Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A ju kujtohet?

A ju kujtohet?

A ju kujtohet?

A jeni kënaqur duke lexuar numrat e fundit të Kullës së Rojës? Atëherë, provoni nëse mund t’u përgjigjeni pyetjeve vijuese:

• Në ç’kuptim mund t’ju bëjë të pasur Perëndia?

Në të kaluarën Jehovai ka bekuar disa njerëz, si Abrahamin dhe Solomonin, me pasuri materiale. Por ndër pasuritë që u nevojiten më shumë të krishterëve dhe që Perëndia mund t’i ndihmojë njerëzit t’i gjejnë, janë: besimi, paqja, kënaqësia dhe lumturia.—1/​9, faqet 3-7.

• Ç’mësim nxjerrim nga fakti që Jezui e shpëtoi Pjetrin ndërsa po fundosej në det? (Mat. 14:28-31)

Nëse vëmë re mungesën e dukshme të besimit të një vëllai, mund t’ia shtrijmë dorën në kuptim të figurshëm dhe ta ndihmojmë të fitojë më shumë besim.—15/​9, faqja 8.

• Sa i kushtoi Jehovait çlirimi ynë?

Jehovai duroi torturat dhe talljet që i bënë Birit të tij. Dhe, ashtu siç u tregua në mënyrë profetike nga gatishmëria e Abrahamit për të ofruar të birin, Jehovai duroi ekzekutimin e Birit të tij si të ishte një kriminel.—15/​9, faqet 28-29.

• Pse është kaq i çmuar Kodiku i Vatikanit?

Ai është një dorëshkrim grek që daton më pak se 300 vjet pasi u përfundua Bibla. Përmban tekstin pothuajse të plotë të Shkrimeve Hebraike dhe atyre të Krishtere Greke. Është një mjet që studiuesit e përdorin për të përcaktuar çfarë ishte shkruar në tekstin origjinal të Biblës.—1/​10, faqet 18-20.

• Çfarë mësojmë nga Proverbat 24:27 në lidhje me ‘ndërtimin e një shtëpie’?

Një burrë që dëshiron të martohet, duhet të përgatitet për këtë përgjegjësi. Ndër të tjera, kjo do të thotë të jetë gati për të plotësuar nevojat materiale të familjes dhe të marrë drejtimin e saj për sa u përket gjërave frymore.—15/​10, faqja 12.

• Pse nuk është e përshtatshme që Dëshmitarët e Jehovait të konsiderohen një fe protestante?

Protestantizmi lindi në Evropë në shekullin e 16-të, si një përpjekje për të reformuar Kishën Katolike të Romës. Termi «protestant» u referohet atyre që u përmbahen synimeve të Reformës. Vërtet Dëshmitarët e Jehovait nuk e pranojnë autoritetin universal të papës dhe mbështetin me gjithë zemër Biblën si të vetmin burim të së vërtetës, por ata hedhin poshtë shumë mësime e praktika të zakonshme ndër fetë protestante që janë në kundërshtim me Biblën.—1/​11, faqja 19.

• A duhet të mësojmë hebraisht e greqisht për të kuptuar Biblën?

Jo. Njohja e këtyre gjuhëve nuk e bën dikë më të prirur të kuptojë mesazhin e Biblës. Ai që i ka studiuar këto gjuhë, prapëseprapë duhet të përdorë fjalorët dhe librat e gramatikës. Fakti që Perëndia i frymëzoi shkrimtarët që fjalët e Shërbëtorit të tij më të madh t’i ruanin vetëm të përkthyera, tregon se një njeri mund ta përdorë dhe ta mësojë të vërtetën nga përkthimet e Biblës në gjuhët e sotme.—1/​11, faqet 20-23.

• Si na lanë shembullin e tyre Jehovai dhe Jezui për sa i përket mirësjelljes?

Pavarësisht nga pozita e tij e lartë, Jehovai i trajton njerëzit me dashamirësi e respekt. Kur iu drejtua Abrahamit dhe Moisiut, Jehovai përdori një term hebraik që shpesh përkthehet «të lutem». (Zan. 13:14; Dal. 4:6) Gjithashtu, Perëndia i dëgjon njerëzit. (Zan. 18:23-32) Po kështu bëri edhe Jezui. Ai ishte i gatshëm t’i ndihmonte njerëzit që e rrethonin, madje shpesh duke u përdorur emrin.—15/​11, faqja 25.

• Pse nuk e festojnë Vitin e Ri Hënor të krishterët e vërtetë?

Viti i Ri Hënor është një festë e rëndësishme në kalendarët aziatikë. Në festimin e saj shpesh përfshihen përpjekjet për të siguruar fatin e mirë dhe për të treguar respekt për frymërat. Të krishterët i nderojnë dhe i respektojnë prindërit e tyre, por nuk mblidhen në gosti që kanë si qëllim të krijojnë lidhje me paraardhësit e vdekur që t’i mbrojnë ose të kërkojnë miratimin e perëndive të shtëpisë.—1/​12, faqet 20-23.