Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mbani qëndrimin mendor të Krishtit!

Mbani qëndrimin mendor të Krishtit!

Mbani qëndrimin mendor të Krishtit!

‘Kini mes jush të njëjtin qëndrim mendor që kishte Krishti Jezu.’—ROM. 15:5.

1. Pse duhet të përpiqemi të kemi qëndrimin mendor të Krishtit?

«EJANI tek unë,—tha Jezu Krishti.—Mësoni nga unë, sepse jam me natyrë të butë e i përulur në zemër, dhe ju do të gjeni freskim për shpirtin.» (Mat. 11:28, 29) Kjo ftesë e ngrohtë shpreh mirë qëndrimin mendor të dashur të Jezuit. Asnjë njeri nuk mund të ishte shembull më i mirë për t’u ndjekur. Megjithëse ishte Biri i Perëndisë dhe ishte i fuqishëm, Jezui shfaqi empati dhe butësi, sidomos ndaj atyre në nevojë.

2. Cilat aspekte të qëndrimit të Jezuit do të shqyrtojmë?

2 Në këtë artikull dhe në dy artikujt vijues, do të shqyrtojmë si mund të zhvillojmë dhe të mbajmë të njëjtin qëndrim mendor si Jezui dhe si të imitojmë «mendjen e Krishtit» në jetën tonë. (1 Kor. 2:16) Do të përqendrohemi kryesisht në pesë aspekte: në butësinë dhe përulësinë e Jezuit, në mirëdashjen, në bindjen ndaj Perëndisë, në guximin dhe në dashurinë e tij të patundur.

Të mësojmë nga natyra e butë e Krishtit

3. (a) Ç’mësim për përulësinë u la Jezui dishepujve? (b) Si reagonte Jezui kur dishepujt shfaqnin dobësi?

3 Jezui, Biri i përsosur i Perëndisë, erdhi me gatishmëri këtu në tokë për të shërbyer ndër njerëzit e papërsosur dhe mëkatarë. Disa prej tyre do ta vritnin më vonë. Megjithatë, Jezui nuk e humbi asnjëherë gëzimin dhe vetëkontrollin. (1 Pjet. 2:21-23) Nëse «e mbajmë shikimin të ngulur» te shembulli i Jezuit, mund të veprojmë si ai kur gabimet dhe papërsosmëritë e të tjerëve ndikojnë te ne. (Hebr. 12:2) Jezui i ftoi dishepujt të futeshin me të nën zgjedhën e tij dhe kështu të mësonin prej tij. (Mat. 11:29) Çfarë mund të mësonin? Pikësëpari, Jezui ishte me natyrë të butë dhe ishte i durueshëm me dishepujt e tij, edhe kur ata gabonin. Natën para se të vdiste, Jezui u lau këmbët, duke u mësuar kështu të ishin ‘të përulur në zemër’, një mësim që nuk do ta harronin kurrë. (Lexo Gjonin 13:14-17.) Më vonë, kur Pjetri, Jakovi dhe Gjoni nuk arritën ‘të qëndronin vigjilentë’, Jezui me dhembshuri e pranoi dobësinë e tyre. «Simon, po fle?—pyeti ai.—Qëndroni vigjilentë dhe lutuni, që të mos tundoheni. Sigurisht, fryma është gati, por mishi është i dobët.»—Mar. 14:32-38.

4, 5. Si mund të na ndihmojë shembulli i Jezuit që të kapërcejmë të metat e të tjerëve?

4 Si reagojmë nëse një bashkëbesimtar ka frymën e konkurrencës, fyhet lehtë ose s’është shumë i gatshëm për të reaguar ndaj këshillës që vjen nga pleqtë ose «skllavi i besueshëm dhe i matur»? (Mat. 24:45-47) Mund të jemi të përgatitur për t’i pranuar e për t’i falur papërsosmëritë e njerëzve nga bota, por kur i shfaqin vëllezërit tanë këto papërsosmëri, mund ta kemi të vështirë t’i falim. Nëse mërzitemi kollaj nga të metat e të tjerëve, duhet të pyesim veten: «Si mund ta imitoj më mirë ‘mendjen e Krishtit’?» Përpiquni të mos harroni se Jezui nuk mërzitej me dishepujt, edhe kur ata tregonin njëfarë dobësie frymore.

5 Shqyrtoni rastin e apostullit Pjetër. Kur Jezui e ftoi Pjetrin të zbriste nga varka dhe të ecte mbi ujë drejt tij, Pjetri arriti ta bënte këtë për pak. Pastaj, Pjetri pa stuhinë dhe filloi të fundosej. A u zemërua Jezui me të dhe a i tha: «Mirë të të bëhet! Kështu do të zësh mend!» Jo! «Jezui shtriu menjëherë dorën, e kapi dhe i tha: ‘Besëpak, përse të mposhti dyshimi?!’» (Mat. 14:28-31) Nëse ndonjëherë përballemi me mungesën e dukshme të besimit të një vëllai, a mund t’ia shtrijmë dorën në kuptim të figurshëm dhe ta ndihmojmë të fitojë më shumë besim? Sigurisht, ky mësim del qartë nga butësia që tregoi Jezui me Pjetrin.

6. Çfarë u mësoi Jezui apostujve që kërkonin pozitë?

Pjetri ishte i përfshirë edhe në debatin e vazhdueshëm të apostujve se kush ishte më i madhi ndër ta. Jakovi dhe Gjoni donin të uleshin njëri në të djathtë dhe tjetri në të majtë të Jezuit në Mbretërinë e tij. Kur Pjetri dhe apostujt e tjerë dëgjuan për këtë, u indinjuan. Jezui e dinte se ata ndoshta e kishin marrë këtë frymë konkurrence nga shoqëria në të cilën ishin rritur. Ai i thirri pranë dhe u tha: «Ju e dini se sundimtarët e kombeve sillen si zotër me to dhe të mëdhenjtë ushtrojnë autoritet mbi to. Mes jush nuk është kështu. Kushdo që dëshiron të bëhet i madh ndër ju, të jetë shërbëtori juaj, dhe kushdo që dëshiron të jetë i pari ndër ju, të jetë skllavi juaj.» Pastaj, Jezui ua drejtoi vëmendjen te shembulli i tij: «Ashtu sikurse Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por që të shërbejë dhe të japë shpirtin e vet si shpërblesë për shumë njerëz.»—Mat. 20:20-28.

7. Si mund të ndihmojë secili prej nesh për të forcuar unitetin në kongregacion?

7 Nëse meditojmë për qëndrimin mendor të përulur të Jezuit, mund të mësojmë ‘të sillemi si më të vegjlit’ mes vëllezërve tanë. (Luka 9:46-48) Kjo forcon unitetin. Jehovai, si ati i një familjeje të madhe, do që fëmijët e tij «të banojnë së bashku në unitet», të shkojnë mirë. (Psal. 133:1) Jezui iu lut Atit të tij që të gjithë të krishterët e vërtetë të ishin në unitet, në mënyrë që, siç tha ai, «bota ta dijë se më dërgove ti dhe se i deshe ata, siç më deshe mua». (Gjoni 17:23) Pra, uniteti ndihmon që të identifikohemi si dishepuj të Krishtit. Që të kemi një unitet të tillë, duhet t’i shohim papërsosmëritë e të tjerëve ashtu si Krishti. Ai falte dhe mësonte se vetëm po të falim mund të na falin edhe ne.—Lexo Mateun 6:14, 15.

8. Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i atyre që i kanë shërbyer Perëndisë prej kohësh?

8 Gjithashtu, mund të mësojmë shumë duke imituar besimin e atyre që e kanë imituar Krishtin prej shumë vitesh. Ashtu si Jezui, ata zakonisht tregojnë mirëkuptim ndaj papërsosmërive të të tjerëve. Kanë mësuar se shfaqja e dhembshurisë si Krishti, jo vetëm na ndihmon «të mbajmë dobësitë e atyre që s’janë të fortë», por edhe forcon unitetin. Për më tepër, inkurajon gjithë kongregacionin që të imitojë qëndrimin mendor të Krishtit. Ata duan për vëllezërit të njëjtën gjë që donte edhe apostulli Pavël për të krishterët në Romë: «Perëndia që jep qëndrueshmëri dhe ngushëllim, ju dhëntë të keni mes jush të njëjtin qëndrim mendor që kishte Krishti Jezu, që së bashku t’i jepni lavdi me një gojë Perëndisë dhe Atit të Zotërisë tonë Jezu Krisht.» (Rom. 15:1, 5, 6) Po, adhurimi ynë në unitet i sjell lavdi Jehovait.

9. Pse kemi nevojë për frymën e shenjtë që të imitojmë shembullin e Jezuit?

9 Jezui e lidhi ‘përulësinë e zemrës’ me butësinë, e cila është pjesë e frytit të frymës së shenjtë të Perëndisë. Prandaj, përveç studimit të shembullit të Jezuit, kemi nevojë për frymën e shenjtë të Jehovait që të mund ta imitojmë këtë shembull siç duhet. Duhet të lutemi për frymën e shenjtë të Perëndisë dhe të përpiqemi të kultivojmë frytin e saj, që është: «dashuria, gëzimi, paqja, shpirtgjerësia, mirëdashja, mirësia, besimi, butësia, vetëkontrolli». (Gal. 5:22, 23) Duke ndjekur kështu modelin e përulësisë dhe të butësisë që la Jezui, do të kënaqim Atin tonë qiellor, Jehovain.

Jezui i trajtoi të tjerët me mirëdashje

10. Si shfaqi mirëdashje Jezui?

10 Edhe mirëdashja është pjesë e frytit të frymës së shenjtë. Jezui i trajtonte gjithmonë të tjerët me mirëdashje. Të gjithë ata që e kërkuan me sinqeritet Jezuin, panë se ai «i priti me dashamirësi». (Lexo Lukën 9:11.) Çfarë mund të mësojmë nga mirëdashja që tregoi Jezui? Njeriu mirëdashës është miqësor, i butë dhe i dhembshur. I tillë ishte Jezui. Ai ndiente keqardhje për njerëzit «sepse ishin të keqtrajtuar e të hallakatur si dele pa bari».—Mat. 9:35, 36.

11, 12. (a) Tregoni një rast kur Jezui veproi i shtyrë nga dhembshuria. (b) Çfarë mund të mësoni nga shembulli që shqyrtohet këtu?

11 Jezui jo vetëm ndiente keqardhje dhe dhembshuri, por edhe vepronte për t’i ndihmuar të tjerët. Shqyrtoni një rast. Një grua kishte vuajtur për 12 vjet rresht nga një rrjedhje gjaku e pazakontë. Gruaja e dinte se, sipas Ligjit të Moisiut, ajo dhe kushdo që e prekte atë konsiderohej i papastër për të adhuruar Perëndinë. (Lev. 15:25-27) Megjithatë, reputacioni i Jezuit dhe sjellja e tij duhet ta kenë bindur gruan se ai mund ta shëronte dhe se do ta shëronte. Ajo thoshte: «Sikur vetëm rrobat t’i prek, do të shërohem.» Mori guxim, e preku dhe menjëherë ndjeu se u shërua.

12 Jezui e ndjeu se dikush e kishte prekur dhe pa përreth për të kuptuar se kush e kishte prekur. Gruaja, ndoshta e frikësuar se mos e qortonte ngaqë kishte shkelur Ligjin, ra përmbys në këmbët e tij duke u dridhur dhe i tregoi gjithë të vërtetën. A e qortoi Jezui këtë grua të varfër e të përvuajtur? As që bëhej fjalë! Ai e siguroi: «Bijë, besimi yt të shëroi. Shko në paqe.» (Mar. 5:25-34) Sa shumë duhet ta kenë ngushëlluar këto fjalë kaq mirëdashëse!

13. (a) Si ndryshonte qëndrimi i Jezuit nga ai i farisenjve? (b) Si i trajtonte Jezui fëmijët?

13 Ndryshe nga farisenjtë zemërgur, Krishti nuk e përdori kurrë autoritetin e tij për t’ua shtuar barrët të tjerëve. (Mat. 23:4) Përkundrazi, ai me dashamirësi dhe me durim u mësoi udhët e Jehovait. Jezui ishte i përzemërt me dishepujt, gjithmonë i dashur dhe mirëdashës, një mik i vërtetë. (Prov. 17:17; Gjoni 15:11-15) Edhe fëmijët ndiheshin rehat me Jezuin dhe kuptohet që edhe ai ndihej po njësoj me ta. Ndonëse ishte tepër i zënë, kalonte kohë me të vegjlit. Njëherë, dishepujt e tij, që ende i jepnin shumë rëndësi vetes ashtu si udhëheqësit fetarë përreth tyre, u përpoqën të mos i linin njerëzit të çonin fëmijët te Jezui që t’i prekte. Jezuit nuk i pëlqeu kjo që bënë dishepujt. Ai u tha: «Lërini fëmijët të vijnë tek unë dhe mos u mundoni t’i ndalni, sepse mbretëria e Perëndisë u përket atyre që janë si këta.» Pastaj, duke përdorur si ilustrim fëmijët, nxori në pah një mësim dhe tha: «Vërtet po ju them: kushdo që nuk e pranon mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë, nuk do të hyjë kurrsesi në të.»—Mar. 10:13-15.

14. Si nxjerrin dobi fëmijët nga interesi i sinqertë?

14 Mendoni pak se si do të jenë ndier disa prej atyre fëmijëve vite më vonë kur janë rritur dhe kanë kujtuar se Jezu Krishti ‘i kishte marrë në krahë dhe i kishte bekuar’. (Mar. 10:16) Edhe fëmijët e sotëm do t’i kujtojnë me dashuri pleqtë dhe të tjerët që kanë treguar interes të sinqertë e altruist për ta. Ç’është më e rëndësishme, fëmijët, të cilëve u tregohet ky lloj interesi i vërtetë në kongregacion, mësojnë që në moshë të vogël se fryma e Jehovait është me popullin e tij.

Të tregojmë mirëdashje në një botë mosmirëdashëse

15. Pse nuk duhet të na habitë mungesa e mirëdashjes sot?

15 Shumë njerëz sot mendojnë se nuk kanë kohë të tregohen mirëdashës me të tjerët. Prandaj, çdo ditë, në shkollë, në punë, duke udhëtuar dhe në shërbim, populli i Jehovait duhet të përballet me frymën e kësaj bote. Qëndrimet mosmirëdashëse mund të na zhgënjejnë, por nuk duhet të na habitin. Jehovai e frymëzoi Pavlin që të na paralajmëronte se gjatë këtyre ‘ditëve të fundit’ e kritike, të krishterët do të kishin të bënin me njerëz që janë «të dashuruar me veten, . . . pa përzemërsi të natyrshme».—2 Tim. 3:1-3.

16. Si mund të nxitim mirëdashjen e krishterë në kongregacion?

16 Nga ana tjetër, atmosfera e këndshme brenda kongregacionit të të krishterëve të vërtetë bën kontrast me atë të botës mosmirëdashëse. Duke imituar Jezuin, secili prej nesh mund të bëjë pjesën e vet për të ruajtur këtë atmosferë të mirë. Si mund ta bëjmë këtë? Së pari, shumë në kongregacion kanë nevojë për ndihmën dhe inkurajimin tonë, sepse kanë probleme me shëndetin ose rrethana të tjera të vështira. Në këto «ditë të fundit», këto probleme mund të jenë në rritje, por nuk janë aspak të reja. Në kohët biblike, të krishterët vuanin nga probleme të ngjashme. Kështu, dhënia e ndihmës sot është po aq e nevojshme, sa ç’ishte për të krishterët e asaj kohe. Pavli, për shembull, i nxiti të krishterët ‘t’u flitnin në mënyrë ngushëlluese shpirtrave të dëshpëruar, të mbështetnin të dobëtit dhe të ishin shpirtgjerë me të gjithë’. (1 Sel. 5:14) Kjo do të thotë ta tregojmë me vepra mirëdashjen e krishterë.

17, 18. Cilat janë disa mënyra se si mund të imitojmë mirëdashjen e Jezuit?

17 Të krishterët kanë përgjegjësinë ‘t’i presin vëllezërit me dashamirësi’, t’i trajtojnë ashtu si Jezui do t’i kishte trajtuar, duke treguar interes të sinqertë për ata që mund t’i kemi njohur prej vitesh dhe për ata që mund të mos i kemi takuar kurrë. (3 Gjonit 5-8) Ashtu si Jezui merrte iniciativën i pari për t’u treguar dhembshuri të tjerëve, edhe ne duhet të bëjmë kështu duke u sjellë gjithmonë freskim të tjerëve.—Isa. 32:2; Mat. 11:28-30.

18 Secili prej nesh mund të tregohet mirëdashës duke u interesuar për mirëqenien e të tjerëve dhe duke i ndihmuar konkretisht. Kërkoni dhe krijoni mundësi për ta bërë këtë. Vini synime të tilla! «Kini për njëri-tjetrin përzemërsi të butë me dashuri vëllazërore»,—nxiti Pavli. Pastaj shtoi: «Jini të parët për t’i treguar nderim njëri-tjetrit.» (Rom. 12:10) Kjo do të thotë të ndjekim shembullin e Krishtit, t’i trajtojmë të tjerët me ngrohtësi dhe mirëdashje, të mësojmë të tregojmë ‘dashuri pa hipokrizi’. (2 Kor. 6:6) Pavli e përshkroi kështu këtë dashuri të krishterë: «Dashuria është shpirtgjerë dhe mirëdashëse. Dashuria nuk është xheloze, nuk mbahet me të madh, nuk krekoset.» (1 Kor. 13:4) Në vend që të mbajmë mëri ndaj vëllezërve e motrave, le t’i vëmë veshin kësaj këshille: «Bëhuni mirëdashës me njëri-tjetrin, zemërdhembshur, duke e falur njëri-tjetrin bujarisht, ashtu si edhe Perëndia ju ka falur bujarisht nëpërmjet Krishtit.»—Efes. 4:32.

19. Çfarë rezultatesh të mira vijnë kur shfaqim mirëdashje si Krishti?

19 Përpjekjet tona për të zhvilluar dhe për të treguar mirëdashje si Krishti gjithmonë dhe në çdo rrethanë, sjellin mjaft rezultate të mira. Fryma e Jehovait do të mund të veprojë lirisht në kongregacion, duke i ndihmuar të gjithë që të shfaqin frytin e frymës. Për më tepër, kur ndjekim modelin që la Jezui dhe ndihmojmë edhe të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë, adhurimi ynë i lumtur dhe në unitet do të gëzojë vetë Perëndinë. Prandaj, le të përpiqemi vazhdimisht të imitojmë butësinë dhe mirëdashjen e Jezuit në marrëdhëniet me të tjerët.

A mund të shpjegoni?

• Si tregoi Jezui se ishte «me natyrë të butë e i përulur në zemër»?

• Si shfaqi mirëdashje Jezui?

• Cilat janë disa mënyra se si tregojmë butësi dhe mirëdashje si Krishti në këtë botë të papërsosur?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 8]

Kur besimi i një vëllai lëkundet, ashtu siç ndodhi me Pjetrin, a do të shtrijmë dorën për ta ndihmuar?

[Figura në faqen 10]

Si mund të ndihmoni që kongregacioni të jetë një liman mirëdashjeje?