Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A është e mundur të zhvillosh besimin te një Krijues?

A është e mundur të zhvillosh besimin te një Krijues?

A është e mundur të zhvillosh besimin te një Krijues?

«KUR mendoja nëse mund të ketë një Krijues, më zemëronte mendimi se dikush mund ta kishte fuqinë të parandalonte vuajtjet e njerëzve, por s’donte ta përdorte.» Kështu tha një ish-ateist që kishte humbur disa familjarë gjatë Holokaustit. Nuk ishte i vetmi që ndihej kështu.

Kur përjetojnë mizori, shumë njerëzve u duket e vështirë të besojnë te Perëndia ose kërkojnë ngushëllim në idenë se nuk ka Perëndi. Cilët janë faktorët kryesorë që i shtyjnë disa të mos besojnë? A do të ishte më mirë njerëzimi pa Perëndi ose pa fe, siç mendojnë disa? A është e mundur që një ateist të zhvillojë besimin te një Krijues i dashur?

Dështimi i fesë

Duket ironike, por një faktor kryesor që ka shkaktuar ateizmin, është feja. Historiani Alister Mekgrathi shpjegon: «Mbi të gjitha, ajo që i shtyn njerëzit drejt ateizmit është ndjenja e neverisë për teprimet dhe dështimet e fesë.» Shpesh, feja shihet si element përgjegjës për luftërat e dhunën. Një ateist dhe filozof me emrin Mishel Onfrej, në reflektimet e tij ngre pyetjen se si ka mundësi që i njëjti libër fetar të frymëzojë dy lloj njerëzish, ata që «aspirojnë të jenë të shenjtë» dhe ata që «kryejnë akte të një mizorie çnjerëzore» siç është terrorizmi.

Shumë njerëz kanë kujtime të hidhura për kohën kur bënin pjesë në një fe. Ndërsa kryente shërbimin ushtarak, një i ri suedez me emrin Bertil dëgjoi kapelanin e ushtrisë ta justifikonte dhunën duke përmendur paralajmërimin e Jezuit se ata që merrnin shpatën, nga shpata do të vdisnin. Kapelani arsyetoi se dikush duhej ta përdorte atë shpatë, prandaj ushtari duhet të jetë shërbëtor i Perëndisë.—Mateu 26:52. *

Bernadeta, së cilës ia vranë babanë në Francë gjatë Luftës II Botërore, mban mend se si e tërbuan fjalët e priftit në varrimin e kushërirës së saj trevjeçare: «Perëndia e ka marrë në qiell këtë fëmijë që të jetë engjëll.» Më vonë, Bernadeta lindi një fëmijë të gjymtuar, por as në këtë rast nuk mori ndonjë ngushëllim nga kisha.

Kireni, i cili u rrit mes dhunës në Irlandën e Veriut, ndiente neveri për doktrinën e ferrit. Shpallte me të madhe se e urrente atë Perëndi që ishte përgjegjës për këtë ligësi dhe e sfidonte Perëndinë që, nëse ekzistonte, të vinte e ta godiste. Kireni nuk është i vetmi që ka neveri për mësime të tilla kaq mizore të kishës. Madje, doktrinat e kishës mund të kenë ndihmuar për t’i hapur rrugën teorisë së evolucionit. Sipas Alister Mekgrathit, Darvinit i lindën dyshime për ekzistencën e Perëndisë ngaqë kishte një «antipati të thellë» për doktrinën e ferrit, jo ngaqë besonte tek evolucioni. Ndër të tjera, Mekgrathi përmend edhe «hidhërimin e thellë [të Darvinit] për vdekjen e së bijës».

Për disa, feja është sinonim i paarsyetueshmërisë dhe fanatizmit. Irina, e neveritur nga fjalimet fetare boshe dhe lutjet e gjata e të përsëritura, tregon: «Më dukej sikur njerëzit fetarë nuk mendonin fare.» Reagimi i Luit, i revoltuar nga mizoritë e kryera nga fanatikët fetarë, ishte edhe më i fortë: «Pasi më kishte treguar për vite të tëra fytyrën e saj të mërzitshme, tani feja më zbuloi fytyrën e saj të shëmtuar. U bëra kundërshtar agresiv ndaj çdo feje.»

Më mirë pa Perëndi?

Pra, nuk është për t’u habitur që shumë njerëz e shohin fenë si pengesë për paqen dhe përparimin e njeriut. Madje, disa kanë pyetur veten mos njerëzimi do të ishte më mirë pa Perëndi e pa fe. Por, mos vallë eliminimi i plotë i çdo mendimi fetar do të sillte probleme të tjera?

Volteri, filozof i shekullit të 18-të, protestonte i zemëruar për abuzimet e kishës së korruptuar të kohës së tij. E megjithatë, ekzistencën e një Qenieje Supreme e konsideronte themelore për ndjenjën tonë morale. Më vonë, filozofi gjerman Fridrih Niçe shpalli me të madhe se Perëndia kishte vdekur, por kishte frikë për boshllëkun moral dhe dëmin që mund të shkaktonte mendimi ateist. A ishte e justifikuar kjo frikë?

Autori Kith Uord komenton se pasi njerëzimi hyri në epokën moderne, barbaritë nuk u pakësuan, por përkundrazi, «arritën maja të paimagjinuara kurrë më parë». Eksperimentet me ateizmin nuk kanë arritur as ta lirojnë njerëzimin nga mangësitë e natyrës njerëzore, siç janë korrupsioni dhe intoleranca. Këto fakte kanë bërë që shumë njerëz të arsyeshëm, madje edhe ateistë, të dallojnë vlerën morale të besimit te Perëndia.

Kith Uordi thekson ndikimin e dobishëm që ka besimi te Perëndia: «Besimi shton [te njeriu] një kërkesë morale të vazhdueshme, një përgjegjësi për t’u kujdesur për botën që ka krijuar Perëndia.» Studime të shumta të bëra kohët e fundit, kanë treguar se te njerëzit fetarë, niveli i altruizmit është më i lartë. Altruizmi, nga ana e vet, sjell një ndjenjë kënaqësie. Këto ndjenja e përforcojnë vlerën e parimit që shprehu Jezui: «Ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh.»—Veprat 20:35.

Një ish-ateisti, që ishte punonjës social, i bëri përshtypje aftësia e Biblës për të ndikuar në jetën e njerëzve. Ai tha: «Pasi kisha kaluar gjithë ato vite duke u përpjekur pa shumë sukses t’i ndihmoja njerëzit të ndryshonin sjelljen që ishte e dëmshme për ta e për të tjerët, m’u duk e jashtëzakonshme kur pashë sa shumë mund të ndryshonin për mirë njerëzit. Mësova edhe se ndryshimet ishin të qëndrueshme.»

Gjithsesi, disa ateistë mendojnë se besimi te Perëndia ka sjellë shumë më tepër masakra e konflikte, sesa mirësi e altruizëm. Ndoshta e pranojnë se besimi ndikon për mirë te disa, por për vete mbeten thellësisht skeptikë. Përse?

Shkaqe të tjera mosbesimi

Shumë vetave, evolucioni u mësohet si një fakt. Për shembull, Anila u arsimua në Shqipërinë ateiste. Ajo thotë: «Në shkollë na mësohej se të besoje te Perëndia ishte naive dhe prapanike. Vazhdimisht mësoja gjëra të mrekullueshme rreth bimëve dhe gjallesave, po çdo gjë ia atribuoja evolucionit, pasi kështu dukej se ishim në përputhje me mendimin shkencor.» Sot ajo pranon se «provat që jepeshin, duheshin besuar verbërisht».

Për disa, pengesë mund të përbëjë indinjata që ndiejnë. Dëshmitarët e Jehovait e hasin shpesh këtë qëndrim kur shkojnë shtëpi më shtëpi që t’u flasin njerëzve për shpresën e Biblës. Bertilit, që e përmendëm më sipër, i shkoi në shtëpi një i ri Dëshmitar. Bertili mban mend se tha me vete: «Ah, mor fanatik i gjorë! Ke ardhur në vendin e gabuar.» Thotë: «E futa brenda dhe nisa t’i shfryja indinjatën time për Perëndinë, Biblën dhe fenë.»

Gusin, nga Skocia, e trazonin padrejtësitë. Fillimisht, gjatë bisedave me Dëshmitarët e Jehovait, ishte shumë debatues dhe kundërshtues. Bënte pyetje që të kujtojnë ato të profetit hebre Habakukut, i cili i tha Perëndisë: «Përse më bën të shoh të keqen dhe vazhdon të vështrosh ligësinë?»—Habakuku 1:3.

Prej kohësh, njerëzit i ka trazuar indiferenca që u duket se ka Perëndia ndaj ligësisë. (Psalmi 73:2, 3) Simonë dë Buvuari, një shkrimtare franceze, një herë tha: «Për mua ishte më e lehtë të besoja në një botë pa krijues, sesa në një krijues që mban mbi vete të gjitha kontradiktat e botës.»

Por, a nënkupton paaftësia e shumë feve që t’i shpjegojnë këto kontradikta, se nuk ka asnjë shpjegim? Gusi tha se më në fund gjeti «një shpjegim të kënaqshëm se përse Krijuesit të plotfuqishëm i duhet t’i lejojë për njëfarë kohe vuajtjet njerëzore». Ai shtoi: «Ky ishte një hap i rëndësishëm për mua.» *

Disa njerëz që thonë se janë ateistë, në të vërtetë mund të kenë dyshime për evolucionin, mund ta ndiejnë nevojën për Perëndinë në jetën e tyre e ndoshta edhe luten. Le të shohim çfarë i ka bërë disa ateistë dhe agnosticistë të mendojnë më thellë për këtë temë dhe së fundi të krijojnë një marrëdhënie të ngushtë me Krijuesin e tyre.

Çfarë i ndihmoi të zhvillonin besimin te Krijuesi?

I riu që shkoi në shtëpinë e Bertilit i bëri thirrje logjikës së tij dhe i tregoi se ka një dallim shumë të madh mes krishterimit të vërtetë dhe fesë që praktikojnë ata që janë të krishterë vetëm sa për emër. Bertili shpjegon çfarë i bëri përshtypje, përveç provave në favor të ekzistencës së një Krijuesi: «E admiroja për durimin që tregonte ndaj kokëfortësisë sime. . . . Ishte shumë i qetë dhe gjithnjë kishte ndonjë botim për mua e ishte përgatitur mirë.» *

Svetllana, e ndikuar nga evolucioni dhe komunizmi, ishte e bindur se vetëm më të aftët mbijetojnë. Megjithatë, ky koncept i ashpër i jetës e trazonte. Pështjellimin ia shtoi ajo që mësoi në fakultetin e mjekësisë: «Gjatë leksioneve për ateizmin, mësonim për mbijetesën e më të aftëve. Kurse në kurset e mjekësisë, na mësohej se duhet të ndihmojmë të dobëtit.» Veç kësaj, ajo pyeste veten pse njerëzit, që sipas evolucionit mendohet se janë më të zhvilluar se majmunët, kishin probleme emocionale që majmunët nuk i kishin. Shpjegimin për këto kontradikta, e mori nga një burim i papritur: «Gjyshja më shpjegoi nga Bibla se ndjenjat negative i kemi për shkak të papërsosmërisë.» Svetllana u kënaq edhe kur mori nga Bibla përgjigjen e pyetjeve të tilla, si përse vuajnë njerëzit e ndershëm.

Lejfi, me origjinë skandinave, besonte fortësisht tek evolucioni dhe mendonte se Bibla ishte një libër me përralla. Mirëpo, një ditë, një miku i tij ia vuri në dyshim këto bindje: «A e kupton se vetëm sa po përsërit atë që kanë thënë të tjerët, pa ditur asgjë për Biblën?» Lejfi shpjegon ç’efekt patën tek ai këto fjalë: «Kuptova se evolucionin s’e kisha vënë kurrë në dyshim, por e kisha gëlltitur siç ishte. . . . Mendoj se, ndër të tjera, njohuria për profecitë e Biblës dhe përmbushjen e tyre, mund ta ndihmojë një ateist të fillojë të mendojë.»—Isaia 42:5, 9.

Kireni, i përmendur më sipër, ishte i zhgënjyer nga vitet që kishte kaluar në politikë. Ndërsa reflektonte për jetën, i kaloi në mendje kjo ide: vetëm një Perëndi i fuqishëm e i dashur mund të zgjidhte problemet që has toka dhe t’i tregonte si të dilte nga jeta e tij e mjerë. «Ah, sikur ta gjeja një Perëndi të tillë!»—psherëtiu me vete. I dëshpëruar tej mase, u lut: «Nëse po më dëgjon, ma trego në ndonjë mënyrë dhe më trego si të dal nga kjo jetë e mjerë dhe nga vuajtjet që kalon njerëzimi.» Disa ditë më vonë, i trokiti në derë një Dëshmitar i Jehovait. Dëshmitari i shpjegoi çfarë mëson Bibla për forcat e liga që ndikojnë te qeveritë njerëzore. (Efesianëve 6:12) Ky shpjegim i vërtetoi Kirenit atë që kishte vërejtur edhe vetë, dhe i nxiti kureshtjen. Pasi studioi më tej Biblën, nisi t’i forcohej besimi te një Krijues i dashur.

Krijuesi i njerëzimit dhe ti

Hipokrizia fetare, mësimet ateiste si evolucioni dhe përhapja e madhe e ligësisë, i kanë bërë shumë veta të dyshojnë nëse ka një Krijues ose ta mohojnë ekzistencën e tij. Por, nëse e lejon, Bibla mund të të japë përgjigje të kënaqshme për pyetjet që ke. Ajo zbulon edhe mendimet e Perëndisë, ‘mendime për paqe, dhe jo për gjëmë, për t’ju dhënë një të ardhme dhe një shpresë’. (Jeremia 29:11) Për Bernadetën, që pati një fëmijë të gjymtuar dhe që dyshonte për ekzistencën e një Krijuesi, kjo shpresë u bë si një melhem për plagët e shkaktuara nga vuajtjet.

Shpjegimi i Biblës se përse i lejon Perëndia vuajtjet, u ka prekur mendjen dhe zemrën shumë ish-ateistëve. Nëse lë kohë që të gjesh përgjigjen e Biblës për këto pyetje jetike, edhe ti mund të arrish të bindesh se ka një Perëndi, që në të vërtetë «nuk është larg nga secili prej nesh».—Veprat 17:27.

[Shënimet]

^ par. 6 Për më shumë informacion, shih artikullin «A duhet të përfshihen në luftë të krishterët?», në faqet 29-31.

^ par. 22 Për një shpjegim të hollësishëm se përse e lejon Perëndia ligësinë, shih faqet 106-114 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 25 Për prova që mbështetin krijimin, shih Zgjohuni!, shtator 2006, me titull «A ka një Krijues?», botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Kutia në faqen 13]

Pyetje që evolucioni nuk u përgjigjet

• Si mund të vijë jeta nga diçka pa jetë?—PSALMI 36:9.

• Pse kafshët dhe bimët riprodhohen vetëm sipas llojit të tyre?—ZANAFILLA 1:11, 21, 24-28.

• Nëse njerëzit vijnë nga majmunët që janë krijesa më të ulëta, pse nuk ka mbijetuar asnjë njeri-majmun superior?—PSALMI 8:5, 6.

• Si e shpjegon altruizmin teoria e mbijetesës së më të aftëve?—ROMAKËVE 2:14, 15.

• A ka njerëzimi ndonjë shpresë reale për të ardhmen?—PSALMI 37:29.

[Figurat në faqet 12, 13]

Si mund të krijojë një Perëndi i dashur një botë ku fëmijët vuajnë?

Hipokrizia fetare i ka larguar shumë njerëz nga Perëndia