Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ai mësoi nga Zotëria të falte

Ai mësoi nga Zotëria të falte

Imitoni besimin e tyre

Ai mësoi nga Zotëria të falte

PJETRI nuk do ta harronte kurrë atë çast të tmerrshëm kur vështrimet e tyre u ndeshën. A pa ai në sytë e Jezuit ndonjë shenjë zhgënjimi ose qortimi? Nuk mund të hamendësojmë, pasi dokumentimi i frymëzuar thotë vetëm se ‘Zotëria u kthye dhe e vështroi’ Pjetrin. (Luka 22:61) Por në atë vështrim të shpejtë, Pjetri pa dështimin e tij të rëndë. Ai e kuptoi se sapo kishte bërë pikërisht atë që kishte parathënë Jezui, atë gjë që Pjetri kishte ngulur këmbë se nuk do ta bënte kurrë—kishte mohuar Zotërinë e tij të dashur. Ishte një moment i vështirë për Pjetrin, ndoshta momenti më i keq, i ditës më të keqe të jetës së tij.

Por, situata nuk ishte e pashpresë. Ngaqë ishte një njeri me besim të madh, Pjetri kishte ende mundësi ta merrte veten nga gabimet dhe të kuptonte një nga mësimet më të mëdha të Jezuit. Ky mësim kishte të bënte me faljen. Secili nga ne ka nevojë të kuptojë të njëjtën gjë, prandaj le të shqyrtojmë se si e bëri të tijin Pjetri këtë mësim.

Një njeri që kishte shumë për të mësuar

Rreth gjashtë muaj më parë, në qytetin e tij të lindjes, në Kapernaum, Pjetri iu afrua Jezuit dhe e pyeti: «Zotëri, sa herë duhet ta fal tim vëlla, nëse ai mëkaton kundër meje? Shtatë herë?» Ka shumë gjasa që ai mendonte se po tregohej bujar. Në fund të fundit, udhëheqësit fetarë të kohës u mësonin njerëzve se dikush duhej falur vetëm tri herë. Jezui u përgjigj: «Jo shtatë herë, por shtatëdhjetë e shtatë herë.»—Mateu 18:21, 22.

Mos vallë Jezui po i sugjeronte Pjetrit që të mbante llogari çdo gabim që bënte dikush ndaj tij? Jo, përkundrazi, duke thënë 77, në vend se 7 siç tha Pjetri, ai po thoshte se nuk ka një numër të përcaktuar për gabimet që mund të falen. Jezui tregoi se Pjetri ishte ndikuar nga fryma që mbizotëronte në atë kohë kur njerëzit tregoheshin zemërngurtë e nuk falnin, dhe silleshin sikur mbanin llogari çdo gabim të të tjerëve. Gjithsesi, sipas standardeve të Perëndisë, të falësh do të thotë ta bësh këtë me shumë zemërgjerësi e bujari.

Pjetri nuk debatoi me Jezuin. Por, a i preku vërtet zemrën mësimi i Jezuit? Ndonjëherë mësojmë më tepër për faljen kur kuptojmë se ne vetë kemi tmerrësisht nevojë për të. Prandaj, le të rikthehemi te ngjarjet që çuan në vdekjen e Jezuit. Në ato orë të vështira, Pjetri pati shumë herë nevojë për faljen e Zotërisë.

Gjithnjë e më shumë nevojë për falje

Ishte një mbrëmje historike—nata e fundit e Jezuit në tokë. Jezui kishte ende mjaft gjëra për t’u mësuar apostujve—si për shembull, në lidhje me përulësinë. Jezui la një shembull duke u larë me përulësi këmbët, punë kjo që normalisht i caktohej shërbëtorit më të parëndësishëm. Në fillim Pjetri i vuri në diskutim veprimet e Jezuit. Më pas refuzoi. Pastaj këmbënguli që Jezui t’i lante jo vetëm këmbët, por edhe duart e kokën. Jezui nuk e humbi durimin, por me qetësi shpjegoi rëndësinë dhe domethënien e asaj që po bënte.—Gjoni 13:1-17.

Por, vetëm pak më pas, apostujt nisën të debatonin se kush prej tyre ishte më i madhi. Pjetri sigurisht luajti një rol në këtë shfaqje të turpshme krenarie njerëzore. Prapëseprapë, Jezui i ndreqi me dashamirësi e madje i lavdëroi për atë që kishin bërë mirë: ishin treguar besnikë ndaj Zotërisë së tyre. Por, ai paratha se ata do ta braktisnin. Pjetri kundërshtoi duke thënë se do t’i qëndronte besnik Jezuit madje edhe përballë vdekjes. Jezui profetizoi se përkundrazi Pjetri do ta mohonte tri herë po atë natë para se gjeli të këndonte dy herë. Atëherë Pjetri jo vetëm e kundërshtoi Jezuin, por u mburr se do të tregohej më besnik se të gjithë apostujt e tjerë.—Mateu 26:31-35; Marku 14:27-31; Luka 22:24-28.

A po i sosej durimi Jezuit me Pjetrin? Në fakt, gjatë gjithë kësaj periudhe të vështirë, Jezui përpiqej të gjente anët e mira të apostujve të papërsosur. Ai e dinte se Pjetri do ta zhgënjente, e megjithatë tha: «Kam bërë përgjërime për ty, që besimi yt të mos mpaket. Prandaj, kur të kthehesh, forco vëllezërit e tu.» (Luka 22:32) Në këtë mënyrë Jezui shprehu besimin se Pjetri do ta merrte veten nga ky gabim dhe do të shërbente sërish me besnikëri. Sa mirëdashës dhe i gatshëm për të falur u tregua Jezui!

Më vonë, në kopshtin e Getsemanisë, Pjetri kishte nevojë të ndreqej më shumë se një herë. Jezui i kërkoi atij, si edhe Jakovit e Gjonit që të qëndronin vigjilentë ndërsa Ai lutej. Jezui ndiente angështi dhe kishte nevojë për mbështetje, por Pjetrin dhe të tjerët i zuri gjumi disa herë. Jezui tha këto fjalë që tregonin empatinë dhe gatishmërinë e tij për të falur: «Fryma është gati, por mishi është i dobët.»—Marku 14:32-38.

S’kaloi shumë dhe mbërriti një turmë që mbante pishtarë dhe ishte e armatosur me shpata e kërbaçë. Ky ishte një çast për të vepruar me kujdes e maturi. Por, Pjetri u hodh nxitimthi në veprim, vringëlloi shpatën mbi kokën e Malkut, një skllavi të kryepriftit, dhe i këputi veshin. Me gjakftohtësi Jezui e qortoi Pjetrin, i shëroi plagën skllavit dhe shpjegoi një parim kundër dhunës që i udhëheq dishepujt e tij deri sot e kësaj dite. (Mateu 26:47-55; Luka 22:47-51; Gjoni 18:10, 11) Tashmë Pjetri kishte bërë shumë gabime për të cilat Zotëria duhej ta falte. Rasti i tij na kujton se «të gjithë ne pengohemi shumë herë». (Jakovi 3:2) Cili prej nesh nuk ka nevojë që Perëndia ta falë çdo ditë të jetës? Mirëpo për Pjetrin ajo natë s’kish mbaruar. Më e keqja ende duhej të vinte.

Dështimi më i madh i Pjetrit

Jezui i tha turmës që nëse po kërkonin atë, t’i linin apostujt të iknin. Pjetri vështronte i pafuqishëm teksa turma lidhte Jezuin. Më pas ia mbathi, siç bënë edhe apostujt e tjerë.

Pastaj Pjetri dhe Gjoni u ndalën ndoshta pranë shtëpisë së ish-kryepriftit Hanai, ku e çuan në fillim Jezuin për ta marrë në pyetje. Kur po e çonin Jezuin atje, Pjetri dhe Gjoni e ndoqën, por «nga larg». (Mateu 26:58; Gjoni 18:12, 13) Pjetri nuk ishte burracak. Me siguri duhej gjithsesi njëfarë guximi për ta ndjekur Jezuin. Turma ishte e armatosur dhe tashmë Pjetri kishte plagosur një prej tyre. Prapëseprapë, në këtë rast nuk shohim te Pjetri atë lloj dashurie besnike që ai vetë kishte deklaruar, pra gatishmërinë për të vdekur përkrah Zotërisë, po të ishte e nevojshme.—Marku 14:31.

Ashtu si Pjetri, shumë njerëz sot përpiqen ta ndjekin Krishtin «nga larg», domethënë në atë mënyrë që të mos i vërë re askush. Por, siç shkroi edhe vetë Pjetri më vonë, mënyra e vetme për ta ndjekur siç duhet Krishtin është duke qëndruar sa më afër tij, duke imituar shembullin e tij në gjithçka, pavarësisht nga pasojat.—1 Pjetrit 2:21.

Pasi ndoqi me kujdes ata që kishin arrestuar Jezuin, më në fund Pjetri arriti te porta e një prej shtëpive më madhështore të Jerusalemit. Ishte shtëpia e Kajafës, kryepriftit të pasur dhe të pushtetshëm. Zakonisht këto shtëpi kishin në mes një oborr dhe në hyrje kishin një portë. Pjetri shkoi te porta, por nuk e lanë të hynte. Gjoni, që tashmë ndodhej brenda, erdhi e i kërkoi rojës që ta linte Pjetrin të hynte. Duket se Pjetri nuk qëndroi pranë Gjonit dhe as u përpoq të hynte brenda shtëpisë për të ndenjur pranë Zotërisë. Ai qëndroi në oborr, ku disa skllevër dhe shërbëtorë po kalonin orët e ftohta të natës përballë një zjarri vezullues, duke parë dëshmitarët e rremë kundër Jezuit që shkonin e vinin pa mbarim tek bëhej gjyqi.—Marku 14:54-57; Gjoni 18:15, 16, 18.

Nën dritën e zjarrit, vajza që i kishte hapur portën Pjetrit mundi ta shihte më mirë. Ajo e njohu dhe i tha duke e akuzuar: «Edhe ti ishe me Jezuin, galileasin.» I zënë në befasi, Pjetri mohoi se e njihte Jezuin e madje tha se nuk e dinte për çfarë po fliste ajo vajzë. Ai shkoi të qëndronte pranë portës, duke u përpjekur të mos binte në sy, por një vajzë tjetër e pikasi dhe përsëriti të njëjtën gjë: «Ky njeri ishte me Jezuin, nazareasin.» Pjetri u betua: «Unë s’e njoh atë njeri!» (Mateu 26:69-72) Mbase pas këtij mohimi të dytë Pjetri dëgjoi gjelin të këndonte, por ishte tepër i shpërqendruar që të kujtonte profecinë që kishte thënë Jezui vetëm ca orë më parë.

Paksa më vonë, Pjetri po përpiqej sërish me çdo mënyrë të mos e vinin re. Por një grup njerëzish që rrinin rrotull në oborr iu afruan. Njëri prej tyre ishte farefis me Malkun, skllavi që plagosi Pjetri. Ai i tha Pjetrit: «Unë të pashë në kopsht me të.» Pjetri u ndie i detyruar t’i bindte se e kishin gabim. Kështu u betua, duke thënë me sa duket, që t’i binte një mallkim nëse po gënjente. Sapo i dolën fjalët nga goja, një gjel këndoi. Ishte hera e dytë atë natë që Pjetri e dëgjoi.—Gjoni 18:26, 27; Marku 14:71, 72.

Jezui sapo kishte dalë jashtë në një ballkon nga ku dukej oborri. Në atë çast, që përshkruam në hyrje të artikullit, vështrimi i tij u ndesh me atë të Pjetrit. Pjetri nisi të kuptonte se sa shumë e kishte zhgënjyer Zotërinë. Ai doli nga oborri, i dërrmuar nga pesha e fajit. Shkoi rrugëve të qytetit, ndërsa udha ndriçohej nga drita e hënës së plotë që po perëndonte. Shikimi iu mjegullua dhe sytë iu mbushën me lot. S’u përmbajt dot dhe qau me hidhërim.—Marku 14:72; Luka 22:61, 62.

Kur dikush kupton se ka bërë një gabim si ai i Pjetrit, mund të mendojë fare lehtë se gabimi është tepër i rëndë për t’u falur. Pjetri mund të ketë menduar të njëjtën gjë për veten. Por, a ishte kështu?

A ishte e pamundur falja për Pjetrin?

Është e vështirë të imagjinojmë dhembjen e thellë të Pjetrit ndërsa zbardhej dita. Dhe gjërat që do të ndodhnin gjatë ditës do t’ia shtonin dhembjen. Sa duhet ta ketë dënuar veten kur Jezui vdiq atë pasdite pas orësh të mundimshme! Pjetrin duhet ta ketë drithëruar mendimi se si ia kishte shtuar dhembjen Zotërisë atë ditë, ditë që do të ishte dita e fundit e jetës së Tij si njeri. Megjithëse ishte zhytur në një trishtim të thellë, Pjetri nuk ra në dëshpërim. E dimë këtë, sepse shumë shpejt e gjejmë sërish në shoqëri me vëllezërit. (Luka 24:33) Pa dyshim, të gjithë apostujt ndiheshin keq për sjelljen e tyre atë natë të zymtë dhe e ngushëlluan disi njëri-tjetrin.

Këtu e shohim Pjetrin të marrë një nga vendimet e tij më të mençura. Kur një shërbëtor i Perëndisë gabon, ajo që ka më tepër rëndësi nuk është sa rëndë ka gabuar, por forca e vendosmërisë së tij për ta marrë veten, për t’i ndrequr gjërat. (Proverbat 24:16) Pjetri tregoi besim të vërtetë duke u mbledhur me vëllezërit edhe pse ndihej përtokë. Kur dikush rëndohet nga trishtimi ose keqardhja, mund të tundohet të veçohet, por kjo është e rrezikshme. (Proverbat 18:1) Gjëja më e mençur është të qëndrojë pranë bashkëbesimtarëve dhe të rifitojë forcat që të vazhdojë t’i shërbejë Perëndisë.—Hebrenjve 10:24, 25.

Ngaqë ishte me vëllezërit e tij të besimit, Pjetri dëgjoi lajmin tronditës se trupi i Jezuit nuk gjendej në varr. Pjetri dhe Gjoni vrapuan te varri i vulosur i Jezuit. Gjoni, që ka shumë mundësi të ishte më i ri, mbërriti i pari. Kur gjeti hapur varrin, ngurroi. Por jo Pjetri. Megjithëse po i merrej fryma nga vrapimi, u fut drejt e brenda. Varri ishte bosh!—Gjoni 20:3-9.

A besoi Pjetri se Jezui ishte ringjallur? Në fillim jo, madje edhe pse disa gra besnike thanë se u ishin shfaqur engjëjt për t’i njoftuar se Jezui ishte ringjallur. (Luka 23:55–24:11) Por, në mbarim të asaj dite, në zemrën e Pjetrit ishte zhdukur çdo gjurmë trishtimi dhe dyshimi. Jezui ishte gjallë si një krijesë frymore e fuqishme. Ai iu shfaq të gjithë apostujve. Megjithatë, më parë bëri diçka tjetër, veçmas të tjerëve. Apostujt thanë atë ditë: «Zotëria është ngritur me të vërtetë nga të vdekurit dhe iu shfaq Simonit!» (Luka 24:34) Po kështu, apostulli Pavël shkroi më vonë për atë ditë të jashtëzakonshme kur Jezui «iu shfaq Kefës dhe pastaj të dymbëdhjetëve». (1 Korintasve 15:5) Kefa dhe Simoni janë emrat e tjerë të Pjetrit. Jezui iu shfaq atij atë ditë, me sa duket kur Pjetri ishte vetëm.

Hollësitë e atij takimi mes Jezuit dhe Pjetrit nuk jepen në Bibël. Sidoqoftë, mund të imagjinojmë sa u prek Pjetri kur pa Zotërinë përsëri të gjallë dhe mundi t’i shprehte pikëllimin dhe pendimin e tij. Më shumë se çdo gjë tjetër në botë, Pjetri donte faljen e Jezuit. Kush mund ta vërë në dyshim se Jezui e fali, dhe madje bujarisht? Të krishterët sot që bien në mëkat, kanë nevojë të kujtojnë rastin e Pjetrit. Kurrë nuk duhet të mendojmë se është e pamundur që Perëndia të na falë. Jezui pasqyroi në mënyrë të përsosur Atin, i cili ‘do të falë në masë të madhe’.—Isaia 55:7.

Prova të tjera që e kishte falur

Jezui u tha apostujve të shkonin në Galile ku do ta takonin përsëri. Kur mbërritën, Pjetri vendosi të dilte për peshkim në liqenin e Galilesë. Atë e shoqëruan edhe të tjerë. Pjetri ndodhej edhe një herë në liqenin ku kishte kaluar pjesën më të madhe të jetës. Krikëllima e barkës, përplasja e lehtë e dallgëve, ndjesia e rrjetave të ashpra në duar, duhet t’i jenë dukur të njohura e ta kenë qetësuar. Vallë atë natë mendonte se ç’drejtim do të merrte në jetë, tani që shërbimi i Jezuit në tokë kishte mbaruar? Mos ndoshta jeta e thjeshtë e peshkatarit i dukej tërheqëse? Sido që të ketë qenë, atë natë ata nuk zunë asnjë peshk.—Mateu 26:32; Gjoni 21:1-3.

Në agim, nga bregu i thërret dikush dhe i nxit të hedhin rrjetat në anën tjetër të barkës. Ata binden dhe zënë shumë peshq, 153 copë. Pjetri e dinte se kush ishte ai. Hidhet nga barka dhe noton drejt bregut. Atje Jezui u jep peshk të pjekur në qymyr. Ai përqendrohet te Pjetri.

Jezui e pyet Pjetrin nëse e do «më shumë se këta»—me sa duket duke treguar grumbullin e madh të peshqve që kishin zënë. Çfarë do të kishte epërsi në zemrën e Pjetrit: dashuria për Jezuin apo pasioni për peshkimin? Ashtu si Pjetri e kishte mohuar Zotërinë tri herë, tani Jezui i jep mundësinë t’i pohojë tri herë dashurinë para shokëve të tij. Ndërsa Pjetri e bën këtë, Jezui i thotë ta tregojë këtë dashuri duke e vënë shërbimin e shenjtë përpara çdo gjëje tjetër, duke ushqyer dhe kullotur kopenë e Krishtit, pra dishepujt e tij besnikë.—Gjoni 21:4-17.

Kështu Jezui e siguroi Pjetrin se ishte ende i dobishëm për të dhe për Atin. Pjetri do të luante një rol të vlefshëm në kongregacion nën drejtimin e Krishtit. Ç’provë e fuqishme se Jezui e kishte falur plotësisht! Me siguri, mëshira që iu tregua ndikoi thellë te Pjetri.

Pjetri e kreu me besnikëri caktimin e tij për shumë vjet. Ai i forcoi vëllezërit, siç kishte urdhëruar Jezui në prag të vdekjes. Pjetri u përpoq me dashamirësi e durim për të kullotur dhe ushqyer dishepujt e Krishtit. Burri i quajtur Simon, jetoi në lartësinë e emrit që i dha Jezui—Pjetri ose Shkëmbi—duke ndikuar fuqishëm e vazhdimisht për të mirën e kongregacionit. Mjaft prova të këtij ndikimi gjenden në dy letrat e përzemërta që shkroi Pjetri e që u bënë pjesë e çmuar e Biblës. Këto letra tregojnë gjithashtu se Pjetri nuk e harroi kurrë mësimin që mori nga Jezui në lidhje me faljen.—1 Pjetrit 3:8, 9; 4:8.

Le ta çmojmë edhe ne këtë mësim! A kërkojmë çdo ditë faljen e Perëndisë për gabimet e shumta që bëjmë? A e pranojmë këtë falje dhe a besojmë te fuqia e saj për të na pastruar? Gjithashtu, a i falim edhe ne të tjerët? Nëse po, do të imitojmë besimin e Pjetrit—dhe mëshirën e Zotërisë së tij.

[Diçitura në faqen 22]

Pjetri pati shumë nevojë për faljen e Zotërisë, dhe kush prej nesh nuk ka nevojë për falje çdo ditë?

[Figura në faqen 23]

‘Zotëria u kthye dhe e vështroi’ Pjetrin

[Figura në faqen 24]

«Zotëria . . . iu shfaq Simonit!»