojnë, mjafton të mësojnë që shkronjat e zeza në fletë përfaqësojnë tinguj ose fjalë që tashmë i dinë.

Tani, e zëmë se jeni në një vend të huaj dhe jeni brenda një dhome xhami ku nuk hyn asnjë tingull nga jashtë. Nuk e keni dëgjuar kurrë gjuhën e atij vendi. Çdo ditë njerëzit ju afrohen dhe përpiqen t’ju flasin nga matanë xhamit. Nuk arrini t’i dëgjoni fare. Shihni vetëm që lëvizin buzët. Kur vërejnë që ju nuk i kuptoni, ata e shkruajnë atë që duan t’ju thonë në një copë letër dhe jua tregojnë nga matanë xhamit me mendimin se duhet të jeni në gjendje ta kuptoni. A mendoni se do të arrinit ta kuptonit? Komunikimi në një situatë të tillë do të ishte gati i pamundur. Pse? Sepse ajo që është shkruar, është në një gjuhë që nuk e keni dëgjuar kurrë. Pikërisht në të njëjtën situatë ndodhen edhe shumica e atyre që nuk dëgjojnë.

Gjuha e shenjave është një mjet i përsosur komunikimi për ata që nuk dëgjojnë. Një person shfrytëzon hapësirën përreth tij për të krijuar koncepte me anë të shenjave. Lëvizjet e tij në këtë hapësirë dhe shprehjet e tij të fytyrës bëhen sipas rregullave gramatikore të gjuhës së shenjave. Kështu krijohet një gjuhë pamore që bën të mundur përcjelljen e informacioneve nëpërmjet të parit.

Në fakt, pothuajse çdo lëvizje që ata bëjnë me duar, me trup dhe me fytyrë ndërsa komunikojnë me shenja, ka kuptim. Shprehjet e fytyrës nuk janë vetëm për t’u dhënë peshë emocionale gjesteve të tyre. Në gjuhën e shenjave, ato janë një element i rëndësishme gramatikor. Për ta kuptuar: nëse një pyetje bëhet me vetulla të ngritura, kjo mund të tregojë se është ose një pyetje retorike, ose një pyetje që kërkon si përgjigje vetëm një po ose jo. Por, nëse vetullat janë të mbledhura, kjo mund të jetë një pyetje që fillon me: kush, çfarë, ku, kur, pse dhe si. Disa lëvizje të gojës mund të tregojnë madhësinë e një sendi ose intensitetin e një veprimi. Mënyra se si dikush lëviz kokën, ngre shpatullat, rrudh faqet ose kapsallit sytë, i shton hollësi mendimit që po transmeton.

Këto elemente kombinohen për të krijuar një shfaqje të këndshme gjuhësore për sytë. Duke përdorur këtë formë të pasur komunikimi, ata që e dinë mirë gjuhën e shenjave mund të shprehin çdo koncept—që nga mendimet poetike deri tek ato teknike, që nga shprehjet romantike deri tek ato humoristike, që nga idetë konkrete deri tek ato abstrakte.

Botimet në gjuhën e shenjave ndihmojnë jashtë mase

Kur njohuria e Perëndisë shprehet në gjuhën e shenjave, ata që nuk dëgjojnë janë në gjendje ta kuptojnë mesazhin dhe «të tregojnë besim» te Burimi i këtij mesazhi. Prandaj, Dëshmitarët e Jehovait kanë bërë përpjekje të veçanta për t’u predikuar atyre që nuk dëgjojnë në mbarë botën dhe për të siguruar materiale në dobi të tyre. (Rom. 10:14) Tani, në të gjithë botën ka 58 skuadra që përkthejnë në gjuhën e shenjave dhe disponohen botime në DVD në 40 gjuhë të shenjave. A ia ka vlejtur gjithë kjo punë?

Xheremi, prindërit e të cilit nuk dëgjojnë, thotë: «Njëherë, mbaj mend që babai nxirrte sytë për orë të tëra vetëm e vetëm për të kuptuar disa paragrafë nga një artikull i Kullës së Rojës. Papritur doli me vrap nga dhoma dhe i entuziazmuar tha me shenja: ‘E kuptova! E kuptova!’ Pastaj më shpjegoi kuptimin e asaj që kishte lexuar. Në atë kohë, isha vetëm 12 vjeç. I hodha një sy shpejt e shpejt paragrafëve dhe i thashë me shenja: ‘Babi, nuk mendoj se është ai kuptimi. Këtu thuhet se . . . ’ Ai ma bëri me shenjë që të mos vazhdoja më dhe u kthye në dhomën e tij që ta kuptonte vetë atë material të shkruar. Nuk do ta harroj kurrë fytyrën e tij të zhgënjyer dhe admirimin tim teksa e shihja të kthehej në dhomën e gjumit. Megjithatë, botimet në DVD në gjuhën e shenjave tani kanë bërë të mundur që ai të kuptojë më mirë. Për mua është diçka e jashtëzakonshme kur e shoh si i ndrit fytyra ndërsa ai shpreh si ndihet për Jehovain.»

Mendoni pak edhe për përvojën e një çifti Dëshmitarësh të cilët folën me Hesenian, një vajzë që nuk dëgjon nga Kili. Pasi e ëma u dha leje që t’i tregonin Hesenias botimin Libri im i tregimeve biblike në DVD në gjuhën e shenjave kiliane, ata tregojnë: «Kur Hesenia filloi të shihte tregimet, ajo filloi të qeshte dhe pastaj të qante. Kur e ëma e pyeti përse qante, ajo u përgjigj se po qante ngaqë i pëlqente ajo që po shihte. Kështu e ëma kuptoi se ajo ishte në gjendje të kuptonte çdo gjë në DVD.»

Një grua që nuk dëgjon nga një fshat në Venezuelë, kishte një fëmijë dhe priste të dytin. Ajo dhe burri i saj mendonin se nuk mund ta përballonin dot ekonomikisht një fëmijë të dytë, kështu që po fillonin ta shihnin abortin si një rrugëdalje. Pa ditur asgjë nga këto, Dëshmitarët e Jehovait shkuan te ky çift dhe i treguan mësimin 12 të videokasetës Çfarë kërkon Perëndia prej nesh? në gjuhën e shenjave të Venezuelës. Në këtë mësim, shpjegohet pikëpamja e Perëndisë për abortin dhe vrasjen. Më vonë, gruaja u tha Dëshmitarëve sa mirënjohëse ishte për atë mësim. Si rezultat, ata kishin vendosur të mos e bënin abortin. Kështu, me ndihmën e një botimi në DVD në gjuhën e shenjave, shpëtoi një jetë.

Lorena, një Dëshmitare që nuk dëgjon, shpjegon: «Të mësoje për Biblën ishte si të bashkoje copëzat e një mozaiku të madh. Kishte boshllëqe—vende të paplotësuara—në kuptueshmërinë time për tablonë e përgjithshme. Por, ndërsa të vërtetat biblike bëheshin të mundura në gjuhën e shenjave, këto boshllëqe u plotësuan.» Xhorxhi, i cili nuk dëgjon dhe ka qenë Dëshmitar për 38 vjet, thotë: «Nuk ka dyshim se aftësia për ta kuptuar vetë një çështje, të jep njëfarë sigurie dhe respekti për veten. Mendoj se DVD-të në gjuhën e shenjave më kanë ndihmuar më shumë se çdo gjë tjetër për t’u rritur nga ana frymore.»

«Një mbledhje në gjuhën time!»

Përveç botimeve në gjuhën e shenjave, Dëshmitarët e Jehovait kanë organizuar kongregacione ku mbledhjet mbahen tërësisht në gjuhën e shenjave. Tani, në të gjithë botën ka mbi 1.100 kongregacione të gjuhës së shenjave. Ata që nuk dëgjojnë e marrin çdo informacion në gjuhën e tyre dhe të vërtetat biblike paraqiten ashtu si janë mësuar të mendojnë ata—në gjuhën e shenjave. Ato përçohen në një mënyrë që tregon respekt për kulturën dhe për përvojën e tyre të jetës.

A ia ka vlejtur organizimi i kongregacioneve në gjuhën e shenjave? Shqyrtoni përvojën e Cirilit, i cili u pagëzua si Dëshmitar i Jehovait në vitin 1955. Për vite ai studioi me sa mundej botimet e shtypura dhe shkonte rregullisht në mbledhjet e krishtere. Jo gjithmonë kishte përkthyes, ose siç quhen ndryshe interpretues. Kur nuk kishte, ai kërkonte ndihmën e Dëshmitarëve që me dashuri përpiqeshin të mbanin shënim ato që thuheshin nga podiumi. Vetëm më 1989, pasi kishte qenë Dëshmitar për rreth 34 vjet, u formua kongregacioni i parë në gjuhën e shenjave në qytetin e Nju-Jorkut. Po si ndihej Cirili si pjesë e këtij kongregacioni? «Ndihesha sikur kisha dalë nga një pyll i dendur, nga errësira në dritë. Një mbledhje në gjuhën time!»

Kongregacionet e gjuhës së shenjave të Dëshmitarëve të Jehovait janë vende ku ata që nuk dëgjojnë mblidhen rregullisht për të mësuar për Perëndinë dhe për ta adhuruar. Janë vende ku populli i Perëndisë mund të krijojë marrëdhënie të mira dhe të gjejë inkurajim. Në mes të një bote ku ata që nuk dëgjojnë mund të ndihen të izoluar si nga ana gjuhësore, ashtu edhe shoqërore, këto kongregacione janë një oazë për sa i përket komunikimit dhe shoqërisë. Në këtë mjedis, ata mund të mësojnë, të rriten dhe të kenë synime në shërbim të Jehovait. Shumë Dëshmitarë që nuk dëgjojnë kanë arritur të shërbejnë si ungjillëzues në kohë të plotë. Disa janë transferuar në vende të tjera për të ndihmuar ata që nuk dëgjojnë, që të mësojnë për Jehovain. Burra të krishterë që nuk dëgjojnë, mësojnë të jenë mësues të efektshëm, organizues e barinj dhe shumë prej tyre janë në gjendje të kualifikohen për të pasur përgjegjësi në kongregacion.

Në Shtetet e Bashkuara, ka mbi 100 kongregacione të gjuhës së shenjave dhe rreth 80 grupe. Në Brazil, ka afro 300 kongregacione të gjuhës së shenjave dhe mbi 400 grupe. Në Meksikë, ka gati 300 kongregacione të gjuhës së shenjave. Kurse, në Rusi ka mbi 30 kongregacione të gjuhës së shenjave dhe 113 grupe. Dhe këta janë vetëm disa tregues të rritjes që po ndodh në mbarë botën.

Dëshmitarët e Jehovait organizojnë edhe asamble dhe kongrese në gjuhën e shenjave. Vitin e kaluar, në mbarë botën u mbajtën mbi 120 kongrese në gjuhë të ndryshme të shenjave. Këto organizime u japin mundësi Dëshmitarëve që nuk dëgjojnë, të shohin se ata janë pjesë e një vëllazërie të krishterë mbarëbotërore që nxjerr dobi nga ushqimi frymor në kohën e duhur.

Leonardi nuk dëgjon dhe ka qenë Dëshmitar i Jehovait për më shumë se 25 vjet. Ai tregon: «E kam ditur gjithmonë se Jehovai është Perëndia i vërtetë. E megjithatë, nuk kisha arritur kurrë ta kuptoja përse i ka lejuar vuajtjet. Ndonjëherë, kjo më bënte të zemërohesha me të. Por gjatë një fjalimi të veçantë në një kongres krahinor në gjuhën e shenjave, më në fund mora përgjigje. Kur mbaroi fjalimi, gruaja më ra me bërryl dhe më pyeti: ‘A je i kënaqur tani?’ Sinqerisht, mund të thosha po! Pas 25 vjetësh, jam mirënjohës që nuk e lashë kurrë Jehovain. Gjithmonë e doja, por nuk arrija ta kuptoja plotësisht. Tani po!»

Mirënjohës me gjithë zemër

Çfarë «shprehjesh» lexojnë në fytyrën e Jehovait ata që nuk dëgjojnë kur mësojnë për të? Dashuri, dhembshuri, drejtësi, besnikëri, dashamirësi—dhe shumë të tjera.

Të gjithë Dëshmitarët që nuk dëgjojnë në mbarë botën po shohin fytyrën e Jehovait dhe do vazhdojnë ta shohin edhe më qartë. Me dashuri në zemër për ata që nuk dëgjojnë, ‘Jehovai ka bërë që fytyra e tij të ndriçojë mbi ta’. (Num. 6:25) Sa mirënjohës janë që kanë mundur ta njohin Jehovain!

[Figurat në faqet 24, 25]

Në mbarë botën, ka mbi 1.100 kongregacione të gjuhës së shenjave

[Figurat në faqen 26]

Fytyra e Jehovait ka ndriçuar fort mbi ata që nuk dëgjojnë