Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A do të prodhojë gjithnjë toka që të vazhdojë jeta?

A do të prodhojë gjithnjë toka që të vazhdojë jeta?

Lexuesit pyesin . . .

A do të prodhojë gjithnjë toka që të vazhdojë jeta?

▪ Planeti ynë i bukur, Toka, ka një aftësi të jashtëzakonshme për të mbështetur jetën. Gjithsesi, me rritjen e popullsisë dhe ritmin alarmues me të cilin po shfrytëzohen burimet e pasura të tokës, mbase pyetni veten: «Mos do të ndodhë më e keqja? A do të ketë gjithmonë ushqime dhe burime të mjaftueshme?»

Kur mendojmë për këto pyetje, mund të na qetësojë premtimi që Perëndia i bëri familjes njerëzore më shumë se 4.000 vjet përpara: «Sa të jetë toka, nuk do të pushojnë kurrë mbjellja dhe korrja, të ftohtët e të nxehtët, vera e dimri, dita e nata.» (Zanafilla 8:22) Prandaj, ashtu siç jemi të sigurt se dielli do të dalë çdo ditë, po kështu të jemi të sigurt se toka nuk do të reshtë kurrë së prodhuari aq sa duhet, që të vazhdojë jeta.

Në një artikull të vitit 2004 me titull A mund të na ushqejë planeti?, Aleks Kirbi, korrespondent për çështjet e ambientit, thoshte: «Bota prodhon ushqim mjaftueshëm për çdo njeri. Por shpesh ushqimi është në vendin e gabuar, kushton tepër ose nuk mund të ruhet gjatë. Pra, sigurimi i ushqimit për gjithkënd ka të bëjë më shumë me politikën, sesa me shkencën.» Me mbikëqyrjen e duhur të tokës dhe me administrimin e mirë të burimeve të saj, nuk ka pse të kemi frikë për mungesë ushqimi. Për shembull, në ditët e Izraelit të lashtë, Perëndia dha drejtim të qartë si të shfrytëzohej toka siç duhej. Siç shkruhet te Levitiku 25:4, Perëndia u tha izraelitëve: «Viti i shtatë do të jetë një sabat pushimi i plotë për vendin. . . . Mos i mbill arat.» Megjithëse nuk duhej ta punonin tokën një herë në shtatë vjet, Perëndia premtoi se do të kujdesej që populli i tij të gëzonte të mira me bollëk dhe të mos i mundonte frika për ndonjë krizë ushqimesh.—Levitiku 26:3-5.

Ndonëse sot po bëhen disa përpjekje të sinqerta për të ndrequr dëmin që i është bërë tokës dhe burimeve të saj, shumë njerëz shqetësohen se këto përpjekje janë fare pak dhe tepër vonë. Zgjidhja e vetme e përhershme gjendet te Zbulesa 11:18. Aty Bibla thotë se Jehovai ‘do të rrënojë ata që rrënojnë tokën’. Jehovai jo vetëm që do të zhdukë keqadministrimin e tokës dhe të burimeve të saj, por edhe do të kujdeset që ajo të prodhojë me bollëk për të gjithë banorët. Gjithë shpërfilljes kryeneçe ndaj qëllimit të Perëndisë dhe gjithë shfrytëzimit të tokës për përfitime egoiste personale, do t’i jepet fund. Nga ana tjetër, ata që e mbështetin me gatishmëri sundimin e Jehovait do të provojnë sa të vërteta janë fjalët e Psalmit 72:16: «Në tokë do të ketë drithë me bollëk, edhe në majat e maleve drithi do të vërshojë.»

Nga dashuria dhe mençuria e tij e pafund, Jehovai ka si qëllim që njerëzit të jetojnë dhe të kujdesen për shtëpinë e tyre, që do të jetë një tokë parajsore. (Zanafilla 1:28) Nën sundimin e tij, njerëzit e bindur do të mësojnë t’i shfrytëzojnë me mençuri burimet natyrore, pa i shteruar rezervat e pasura të tokës. Sa mirënjohës jemi për një Sigurues kaq të dashur, që do të plotësojë dëshirën e çdo krijese!—Psalmi 145:16.

[Diçitura në faqen 22]

«Sigurimi i ushqimit për gjithkënd ka të bëjë më shumë me politikën, sesa me shkencën»