Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Lajmi i mirë në 500 gjuhë

Lajmi i mirë në 500 gjuhë

Lajmi i mirë në 500 gjuhë

NË MES të luftës civile në Ruandë, një grup i vogël përkthyesish marrin arratinë, duke lënë pas çdo gjë. Por arrijnë të shpëtojnë kompjuterët portativë, të cilët i marrin me vete në kampet e refugjatëve. Përse? Që të vazhdojnë të përkthejnë botimet biblike në gjuhën kiniaruande.

Një e re në Azinë Juglindore shkruan në kompjuter natën vonë, duke luftuar me lodhjen, vapën dhe ndërprerjet e shpeshta të energjisë, që e pengojnë në punën e përkthimit. Synimi i saj? Ta çojë botimin për shtypje brenda afatit.

Këta përkthyes janë pjesë e një ushtrie prej rreth 2.300 vullnetarësh që punojnë në mbi 190 vende përreth botës. Janë të moshës nga 20 deri në afro 90 vjeç dhe punojnë pa u lodhur që njerëzit të marrin ngushëllim nga mesazhi i Biblës në 500 gjuhë.​—Zbulesa 7:9.

Përkthimi për një popullsi shumëgjuhëshe

Vitet e fundit, vepra e përkthimit e Dëshmitarëve të Jehovait është rritur në shkallë të paparë. Për shembull, në vitin 1985, Kulla e Rojës prodhohej njëkohësisht në 23 gjuhë, që për atë kohë ishte arritje e madhe. Sot, Kulla e Rojës botohet në 176 gjuhë dhe të gjitha botimet shtypen njëkohësisht, që të gjithë lexuesit anembanë botës të jenë në gjendje të studiojnë të njëjtin informacion në të njëjtën kohë.

Në rreth 50 gjuhë, Kulla e Rojës është e vetmja revistë që botohet rregullisht. Përse? Shtypshkronjat tregtare s’kanë shumë interes të botojnë literaturë në gjuhët vendëse. Por Dëshmitarët e Jehovait në mbarë botën kontribuojnë me bujari që të ketë një barazi të ardhurash, kështu që Fjala e Perëndisë dhe botimet biblike të jenë në dispozicion kudo ku ka nevojë.​—2 Korintasve 8:14.

Njerëzit e vlerësojnë shumë mesazhin e Biblës në gjuhën e tyre. Për shembull, kohët e fundit kanë dalë botime biblike në gjuhën miskito, që e flasin rreth 200.000 njerëz në Nikaragua. Një grua kërkoi botimin Libri im i tregimeve biblike  * në gjuhën miskito dhe, kur i erdhi libri me postë, aty ishte i pranishëm një pastor vendës. Kur pa librin e bukur, pastori e donte për vete. Por gruaja nuk ia dha, edhe pse pastori i ofroi në këmbim të librit 20 kilogramë kafe.

Gjatë dhjetëvjeçarit të kaluar, botimet biblike janë përkthyer në mbi 12 gjuhë indigjene të Meksikës, ndër të cilat gjuhët maja, nahuatl dhe tzotzile. Brenda më pak se dhjetë vjetësh, në atë vend kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait në gjuhët indigjene dhe në gjuhën e shenjave u shtuan nga 72 në mbi 1.200. Dëshmitarët e Jehovait e mbjellin mesazhin e Biblës në zemrën e njerëzve, por pastaj ia lënë në dorë Perëndisë që t’i bëjë të rriten filizat e së vërtetës.​—1 Korintasve 3:5-7.

Një përkthim i Biblës në 80 gjuhë të sotme

Vitet e fundit, Dëshmitarët e Jehovait kanë punuar fort për të prodhuar pjesërisht ose të gjithë Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re në 80 gjuhë. Me çfarë rezultati? Një Dëshmitar në Afrikën e Jugut tha për Biblën në gjuhën tsvane: «Sa mjet i bukur është! Do të ma thellojë çmueshmërinë për Fjalën e Perëndisë. Gjuha që është përdorur, lexohet kollaj dhe është e këndshme.» Një lexues i gjuhës tsonge nga Mozambiku shkroi: «Ndonëse kishim gjithë botimet e tjera biblike, kur s’kishim Biblën ishte sikur të kishe vetëtima e bubullima, por jo shi. Po ja që shiu erdhi me botimin e Përkthimit Bota e Re në gjuhën tsonge.»

Ata që përkthejnë e shpërndajnë lajmin e mirë që ka Bibla, po përmbushin në mënyrë të jashtëzakonshme një profeci të lashtë. Vetë Jezu Krishti tha: «Ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet, dhe atëherë do të vijë fundi.»​—Mateu 24:14.

[Shënimi]

^ par. 8 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Grafiku në faqen 25]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

PËRKTHIMI BOTA E RE

E plotë ose pjesërisht

1950 1*

1970 7*

1990 13*

2000 36*

2010 80*

BOTIME TË TJERA

1950 88*

1960 125*

1970 165*

1980 190*

1990 200*

2010 500*

*NUMRI I GJUHËVE

[Figurat në faqet 24, 25]

Rreth 2.300 vullnetarë përkthejnë literaturën biblike në 500 gjuhë

BENIN

SLLOVENI

ETIOPI

BRITANI