Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Adami dhe Eva​—A kanë ekzistuar vërtet?

Adami dhe Eva​—A kanë ekzistuar vërtet?

Adami dhe Eva​—A kanë ekzistuar vërtet?

PËR shumë njerëz, tregimi i Zanafillës për Adamin dhe Evën është thjesht një përrallë interesante. Në një letër drejtuar kryeredaktorit të revistës Time, thuhet se «fetë tradicionale të krishtere prej kohësh i kanë konsideruar alegori tregimet e Zanafillës, si për shembull, atë për Adamin dhe Evën». Shumë studiues katolikë, protestantë dhe judenj janë dakord me këto fjalë. Ata pohojnë se pjesa më e madhe e Zanafillës nuk përputhet me historinë ose shkencën.

Po ju, çfarë mendoni? A besoni se Adami dhe Eva kanë ekzistuar vërtet? A ka prova për këtë? Nga ana tjetër, ç’pasoja vijnë nëse e konsiderojmë tregimin e Zanafillës thjesht një mit?

Tregimi i Zanafillës: A është i besueshëm nga ana shkencore?

Në fillim, le të shqyrtojmë elementet kyç të tregimit për krijimin e njeriut të parë. Bibla thotë për Adamin: «Perëndia Jehova formoi njeriun nga pluhuri i tokës dhe i fryu në vrimat e hundës frymën e jetës, dhe njeriu u bë një shpirt i gjallë.» (Zanafilla 2:7) A është i besueshëm nga ana shkencore ky pohim?

Libri Nanomjekësia (anglisht) thotë se trupi i njeriut përbëhet nga 41 elemente kimike. Këto elemente bazë—karboni, hekuri, oksigjeni dhe të tjerë—gjenden të gjithë në ‘pluhurin’ e tokës. Prandaj, siç thotë Zanafilla, njeriu është formuar vërtet «nga pluhuri i tokës».

Në ç’mënyrë këto elemente të pajeta u bashkuan dhe formuan një njeri të gjallë? Për të ilustruar se ç’sfidë e jashtëzakonshme ishte kjo, mendoni për anijen kozmike të NASA-s, një nga pajisjet më të ndërlikuara që është projektuar ndonjëherë. Kjo mrekulli e teknologjisë përmban një numër marramendës pjesësh: 2,5 milionë. Ekipit të inxhinierëve iu deshën vite për ta projektuar dhe për ta ndërtuar. Tani mendoni për trupin e njeriut. Ai përbëhet nga rreth 7 oktilionë atome, 100 trilionë qeliza, dhjetëra organe dhe të paktën 9 sisteme kryesore. * Si erdhi në ekzistencë kjo «pajisje» biologjike me një strukturë të ndërlikuar e mahnitëse? Nga rastësia e verbër apo nga një Krijues inteligjent?

Për më tepër, çfarë i mban njerëzit në jetë? Cili është burimi i jetës? Shkencëtarët pranojnë se nuk e dinë. Faktikisht, ata madje as arrijnë të bien dakord për një përkufizim të pranueshëm të fjalës jetë. Por për ata që pranojnë ekzistencën e një Krijuesi, përfundimi është i qartë. Burimi i jetës është pa dyshim Perëndia. *

Ç’mund të themi për tregimin e Zanafillës ku thuhet se Eva u krijua nga një brinjë e Adamit? (Zanafilla 2:21-23) Para se ta konsideroni mit ose fantazi, shqyrtoni faktet vijuese: në janar 2008, shkencëtarët në Kaliforni, SHBA, prodhuan embrionet e para njerëzore të klonuara nga qelizat e lëkurës së një të rrituri, të cilat janë në gjendje të zhvillohen. Në fakt, duke përdorur teknika të ngjashme, shkencëtarët kanë klonuar të paktën 20 kafshë. Më e famshmja ndër to, delja Dolli, u klonua në vitin 1996 nga gjëndra e qumështit e një deleje të rritur. *

Mbetet për t’u parë se ç’rezultate do të vijnë nga këto eksperimente. Por pika për t’u theksuar është kjo: nëse njerëzit mund të përdorin material biologjik nga një organizëm, për të prodhuar një tjetër të llojit të vet, a nuk mundet Krijuesi i plotfuqishëm të formojë një njeri nga materiali biologjik ekzistues i një njeriu tjetër? Është interesante që kirurgët e përdorin rregullisht kockën e brinjës në kirurgjinë rindërtuese, për shkak të aftësisë së saj për t’u ripërtërirë.

Prova nga vetë Bibla

Disa njerëz habiten kur mësojnë se Adami dhe Eva përmenden shpesh edhe në libra të tjerë të Biblës. Ç’dritë hedhin këto referime mbi vërtetësinë historike të tregimit të Zanafillës?

Shqyrtoni, për shembull, listat gjenealogjike judaike të dokumentuara në Bibël te Libri i Parë i Kronikave, kapitujt 1 deri 9 dhe tek Ungjilli i Lukës, kapitulli 3. Aty janë dokumentuar në një mënyrë jashtëzakonisht të detajuar përkatësisht 48 dhe 75 breza. Luka përshkruan gjenealogjinë e Jezu Krishtit, kurse Libri i Kronikave tregon linjat gjenealogjike mbretërore dhe priftërore të kombit të Izraelit. Në të dyja listat përfshihen emrat e njerëzve të njohur si Solomoni, Davidi, Jakobi, Isaku, Abrahami, Noeja dhe së fundi Adami. Të gjithë emrat në të dyja listat përfaqësojnë njerëz realë dhe, në secilën listë, Adami përshkruhet si njeriu i parë real.

Gjithashtu, Bibla i paraqit vazhdimisht Adamin dhe Evën si qenie njerëzore reale e jo si personazhe mitologjike. Ja disa shembuj:

• «Nga një njeri i vetëm [Perëndia] bëri të gjitha kombet.»—VEPRAT 17:26.

• «Mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu të vetëm, dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, ashtu edhe . . . vdekja mbretëroi që nga Adami deri te Moisiu.»—ROMAKËVE 5:12, 14.

• «Njeriu i parë, Adami, u bë një shpirt i gjallë.»—1 KORINTASVE 15:45.

• «I pari u formua Adami, e më pas Eva.»—1 TIMOTEUT 2:13.

• «Enoku, i shtati në radhë që nga Adami, profetizoi edhe për [të ligjtë].»—JUDA 14.

Ajo që është më e rëndësishmja, dëshmitari më i besueshëm në Bibël, Jezu Krishti, pranoi ekzistencën e Adamit dhe të Evës. Kur e sfiduan për çështjen e divorcit, Jezui u përgjigj duke cituar një pjesë nga Zanafilla: «Që nga fillimi i krijimit ‘[Perëndia] i bëri ata mashkull dhe femër. Prandaj, burri do të lërë babanë e nënën, dhe të dy do të jenë një mish i vetëm.’ . . . Prandaj, atë që Perëndia e ka bashkuar, asnjeri të mos e ndajë.» (Marku 10:6-9) A do të kishte përdorur Jezui një alegori për të vendosur një precedent ligjor që duhet respektuar? Patjetër që jo! Jezui e citoi këtu pjesën nga Zanafilla si një fakt.

Duke përmbledhur provat biblike, fjalori The New Bible Dictionary nxjerr këtë përfundim: «Dhiata e Re mbështet vërtetësinë historike të tregimit që ndodhet në kapitujt e parë të Zanafillës

Efekti domino

Shumë njerëz të sinqertë që shkojnë në kishë, mendojnë se besimi në ekzistencën e Adamit dhe Evës nuk është thelbësor për të qenë një i krishterë i mirë. Në pamje të parë mund të duket kështu. Por, le të ndjekim këtë linjë arsyetimi dhe të shohim se ku do të na çojë.

Shqyrtoni, për shembull, një doktrinë biblike që mjaft nga ata që shkojnë në kishë e konsiderojnë shumë të shtrenjtë—doktrinën e shpërblesës. Sipas saj, Jezu Krishti dha jetën e tij njerëzore të përsosur si shpërblesë për të shpëtuar njerëzit nga mëkatet e tyre. (Mateu 20:28; Gjoni 3:16) Siç e dimë, një shpërblesë është çmimi me vlerë përkatëse që duhet paguar për të shpenguar ose riblerë diçka të humbur a të konfiskuar. Ja pse Bibla e përshkruan Jezuin «një shpërblesë përkatëse». (1 Timoteut 2:6) «Po me çfarë përkon ose ka vlerë të njëjtë?»—mund të pyesni. Bibla përgjigjet: «Ashtu si në Adamin të gjithë po vdesin, po kështu në Krishtin të gjithë do të ngjallen.» (1 Korintasve 15:22) Jeta e përsosur që Jezui flijoi për të shpenguar njerëzimin e bindur, përkon me jetën e përsosur që humbi Adami si pasojë e mëkatit të parë në Eden. (Romakëve 5:12) Është e qartë, nëse Adami nuk do të kishte ekzistuar, flijimi shpërblyes i Krishtit do të ishte fare i pakuptimtë.

Hedhja poshtë ose nënvlerësimi i tregimit të Zanafillës për Adamin dhe Evën, krijon një efekt domino që minon pothuajse çdo mësim kryesor të Biblës. * Një mënyrë e tillë të menduari çon në një mori pyetjesh pa përgjigje dhe në një besim pa themel.—Hebrenjve 11:1.

Jeta: Me kuptim apo e kotë?

Në fund, mbërrijmë në këtë pyetje themelore: hedhja poshtë e tregimit të Zanafillës, a plotëson nevojën e njeriut për të ditur kuptimin dhe qëllimin e jetës? Sipas Riçard Dokinsit, evolucionist dhe ateist i njohur, universi «nuk ka asnjë projekt, asnjë qëllim, në të nuk ekziston as e keqja, as e mira, asgjë, përveçse indiferencë e verbër dhe e pamëshirshme». Ç’këndvështrim i zymtë, plotësisht në kundërshtim me natyrën njerëzore!

Krejt ndryshe nga Dokinsi, Bibla u jep përgjigje të kënaqshme pyetjeve më të rëndësishme të jetës: si kemi ardhur në ekzistencë? Cili është qëllimi i jetës? Pse ka kaq shumë ligësi dhe vuajtje në botë? A do të marrë fund ndonjëherë e keqja? U jep përgjigje edhe shumë pyetjeve të tjera. Përveç kësaj, besimi te shpërblesa e Krishtit bën të mundur shpresën e jetës së përhershme në kushte parajsore, si ato në Eden ku Perëndia vendosi njerëzit e parë, Adamin dhe Evën. (Psalmi 37:29; Zbulesa 21:3-5) Çfarë perspektive e mrekullueshme! *

Megjithëse tregimi i Adamit dhe Evës mund të mos përputhet me teorinë e evolucionit, ai përputhet me faktet e njohura shkencore. Për më tepër, është plotësisht në harmoni me pjesën tjetër të Fjalës së frymëzuar të Perëndisë, Biblën, e cila i jep kuptim dhe qëllim të kënaqshëm jetës.

Atëherë, përse të mos e shqyrtoni më tej Biblën për dobinë tuaj? Dëshmitarët e Jehovait janë të gatshëm dhe dëshirojnë t’ju ndihmojnë.

[Shënimet]

^ par. 7 Në sistemin amerikan të numërimit, këto shifra janë të barazvlefshme përkatësisht me numrin 7 të ndjekur nga 27 zero dhe 100 të ndjekur nga 12 zero.

^ par. 8 Për informacione të mëtejshme shih librat A ka një Krijues që interesohet për ju? dhe Jeta: Si erdhi ajo këtu? Me evolucion apo me krijim?, të dy të botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 9 Natyrisht, këta shkencëtarë nuk krijojnë jetë. Përkundrazi, përdorin material nga qelizat e gjalla ekzistuese.

^ par. 25 Këtu përfshihen mësimet për sovranitetin e Perëndisë, integritetin e njeriut, të mirën e të keqen, vullnetin e lirë, gjendjen e të vdekurve, martesën, Mesinë e premtuar, tokën parajsore, Mbretërinë e Perëndisë dhe shumë e shumë të tjera.

^ par. 28 Për hollësi të mëtejshme, shih kapitullin 3, «Cili është qëllimi i Perëndisë për tokën?» dhe kapitullin 5, «Shpërblesa—Dhurata më e madhe e Perëndisë», në librin Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Diçitura në faqen 14]

Është e qartë, nëse Adami nuk do të kishte ekzistuar, flijimi shpërblyes i Krishtit do të ishte fare i pakuptimtë

[Figurat në faqet 12, 13]

Ashtu si anija kozmike është projektuar me kujdes, po kështu është edhe me trupin e njeriut

[Figura në faqen 15]

Jezui e pranoi ekzistencën e Adamit dhe të Evës