Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse t’i kushtohesh Jehovait?

Pse t’i kushtohesh Jehovait?

Pse t’i kushtohesh Jehovait?

«Këtë natë më qëndroi pranë një engjëll i Perëndisë, të cilit i përkas.»—VEP. 27:23.

1. (a) Çfarë hapash kanë bërë tashmë ata që paraqiten për t’u pagëzuar? (b) Ç’pyetje ngrihen?

«NË BAZË të flijimit të Jezu Krishtit, a jeni penduar për mëkatet tuaja dhe a i jeni kushtuar Jehovait për të bërë vullnetin e tij?» Kjo është një nga dy pyetjet të cilave u përgjigjen kandidatët për pagëzim në përfundim të fjalimit të pagëzimit. Pse të krishterët duhet t’i kushtohen Jehovait? Si na sjell dobi kushtimi ndaj Perëndisë? Pse nuk mund ta adhurojmë Perëndinë në mënyrë të pranueshme pa qenë të kushtuar ndaj tij? Për të kuptuar përgjigjet, së pari kemi nevojë të shqyrtojmë se çfarë është kushtimi.

2. Çfarë do të thotë t’i kushtohesh Jehovait?

2 Çfarë do të thotë t’i kushtohesh Perëndisë? Vër re se si e përshkroi apostulli Pavël marrëdhënien e tij me Perëndinë. Para shumë të tjerëve që ndodheshin në bordin e një anijeje që po mbytej, ai e quajti Jehovain ‘Perëndia të cilit i përkas’. (Lexo Veprat 27:22-24.) Të gjithë të krishterët e vërtetë i përkasin Jehovait. Krejt ndryshe, bota në përgjithësi «dergjet nën pushtetin e të ligut». (1 Gjon. 5:19) Të krishterët fillojnë t’i përkasin Jehovait kur i bëjnë një kushtim të pranueshëm me anë të lutjes. Ky kushtim është një betim personal. Pas tij, bëhet pagëzimi në ujë.

3. (a) Çfarë simbolizonte pagëzimi i Jezuit? (b) Si mund ta imitojnë shembullin e Jezuit dishepujt e tij?

3 Jezui na la një shembull kur vendosi të bënte vullnetin e Perëndisë. Ngaqë kishte lindur në kombin e kushtuar të Izraelit, tashmë ai ishte i kushtuar ndaj Perëndisë. Pra, nuk ishte kushtimi ndaj Jehovait arsyeja pse Jezui kërkoi të pagëzohej. Fjala e Perëndisë tregon se ai tha: «Ja, unë kam ardhur . . . të bëj vullnetin tënd, o Perëndi.» (Hebr. 10:7; Luka 3:21) Kështu, pagëzimi i Jezuit simbolizonte paraqitjen e vetes para Perëndisë për të bërë vullnetin e Atit. Dishepujt e Jezuit imitojnë shembullin e tij kur paraqiten për t’u pagëzuar. Por, në rastin e tyre, me pagëzimin në ujë tregojnë publikisht se kanë bërë një kushtim personal ndaj Perëndisë me anë të lutjes.

Si na sjell dobi kushtimi?

4. Çfarë mësojmë për angazhimin nga miqësia midis Davidit dhe Jonatanit?

4 Kushtimi i krishterë është një çështje serioze, nuk është thjesht një angazhim. Po si na sjell dobi kushtimi? Për të bërë një krahasim, le të shqyrtojmë se si sjell dobi në marrëdhëniet njerëzore marrja e një angazhimi. Një shembull për këtë është miqësia. Që të kesh një mik, duhet të pranosh përgjegjësinë për të qenë vetë një mik. Kjo kërkon angazhim, pra të ndiesh detyrimin që të interesohesh për mikun tënd. Një nga miqësitë më të jashtëzakonshme që përshkruhen në Bibël, është miqësia midis Davidit dhe Jonatanit. Ata madje bënë një besëlidhje miqësie me njëri-tjetrin. (Lexo 1 Samuelit 17:57; 18:1, 3.) Edhe pse miqësi me një angazhim të tillë janë të rralla, shumica e miqësive lulëzojnë kur personat angazhohen ose ndiejnë njëfarë detyrimi ndaj njëri-tjetrit.—Prov. 17:17; 18:24.

5. Si mund të nxirrte dobi përgjithmonë një skllav që i përkiste një zotërie të mirë?

5 Në Ligjin që Perëndia i dha Izraelit përshkruhet një marrëdhënie tjetër nga e cila njerëzit nxirrnin dobi duke marrë një angazhim. Nëse një skllav i përkiste një zotërie të mirë dhe donte të qëndronte gjithmonë me të, për t’u siguruar ai mund të bënte me të një marrëveshje të përhershme dhe të pandryshueshme. Në Ligj thuhet: «Nëse skllavi këmbëngul: ‘Unë e dua zotërinë tim, gruan dhe fëmijët e mi, prandaj nuk dua të shkoj i lirë’, atëherë zotëria i tij do ta nxjerrë para Perëndisë së vërtetë, do ta mbështetë te dera ose te shtalka dhe do t’i shpojë veshin me fëndyell. Kështu ai do të jetë skllavi i tij gjithë jetën.»—Dal. 21:5, 6.

6, 7. (a) Si u sjell dobi njerëzve angazhimi? (b) Ç’tregon kjo për marrëdhënien tonë me Jehovain?

6 Martesa është një lidhje që kërkon nivel të lartë angazhimi. Ajo nuk është angazhim ndaj një marrëveshjeje, por ndaj një personi. Dy njerëz që thjesht jetojnë bashkë pa qenë të martuar, nuk mund të gëzojnë kurrë siguri të vërtetë, as ata dhe as fëmijët e tyre. Ndërsa bashkëshortët që janë angazhuar ndaj njëri-tjetrit në një martesë të nderuar, kanë një arsye biblike që i shtyn të përpiqen t’i zgjidhin me dashuri problemet që lindin.—Mat. 19:5, 6; 1 Kor. 13:7, 8; Hebr. 13:4.

7 Në kohët biblike, njerëzit nxirrnin dobi nga kontratat në marrëdhëniet e biznesit dhe të punësimit. (Mat. 20:1, 2, 8) Kjo është e vërtetë edhe sot. Për shembull, nxjerrim dobi kur bëjmë një marrëveshje ose kontratë me shkrim, para se të ndërmarrim një biznes ose të fillojmë të punojmë në një firmë. Kështu, nëse angazhimi forcon marrëdhënie të tilla, si miqësia, martesa dhe punësimi, sa më shumë do të të sjellë dobi në marrëdhënien tënde me Jehovain kushtimi pa rezerva! Le të shqyrtojmë se si njerëzit në të kaluarën kanë nxjerrë dobi ngaqë i ishin kushtuar Perëndisë Jehova dhe në ç’kuptim kjo ishte shumë më tepër se një angazhim.

Si i solli dobi Izraelit kushtimi ndaj Perëndisë?

8. Çfarë do të thoshte për Izraelin kushtimi ndaj Jehovait?

8 Kombi i Izraelit si një i tërë iu kushtua Jehovait kur i bëri një betim. Jehovai i urdhëroi të mblidheshin pranë malit Sinai dhe u tha: «Nëse i bindeni pikë për pikë zërit tim dhe mbani besëlidhjen time, nga të gjithë popujt e tjerë, ju keni për t’u bërë prona ime e veçantë.» Populli u përgjigj njëzëri: «Jemi gati të bëjmë gjithçka që thotë Jehovai.» (Dal. 19:4-8) Për Izraelin, kushtimi nënkuptonte më shumë se një angazhim për të bërë diçka. Kjo do të thoshte se ata i përkitnin Jehovait dhe kështu ai i trajtonte si ‘prona e tij e veçantë’.

9. Si nxirrte dobi Izraeli ngaqë i ishte kushtuar Perëndisë?

9 Izraelitët nxirrnin dobi ngaqë i përkitnin Jehovait. Ai ishte besnik dhe kujdesej për ta, ashtu si një prind i dashur kujdeset për fëmijën. Perëndia i tha Izraelit: «A mund ta harrojë një grua foshnjën e gjirit dhe të mos i vijë keq për fëmijën e barkut? Edhe sikur ato të harrojnë, unë nuk do të të harroj.» (Isa. 49:15) Jehovai u dha atyre udhëheqjen e Ligjit, inkurajimin nga profetët dhe mbrojtjen e engjëjve. Një psalmist shkroi për Jehovain: «I tregon fjalën e tij Jakobit, dhe rregullat e ligjet e tij Izraelit. Nuk ka vepruar kështu me asnjë komb tjetër.» (Psal. 147:19, 20; lexo Psalmin 34:7, 19; 48:14.) Ashtu si u kujdes për kombin që i përkiste në të kaluarën, po kështu Jehovai do të kujdeset për ata që i kushtohen sot.

Pse duhet t’i kushtohemi Perëndisë?

10, 11. A kemi lindur në familjen universale të Perëndisë? Shpjego.

10 Kur mendojnë për t’iu kushtuar Perëndisë dhe për t’u pagëzuar, disa mund të pyesin: «Pse nuk mund ta adhuroj Perëndinë pa iu kushtuar atij?» Arsyeja bëhet e qartë kur marrim parasysh se si jemi në të vërtetë në sytë e Perëndisë. Kujto që si pasojë e mëkatit të Adamit, të gjithë kemi lindur jashtë familjes së Perëndisë. (Rom. 3:23; 5:12) Kushtimi ndaj Perëndisë është një kërkesë jetësore që të na pranojë në familjen e tij universale me krijesa besnike. Le të shohim pse.

11 Asnjëri prej nesh nuk mund të trashëgonte nga babai i tij jetën e përhershme që kishte ndër mend Perëndia. (1 Tim. 6:19) Ne nuk lindëm si bij të Perëndisë sepse kur çifti i parë njerëzor mëkatoi, raca njerëzore u nda nga Ati dhe Krijuesi i saj i dashur. (Krahaso Ligjin e përtërirë 32:5.) Që nga ajo kohë, njerëzimi ka jetuar jashtë familjes universale të Jehovait, i ndarë nga Perëndia.

12. (a) Si mund të bëhen njerëzit e papërsosur pjesëtarë të familjes së Perëndisë? (b) Çfarë hapash duhet të ndërmarrim para pagëzimit?

12 Megjithatë, individualisht mund t’i kërkojmë Perëndisë të na pranojë në familjen e tij me shërbëtorë të miratuar. * Si është e mundur kjo për ne që jemi mëkatarë? Apostulli Pavël shkroi: «U pajtuam me Perëndinë nëpërmjet vdekjes së Birit të tij, kur ishim armiq.» (Rom. 5:10) Kur pagëzohemi, i drejtojmë Perëndisë një kërkesë për një ndërgjegje të mirë që të jemi të pranuar nga ai. (1 Pjet. 3:21) Por para pagëzimit duhet të ndërmarrim disa hapa. Duhet të njohim Perëndinë, të mësojmë të kemi besim tek ai, të pendohemi dhe të ndryshojmë sjellje. (Gjoni 17:3; Vep. 3:19; Hebr. 11:6) Ka edhe diçka tjetër që mbetet për t’u bërë para se të pranohemi në familjen e Perëndisë. Çfarë?

13. Pse është e përshtatshme t’i bëjmë një betim kushtimi Perëndisë që të bëhemi pjesë e familjes së tij me adhurues të miratuar?

13 Para se dikush që është i ndarë nga Perëndia të bëhet pjesëtar i familjes së tij me shërbëtorë të miratuar, duhet t’i bëjë një premtim solemn atij. Për të kuptuar përse, imagjino një baba të respektueshëm që interesohet me dashamirësi për një djalë jetim dhe dëshiron ta adoptojë si pjesëtar të familjes së tij. Babai është njeri i mirë. Megjithatë, para se ta pranojë djalin si birin e vet, ai do që djali t’i bëjë një premtim. Kështu ai thotë: «Para se të të pranoj si bir, kam nevojë të di se do të më duash dhe do të më respektosh si babanë tënd.» Vetëm nëse djali është i gatshëm t’i bëjë një premtim solemn, ai burrë do ta pranojë në familjen e tij. A nuk është e arsyeshme kjo? Po kështu, Jehovai pranon në familjen e tij vetëm ata që janë të gatshëm t’i bëjnë një betim kushtimi. Bibla thotë: «Ta kushtoni trupin tuaj fli të gjallë, të shenjtë e të pëlqyeshme Hyjit.»—Rom. 12:1, Simon Filipaj.

Një akt dashurie dhe besimi

14. Në ç’kuptim kushtimi është një shprehje dashurie?

14 Betimi i kushtimit ndaj Perëndisë është shprehje e dashurisë sonë të përzemërt për Të. Në disa mënyra ai është i ngjashëm me betimin e martesës. Një dhëndër i krishterë e shpreh dashurinë e tij duke u betuar se do t’i qëndrojë besnik gruas në çfarëdo rrethane. Ky është një premtim serioz ndaj një personi, e jo thjesht një premtim për t’u bërë palë e një kontrate martesore. Një dhëndër i krishterë e kupton se nuk mund të ketë privilegjin të jetojë me gruan e tij nëse nuk do të bëjë një betim martese. Po kështu, ne nuk mund të gëzojmë plotësisht dobitë që vijnë si pjesëtar i familjes së Jehovait pa i bërë një betim kushtimi. Prandaj, i kushtohemi Perëndisë sepse, pavarësisht nga papërsosmëritë tona, dëshirojmë t’i përkasim atij dhe jemi të vendosur t’i qëndrojmë besnikë në çfarëdo rrethane.—Mat. 22:37.

15. Në ç’kuptim kushtimi është një akt besimi?

15 Kushtimi ndaj Perëndisë është edhe një akt besimi. Përse? Sepse besimi te Jehovai na jep sigurinë se është gjë e mirë t’i afrohemi atij. (Psal. 73:28) E dimë se nuk do të jetë gjithnjë e lehtë të ecim me Perëndinë ndërsa jetojmë mes «një brezi dredharak e të shtrembër», por kemi besim te premtimi i Perëndisë se do të na mbështetë në përpjekjet tona. (Filip. 2:15; 4:13) E dimë se jemi të papërsosur, por jemi të sigurt se Jehovai do të na trajtojë me mëshirë kur të bëjmë gabime. (Lexo Psalmin 103:13, 14; Romakëve 7:21-25.) Kemi besim se Jehovai do të na e shpërblejë vendosmërinë për të ruajtur integritetin.—Jobi 27:5.

Kushtimi ndaj Perëndisë na bën të lumtur

16, 17. Pse kushtimi ndaj Jehovait na bën të lumtur?

16 Kushtimi ndaj Jehovait na bën të lumtur sepse nënkupton të japim veten tonë. Jezui tha një të vërtetë thelbësore në fjalët: «Ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh.» (Vep. 20:35) Gjatë shërbimit të tij në tokë, Jezui e përjetoi plotësisht lumturinë që vjen kur jep. Kur ishte e nevojshme, ai rrinte pa pushuar, pa ngrënë dhe pa rehatitë e jetës, për t’i ndihmuar të tjerët të gjenin udhën që të çon në jetë. (Gjoni 4:34) Jezui kënaqej duke ia gëzuar zemrën Atit. Ai tha: «Bëj gjithmonë gjërat që i pëlqejnë atij.»—Gjoni 8:29; Prov. 27:11.

17 Kështu, Jezui e drejtoi vëmendjen e dishepujve te një mënyrë jetese e kënaqshme kur tha: «Nëse ndokush dëshiron të vijë pas meje, le ta mohojë veten.» (Mat. 16:24) Po të veprojmë në këtë mënyrë, do të afrohemi më shumë me Jehovain. Nuk ka asnjë tjetër në duart e të cilit mund ta lëmë veten dhe që mund të kujdeset për ne me më shumë dashuri.

18. Pse jeta në përputhje me kushtimin ndaj Jehovait na bën më të lumtur se kushtimi ndaj çfarëdo gjëje apo ndaj kujtdo tjetër?

18 Kushtimi ynë ndaj Jehovait dhe më pas jeta në përputhje me këtë kushtim duke bërë vullnetin e Tij, na bën më të lumtur se kushtimi ndaj çfarëdo gjëje apo ndaj kujtdo tjetër. Për shembull, shumë njerëz rendin gjithë jetën pas pasurisë, por pa arritur lumturi dhe kënaqësi të vërtetë. Kurse ata që i kushtohen Jehovait, gjejnë lumturi jetëgjatë. (Mat. 6:24) Nderi që kanë si «bashkëpunëtorë të Perëndisë» në veprën e tij i bën të lumtur, megjithatë, ata nuk i janë kushtuar një vepre, por Perëndisë tonë mirënjohës. (1 Kor. 3:9) Askush nuk mund të jetë më mirënjohës se ai për frymën e tyre të vetëmohimit. Ai madje do t’i rikthejë besnikët në rininë e tyre, që të mund të nxjerrin dobi nga kujdesi i tij përgjithmonë.—Jobi 33:25; lexo Hebrenjve 6:10.

19. Ç’privilegj gëzojnë ata që i janë kushtuar Jehovait?

19 Kur ia kushton jetën Jehovait, hyn në një marrëdhënie të ngushtë me të. Bibla thotë: «Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet.» (Jak. 4:8; Psal. 25:14) Në artikullin vijues, do të shqyrtojmë pse mund të ndihemi të sigurt nëse zgjedhim t’i përkasim Jehovait.

[Shënimi]

^ par. 12 ‘Delet e tjera’ të Jezuit nuk do të bëhen bij të Perëndisë deri në fund të një mijë vjetëve. Por, meqë i janë kushtuar Perëndisë, mund t’i drejtohen atij në mënyrë të përshtatshme me fjalën ‘Atë’ dhe me të drejtë mund të konsiderohen pjesëtarë të familjes së adhuruesve të Jehovait.—Gjoni 10:16; Isa. 64:8; Mat. 6:9; Zbul. 20:5.

Si do të përgjigjeshe?

• Çfarë do të thotë t’i kushtohesh Perëndisë?

• Si na sjell dobi kushtimi ndaj Perëndisë?

• Pse të krishterët duhet t’i kushtohen Jehovait?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 6]

Nëse jetojmë në përputhje me kushtimin tonë, do të jemi të lumtur