Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A duhet të përfshihen në luftë të krishterët?

A duhet të përfshihen në luftë të krishterët?

A duhet të përfshihen në luftë të krishterët?

«Kundër cilës normë morale është krim ose mëkat lufta? Kjo është vërtet një enigmë.»​—Oliver O Donovani, profesor i etikës së krishterë

NJË pikturë e titulluar «Flijimi», e frymëzuar nga Lufta I Botërore dhe e ekspozuar në Muzeun e Luftës në Kanada, paraqet ushtarë të vrarë, ushtarë të tjerë të rraskapitur nga beteja dhe familjet e tyre në shtëpi. Mbi këtë skenë paraqitet Jezu Krishti në një kryq. Disa vizitorë që e kanë parë, janë tronditur që Jezui, «Princ i Paqes», pikturohet nëpër skena masakrash lufte. (Isaia 9:6) Të tjerë, mirënjohës për sakrificat që kanë bërë bashkëkombësit, mendojnë se Perëndia dhe Biri i tij presin që të krishterët të luftojnë në beteja për të mbrojtur sigurinë dhe lirinë e kombit të tyre.

Prej shekujsh, udhëheqësit fetarë kanë predikuar një mesazh që mbështet luftën. Në vitin 417 të e.s., Agustini, një teolog i kishës, shkroi: «S’duhet të mendoni se kushdo që shkon ushtar e lufton me armë, s’mund të jetë i pranueshëm për Perëndinë. . . . Të tjerë po luftojnë për ju kundër armiqve të padukshëm duke u lutur, ndërkohë që ju luftoni për ta kundër barbarëve të dukshëm duke përdorur armët.» Në shekullin e 13-të, Tomas Akuini shpjegoi se «luftërat janë të ligjshme e të drejta për sa kohë që mbrojnë të varfrit dhe gjithë kombin nga pabesia e armikut».

Po ju, çfarë mendoni? A ka bekimin e Perëndisë një luftë e filluar për një kauzë në dukje fisnike, siç është mbrojtja e një kombi ose çlirimi i të shtypurve? Cilës «normë morale» mund t’i referohen të krishterët për të dalluar vullnetin e Perëndisë në këtë çështje?

Shembulli i Jezu Krishtit

A mund të kuptojmë si mendon Perëndia për një çështje kaq të ndërlikuar sa luftërat e sotme? Apostulli Pavël tregoi se e kuptonte dilemën tonë, kur pyeti: «‘Kush ka arritur të njohë mendjen e Jehovait që ta mësojë atë’? Por ne kemi mendjen e Krishtit.» (1 Korintasve 2:16) Që të na ndihmonte, Perëndia Jehova dërgoi në tokë Jezuin si Modelin tonë. Gjërat që tha e bëri Jezui, pasqyruan mendimet dhe udhët e vetë Jehovait. Atëherë, ç’tha Jezui për luftën? Ç’qëndrim mbajti ndaj saj?

Vështirë se mund të ketë një kauzë më të denjë për mbrojtje të armatosur, sesa jeta dhe siguria e Jezu Krishtit. Kështu mendonte njëri nga apostujt e tij. Kur Jezuin e tradhtoi Juda dhe e arrestoi në mes të natës një turmë e armatosur, miku i tij, Pjetri, «zgjati dorën dhe nxori shpatën, goditi skllavin e kryepriftit dhe i këputi veshin». A ishte i justifikuar përdorimi i armës? Jezui i tha Pjetrit: «Ktheje shpatën në vendin e vet, sepse të gjithë ata që marrin shpatën, nga shpata do të vdesin.»—Mateu 26:47-52.

Reagimi i Jezuit nuk na habit. Dy vjet më parë, ai kishte thënë: «Ju keni dëgjuar se është thënë: ‘Duaje të afërmin dhe urreje armikun.’ Megjithatë, unë po ju them: vazhdoni të doni armiqtë tuaj e të luteni për ata që ju përndjekin, që të jeni bij të Atit tuaj që është në qiej, sepse ai e bën diellin e tij të ngrihet mbi të ligjtë e mbi të mirët dhe bën që të bjerë shi mbi të drejtët e mbi të padrejtët.» (Mateu 5:43-45) A është e arsyeshme të mendojmë se një i krishterë mund të dojë armiqtë e tij e të lutet për ta, ndërkohë që lufton kundër tyre?

Historia zbulon se të krishterët kishin shumë armiq. Për shembull, romakët dënuan dhe ekzekutuan Jezu Krishtin. Jo shumë kohë më pas, edhe po të pohoje se ishe i krishterë, dënoheshe me vdekje. Jezui e kuptoi që më parë se të krishterët mund të tundoheshin të merrnin armët e të ngrinin krye kundër shtypjes romake, siç kishin bërë disa judenj. Prandaj, tha për dishepujt: «Ata nuk janë pjesë e botës, ashtu si unë nuk jam pjesë e botës.» (Gjoni 17:16) Të krishterët vendosën të qëndronin asnjanës në politikë. Asnjë padrejtësi ose kërcënim që u bëhej atyre ose vendit ku jetonin, nuk e justifikonte pjesëmarrjen në luftë.

Përkrahës të Mbretërisë së Perëndisë

Të krishterët e vërtetë qëndruan asnjanës, siç donte Jezui. Shqyrtoni ç’ndodhi në Ikoni, një qytet i lashtë në Azinë e Vogël. «Njerëzit e kombeve dhe judenjtë bashkë me krerët e tyre u orvatën tërë zemërim t’i fyenin [Pavlin dhe Barnabën] dhe t’i goditnin me gurë. Me ta marrë vesh, ata ikën në qytetet e Likaonisë, në Listër e Derbë dhe në viset përreth. Atje shpallën pa pushim lajmin e mirë.» (Veprat 14:5-7) Siç e shikoni, kur hasnin kundërshtim të ashpër, të krishterët nuk merrnin armët për t’u mbrojtur dhe as kundërpërgjigjeshin. Ata vazhdonin të predikonin «lajmin e mirë». Ç’lajm të mirë kishin për të dhënë?

Të krishterët predikonin të njëjtin mesazh si Jezui. Ai tha: «Duhet t’ua shpall lajmin e mirë për mbretërinë e Perëndisë.» (Luka 4:43) Jezui dhe ithtarët e tij përkrahën Mbretërinë e Perëndisë. Krishti nuk përdori kurrë një forcë ushtarake kombëtare për të mbrojtur atë Mbretëri. Ai tha: «Mbretëria ime nuk është pjesë e kësaj bote. Po të ishte mbretëria ime pjesë e kësaj bote, shërbëtorët e mi do të luftonin që unë të mos u dorëzohesha judenjve. Por ja që mbretëria ime nuk është nga kjo botë.»—Gjoni 18:36.

‘Kini dashuri mes jush’

Asnjanësia në kohë lufte është karakteristikë e adhurimit të vërtetë. Jezui tha: «Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.» (Gjoni 13:35) Miliona veta janë lumturuar që kanë gjetur një grup që shfaq këtë dashuri, edhe kur refuzimi për të marrë armët u ka sjellë tallje, burgime ose edhe ekzekutimin.

Në Evropën e pushtuar nga nazistët, autoritetet burgosën për shkak të asnjanësisë së krishterë rreth 10.000 Dëshmitarë të Jehovait, ndër ta edhe afro 3.000 që u dërguan në kampet e përqendrimit. Ndërkohë, në të njëjtën periudhë, në Shtetet e Bashkuara u burgosën mbi 4.300 Dëshmitarë sepse nuk donin të shkonin ushtarë. As Dëshmitarët gjermanë, as ata amerikanë, nuk morën armët e nuk luftuan kundër vëllezërve të tyre të krishterë a ndokujt tjetër. Përndryshe, a do të mund të pohonin se kishin dashuri mes tyre dhe se donin të afërmin?!

Shumë njerëz mendojnë se lufta është një formë e domosdoshme vetëmbrojtjeje. Por, mendoni këtë: ndonëse u përndoqën mizorisht dhe nuk pranuan të luftonin, të krishterët e shekullit të parë mbijetuan. Perandoria e fuqishme romake nuk arriti ta zhdukte krishterimin. Të krishterët e vërtetë lulëzojnë edhe sot e kësaj dite dhe vazhdojnë të mbajnë një qëndrim asnjanës. Në vend që t’i marrin vetë në dorë gjërat, me besim ata i kërkojnë ndihmë Perëndisë. Në Fjalën e tij, në Bibël, thuhet: «Mos u hakmerrni për veten, o të dashur, por lërini vend zemërimit të Perëndisë, sepse është shkruar: “‘Hakmarrja më përket mua, unë do të shpaguaj’,—thotë Jehovai.”»—Romakëve 12:19.

[Kutia në faqen 30]

LUFTËRA QË PATËN BEKIMIN E PERËNDISË

Izraeli i lashtë, një komb që Perëndia e zgjodhi posaçërisht, shekuj para se të themelohej krishterimi, nganjëherë autorizohej të mblidhte ushtri e të luftonte. Para se të hynin në Kanaan, në vendin që Perëndia i kishte premtuar Abrahamit, izraelitëve iu tha: «Jehovai, Perëndia yt, do të t’i japë në dorë [shtatë kombet] e ti do t’i mundësh. Duhet t’i shfarosësh patjetër. Mos bëj asnjë besëlidhje me ta dhe mos të të vijë keq për ta.» (Ligji i përtërirë 7:1, 2) Kështu, gjenerali izraelit Josiu i mundi ato kombe armike «siç urdhëroi Jehovai, Perëndia i Izraelit».—Josiu 10:40.

A ishte kjo një fushatë e pamëshirshme, gjatë së cilës Izraeli me lakmi pushtoi vende të huaja? Aspak. Ato kombe ishin mbushur me idhujtari, gjakderdhje e praktika seksuale të degraduara. Ata madje flijonin fëmijë duke i djegur në zjarr. (Numrat 33:52; Jeremia 7:31) Shenjtëria, drejtësia dhe dashuria për popullin e tij e shtynë Perëndinë të hiqte çdo papastërti nga vendi. Gjithsesi, Jehovai hetoi zemrat e të gjithëve—diçka që asnjë komandant ushtarak sot s’mund ta bëjë—dhe i kurseu ata që donin ta braktisnin rrugën e keqe dhe t’i shërbenin atij.

[Figura në faqen 31]

A priste Jezui që dishepujt të luftonin për të mbrojtur atë ose të krishterët e tjerë?

[Figura në faqen 31]

Një grup Dëshmitarësh të Jehovait pasi u liruan nga kampi i përqendrimit në Bukenvald, më 1945