Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë na mësoi Jezui për Perëndinë?

Çfarë na mësoi Jezui për Perëndinë?

Çfarë na mësoi Jezui për Perëndinë?

«I vetmi që e njeh Atin është Biri. Por Biri dëshiron që t’u tregojë edhe të tjerëve për Atin, që edhe ata ta njohin.»—LUKA 10:22, CONTEMPORARY ENGLISH VERSION.

GJATË ekzistencës së tij paranjerëzore, Jezui, krijesa e parë e Perëndisë, kaloi epoka të panumërta në shoqëri të ngushtë me Atin e tij. (Kolosianëve 1:15) Kështu Biri mësoi si mendonte, si ndihej dhe si vepronte Ati. Kur Biri i tij, Jezui, më vonë erdhi në tokë si njeri, mezi priste t’u mësonte njerëzve të vërtetën për Atin. Mund të mësojmë shumë për Perëndinë duke dëgjuar se çfarë tha Biri për të.

Perëndia ka një emër: Emri hyjnor, Jehova, kishte rëndësi të jashtëzakonshme për Jezuin. Ky Bir i dashur donte që edhe të tjerët ta dinin dhe ta përdornin emrin e Atit të tij. Vetë emri Jezu do të thotë «Jehovai është shpëtim». Natën para se të vdiste, Jezui mundi t’i thoshte në lutje Jehovait: «Unë ua kam bërë të njohur emrin tënd.» (Gjoni 17:26) Ja pse Jezui përdori emrin e Perëndisë dhe ua bëri të njohur edhe të tjerëve. Në fund të fundit, si mund ta kuptonin dëgjuesit e Jezuit të vërtetën për Jehovain pa ditur as emrin e tij dhe as domethënien e këtij emri? *

Perëndia ka dashuri të madhe: Jezui i tha njëherë në lutje Perëndisë: «O Atë, . . . më deshe para themelimit të botës.» (Gjoni 17:24) Ngaqë në qiell e provoi vetë dashurinë e Atit, kur erdhi në tokë, Jezui u përpoq të tregonte anët e shumta dhe të bukura të kësaj dashurie.

Jezui tregoi se dashuria e Jehovait është mjaft e gjerë. Ai tha: «Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.» (Gjoni 3:16) Vërtet, Perëndia i do të gjithë njerëzit e botës. Kaq e madhe është dashuria e Perëndisë për familjen njerëzore, sa dha Birin më të çmuar që njerëzit besnikë të mund të çlirohen nga kthetrat e mëkatit e të vdekjes dhe të kenë shpresën e jetës së përhershme. Ne nuk mund ta matim gjerësinë a thellësinë e kësaj dashurie madhështore.—Romakëve 8:38, 39.

Jezui pohoi një të vërtetë mjaft inkurajuese: Jehovai i do shumë adhuruesit e tij si individë. Jezui tregoi se Jehovai është si një bari për të cilin çdo dele është e veçantë dhe e çmuar. (Mateu 18:12-14) Jezui tha se nuk bie përtokë as edhe një harabel i vetëm pa dijeninë e Jehovait. Ai shtoi: «Edhe fijet e flokëve tuaj janë të gjitha të numëruara.» (Mateu 10:29-31) Nëse Jehovai arrin të vërejë se një harabel nuk është në fole, sa më shumë duhet të vërejë e të kujdeset për secilin nga adhuruesit e tij njerëzorë? Nëse Jehovai sheh e numëron çdo fije floku në kokën tonë, atëherë a ka ndonjë hollësi të jetës sonë—nevojat, përpjekjet dhe shqetësimet—që ai nuk i di?

Është Atë qiellor: Siç e pamë në artikullin e mëparshëm, Jezui është Biri i vetëmlindur i Perëndisë. Ja pse nuk habitemi që ky Bir i dashur e shihte si «Atë» Jehovain kur i lutej dhe kur fliste për të. Në fakt, në fjalët e para të dokumentuara të Jezuit, i cili i tha në tempull kur ishte vetëm 12 vjeç, ai iu drejtua Jehovait me fjalët: ‘Ati im.’ (Luka 2:49) Termi «Atë» del afro 190 herë në Ungjij. Në raste të ndryshme Jezui e quante Jehovain ‘Ati juaj’, «Ati ynë» dhe ‘Ati im’. (Mateu 5:16; 6:9; 7:21) Duke e përdorur kaq lirshëm këtë titull, Jezui tregoi se edhe njerëzit mëkatarë e të papërsosur mund të kenë një marrëdhënie të ngrohtë me Jehovain e t’i besojnë atij.

Është i mëshirshëm dhe i gatshëm të falë: Jezui e dinte se njerëzit e papërsosur kanë nevojë për mëshirën e madhe të Jehovait. Në ilustrimin për djalin plëngprishës, Jezui e krahasoi Jehovain me një atë të dhembshur që fal dhe që e pret krahëhapur birin e penduar. (Luka 15:11-32) Pra, fjalët e Jezuit na sigurojnë se Jehovai vëren te mëkatari çdo ndryshim zemre që do të siguronte një bazë për të treguar mëshirë. Jehovai mezi pret ta falë atë që ka mëkatuar. Jezui shpjegon: «Unë ju them se po kështu në qiell do të ketë më shumë gëzim për një mëkatar që pendohet, sesa për nëntëdhjetë e nëntë të drejtë që s’kanë nevojë të pendohen.» (Luka 15:7) E kë nuk do të bënte për vete një Perëndi kaq i mëshirshëm?

Është dëgjues i lutjeve: Në qiell, para se të vinte në tokë, Jezui pa me sytë e tij se Jehovai është «Dëgjues i lutjes» dhe se gjen kënaqësi në lutjet e adhuruesve të tij besnikë. (Psalmi 65:2) Prandaj, gjatë shërbimit në tokë, Jezui i mësoi si të luteshin dhe për çfarë të luteshin ata që e dëgjonin. Ai i këshilloi: ‘Mos thoni gjithnjë të njëjtat gjëra.’ Madje i nxiti të luteshin që vullneti i Perëndisë ‘të bëhej si në qiell, edhe në tokë’. Gjithashtu mund të lutemi për ushqimin e përditshëm, për faljen e mëkateve dhe për t’i rezistuar tundimit. (Mateu 6:5-13) Jezui tregoi se Jehovai u përgjigjet si një átë lutjeve të shërbëtorëve të Tij, duke ua plotësuar kërkesat e sinqerta të bëra me besim.—Mateu 7:7-11.

Sigurisht, Jezui u përpoq t’u mësonte njerëzve të vërtetën për Jehovain dhe se ç’lloj Perëndie është. Por kishte edhe diçka tjetër rreth Jehovait që Jezui mezi priste t’ua tregonte. Ky ishte mjeti me anë të të cilit Jehovai do të bëjë ndryshime në të gjithë botën për të arritur qëllimin që ka për tokën dhe njerëzit. Në fakt, ky aspekt i mesazhit të Jezuit ishte tema e predikimit të tij.

[Shënimi]

^ par. 4 Emri Jehova del rreth 7.000 herë në tekstin origjinal të Biblës. Kuptimi i këtij emri është «Unë do të bëhem çdo gjë që dua të bëhem». (Dalja 3:14) Perëndia mund të bëhet çfarë mendon se është e nevojshme për të përmbushur qëllimin e vet. Pra, ky emër garanton se Perëndia do të veprojë gjithmonë në përputhje me qëllimet e tij dhe se do të përmbushë çdo premtim që bën.