Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A ia vlen të marrim hak?

A ia vlen të marrim hak?

A ia vlen të marrim hak?

SHUMË njerëz mendojnë se, kur hakmerresh, ndihesh mirë. Kjo ndodh sepse indinjimi na vjen natyrshëm kur na bëjnë padrejtësi ose na bëjnë keq në ndonjë mënyrë. Ndjenja jonë e lindur e së drejtës dhe e së gabuarës kërkon që të vihet në vend drejtësia. Por, lind pyetja: në ç’mënyrë?

Sigurisht padrejtësitë mund të jenë të llojeve të ndryshme, duke filluar nga shuplakat, shtyrjet ose fyerjet e deri te sharjet, dhuna, grabitjet e kështu me radhë. Si ndihesh kur përballesh me ndonjë lloj padrejtësie? Reagimi i shumë njerëzve sot mund të jetë: «Do të ma paguajë!»

Në Shtetet e Bashkuara, një sërë nxënësish në shkollat e mesme janë hakmarrë kundër mësuesve që i kanë disiplinuar, duke i akuzuar sikur kanë abuzuar me ta. «Ajo që ndodh,—thotë Brenda Miçëlli, presidente e Sindikatës së Mësuesve në Nju-Orleans,—është se, kur hidhet akuza, reputacioni i mësuesit prishet.» Edhe pasi del se akuza ishte e rreme, dëmi mund të mbetet.

Edhe numri i punëtorëve të pakënaqur që marrin hak ndaj punëdhënësve të tyre, sa vjen e rritet. Ata marrin hak duke dëmtuar ose fshirë informacione të rëndësishme nga rrjeti i kompjuterëve të kompanisë. Të tjerë vjedhin sekretet e kompanisë dhe i shesin ose ua tregojnë kujtdo. Përveç vjedhjeve të dokumenteve elektronike, sipas The New York Times, «vjedhja e stilit të vjetër mbetet akoma metoda kryesore e hakmarrjes nga punëtorët». Për të shmangur hakmarrjen, shumë kompani janë detyruar të marrin një punonjës sigurimi që ta shoqërojë punëtorin e pushuar nga puna te tavolina e tij e punës, të presë derisa të mbledhë gjërat dhe pastaj ta shoqërojë deri jashtë godinës.

Deri tani, më e zakonshme është që hakmarrjet të ndodhin midis njerëzve më të afërt—miqve, kolegëve dhe pjesëtarëve të familjes. Lëndimi i ndjenjave nga ndonjë fjalë e pasjellshme ose ndonjë veprim i pamend, shpesh mund të pasohet me një reagim hakmarrës. Nëse një mik të flet me një ton zëri të ashpër, a ia kthen menjëherë me të njëjtën monedhë? Nëse një pjesëtar i familjes të mërzit disi, a kërkon një mënyrë për të marrë hak? Sa e lehtë është të veprojmë kështu kur na fyen një mik ose i afërmi ynë!

Marrëzia e hakmarrjes

Shpesh, njerëzit kërkojnë të hakmerren që të lehtësohen nga dhembja emocionale që shkakton një padrejtësi. Për shembull, Bibla tregon se, kur bijtë e patriarkut hebre Jakob morën vesh se kananiti Sikem kishte përdhunuar motrën e tyre, Dinën, ata ‘u lënduan dhe u zemëruan mjaft’. (Zanafilla 34:1-7) Për t’u hakmarrë për të keqen që i ishte bërë motrës së tyre, dy nga djemtë e Jakobit komplotuan kundër Sikemit dhe familjes së tij. Me anë të mashtrimit, Simeoni dhe Levi hynë në qytetin kananit dhe vranë çdo mashkull, përfshirë edhe Sikemin.—Zanafilla 34:13-27.

A zgjidhi gjë gjithë kjo gjakderdhje? Kur Jakobi dëgjoi për atë që kishin bërë bijtë e tij, i qortoi duke u thënë: «Ju më keni futur në telashe, dhe më keni bërë të pështirë për banorët e vendit. . . . Ata do të mblidhen kundër meje, do të më sulmojnë dhe do të më shfarosin, mua dhe shtëpinë time.» (Zanafilla 34:30) Po, në vend që t’i rregullonte gjërat, hakmarrja u hapi më shumë telashe. Tani familja e Jakobit duhej të ishte syçelë ndaj sulmeve të fqinjëve të zemëruar. Që të mos sulmoheshin, Perëndia e udhëzoi Jakobin të ikte që andej me familjen dhe të vendosej në Bethel.—Zanafilla 35:1, 5.

Ngjarjet lidhur me përdhunimin e Dinës theksojnë një mësim të rëndësishëm. Hakmarrja shpesh çon në hakmarrje të tjera, dhe ky cikël vazhdon të përsëritet. Prandaj, është më se i vërtetë proverbi gjerman që thotë: «Hakmarrja nuk mbetet pa hakmarrje për shumë gjatë.»

Një cikël dhembjesh

Përqendrimi i mendjes dhe i energjisë për të ndëshkuar dikë që të ka bërë një padrejtësi, është shkatërrimtar. Libri Falja—Si të bësh paqe me të shkuarën dhe të vazhdosh jetën (anglisht) thotë: «Zemërimi të ha. Të ha kohën dhe energjitë ndërsa bluan në mendje përvojat e dhimbshme të së shkuarës, mallkon me vete ata që të kanë lënduar dhe kërkon si të marrësh hak.» Bibla e përshkruan në mënyrë të gjallë kur thotë se «xhelozia është kalbësirë për kockat».—Proverbat 14:30.

Vërtet, si mund të jetë i lumtur dikush nëse brenda vetes ushqen urrejtje dhe ndjenja shkatërrimtare? Një komentues vërejti: «Nëse mendon se ‘kur hakmerresh ndihesh mirë’, shiko në fytyrë ata që kanë jetuar me ndjenjën e hakmarrjes për vite të tëra.»

Mendo çfarë ndodh në shumë vende të botës ku ka tensione etnike dhe fetare. Shpesh një vrasje çon në një tjetër, e cila shërben vetëm për të përforcuar një cikël të pafund urrejtjesh dhe vdekjesh. Për shembull, kur një bombë vrau 18 të rinj gjatë një sulmi terrorist, një grua, duke qarë, bërtiste: «Duhet të na e paguajnë një mijë herë më shumë!» Kështu brutaliteti vetëm rritet dhe gjithnjë e më tepër njerëz përfshihen në konflikt.

«Sy për sy»

Disa përmendin Biblën për të justifikuar qëndrimin e tyre hakmarrës. Ata shprehen: «A nuk thotë Bibla ‘sy për sy e dhëmb për dhëmb’?» (Levitiku 24:20) Në pamje të parë, ligji «sy për sy» mund të duket se është pro hakmarrjes. Por në të vërtetë, shërbente për të frenuar ose kufizuar aktet e pamenda të hakmarrjes. Në ç’kuptim?

Nëse një izraelit sulmonte një izraelit tjetër dhe i nxirrte syrin, Ligji i Moisiut lejonte që t’i jepej ndëshkimi i duhur. Megjithatë, nuk ishte viktima që duhej të merrte masa ndëshkuese kundër atij që e kishte sulmuar ose ndonjërit nga familja e tij. Ligji kërkonte që t’ua linte çështjen autoriteteve përkatëse—gjykatësve të caktuar—që të merrnin masat e duhura. Dijenia se autori i vullnetshëm i krimit ose i dhunës mund të ndëshkohej në të njëjtën mënyrë, shërbente si një frenues i fuqishëm për të mos marrë hak vetë. Por nuk është vetëm kjo.

Para se t’u jepte ligjin e mësipërm të shpagimit, Perëndia Jehova i tha kombit të Izraelit nëpërmjet Moisiut: ‘Mos e urre vëllanë në zemrën tënde. Mos merr hak dhe mos mbaj mëri.’ (Levitiku 19:17, 18) Po, ideja «sy për sy e dhëmb për dhëmb» duhet shqyrtuar në kontekstin e gjithë Ligjit, i cili, siç tha Jezui, përmblidhej në dy urdhërime: «Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde» dhe «duaje të afërmin tënd si veten». (Mateu 22:37-40) Atëherë, si duhet të reagojnë të krishterët e vërtetë nëse u bëhet një padrejtësi?

Të ndjekim udhën e paqes

Bibla e përshkruan Jehovain si «Perëndia i paqes» dhe i nxit adhuruesit e tij ‘të kërkojnë dhe të ndjekin paqen’. (Hebrenjve 13:20; 1 Pjetrit 3:11) Por, a ia vlen?

Gjatë shërbimit të tij këtu në tokë, Jezuin e pështynë, e rrahën dhe e përndoqën armiqtë. Kurse një mik i ngushtë e tradhtoi dhe dishepujt e braktisën. (Mateu 26:48-50; 27:27-31) Si i priti të gjitha këto? «Kur e shanin, ai nuk e kthente sharjen,—shkroi apostulli Pjetër.—Kur vuante, nuk kërcënonte, por e linte veten në duart e atij që gjykon me drejtësi.»—1 Pjetrit 2:23.

«Krishti vuajti për ju,—shpjegoi Pjetri,—duke ju lënë një model, që të ndiqni me kujdes gjurmët e tij.» (1 Pjetrit 2:21) Po, të krishterët inkurajohen të imitojnë Jezuin, madje edhe reagimin e tij ndaj padrejtësive. Vetë Jezui tha gjatë Predikimit në Mal: «Vazhdoni të doni armiqtë tuaj e të luteni për ata që ju përndjekin, që të jeni bij të Atit tuaj që është në qiej.»—Mateu 5:44, 45.

Si reagojnë ata me dashuri si Krishti kur u bëhet një padrejtësi ose mendojnë se u është bërë një padrejtësi? Te Proverbat 19:11 thuhet: «Gjykimi i thellë me siguri ia ngadalëson zemërimin njeriut, dhe është gjë e bukur nga ana e tij të kapërcejë shkeljen.» Gjithashtu, ata ndjekin këtë këshillë: «Mos e lejo të keqen të të mundë, por vazhdo ta mundësh të keqen me të mirën.» (Romakëve 12:21) Sa ndryshon kjo nga fryma e hakmarrjes që mbizotëron sot në botë! Dashuria e vërtetë e krishterë mund të na ndihmojë të kapërcejmë dëshirën e fortë për të marrë hak dhe kështu ‘të kapërcejmë shkeljen’, sepse dashuria «nuk e mban llogari të keqen».—1 Korintasve 13:5.

A do të thotë kjo se, kur jemi viktimë e një krimi ose kërcënimi, duhet ta pranojmë pa bërë zë? Absolutisht jo! Kur Pavli tha që ‘të vazhdojmë ta mundim të keqen me të mirën’, ai nuk donte të thoshte që një i krishterë duhet medoemos të bëhet martir. Përkundrazi, kur na sulmojnë, kemi të drejtë të vetëmbrohemi. Nëse të dhunojnë ty ose pronën tënde, mund të vendosësh të thërrasësh policinë. Nëse ke probleme me ndonjë në punë ose në shkollë, mund t’u drejtohesh për ndihmë autoriteteve të institucionit.—Romakëve 13:3, 4.

Gjithsesi, është mirë të mos harrojmë se drejtësia e vërtetë në këtë sistem vështirë të arrihet. Në fakt, shumë janë munduar një jetë të tërë në kërkim të kësaj drejtësie, por vetëm sa i ka përpirë inati dhe zhgënjimi kur nuk e kanë arritur atë që pritnin.

Satanai nuk do të donte asgjë më tepër sesa t’i shihte njerëzit të përçarë nga hakmarrja ose urrejtja. (1 Gjonit 3:7, 8) Prandaj, është shumë më mirë të mbajmë në mendje këto fjalë të Biblës: «Mos u hakmerrni për veten, o të dashur, por lërini vend zemërimit të Perëndisë, sepse është shkruar: ‘Hakmarrja më përket mua, unë do të shpaguaj’,—thotë Jehovai.» (Romakëve 12:19) Kur ia lëmë Jehovait në dorë, i kursejmë vetes shumë dhembje, zemërim e dhunë.—Proverbat 3:3-6.

[Diçitura në faqen 22]

«Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde» dhe «duaje të afërmin tënd si veten»

[Figurat në faqen 23]

Dashuria «nuk e mban llogari të keqen».—1 Korintasve 13:5