Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Misionarët dërgohen «deri në skajin më të largët të tokës»

Misionarët dërgohen «deri në skajin më të largët të tokës»

Diplomimi i klasës së 127-të të Galaadit

Misionarët dërgohen «deri në skajin më të largët të tokës»

JEZUI i dërgoi dishepujt si dëshmitarë «deri në skajin më të largët të tokës». (Veprat 1:8) Dëshmitarët e Jehovait e marrin seriozisht këtë caktim.

Në fakt, gjatë 65 viteve të fundit, misionarë të stërvitur në Shkollën Biblike Watchtower të Galaadit kanë ndihmuar për të drejtuar këtë vepër predikimi në mbi 200 vende. Të shtunën më 12 shtator 2009, edhe 56 shërbëtorë të tjerë me përvojë u diplomuan pasi u stërvitën për pesë muaj në shkollën misionare që ndodhet në Paterson, Nju-Jork, SHBA.

Forca e imagjinatës

Stivën Leti, anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait dhe drejtues i programit të diplomimit, trajtoi për klasën temën «Përdoreni imagjinatën me mençuri». Në fillim ai i paralajmëroi të diplomuarit për katër aspekte ku nuk duhet ta përdorin imagjinatën e tyre. Tri aspektet e para ishin: (1) Mos imagjinoni sikur gjërat materiale mund t’ju japin mbrojtje të përhershme; (2) mos imagjinoni gjëra imorale dhe (3) mos u shqetësoni së tepërmi duke menduar se sa keq mund të jetë e nesërmja. (Proverbat 18:11; Mateu 5:28; 6:34) Në lidhje me aspektin e tretë, oratori tha se ai që shqetësohet së tepërmi mbart shqetësimet e së djeshmes dhe ua shton atyre të së sotmes, e pastaj i ngarkon vetes edhe shqetësimet e së nesërmes. «Goxha barrë për t’u mbajtur!»—tha vëlla Leti. Po aspekti i katërt? Ai i paralajmëroi studentët të mos imagjinonin që jeta e tyre ishte më e mirë para se të fillonin shërbimin si misionarë. Kjo nuk do t’i linte të shijonin gëzimet që mund të kenë në vendin e tyre të ri.

Pastaj vëlla Leti i inkurajoi studentët ta përdornin imagjinatën në katër aspekte pozitive. Ai tha: (1) Parashikoni situata që mund të jenë të rrezikshme nga ana frymore ose fizike dhe shmangni kështu të keqen; (2) përfytyroni skenat që lexoni në Bibël dhe imagjinoni sikur jeni pjesë e asaj ngjarjeje; (3) imagjinoni që secili prej atyre që u predikoni në caktimin e ri, mund të bëhet një adhurues i Jehovait dhe (4) bëhuni më të dhembshur duke imagjinuar veten në vend të atyre që u predikoni.—Proverbat 22:3.

Sa e rëndësishme është të stërvitësh të tjerët?

Dejvid Splejni, anëtar i Trupit Udhëheqës, mbajti fjalimin me temë «Këto gjëra besojuani njerëzve të besueshëm», bazuar te 2 Timoteut 2:2. Kur apostulli Pavël e udhëzoi Timoteun që të stërviste njerëz të besueshëm, ai kishte si qëllim që Timoteu jo vetëm t’u mësonte atyre të vërteta biblike, por edhe t’i inkurajonte që të stërvitnin të tjerë. Oratori u tha studentëve se ka një nevojë të madhe për burra që të marrin drejtimin në veprimtaritë e krishtere. Po kur dhe si do t’i stërvitin ata? Vëlla Splejni i inkurajoi misionarët që t’i stërvitin këta burra që kur fillojnë të studiojnë Biblën me ta.

Si mund t’i ndihmojnë konkretisht misionarët studentët biblikë që të jenë shembuj të besueshëm për të tjerët? Oratori renditi disa mënyra si mund ta bëjnë këtë. Misionarët duhet t’i stërvitin studentët që personalisht të përgatiten mirë për mësimin biblik që do të trajtojnë. Pastaj, kur studentët fillojnë të ndjekin mbledhjet e kongregacionit, duhet të mësojnë si të përgatiten vetë për materialin e bazuar në Bibël që shqyrtohet atje. Vëlla Splejni arsyetoi: «Ai që nuk mund ta studiojë vetë Biblën, s’do të jetë kurrë në gjendje të mësojë të tjerët.» Gjithashtu, tha se misionarët mund t’i ndihmojnë të rinjtë në të vërtetën të jenë të përpiktë, të mbështetin financiarisht veprën e predikimit dhe të jenë të bindur ndaj atyre që marrin drejtimin. Ai tha se mënyra më e mirë për t’u mësuar këto gjëra, është duke u lënë një shembull të mirë.

Është një privilegj të jesh Dëshmitar

Gaj Piërsi, po ashtu anëtar i Trupit Udhëheqës, trajtoi temën «Do të jeni dëshmitarët e mi», që bazohej në fjalët e Jezuit të dokumentuara te Veprat 1:8. Ai i kujtoi klasës se në shekullin e parë të e.s., kombi i Izraelit e humbi privilegjin për të dëshmuar për Jehovain. Ky privilegj iu dha një kombi që prodhon frytet e Mbretërisë. (Mateu 21:43) Kongregacioni i të krishterëve të mirosur tregoi se ishte ky komb. Oratori citoi fjalët e apostullit Pjetër, i cili tha se ‘kombi i shenjtë’ i të krishterëve të mirosur ‘do të shpallte kudo’ virtytet e Jehovait. (1 Pjetrit 2:6-9) Pra, Jezui nuk po thoshte se të krishterët tani e tutje do të ishin vetëm dëshmitarë të tij e jo më të Jehovait. Në fund të fundit, Jezui vetë quhet «Dëshmitari i Besueshëm». (Zbulesa 1:5; 3:14) Ai është Dëshmitari kryesor i Jehovait dhe modeli që ndjekim.—1 Pjetrit 2:21.

Oratori u tha studentëve se sot fjalët e Jezuit te Veprat 1:8 kanë marrë më shumë kuptim. Pse? Sepse tashmë është përmbushur një ngjarje e shënuar profetike, e dokumentuar te Zbulesa 11:15. Mbretëria mesianike e Perëndisë është vendosur. Tani, në kuptimin e mirëfilltë, vepra e dhënies së dëshmisë po kryhet «deri në skajin më të largët të tokës». (Veprat 1:8) Vëlla Piërsi theksoi se misionarët japin dëshmi për Jehovain dhe Mbretërinë e tij, jo për veten ose vendin, kulturën dhe jetesën që bënin më parë. Ai i inkurajoi studentët që të mësojnë «sa më shumë njerëz në kohën që ka mbetur».

Pjesë të tjera të programit

Aleks Rainmjullër, ndihmës pranë Komitetit të Botimit, trajtoi temën «Jehovai do t’ju japë guxim». Ai tha se, nëse misionarët mbështeten te forca e Jehovait, ai do t’i ndihmojë të kuptojnë pikat e tyre të forta, të pranojnë pikat e tyre të dobëta, të përballen me gjërat që i frikësojnë dhe t’i japin Perëndisë më të mirën.

Edhe dy prej instruktorëve të Repartit të Shkollave Teokratike, Sam Robersoni dhe Uilliam Samuelsoni, mbajtën fjalim para studentëve. Vëlla Robersoni shqyrtoi temën «Unë jam me ty», që bazohej tek Isaia 41:10. Ai tha se misionarët do të kenë shumë gjëra të bukura për të gëzuar. Por do të kenë edhe probleme, që mund t’i kapërcejnë nëse imitojnë mbretin David, i cili i thirri në lutje Atit të tij të dashur. (Psalmi 34:4, 6, 17, 19) Fjalimi i vëlla Samuelsonit theksoi se është e nevojshme të mos reshtin së zhvilluari aftësinë për të menduar. Ata misionarë që veprojnë kështu, nuk fyhen lehtë dhe janë në gjendje të mos reagojnë në mënyrë negative ndaj fjalëve të pakëndshme.—Proverbat 2:10, 11.

Xhim Mantsi, ndihmës pranë Komitetit të Shkrimit, intervistoi një anëtar të Komitetit të Degës të Republikës së Gjeorgjisë e një tjetër të Hondurasit, si dhe një pjesëtar të Komitetit të Vendit në Taxhikistan. Këta vëllezër me përvojë i këshilluan misionarët se si të bëjnë miq ata që mund të kundërshtojnë, ‘duke mundur të keqen me të mirën’. (Romakëve 12:21) Mark Numari, një instruktor tjetër i Galaadit, mbajti një fjalim të gjallë në lidhje me përvojat që kanë pasur studentët në shërbim gjatë stërvitjes në këtë shkollë. Tema e fjalimit «Po, si mund t’ju ndihmoj?» ishte një temë që të bënte të mendoje.

Drejtuesi e mbylli programin duke cituar disa fjalë nga kënga e re «Përfytyro çdo gjë të re». Të pranishmit, gjithsej 6.509 veta, u larguan më të vendosur se kurrë që të japin dëshmi për Jehovain e për Birin e tij «deri në skajin më të largët të tokës».

[Tabela dhe harta në faqen 31]

STATISTIKAT E KLASËS

8 vende të përfaqësuara

56 studentë

28 çifte

33,6 mosha mesatare

18,3 mesatarja e viteve që nga pagëzimi

13,6 mesatarja e viteve në shërbimin e plotkohor

[Harta]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

Të diplomuarit u caktuan në 22 vendet që tregohen më poshtë

VENDET KU U CAKTUAN MISIONARËT

XHAMAJKË

HAITI

NIKARAGUA

KOSTA-RIKË

PANAMA

KURASAO

GUAJANË

PERU

BOLIVI

PARAGUAI

KILI

MOLDAVI

SERBI

SHQIPËRI

BREGU I FILDISHTË

REP. DEM. E KONGOS

UGANDË

BURUNDI

TANZANI

MOZAMBIK

NEPAL

KAMBOXHIA

[Figura në faqen 31]

Diplomimi i klasës së 127-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit

Në listën e mëposhtme, rreshtat janë numëruar nga para pas dhe emrat janë renditur nga e majta në të djathtë për çdo rresht

(1) Marshall, T.; Prudent, L.; Mashburn, A.; Rosenström, S.; Testa, A.; Takeyama, M.; Sisk, M.

(2) Grooms, K.; Miura, S.; Camacho, M.; Rozas, S.; Burch, M.; Meza, I.; Young, G.; Geraghty, S.

(3) Bonilla, C.; Knaller, D.; Parrales, R.; Hotti, S.; Takada, A.; Tournade, M.; Sopel, C.

(4) Miura, Y.; Parrales, K.; Prudent, K.; Colburn, S.; Willis, L.; Vääränen, A.; Sisk, B.; Takada, R.

(5) Grooms, J.; Vääränen, M.; Geraghty, B.; Stackhouse, R.; Wilson, A.; Bonell, E.; Camacho, D.; Meza, R.; Bonell, M.

(6) Takeyama, S.; Testa, G.; Colburn, T.; Mashburn, C.; Willis, W.; Tournade, L.; Burch, J.; Stackhouse, J.

(7) Wilson, J.; Young, J.; Marshall, E.; Rozas, M.; Knaller, J.; Hotti, N.; Rosenström, A.; Sopel, J.; Bonilla, O.