Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Edhe një gotë tjetër»

«Edhe një gotë tjetër»

«Edhe një gotë tjetër»

ALENI filloi të abuzonte me alkoolin kur ishte 11 vjeç. * Ai dhe shokët e tij luanin në pyll duke imituar personazhe filmash. Personazhet që imitonin ishin imagjinarë, por alkooli që pinin Aleni dhe shokët ishte real.

Toni ishte 40 vjeç kur dalëngadalë e rriti sasinë që pinte çdo natë, nga një ose dy gota, në pesë ose gjashtë gota. Me kalimin e kohës, as ia kishte idenë sa gota pinte gjatë gjithë ditës.

Aleni kërkoi ndihmë për problemin që kishte me alkoolin. Toni nuk e pranoi ndihmën që i ofruan familja dhe miqtë e dashur. Aleni sot është gjallë dhe na tregon përvojën e tij; Toni vdiq para disa vitesh në një aksident rrugor pasi kishte pirë shumë.

Edhe kur dikush e tepron me pijen ndërsa është vetëm, kjo ndikon në mënyrë të pashmangshme në jetën e të tjerëve, shumë herë me pasoja tragjike. * Shpesh, keqpërdorimi i alkoolit është një faktor që çon në abuzime gojore dhe fizike, sulme dhe vrasje, aksidente me makinë dhe dëmtime në punë, si edhe në një sërë problemesh shëndetësore. Abuzimi me alkoolin i kushton shoqërisë miliarda dollarë çdo vit, pa përmendur këtu dëmet emocionale dhe dëme të tjera që u shkakton individëve, familjeve dhe fëmijëve.

Megjithatë, sipas Instituteve Kombëtare të Shëndetit në SHBA, «jo çdokush që pi rregullisht ka probleme me pijen dhe jo të gjithë ata që kanë probleme me pijen, pinë çdo ditë». Shumë që nuk janë të alkoolizuar, u është bërë zakon teprimi me pijen pa e kuptuar as vetë. Ka të tjerë që pinë me raste, por konsumojnë më shumë se pesë gota çdo herë.

Nëse zgjedh të pish alkool, ku është kufiri? Si ta kuptosh se kur nuk duhet të pish «edhe një gotë tjetër»? (Proverbat 23:29, 30, Contemporary English Version) Artikujt vijues do të shqyrtojnë informacione të dobishme për këtë temë.

[Shënimet]

^ par. 2 Disa emra janë ndryshuar.

^ par. 5 Ngaqë burrat në raport me gratë janë katër herë më të prirur të bëhen të alkoolizuar, gjatë gjithë serisë së artikujve flitet në gjininë mashkullore. Megjithatë, ky informacion vlen njësoj si për burrat edhe për gratë.