Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë është qielli?

Çfarë është qielli?

Çfarë është qielli?

DISA njerëz mendojnë se nuk mund të dimë asgjë për qiellin sepse askush nuk ka zbritur ndonjëherë prej andej e të na tregojë se si është. Ndoshta kanë harruar që Jezui tha: «Unë kam zbritur nga qielli.» (Gjoni 6:38, Diodati i Ri) Madje, disa udhëheqësve fetarë u tha: «Ju jeni nga këtu poshtë, kurse unë jam nga atje lart.» (Gjoni 8:23) Çfarë tregoi Jezui për qiellin?

Jezui na siguroi se në qiell banon Jehovai. Ai e quajti Perëndinë ‘Ati im që është në qiell’. (Mateu 12:50) Por, Jezui e përdori fjalën «qiell» në më shumë se një kuptim. Për shembull, e quajti atmosferën përreth tokës «qiell» kur tha: «Vështroni me kujdes zogjtë e qiellit.» (Mateu 6:26) Mirëpo, Jehovai jeton përtej atmosferës. Bibla thotë: «Është Dikush që banon mbi rruzullin e tokës.»—Isaia 40:22.

A jeton midis yjeve ‘Ati që është në qiell’? Në Shkrimet e Shenjta edhe universi fizik quhet «qiell». Për shembull, një psalmist shkroi: «Kur shoh qiejt, veprën e gishtërinjve të tu, hënën dhe yjet që ke bërë, mendoj: ç’është vdekatari që ta mbash në mendje?»—Psalmi 8:3, 4.

Perëndia Jehova nuk ka pse të jetojë brenda universit fizik që ka krijuar, ashtu si një marangoz nuk ka pse të jetojë brenda një dollapi që ka bërë. Prandaj, kur mbreti Solomon ia kushtoi tempullin e Jerusalemit Jehovait, ai tha: «Mos vallë do të banojë vërtet në tokë Perëndia?! Ja! Qiejt, po, qiejt e qiejve, nuk të mbajnë dot, e aq më pak kjo shtëpi që kam ndërtuar unë!» (1 Mbretërve 8:27) Nëse Jehovai nuk banon në qiellin fizik, atëherë çfarë është ky qiell ku banon ai?

Megjithëse njerëzit i kanë studiuar qiejt fizikë me teleskopë të fuqishëm dhe disa kanë udhëtuar në hapësirë, ajo që thotë Bibla mbetet e vërtetë: «Askush s’e ka parë asnjëherë Perëndinë.» (Gjoni 1:18) Jezui shpjegoi arsyen kur tha: «Perëndia është Frymë.»—Gjoni 4:24.

Fryma është një formë jete më e lartë se ajo njerëzore. Ajo nuk përbëhet nga materie fizike, si mishi e gjaku, që mund të shihen dhe të perceptohen nga shqisat e njeriut. Kështu që, kur Jezui tha se banonte përkrah Atit të tij në «qiell», ai donte të thoshte që kishte pasur një formë jete më të lavdishme se çdo formë jete fizike. (Gjoni 17:5; Filipianëve 3:20, 21) Kjo sferë frymore ku jetonte Jezui me Atin, është ajo që Bibla e quan «qiell». Po si është ky qiell? Çfarë bëhet atje?

Një vend plot veprimtari e gëzim

Bibla e përshkruan qiellin si një vend që gumëzhin nga veprimtaritë. Ajo flet për qindra milionë krijesa frymore besnike që jetojnë atje. (Danieli 7:9, 10) Secila prej këtyre krijesave frymore ka një personalitet të vetin. E nga e dimë këtë? Në gjithë krijimin e dukshëm, nuk ka dy gjëra që të jenë identike, kështu që edhe në qiell me siguri ekziston një shumëllojshmëri e madhe. Është e jashtëzakonshme të mendosh që të gjitha këto krijesa qiellore me personalitete të ndryshme bashkëpunojnë në unitet, duke krijuar kështu një kontrast të admirueshëm me tokën sot, ku zor se gjen një bashkëpunim të mirë.

Vër re si e përshkruan Bibla veprimtarinë në qiell. «Bekoni Jehovain, ju, o engjëjt e tij shumë të fuqishëm, që përmbushni fjalën e tij, dhe u bindeni fjalëve që thotë ai. Bekoni Jehovain, të gjitha ju ushtritë e tij dhe shërbëtorët e tij, që kryeni vullnetin e tij.» (Psalmi 103:20, 21) Pra, në qiell bëhet një punë e madhe dhe mund të jemi të sigurt se është një punë e këndshme.

Engjëjt kanë shërbyer me gëzim që para se të krijohej toka. Sipas Shkrimeve, kur Jehovai themeloi tokën, bijtë e Perëndisë «lëshonin tok britma hareje» dhe «brohoritnin tërë ngazëllim». (Jobi 38:4, 7) Madje, një nga bijtë qiellorë të Perëndisë pati privilegjin të punonte bashkë me Të në krijimin e gjithçkaje tjetër. (Kolosianëve 1:15-17) Nga ky përshkrim i bukur i punës së gëzuar në qiell mund të të lindin pyetje për qiellin dhe njerëzimin.

A janë krijuar njerëzit për të jetuar në qiell?

Meqë engjëjt i shërbenin Perëndisë në qiell para se të themelohej toka, duket qartë se burri dhe gruaja e parë nuk u krijuan për të mbushur qiejt. Përkundrazi, Perëndia i tha këtij çifti të parë njerëzor: «Jini të frytshëm, shumohuni dhe mbusheni tokën.» (Zanafilla 1:28; Veprat 17:26) Adami ishte i pari i një forme të re jete tokësore, me aftësinë për të njohur Perëndinë dhe për t’i shërbyer me besnikëri. Ai do të ishte babai i njerëzimit që do të kishte si shtëpi tokën. «Qiejt janë të Jehovait, kurse tokën ua ka dhënë bijve të njerëzve.»—Psalmi 115:16.

Njerëzit në përgjithësi nuk duan të vdesin; vdekja është diçka e panatyrshme për ta. Perëndia ia përmendi Adamit vdekjen vetëm si dënim në rast mosbindjeje. Nëse Adami do të ishte bindur, nuk do të kishte vdekur kurrë.—Zanafilla 2:17; Romakëve 5:12.

Prandaj nuk çuditemi që Perëndia nuk i tha Adamit se do të shkonte në qiell. Pra, toka nuk do të ishte një vend ku njerëzit do të provoheshin për të kuptuar nëse do të ishin të denjë të jetonin në qiell. Njeriu u krijua që të jetojë përgjithmonë në tokë, dhe ky qëllim i Perëndisë do të përmbushet. Bibla premton se «të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të». (Psalmi 37:29) Është e qartë se njerëzit nuk u krijuan me qëllim që të jetonin në qiell. Po atëherë, si ka mundësi që Jezui u premtoi apostujve të tij se do të jetonin në qiell? A donte të thoshte Jezui se të gjithë njerëzit e mirë do të shkojnë në qiell?