Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të pagëzuar në emër të Atit, të Birit dhe të frymës së shenjtë

Të pagëzuar në emër të Atit, të Birit dhe të frymës së shenjtë

Të pagëzuar në emër të Atit, të Birit dhe të frymës së shenjtë

«Shkoni dhe bëni dishepuj . . . , duke i pagëzuar në emër të Atit, të Birit dhe të frymës së shenjtë.»—MAT. 28:19.

1, 2. (a) Çfarë ndodhi në Jerusalem në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s.? (b) Pse shumë veta nga turma u nxitën të pagëzoheshin?

JERUSALEMI ziente nga turmat që kishin ardhur nga shumë vende. Ishte viti 33 i e.s. dhe po mbahej një festë e rëndësishme, festa e Ditës së Pesëdhjetë. Në atë rast merrnin pjesë shumë vizitorë. Por ndodhi diçka e pazakontë, pas së cilës apostulli Pjetër mbajti një fjalim entuziazmues që pati një ndikim mahnitës. Rreth 3.000 judenj dhe prozelitë u prekën nga fjalët e tij, u penduan dhe u pagëzuan në ujë. Kështu iu shtuan kongregacionit të krishterë të sapoformuar. (Vep. 2:41) Pagëzimi i kaq shumë njerëzve në pishinat ose rezervuarët përreth Jerusalemit duhet të ketë shkaktuar shumë zhurmë.

2 Pse u pagëzuan kaq shumë njerëz? Më herët po atë ditë, «nga qielli u dëgjua një zhurmë si ajo e një ere të furishme». Në dhomën e sipërme të një shtëpie, rreth 120 dishepuj të Jezuit u mbushën me frymë të shenjtë. Pas kësaj, burra dhe gra të respektuar u mblodhën dhe habiteshin kur i dëgjonin këta dishepuj «të flitnin në gjuhë të ndryshme». Kur dëgjuan gjërat që tha Pjetri, përfshirë fjalët e tij të drejtpërdrejta për vdekjen e Jezuit, shumicës prej tyre «u sëmboi në zemër». Çfarë duhej të bënin? Pjetri u përgjigj: «Pendohuni, e secili nga ju le të pagëzohet në emër të Jezu Krishtit. . . . Atëherë do të merrni falas si dhuratë frymën e shenjtë.»—Vep. 2:1-4, 36-38.

3. Çfarë kishin nevojë të bënin judenjtë dhe prozelitët e penduar në festën e Ditës së Pesëdhjetë?

3 Mendo për situatën fetare të atyre judenjve dhe prozelitëve që dëgjuan Pjetrin. Ata tashmë e kishin pranuar Jehovain si Perëndinë e tyre. Gjithashtu, nga Shkrimet Hebraike dinin se çfarë ishte fryma e shenjtë, forca vepruese e Perëndisë që u përdor gjatë krijimit e më pas. (Zan. 1:2; Gjyk. 14:5, 6; 1 Sam. 10:6; Psal. 33:6) Por kishin nevojë për diçka më tepër. Për ta ishte jetësore të kuptonin dhe të pranonin mjetin e Perëndisë për shpëtim: Mesinë, Jezuin. Prandaj, Pjetri theksoi se kishin nevojë ‘të pagëzoheshin në emër të Jezu Krishtit’. Disa ditë më parë, Jezui i ringjallur e urdhëroi Pjetrin dhe të tjerë që t’i pagëzonin njerëzit «në emër të Atit, të Birit dhe të frymës së shenjtë». (Mat. 28:19, 20) Kjo kishte kuptim të thellë në shekullin e parë dhe po njësoj është edhe sot. Cili është kuptimi i këtyre fjalëve?

Në emër të Atit

4. Ç’ndryshim kishte ndodhur për sa u përket atyre që kishin pasur një marrëdhënie me Jehovain?

4 Siç e vërejtëm, ata që reaguan mirë ndaj fjalimit të Pjetrit, adhuronin Jehovain dhe kishin pasur më parë një marrëdhënie me Të. Ishin përpjekur të zbatonin Ligjin e tij dhe kjo ishte arsyeja pse ata njerëz nga vende të tjera kishin ardhur në Jerusalem. (Vep. 2:5-11) Megjithatë, Perëndia sapo kishte bërë një ndryshim domethënës në mënyrën si do të vepronte me njerëzit. Ai i kishte hedhur poshtë judenjtë si kombi i tij i veçantë dhe zbatimi i Ligjit prej tyre nuk ishte më mënyra për të pasur miratimin e tij. (Mat. 21:43; Kolos. 2:14) Nëse ata dëgjues dëshironin një marrëdhënie të vazhdueshme me Jehovain, kishin nevojë për diçka tjetër.

5, 6. Çfarë bënë shumë judenj dhe prozelitë të shekullit të parë për të pasur një marrëdhënie me Perëndinë?

5 Ata duhej të ktheheshin te Jehovai, Jetëdhënësi i tyre. (Vep. 4:24) Po, ata që po i përgjigjeshin shpjegimit të Pjetrit mund të shihnin si kurrë ndonjëherë se Jehovai ishte një Atë mirëdashës. Ai dërgoi Mesinë për t’i çliruar dhe ishte i gatshëm t’i falte edhe ata të cilëve Pjetri mundi t’u thoshte: «E gjithë shtëpia e Izraelit ta dijë pa pikë dyshimi se këtë Jezu, të cilin ju e vutë në shtyllë, Perëndia e bëri edhe Zotëri, edhe Krisht.» Faktikisht ata që do t’i zbatonin fjalët e Pjetrit, tani do të kishin arsye edhe më të vlefshme për të çmuar atë që Ati kishte bërë për të gjithë personat që donin të kishin një marrëdhënie me Të.—Lexo Veprat 2:30-36.

6 Po, ata judenj dhe prozelitë mund të shihnin tani se një marrëdhënie me Jehovain përfshinte që ta pranonin si Siguruesin e shpëtimit nëpërmjet Jezuit. Atëherë, mund ta kuptosh pse ata u penduan për mëkatet e tyre, përfshirë edhe faktin që, me apo pa dijeninë e tyre, kishin marrë pjesë në vrasjen e Jezuit. Gjithashtu, kuptohet pse gjatë ditëve vijuese «ata i kushtoheshin mësimit të apostujve». (Vep. 2:42) Ata kishin mundësi dhe dëshironin ‘t’i afroheshin me lirshmëri në të folur fronit të dashamirësisë së pamerituar’.—Hebr. 4:16.

7. Në ç’mënyrë shumë veta sot kanë ndryshuar pikëpamje për Perëndinë dhe janë pagëzuar në emër të Atit?

7 Sot miliona njerëz me prejardhje të ndryshme, kanë mësuar nga Bibla të vërtetën për Jehovain. (Isa. 2:2, 3) Disa ishin ateistë ose deistë *, por u bindën për ekzistencën e një Krijuesi me të cilin mund të kishin një marrëdhënie kuptimplotë. Të tjerë adhuronin një trini perëndish ose idhuj të ndryshëm. Por mësuan se vetëm Jehovai është Perëndia i plotfuqishëm dhe tani i drejtohen me emrin e tij personal. Kjo është në përputhje me faktin se Jezui tha që dishepujt e tij duhet të pagëzohen në emër të Atit.

8. Çfarë kishin nevojë të kuptonin për Atin ata që nuk dinin se ç’ishte mëkati adamik?

8 Po ashtu, ata kanë mësuar se kanë trashëguar mëkatin nga Adami. (Rom. 5:12) Kjo ishte një e vërtetë e re që iu desh ta pranonin. Këta persona mund të krahasohen me një të sëmurë që nuk ishte i vetëdijshëm për sëmundjen e tij. Ai mund të ketë pasur disa simptoma, si për shembull, dhimbje të herëpashershme. Mirëpo, meqë nuk ishte diagnostikuar me ndonjë sëmundje specifike, mund të ketë menduar se në përgjithësi kishte shëndet të mirë. Por faktet treguan të kundërtën. (Krahaso 1 Korintasve 4:4.) Po sikur atij t’i ishte diagnostikuar sëmundja? A nuk do të ishte gjë e mençur nëse do të kërkonte dhe do të pranonte një kurë të njohur, të provuar dhe të efektshme. Po kështu, kur kanë mësuar të vërtetën për mëkatin e trashëguar, shumë kanë pranuar «diagnozën» e Biblës dhe kanë arritur të kuptojnë se Perëndia po u ofron «kurën». Po, të gjithë ata që janë të ndarë nga Ati, kanë nevojë të kthehen tek Ai që, si të thuash, mund t’i kurojë.—Efes. 4:17-19.

9. Çfarë bëri Jehovai që njerëzit të mund të kishin një marrëdhënie me të?

9 Nëse tashmë ia ke kushtuar jetën Perëndisë Jehova dhe je bërë një i krishterë i pagëzuar, e di se ç’gjë e mrekullueshme është të kesh një marrëdhënie me të. Tani mund të kuptosh se sa i dashur është Ati yt, Jehovai. (Lexo Romakëve 5:8.) Megjithëse Adami dhe Eva kishin mëkatuar kundër Tij, Perëndia mori nismën që pasardhësit e tyre—përfshirë edhe ne—të mund të kishin një marrëdhënie të mirë me Të. Për ta bërë këtë, Perëndisë iu desh të përballonte dhembjen kur pa Birin e tij të shtrenjtë të vuante e të vdiste. A nuk na ndihmon dijenia për këtë gjë që të pranojmë autoritetin e Perëndisë dhe t’i bindemi urdhërimeve të tij nga dashuria? Nëse ende nuk i je kushtuar Perëndisë dhe nuk je pagëzuar, ke arsye për ta bërë këtë.

Në emër të Birit

10, 11. (a) Pse duhet të jesh mirënjohës ndaj Jezuit? (b) Si ndihesh për faktin që Jezui vdiq si një shpërblesë?

10 Mendo edhe për atë që i tha Pjetri turmës me njerëz. Ai theksoi që të pranonin Jezuin dhe kjo lidhet drejtpërdrejt me pagëzimin «në emër . . . të Birit». Pse ishte jetësore në atë kohë dhe pse është jetësore sot? E pra, të pranosh Jezuin dhe të pagëzohesh në emër të tij, do të thotë të pranosh rolin e tij në marrëdhënien tonë me Krijuesin. Jezui u desh që ta varnin në një shtyllë torture që të hiqte nga judenjtë mallkimin e Ligjit, edhe pse vdekja e tij kishte një dobi më të madhe. (Gal. 3:13) Ai siguroi flijimin shpërblyes për të cilin kishte nevojë i gjithë njerëzimi. (Efes. 2:15, 16; Kolos. 1:20; 1 Gjon. 2:1, 2) Për këtë qëllim, Jezui duroi padrejtësi, sharje, tortura dhe në fund vdekjen. Sa e çmon flijimin e tij? Imagjino sikur je një djalosh 12-vjeçar që po udhëton me Titanikun, anija që në vitin 1912 u përplas me një ajsberg dhe u fundos. Ti përpiqesh të hipësh në një varkë shpëtimi, por ajo është plot. Megjithatë, më pas, një burrë që ndodhet në varkë puth gruan e vet, rikthehet në kuvertën e anijes dhe të vendos ty në varkë. Si ndihesh? Me siguri që i je mirënjohës! Ti mund të kuptosh se si u ndie një djalosh që e përjetoi vërtet këtë gjë. * Mirëpo Jezui bëri shumë më tepër për ty. Ai vdiq në mënyrë që ti të fitosh jetën e pafundme.

11 Si u ndjeve kur mësove për atë që bëri për ty Biri i Perëndisë? (Lexo 2 Korintasve 5:14, 15.) Ka të ngjarë që ndjeve mirënjohje të thellë. Kjo të nxiti t’ia kushtoje jetën Perëndisë dhe ‘të mos jetoje më për vete, por për atë që vdiq për ty’. Të pagëzohesh në emër të Birit do të thotë të pranosh atë që Jezui ka bërë për ty si dhe autoritetin e tij si ‘Kryepërfaqësuesi i jetës’. (Vep. 3:15; 5:31) Më parë ti nuk kishe një marrëdhënie me Krijuesin dhe faktikisht nuk kishe asnjë shpresë të vërtetë. Por, duke treguar besim te gjaku i derdhur i Jezu Krishtit dhe duke u pagëzuar, tani ke një marrëdhënie me Atin. (Efes. 2:12, 13) Apostulli Pavël shkroi: ‘Ju që dikur ishit armiq të Perëndisë dhe të ndarë nga ai, ngaqë e kishit mendjen për vepra të liga, Perëndia ju pajtoi tani me veten me anë të trupit njerëzor të Jezuit, nëpërmjet vdekjes së tij, që t’ju paraqitë të shenjtë, të patëmetë.’—Kolos. 1:21, 22.

12, 13. (a) Si duhet të reagosh ndaj dikujt që të lëndon, duke ditur se je pagëzuar në emër të Birit? (b) Ç’detyrim ke si një i krishterë i pagëzuar në emër të Jezuit?

12 Edhe pse u pagëzove në emër të Birit, je më se i vetëdijshëm për prirjet e tua mëkatare. Kjo vetëdije është e dobishme çdo ditë. Për shembull, nëse dikush të lëndon, a sjell ndër mend se që të dy jeni mëkatarë? Të dy keni nevojë për faljen e Perëndisë dhe të dy duhet të falni. (Mar. 11:25) Për të theksuar këtë nevojë, Jezui bëri një ilustrim: pronari i një skllavi i fali atij një borxh prej dhjetë mijë talentash (60 milionë denarë). Më vonë, ai skllav nuk donte t’i falte një skllavi tjetër një borxh prej 100 denarësh. Jezui pastaj theksoi këtë pikë: Jehovai nuk do ta falë atë që nuk fal vëllanë e tij. (Mat. 18:23-35) Po, të pagëzohesh në emër të Birit do të thotë të pranosh autoritetin e Jezuit dhe të përpiqesh të ndjekësh shembullin e mësimet e tij, përfshirë edhe mësimin që të jesh i gatshëm për të falur të tjerët.—1 Pjet. 2:21; 1 Gjon. 2:6.

13 Meqë je i papërsosur, nuk mund ta imitosh Jezuin plotësisht. Sidoqoftë, në përputhje me kushtimin tënd me gjithë zemër ndaj Perëndisë, ti dëshiron ta imitosh sa më shumë Jezuin. Kjo përfshin që të vazhdosh të punosh për të hequr personalitetin e vjetër dhe për të veshur të riun. (Lexo Efesianëve 4:20-24.) Kur ke respekt për një mik, ka mundësi që përpiqesh të mësosh nga shembulli dhe cilësitë e tij të mira. Në mënyrë të ngjashme, ti dëshiron të mësosh nga Krishti dhe ta imitosh.

14. Si mund ta tregosh se e pranon autoritetin e Jezuit si Mbret qiellor?

14 Ka edhe një mënyrë tjetër se si mund ta tregosh se e kupton çfarë përfshin të jesh i pagëzuar në emër të Birit. Perëndia «i nënshtroi të gjitha gjërat nën këmbët e [Jezuit] dhe e bëri atë krye mbi gjithçka, për të mirën e kongregacionit». (Efes. 1:22) Prandaj, duhet të respektosh mënyrën se si Jezui i drejton ata që i janë kushtuar Jehovait. Krishti po përdor njerëz të papërsosur në kongregacion, në veçanti burra të pjekur frymësisht, domethënë pleqtë e emëruar. Këta burra janë emëruar «për ndreqjen e të shenjtëve, . . . për ndërtimin e trupit të Krishtit». (Efes. 4:11, 12) Edhe nëse një njeri i papërsosur bën një gabim, Jezui si Mbret i Mbretërisë qiellore është në gjendje ta zgjidhë çështjen në kohën e duhur dhe sipas mënyrës së tij. A e beson këtë?

15. Çfarë bekimesh mund të presësh me padurim pas pagëzimit, nëse ende nuk je pagëzuar?

15 Megjithatë, disa nuk i janë kushtuar ende Jehovait dhe nuk janë pagëzuar. Nëse edhe ti je në këtë situatë, a e kupton, nga sa u tha më sipër, se të pranosh Birin është e arsyeshme dhe një shprehje mirënjohjeje ndaj tij? Duke u pagëzuar në emër të Birit, do të kesh mundësinë të marrësh bekime të mëdha.—Lexo Gjonin 10:9-11.

Në emër të frymës së shenjtë

16, 17. Çfarë do të thotë për ty të pagëzohesh në emër të frymës së shenjtë?

16 Ç’do të thotë të pagëzohesh në emër të frymës së shenjtë? Siç e thamë më parë, ata që e dëgjuan Pjetrin në festën e Ditës së Pesëdhjetë, e dinin se çfarë ishte fryma e shenjtë. Në fakt, ata mund të shihnin me sytë e tyre provën se Perëndia vazhdonte të përdorte frymën e shenjtë. Pjetri ishte një nga ata që ‘ishte mbushur me frymë të shenjtë dhe kishte nisur të fliste në gjuhë të ndryshme’. (Vep. 2:4, 8) Shprehja «në emër të» nuk përfshin medoemos emrin e një personi. Sot, shumë gjëra bëhen «në emër të ligjit», i cili nuk është një person. Kjo do të thotë se ato bëhen sipas ligjit. Po kështu, ai që pagëzohet në emër të frymës së shenjtë pranon se fryma e shenjtë është forca vepruese e Jehovait e jo një person. Dhe një pagëzim i tillë do të thotë se i pagëzuari pranon rolin që luan fryma e shenjtë në qëllimin e Perëndisë.

17 Nga studimi i Biblës ti ke marrë njohuri për frymën e shenjtë. Për shembull, ke arritur të kuptosh se Shkrimet u shkruan nën frymëzimin e frymës së shenjtë. (2 Tim. 3:16) Ndërsa bëje përparim frymor, ka mundësi që fitove kuptueshmëri më të thellë se ‘Ati në qiell u jep frymë të shenjtë atyre që ia kërkojnë’, përfshirë edhe ty. (Luka 11:13) Ka mundësi që ke parë frymën e shenjtë të veprojë në jetën tënde. Nga ana tjetër, nëse ende nuk je pagëzuar në emër të frymës së shenjtë, premtimi i Jezuit se Ati jep frymë të shenjtë, nënkupton se të presin bekime të vërteta kur të marrësh këtë frymë.

18. Ç’bekime vijnë për ata që pagëzohen në emër të frymës së shenjtë?

18 Është e dukshme që edhe sot Jehovai e drejton dhe e udhëheq kongregacionin e krishterë me anë të frymës së tij. Kjo frymë na ndihmon edhe ne individualisht në veprimtaritë e përditshme. Pagëzimi ynë në emër të frymës së shenjtë përfshin pranimin e rolit të saj në jetën tonë dhe bashkëpunimin me këtë frymë të nxitur nga mirënjohja. Por, disa mund të pyesin se si mund të jetojnë në lartësinë e kushtimit që i kanë bërë Jehovait dhe si përfshihet fryma e shenjtë në këtë drejtim. Këtë do ta shqyrtojmë në artikullin vijues.

[Shënimet]

^ par. 7 Deistët besojnë në ekzistencën e Perëndisë, por mendojnë se ai nuk interesohet për krijimin e tij.

^ par. 10 Shih revistën Zgjohuni! 22 tetor 1981, faqet 3-8, anglisht.

A të kujtohet?

• Çfarë nënkupton për ty të pagëzohesh në emër të Atit?

• Çfarë do të thotë të pagëzohesh në emër të Birit?

• Si mund ta tregosh se e kupton domethënien e pagëzimit në emër të Atit dhe të Birit?

• Çfarë do të thotë të pagëzohesh në emër të frymës së shenjtë?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 10]

Në cilën marrëdhënie me Atin hynë dishepujt e rinj pas festës së Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s?

[Burimi]

Me lejen e Israel Museum, Jerusalem