Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Të drejtët do të shkëlqejnë si dielli»

«Të drejtët do të shkëlqejnë si dielli»

«Të drejtët do të shkëlqejnë si dielli»

«Në atë kohë, të drejtët do të shkëlqejnë si dielli në mbretërinë e Atit të tyre.»—MAT. 13:43.

1. Cilat aspekte të Mbretërisë shpjegoi Jezui me anë të ilustrimeve?

JEZU KRISHTI përdori shumë ilustrime për të shpjeguar aspekte të ndryshme të Mbretërisë. Ai u fliste «turmave me anë të ilustrimeve. Në fakt, pa ilustrime s’u fliste atyre.» (Mat. 13:34) Në ilustrimet për mbjelljen e farës të së vërtetës për Mbretërinë, Jezui theksoi rolin e gjendjes së zemrës të një personi për të pranuar mesazhin, si edhe rolin që luan Jehovai në rritjen frymore. (Mar. 4:3-9, 26-29) Gjithashtu, Jezui ilustroi rritjen e jashtëzakonshme të interesave të Mbretërisë këtu në tokë, edhe nëse kjo rritje nuk bie në sy menjëherë. (Mat. 13:31-33) Përveç kësaj, ai theksoi se jo të gjithë ata që reagojnë mirë ndaj mesazhit të Mbretërisë janë medoemos nënshtetas të përshtatshëm të asaj Mbretërie.—Mat. 13:47-50. *

2. Çfarë përfaqëson fara e mirë në ilustrimin e Jezuit të grurit dhe egjrave?

2 Megjithatë, një nga ilustrimet e Jezuit përqendrohet te mbledhja e atyre që do të sundojnë me të në Mbretërinë e tij. Ky quhet shpesh ilustrimi i grurit dhe egjrave e është dokumentuar te kapitulli 13 i Mateut. Në një ilustrim tjetër Jezui thotë se fara që mbillet është ‘fjala e mbretërisë’, por në këtë ilustrim ai thotë se fara e mirë përfaqëson diçka të ndryshme: «bijtë e mbretërisë». (Mat. 13:19, 38) Këta nuk janë nënshtetas të Mbretërisë, por «bijtë» ose trashëgimtarët e Mbretërisë.—Rom. 8:14-17; lexo Galatasve 4:6, 7.

Ilustrimi i grurit dhe egjrave

3. Shpjegoni problemin që has njeriu i ilustrimit dhe si vendos ta zgjidhë këtë problem.

3 Ky është ilustrimi: «Mbretëria e qiejve i ngjan një njeriu që mbolli farë të mirë në arën e vet. Kur njerëzit po flinin, erdhi armiku i tij dhe mbolli egjër nëpër grurë e iku. Kur filizi mbiu dhe prodhoi fryt, atëherë u shfaqën edhe egjrat. Kështu, skllevërit e të zotit të shtëpisë vajtën dhe i thanë: ‘Zotëri, a nuk mbolle farë të mirë në arën tënde? Nga dolën vallë egjrat?’ Ai u tha: ‘Një armik e ka bërë.’ Ata e pyetën: ‘A dëshiron, pra, që të dalim e t’i mbledhim?’ Ai tha: ‘Jo, se duke mbledhur egjrat, mund të shkulni me rrënjë edhe grurin. Lërini të rriten bashkë deri kur të bëhen për t’u korrur dhe në kohën e korrjes do t’u them korrësve: mblidhni më parë egjrën dhe lidheni në duaj që ta digjni, pastaj shkoni të mblidhni grurin e futeni në depon time.’»—Mat. 13:24-30.

4. (a) Kush është njeriu në ilustrim? (b) Kur dhe si filloi të mbillte këtë farë Jezui?

4 Kush është njeriu që mbolli farën e mirë në arën e vet? Jezui e jep përgjigjen më vonë kur u shpjegon dishepujve: «Mbjellësi i farës së mirë është Biri i njeriut.» (Mat. 13:37) Jezui, «Biri i njeriut», përgatiti arën për mbjellje gjatë tre vjetëve e gjysmë të shërbimit të tij në tokë. (Mat. 8:20; 25:31; 26:64) Pastaj, nga festa e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s. e më tej, ai nisi të mbillte farën e mirë: «bijtë e mbretërisë». Me sa duket kjo mbjellje nisi kur Jezui, si përfaqësues i Jehovait, filloi të derdhte frymë të shenjtë mbi dishepujt duke i mirosur kështu si bij të Perëndisë. * (Vep. 2:33) Fara e mirë u zhvillua dhe u bë grurë i pjekur. Pra, synimi pse u mboll fara e mirë ishte që në fund të mblidheshin të gjithë ata që do të bëheshin bashkëtrashëgimtarë dhe sundimtarë me Jezuin në Mbretërinë e tij.

5. Kush është armiku në ilustrim dhe cilët përfaqësojnë egjrat?

5 Kush është armiku dhe cilët janë egjrat? Jezui thotë se armiku «është Djalli». Egjrat përshkruhen si «bijtë e të ligut». (Mat. 13:25, 38, 39) Në kuptimin e mirëfilltë, egjrat që përmendi Jezui ishin ndoshta egjra të rëndomta. Kjo bimë helmuese ngjan shumë me grurin në fazën e tij të hershme para se të piqet. Çfarë përshkrimi i përshtatshëm i atyre që pretendojnë se janë bij të Mbretërisë, por nuk japin fryt të vlefshëm! Këta të krishterë hipokritë që pretendojnë se janë dishepuj të Krishtit, faktikisht janë pjesë e «farës» së Satana Djallit.—Zan. 3:15.

6. Kur filluan të shfaqeshin egjrat dhe në ç’kuptim njerëzit «po flinin» në atë kohë?

6 Kur u shfaqën këta të krishterë si egjrat? «Kur njerëzit po flinin»,—tha Jezui. (Mat. 13:25) Kur ishte kjo kohë? Përgjigjen e gjejmë në fjalët e apostullit Pavël drejtuar pleqve të kongregacionit të Efesit: «E di se pas ikjes sime do të hyjnë mes jush ujqër të ligj e nuk do ta trajtojnë kopenë me zemërbutësi, dhe nga gjiri juaj do të ngrihen njerëz e do të thonë gjëra të shtrembëruara, për të tërhequr pas vetes dishepujt.» (Vep. 20:29, 30) Ai vazhdoi t’i paralajmëronte këta pleq që të qëndronin vigjilentë frymësisht. Pasi apostujt, të cilët vepronin si «një forcë frenuese», filluan të binin në gjumin e vdekjes, shumë të krishterë ranë në gjumë frymësisht. (Lexo 2 Selanikasve 2:3, 6-8. *) Pikërisht në këtë kohë nisi apostazia e madhe dhe filluan të shfaqeshin egjrat.

7. A u bënë egjra disa që ishin grurë? Shpjegoni.

7 Jezui nuk tha se gruri do të bëhej egjër, por që egjrat u mbollën mes grurit. Pra, ky ilustrim nuk paraqet të krishterët e vërtetë që devijojnë nga e vërteta. Përkundrazi, thekson një përpjekje të qëllimshme nga ana e Satanait për të korruptuar kongregacionin e krishterë duke futur njerëz të ligj në të. Në kohën që Gjoni, apostulli i fundit, ishte i moshuar, kjo apostazi u bë qartësisht e dukshme.—2 Pjet. 2:1-3; 1 Gjon. 2:18.

«Lërini të rriten bashkë deri kur të bëhen për t’u korrur»

8, 9. (a) Pse do të ishin të kuptueshme për dëgjuesit e Jezuit udhëzimet që u dha Zotëria skllevërve të tij? (b) Si u rritën bashkë gruri dhe egjrat në përmbushjen e këtij ilustrimi?

8 Skllevërit e njoftojnë Zotërinë për problemin dhe e pyesin: «A dëshiron, pra, që të dalim e t’i mbledhim [egjrat]?» (Mat. 13:27, 28) Përgjigjja e tij mund të duket befasuese. Ai u thotë atyre që t’i lënë grurin dhe egjrat të rriten deri në kohën e korrjes. Ky urdhër do të ishte i kuptueshëm për dishepujt e Jezuit. Ata duhej të ishin të vetëdijshëm se sa e vështirë është të dallosh grurin nga egjra. Ata që kishin njëfarë përvoje në bujqësi, duhej ta dinin gjithashtu se rrënjët e egjrës zakonisht ndërthuren me rrënjët e grurit. * S’është çudi që Zotëria u thotë të presin.

9 Në mënyrë të ngjashme, gjatë shekujve sektet e ndryshme të të ashtuquajturit krishterim kanë prodhuar me bollëk egjra—së pari mes kishës katolike romake dhe asaj ortodokse, e më vonë mes grupeve të shumta protestante që lindën. Në të njëjtën kohë, anembanë botës u mbollën ca fara gruri të vërtetë. Zotëria në ilustrim priti me durim në periudhën e gjatë të rritjes derisa të mbërrinte koha relativisht më e shkurtër e korrjes.

Koha e korrjes e pritur prej kohësh

10, 11. (a) Kur është koha e korrjes? (b) Si sillet në depon e Jehovait gruri simbolik?

10 Jezui thotë: «Të korrat janë përfundimi i një sistemi dhe korrësit janë engjëjt.» (Mat. 13:39) Gjatë ditëve të fundit të këtij sistemi, ndodh një ndarje: bijtë e Mbretërisë mblidhen dhe ndahen nga ata që janë si egjrat. Në lidhje me këtë, apostulli Pjetër thotë: «Është koha e caktuar që gjykimi të fillojë me shtëpinë e Perëndisë. Dhe, nëse fillon së pari me ne, ç’fund do të kenë ata që nuk i binden lajmit të mirë të Perëndisë?»—1 Pjet. 4:17.

11 Pak kohë pas fillimit të ditëve të fundit ose ‘përfundimit të sistemit’, nisi gjykimi për ata që pretendonin se ishin të krishterë të vërtetë që të përcaktohej nëse ishin faktikisht ‘bij të mbretërisë’ apo ‘bij të të ligut’. Në fillim të korrjes, «më parë» ra Babilonia e Madhe dhe «pastaj» filloi mbledhja e bijve të Mbretërisë. (Mat. 13:30) Por, që nga ajo kohë e më tej, si sillet në depon e Jehovait gruri simbolik? Këto të korra, ose sillen në kongregacionin e krishterë të rivendosur ku kanë miratimin dhe mbrojtjen e Perëndisë, ose marrin shpërblimin qiellor.

12. Për sa kohë vazhdon korrja?

12 Sa zgjat gjykimi? Jezui iu referua korrjes si ‘koha e korrjes’, pra ajo vazhdon për një periudhë kohore. (Zbul. 14:15, 16) Gjykimi i të mirosurve individualisht vazhdon gjatë kohës së fundit. Ai do të zgjatë derisa ata të vulosen përfundimisht.—Zbul. 7:1-4.

13. Në ç’mënyrë egjrat shkaktojnë pengesë dhe si bëjnë paligjshmëri?

13 Cilët do të mblidhen e do të nxirren nga Mbretëria dhe si shkaktojnë pengesë dhe bëjnë paligjshmëri? (Mat. 13:41, shën.) Kleri i të ashtuquajturit krishterim, që është si egjrat, ka mashtruar miliona njerëz për shekuj të tërë. E ka bërë këtë me anë të mësimeve që çnderojnë Perëndinë, me ‘gjëra që shkaktojnë pengesë’ të tilla, si doktrina e ndëshkimit të përhershëm në ferrin e zjarrtë dhe Triniteti i mistershëm dhe që të ngatërron. Shumë udhëheqës fetarë kanë lënë një shembull të keq për kopetë e tyre për shkak të miqësisë kurorëshkelëse me këtë botë dhe në disa raste për shkak të sjelljes së tyre imorale flagrante. (Jak. 4:4) Përveç kësaj, i ashtuquajturi krishterim është bërë gjithnjë e më tolerant ndaj imoralitetit mes pjesëtarëve të tij. (Lexo Judën 4.) Pavarësisht nga të gjitha këto, ata vazhdojnë të hiqen si të përshpirtshëm dhe të perëndishëm. Sa të lumtur janë bijtë e Mbretërisë që janë të ndarë nga ndikime të tilla dhe nga mësimet e korruptuara që shkaktojnë pengesë!

14. Në ç’kuptim ata si egjrat qajnë dhe kërcëllijnë dhëmbët?

14 Në ç’kuptim ata si egjrat qajnë dhe kërcëllijnë dhëmbët? (Mat. 13:42) «Bijtë e të ligut», këta persona si egjrat, vuajnë nga fakti se «bijtë e mbretërisë» kanë demaskuar ndikimin e tyre frymësisht helmues. Gjithashtu, ata ankohen për mbështetjen gjithnjë e më të paktë që kanë nga pjesëtarët e kishave të tyre, si edhe për humbjen e kontrollit mbi ta.—Lexo Isainë 65:13, 14.

15. Në ç’kuptim ata si egjrat mblidhen dhe digjen në zjarr?

15 Në ç’kuptim egjrat mblidhen dhe digjen në zjarr? (Mat. 13:40) Këtu bëhet fjalë për fundin e egjrave. Fakti që në kuptimin simbolik ato hidhen në furrën e zjarrtë tregon se shkojnë drejt shkatërrimit të përhershëm. (Zbul. 20:14; 21:8) Ata si egjrat, pra mashtruesit, do të shkulen gjatë ‘shtrëngimit të madh’.—Mat. 24:21.

Ata «do të shkëlqejnë si dielli»

16, 17. Çfarë profetizoi Malakia në lidhje me tempullin e Perëndisë dhe si nisi të përmbushej kjo?

16 Në cilën kohë ata si gruri ‘shkëlqejnë si dielli’? (Mat. 13:43) Në lidhje me pastrimin e tempullit të Perëndisë, Malakia profetizoi: ‘Befas në tempullin e tij do të vijë Zotëria i vërtetë që ju po kërkoni dhe lajmëtari i besëlidhjes me të cilin kënaqeni. Ja, ai ka për të ardhur. Por kush do ta durojë ditën e ardhjes së tij dhe kush do të qëndrojë në këmbë kur të shfaqet ai? Sepse do të jetë si zjarri i rafinuesit dhe si finja e rrobalarësit. Ai do të ulet si rafinues dhe si pastrues i argjendit dhe do të pastrojë bijtë e Levit. Do t’i rafinojë si arin dhe argjendin, dhe kanë për t’u bërë për Jehovain një popull që paraqit blatim me drejtësi.’—Mal. 3:1-3.

17 Në kohët e sotme, kjo profeci me sa duket nisi të përmbushej në vitin 1918 kur Jehovai, bashkë me ‘lajmëtarin e besëlidhjes’, Jezu Krishtin, hetoi tempullin frymor. Malakia thotë se çfarë ndodh kur ky pastrim përfundon: «Keni për ta parë përsëri dallimin mes të drejtit dhe të ligut, mes atij që i shërben Perëndisë dhe atij që nuk i shërben.» (Mal. 3:18) Hovi i aktivitetit nga ana e të krishterëve të rigjallëruar tregon se ajo periudhë është fillimi i kohës së korrjes.

18. Çfarë profetizoi Danieli se do të ndodhte në kohën tonë?

18 Profeti Daniel foli për kohën tonë kur paratha: «Ata që kanë gjykim të thellë, do të ndriçojnë si hapësira qiellore dhe ata që çojnë shumë veta në drejtësi, do të shndritin si yjet përgjithmonë, po, në jetë të jetëve.» (Dan. 12:3) Kush janë këta që ndriçojnë kaq shumë? E pra, askush tjetër përveç të krishterëve të mirosur, gruri i vërtetë që përmendi Jezui tek ilustrimi i grurit dhe egjrave! ‘Mbledhja dhe nxjerrja’ e egjrave është vërejtur qartë nga shumica e madhe gjithnjë e në rritje me persona si dele. Kur shoqërohen me mbetjen e Izraelit frymor, edhe këta nënshtetas të ardhshëm të Mbretërisë ndriçojnë në këtë botë të errët.—Zak. 8:23; Mat. 5:14-16; Filip. 2:15.

19, 20. Çfarë presin me padurim «bijtë e mbretërisë» dhe çfarë do të shqyrtojmë në artikullin vijues?

19 Sot, «bijtë e mbretërisë» presin me padurim shpërblimin e tyre të lavdishëm qiellor. (Rom. 8:18, 19; 1 Kor. 15:53; Filip. 1:21-24) Por, deri atëherë ata duhet të qëndrojnë besnikë, të vazhdojnë të shkëlqejnë, të dallohen si të ndryshëm nga «bijtë e të ligut». (Mat. 13:38; Zbul. 2:10) Sa të lumtur mund të jemi të gjithë që kemi pasur privilegjin të shohim rezultatet e kësaj ‘mbledhjeje dhe nxjerrjeje’ simbolike të egjrave në kohën tonë!

20 Por, ç’lidhje kanë këta bij të Mbretërisë me shumicën e madhe gjithnjë e në rritje të atyre që shpresojnë të jetojnë përgjithmonë në tokë si nënshtetas të Mbretërisë? Artikulli vijues do t’i përgjigjet kësaj pyetjeje.

[Shënimet]

^ par. 1 Për një shqyrtim të hollësishëm të këtyre ilustrimeve, shih Kullën e Rojës, 15 korrik 2008, faqet 12-21.

^ par. 4 Në këtë ilustrim, mbjellja nuk përfaqëson veprën e predikimit dhe të bërjes së dishepujve nga e cila do të dilnin dishepuj të rinj që do të bëheshin të krishterë të mirosur. Në lidhje me farën e mirë që mbillet në arë, Jezui tha se këta «janë [e jo «do të bëhen»] bijtë e mbretërisë». Mbjellja i referohet mirosjes së këtyre bijve të Mbretërisë në arën e botës.

^ par. 6 Në gjuhën origjinale, termi që këtu është përkthyer ‘apostazi’ mund t’u referohet qoftë atyre që dikur ishin të krishterë të vërtetë e më pas devijuan nga e vërteta, qoftë të krishterëve të rremë që i mbjell Djalli në kongregacionin e krishterë.

^ par. 8 Rrënjët e egjrës ndërthuren kaq shumë me rrënjët e grurit, saqë po të shkulen para korrjes, do të shkulej edhe gruri.—Shih Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëllimi 1, faqja 1178, anglisht.

A ju kujtohet?

Në ilustrimin e Jezuit për grurin dhe egjrat, ç’domethënie kanë këto pjesë të ilustrimit?

• Fara e mirë

• Njeriu që mbolli farën

• Mbjellja e farës

• Armiku

• Egjrat

• Koha e korrjes

• Depoja

• Qarja dhe kërcëllitja e dhëmbëve

• Furra e zjarrtë

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 20]

Festa e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., shënoi fillimin e mbjelljes së farës së mirë

[Figura në faqen 23]

Gruri simbolik po sillet në depon e Jehovait

[Burimi]

Pictorial Archive (Near Eastern History) Est.