Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e dini?

A e dini?

A e dini?

Përveç verës, çfarë pijesh alkoolike bëheshin në kohët biblike?

Shpesh ‘vera e pijet dehëse’ përmenden bashkë në Bibël. (Ligji i përtërirë 14:26; Luka 1:15) Pije alkoolike nuk nxirreshin vetëm nga frutat, si rrushi, hurmat e Arabisë, fiqtë, mollët, shegët, por edhe nga mjalti.

Fjala «pije dehëse» mund të nënkuptojë edhe birrën. Fjala hebraike e përkthyer «pije dehëse» lidhet me një fjalë akadiane që mund t’i referohet birrës së zakonshme të elbit në Mesopotami. Kjo pije kishte pak alkool, por të dehte po të pije tepër. (Proverbat 20:1) Në varret e lashta egjiptiane janë gjetur modele argjile ku tregohen punishte birre dhe vizatime ku paraqiten prodhues birre. Në Babiloni, birra ishte pije e zakonshme si në pallate, ashtu edhe në shtëpitë e të varfërve. Edhe filistinët kishin një pije të ngjashme. Anembanë Palestinës, arkeologët kanë zbuluar broka me lëfyt me filtër. Këto enë e filtronin birrën, e kështu ai që e pinte nuk kapërdinte edhe lëvoret e elbit nga i cili ishte prodhuar.

Pse në kohën e apostullit Pavël ishte shumë e rrezikshme të lundroje në disa periudha të vitit?

Për shkak të erërave që i kishin kundër, një anijeje ku po udhëtonte apostulli Pavël, iu desh goxha kohë të çante udhën drejt perëndimit përgjatë bregut të Azisë së Vogël. Siç thotë tregimi biblik, arritën në një pikë ku «ishte e rrezikshme të lundroje, pasi tanimë kishte mbaruar edhe agjërimi [i ditës së shlyerjes]». Pavli u tha bashkudhëtarëve se çdo orvatje për të vazhduar lundrimin rrezikonte t’u sillte humbje «jo vetëm për ngarkesën dhe për anijen, por edhe për shpirtrat [e tyre]».—Veprat 27:4-10.

Agjërimi i ditës së shlyerjes binte nga fundi i shtatorit ose fillimi i tetorit. Marinarët romakë e dinin se lundrimi në përgjithësi ishte i sigurt nga 27 maji deri më 14 shtator. Nga kjo datë e fundit deri më 11 nëntor, lundrimi konsiderohej i pasigurt, kurse nga 11 nëntori deri më 10 mars, lundrimi në përgjithësi konsiderohej tejet i rrezikshëm. Një arsye, siç e përshkruan fare qartë përvoja vijuese e Pavlit, ishte paqëndrueshmëria e motit. (Veprat 27:13-44) Detarët rrezikonin të përballeshin me stuhi të egra dhe peripeci të mëdha. Retë errësonin diellin ditën dhe yjet natën. Edhe mjegulla dhe retë e vështirësonin pamjen dhe i fshihnin rreziqet.

[Figura në faqen 23]

Model i drunjtë egjiptian i shisheve të birrës

[Burimi]

Erich Lessing/​Art Resource, NY

[Figura në faqen 23]

Anije romake mallrash rreth viteve 100-200 të e.s.

[Burimi]

Pictorial Archive (Near Eastern History) Est