Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të shmangim shpërqendrimet në këtë «ditë sihariqi»

Të shmangim shpërqendrimet në këtë «ditë sihariqi»

Të shmangim shpërqendrimet në këtë «ditë sihariqi»

KATËR të lebrosurit peshuan mundësitë që kishin. Askush nuk u kishte dhënë lëmoshë në portat e qytetit. Samaria ishte rrethuar nga sirianët dhe samaritanët po vdisnin nga uria. Nuk ia vlente të hynin në qytet; çmimi i ushqimit kishte shkuar në stratosferë. Madje, në atë kohë kishin dëgjuar për një rast kanibalizmi.—2 Mbret. 6:24-29.

Kështu, të lebrosurit menduan të hynin në kampin e sirianëve. Tek e fundit, s’humbnin gjë. Që të përfitonin nga errësira, ata vepruan po atë mbrëmje. Kur mbërritën në kamp, ishte qetësi. Nuk kishte roja. Kuajt dhe gomarët ishin të lidhur dhe nuk kishte ushtarë. Të katërt panë me kujdes brenda një tende. S’kishte njeri dhe kishte plot për të ngrënë e për të pirë. Kështu, hëngrën e pinë. Panë që aty kishte edhe ar, argjend, rroba dhe gjëra të tjera me vlerë. Morën çfarë deshën, i fshehën dhe u kthyen të merrnin akoma më shumë. I gjithë kampi ishte braktisur. Në mënyrë të mrekullueshme, Jehovai kishte bërë që sirianët të dëgjonin zhurmën e një ushtrie të madhe që afrohej. Me mendimin se po i sulmonin, sirianët ia kishin mbathur në këmbë. Kishin lënë çdo gjë në kamp dhe kushdo mund t’i merrte.

Të lebrosurit ishin duke marrë dhe duke fshehur gjërat me vlerë. Por, kur menduan për samaritanët aty afër që po vdisnin urie, nisi t’i vriste ndërgjegjja. Filluan t’i thoshin njëri-tjetrit: «Kjo që po bëjmë nuk është e drejtë. Kjo ditë është ditë sihariqi!» Sakaq u kthyen me vrap në Samari dhe u dhanë lajmin e mirë për atë që kishin zbuluar.—2 Mbret. 7:1-11.

Edhe ne po jetojmë në atë që mund të quhet «ditë sihariqi». Duke treguar një veçori të jashtëzakonshme ‘të shenjës së përfundimit të sistemit’, Jezui tha: «Ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet, dhe atëherë do të vijë fundi.» (Mat. 24:3, 14) Si duhet të ndikojë kjo te ne?

Interesat personale dhe ankthet mund të na rëndojnë zemrën

Të lebrosurit ishin kaq të gëzuar nga ajo që kishin zbuluar, sa përkohësisht e harruan Samarinë. U përqendruan vetëm tek ajo që mund të merrnin për vete. A mund të na ndodhë edhe neve diçka e ngjashme? ‘Mungesa e ushqimit’ është pjesë e shenjës së përbërë që shënon kohën e përfundimit të sistemit. (Luka 21:7, 11) Jezui i paralajmëroi dishepujt: «Kushtojini vëmendje vetes, që të mos ju rëndohen zemrat nga të ngrënët e tepërt, nga pirja e tepërt dhe nga ankthet e jetës.» (Luka 21:34) Si të krishterë, duhet të tregojmë kujdes që ankthet e përditshme të mos na bëjnë të harrojmë se po jetojmë në «ditë sihariqi».

Një e krishterë me emrin Blesina nuk lejoi që interesat personale t’i rëndonin zemrën. Shërbeu si pioniere, mbaroi shkollën, pastaj u martua me një bethelit dhe u pranua si pjesëtare e familjes Bethel në Benin. Ajo thotë: «Punoj në pastrim dhe më pëlqen shumë caktimi që kam.» Tani Blesina është e lumtur kur mendon për 12 vjetët e saj në shërbimin në kohë të plotë dhe e kënaqur që ka qenë e përqendruar në ‘ditën e sihariqit’, në të cilën po jetojmë.

Kujdes nga shpërqendrimet që hanë kohë

Kur dërgoi 70 dishepuj për të predikuar, Jezui tha: «Të korrat janë vërtet të mëdha, por punëtorët janë pak. Prandaj, lutjuni Zotërisë së të korrave të dërgojë punëtorë në të korrat e veta.» (Luka 10:2) Ashtu si vonesa në kohën e korrjes mund të sjellë humbje prodhimi, edhe neglizhimi në veprën e predikimit mund të sjellë humbje jetësh. Prandaj Jezui shtoi: «Mos rrini të përqafoheni me të tjerët kur të përshëndeteni rrugës.» (Luka 10:4) Në gjuhën origjinale, fjala ‘përshëndetem’ mund të nënkuptojë më shumë sesa vetëm thënia «tungjatjeta» ose «mirëdita». Ajo nënkupton edhe përqafimet e bisedat e gjata që mund të bëhen kur takon një mik. Pra, Jezui po i udhëzonte dishepujt që të shmangnin shpërqendrimet e panevojshme dhe ta shfrytëzonin kohën me mençuri. Mesazhi që duhej të predikonin, ishte urgjent.

Mendoni se sa kohë mund të na marrin shpërqendrimet. Për shumë vjet, televizori ka kryesuar listën e vjedhësve të kohës në shumë vende. Po ç’mund të themi për telefonat dhe kompjuterët? Nga anketimi i 1.000 të rriturve në Britani, doli se «një britanik kalon çdo ditë mesatarisht 88 minuta në telefon fiks, 62 minuta të tjera në celular, 53 minuta me postën elektronike dhe 22 minuta me mesazhe». Po të bësh një llogaritje, del se harxhojnë më shumë se dyfishin e kohës që kalon në ditë një pionier ndihmës në shërbim. Po ju, sa kohë kaloni në telefon dhe në kompjuter?

Ernst dhe Hildegart Zeligëri tregonin kujdes me mënyrën si e përdornin kohën. Po t’i mbledhësh bashkë, kaluan më shumë se 40 vjet në kampe naziste të përqendrimit dhe në burgje komuniste. Pasi u liruan, shërbyen si pionierë derisa përfunduan jetën e tyre në tokë.

Shumë donin të mbanin korrespondencë me çiftin Zeligër. Ata mund të kishin kaluar pjesën më të madhe të ditës duke lexuar dhe duke shkruar letra. Por, u dhanë përparësi çështjeve frymore më shumë se gjithçkaje tjetër në jetën e tyre.

Sigurisht, të gjithëve na pëlqen të mbajmë lidhje me njerëzit tanë të dashur, dhe kjo nuk është aspak e gabuar. Është mirë që në rutinën e përditshme të përfshijmë edhe gjëra të tjera të zgjedhura me kujdes. Megjithatë, duhet të tregohemi të mençur dhe syçelë për të mbajtur nën kontroll shpërqendrimet që na hanë kohë gjatë kësaj ‘dite’ të predikimit të lajmit të mirë.

Të predikojmë plotësisht lajmin e mirë

Çfarë bekimi është të jetojmë në një «ditë sihariqi»! Le të mos devijojmë nga gjërat më të rëndësishme, ashtu si katër të lebrosurit në fillim. Siç u tha në fillim të artikullit, ata arritën në përfundimin: «Kjo që po bëjmë nuk është e drejtë.» Po kështu, nuk është e drejtë të lejojmë që interesat personale ose shpërqendrimet që na hanë kohë, të na bëhen pengesë dhe të mos kemi një pjesëmarrje domethënëse në shërbim.

Në këtë drejtim, kemi një shembull të shkëlqyer për të ndjekur. Duke folur për 20 vitet e para të shërbimit të tij, apostulli Pavël shkroi: «Kam predikuar plotësisht lajmin e mirë për Krishtin.» (Rom. 15:19) Pavli nuk lejoi asgjë që t’i dobësonte zellin. Le të jemi po aq të zellshëm sa ai ndërsa predikojmë mesazhin për Mbretërinë në këtë «ditë sihariqi»!

[Figura në faqen 28]

Blesina nuk lejoi që interesat personale të bëheshin pengesë për shërbimin e saj në kohë të plotë

[Figura në faqen 29]

Çifti Zeligër tregonte kujdes me mënyrën si e përdorte kohën