Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Udhëtim në të kaluarën

Udhëtim në të kaluarën

Letër nga Shtetet e Bashkuara

Udhëtim në të kaluarën

IMAGJINONI sa interesante do të ishte të bënit një udhëtim për të parë se si kanë jetuar paraardhësit tuaj. Në njëfarë kuptimi, ne bëmë një udhëtim të tillë. Shkuam nga Zvicra në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shumë mendojnë se Shtetet e Bashkuara janë tepër moderne në çdo aspekt, por me udhëtimin tonë u kthyem dyqind vjet prapa. Na lejoni t’ju tregojmë për të.

Ngaqë flasim dialektin zviceran të gjermanishtes, na ftuan të kalonim tre muaj në shtetin e Indianës. Qëllimi ynë ishte t’u jepnim lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë familjeve të fesë amishe që e kanë ruajtur dialektin e paraardhësve të tyre. Qindra prej këtyre familjeve jetojnë në Indiana.

Amishët janë pasardhës të një grupi anabaptistësh të shekullit të 17-të. Emrin e kanë marrë nga udhëheqësi i tyre, Jakob Amani, që jetonte në Zvicër. Nga studimi i tyre i Biblës në ato kohë, këta njerëz me frikë Perëndie e kuptuan se pagëzimi i foshnjave dhe shërbimi ushtarak ishin të gabuara. Për shkak të bindjeve që kishin, qeveria i përndoqi. Disa i paguan me jetë bindjet e tyre fetare. Përndjekja vazhdoi të shtohej dhe shumë prej tyre u detyruan të arratiseshin në pjesë të tjera të Zvicrës ose në Francë. Aty nga mesi i shekullit të 19-të, me mijëra njerëz ishin arratisur për në Shtetet e Bashkuara. Me vete morën edhe kulturën e tyre dhe dialektin zviceran të gjermanishtes.

Kur shkonim për vizitë te këta njerëz të butë, habiteshin kur na shihnin te dera e shtëpisë duke folur në dialektin e tyre. Përfytyroni skenën.

«Si ka mundësi që flisni si ne?»—pyetnin ata në gjermanishten zvicerane.

«Sepse jemi nga Zvicra»,—u përgjigjeshim ne.

«Por ama nuk jeni amishë»,—habiteshin ata.

Shumë prej tyre na fusnin brenda dhe aty shihnim një stil jetese që dukej se i përkiste të shkuarës së largët. Në vend të dritës elektrike kishin llamba me vaj; në vend të makinave përdornin kuaj e karroca; në vend të ujit të rrjedhshëm kishin një pus dhe mulli me erë; në vend të radios këndonin vetë.

Ato që na bënin më shumë përshtypje ishin përulësia dhe modestia e atyre që vizitonim. Shumë amishë kanë si synim ta lexojnë çdo ditë Biblën dhe i vlerësojnë bisedat rreth saj. Kjo na jepte mundësinë të bënim biseda rreth qëllimit të Perëndisë për njerëzimin dhe tokën.

Shumë shpejt u hap fjala se në zonën e tyre kishin ardhur vizitorë nga Zvicra. Mjaft prej tyre kërkonin që t’u bënim një vizitë edhe të afërmve, dhe ne shkonim me kënaqësi. Një ftesë për të vizituar një shkollë amishe na bëri edhe më entuziastë. Çfarë na priste atje?

Trokitëm në derën e shkollës. Derën na e hapi mësuesi dhe na ftoi menjëherë në klasë, ku sytë kureshtarë të 38 nxënësve ishin ngulur te ne katër të huajt. Tetë klasa ishin mbledhur në një dhomë. Nxënësit u përkitnin moshave 7 deri 15 vjeç. Vajzat ishin veshur njësoj me kostume bojëqielli dhe kapele të bardha, kurse djemtë mbanin pantallona të zeza dhe këmisha blu të errët. Tavani i klasës ishte i lartë. Tre nga muret ishin lyer ngjyrë deti dhe në murin përballë ishte një dërrasë e zezë. Përbri saj kishte një glob dhe harta të botës të mbledhura rrotull. Në cep ishte një sobë e madhe prej hekuri.

Ndërkohë që u ulëm përballë klasës, fëmijët na vëzhgonin me shumë kureshtje. Mësuesi thërriste te tavolina e tij secilën klasë dhe u kërkonte detyrat e shtëpisë. Ne u habitëm, dhe në të njëjtën kohë u kënaqëm, kur mësuesi i pyeti fëmijët për një mësim rreth Alpeve të Zvicrës. Tekstet e shkollës ishin disi të vjetra dhe mësuesi na pyeti nëse Zvicra ishte akoma ashtu si përshkruhej në librat e tij. A ngjiten akoma lopët në lëndinat e larta gjatë verës? A ka ende borë nëpër male? Kur i treguam majat me dëborë të maleve në fotot me ngjyra, që plotësonin figurat bardhë e zi në librin e tij, atij i ndriti fytyra.

Gruaja e mësuesit, që ishte ndihmësja e tij, bëri një pyetje që amishët e bënin shpesh: «A dini të këndoni jodëll?» Ne nuk e dinim këtë mënyrë të kënduari. Megjithatë, duke ditur sa të zotë janë amishët për të kënduar, e sidomos për të kënduar jodëll, u kërkuam që të këndonin ata për ne. Na e plotësuan dëshirën dhe gojëhapur dëgjuam korin e tyre prej 40 zërash. Pas kësaj, mësuesi i nxori fëmijët jashtë për të luajtur pak.

Pastaj gruaja e mësuesit na kërkoi të këndonim diçka për ta. Meqë dinim disa këngë popullore në gjermanishten zvicerane, pranuam. Fjala u përhap deri te fusha e lojës dhe sa hap e mbyll sytë të gjithë fëmijët u kthyen në klasë. Ashtu, para gjithë klasës, u përpoqëm të këndonim sa më mirë për ta.

Më vonë, na ftoi për drekë një familje amishe prej 12 vetash. Tavolina e gjatë prej druri ishte plot me gjëra të mira—pure patatesh, proshutë, misër, bukë, djathë, perime, kek dhe ëmbëlsira të tjera. Para se të hanim, secili u lut në heshtje. Ndërsa kalonim ushqimin, bisedonim për Zvicrën, vendin e paraardhësve të tyre dhe ata na tregonin për jetën e tyre si bujq. Fëmijët pëshpëritnin dhe qeshnin nën zë gjatë gjithë drekës. Kur të gjithë mbaruan së ngrëni, bëmë edhe nga një lutje të dytë dhe kjo do të thoshte se fëmijët ishin të lirë të çoheshin nga tavolina—por jo të luanin. Secili prej tyre kishte detyrën e vet në pastrimin e tavolinës dhe larjen e enëve, që do të thoshte se duhej të nxirrnin ujë nga pusi dhe ta ngrohnin.

Ndërsa fëmijët lanin enët, prindërit na ftuan në dhomën e ndenjjes. Nuk kishte divane, por u ulëm në disa karrige të rehatshme druri që lëkundeshin. Ata nxorën nga sirtari një Bibël të vjetër në gjermanisht, dhe siç ndodh zakonisht në një familje amishe, u hap një bisedë e gjallë për Perëndinë. Çfarë qëllimi ka Perëndia Jehova për tokën dhe njerëzimin? Ku e kishte fjalën Jezui kur tha se zemërbutët do të trashëgojnë tokën? A ka vërtet si qëllim Perëndia t’i mundojë të ligjtë në ferrin e zjarrtë përgjithmonë? Kush po e përmbush urdhërimin e Jezuit për të predikuar lajmin e mirë në të gjithë tokën e banuar? Diskutimi për të gjitha këto çështje—dhe shumë të tjera—me njerëz besimtarë që kishin Biblën në dorë, na e mbushi zemrën me gëzim.

Tani e kujtojmë me mall udhëtimin tonë në të kaluarën, ku përjetuam plot gjëra të mrekullueshme. Shpresojmë dhe lutemi që këto vizita e biseda në gjermanishten zvicerane të kenë hapur jo vetëm shtëpitë, por edhe zemrat e shumë njerëzve që të marrin njohurinë e saktë të së vërtetës që gjendet në Fjalën e Perëndisë, Biblën.