Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

‘Mbretëria jote ka për të qenë përjetë e palëkundur’

‘Mbretëria jote ka për të qenë përjetë e palëkundur’

Afrojuni Perëndisë

‘Mbretëria jote ka për të qenë përjetë e palëkundur’

2 SAMUELIT 7:1-16

GJATË rrjedhës së historisë, shumë sundimtarë njerëzorë janë hequr nga pozitat e tyre. Disa i kanë hequr me anë të votave, kurse të tjerë me forcë. Ç’mund të themi për Jezu Krishtin, Mbretin e Mbretërisë qiellore të Perëndisë? A ka diçka që mund ta pengojë të mos sundojë si Mbreti i emëruar i Perëndisë? Përgjigjja mund të gjendet te fjalët që Jehovai i tha mbretit David të Izraelit të lashtë, të cilat janë dokumentuar te kapitulli 7 i Librit të Dytë të Samuelit.

Në fillim të kapitullit mësojmë se Davidi nuk ndihet i qetë sepse ai, që është veçse një mbret njerëzor, banon në një pallat të bukur, ndërkohë që arka e Perëndisë ndodhet në një tendë të thjeshtë. * Davidi shpreh dëshirën që të ndërtojë një shtëpi ose tempull të denjë për Jehovain. (Vargu 2) Por, nuk do të jetë Davidi ai që do ta ndërtojë këtë shtëpi. Me anë të profetit Natan, Jehovai i thotë Davidit se tempullin do ta ndërtojë një nga djemtë e tij.​—Vargjet 4, 5, 12, 13.

Jehovai preket nga dëshira që Davidi shpreh me gjithë zemër. Si përgjigje ndaj përkushtimit të Davidit dhe në përputhje me qëllimin e Tij, Perëndia bën një besëlidhje me të se nga linja mbretërore e tij do të nxjerrë dikë që do të sundojë përgjithmonë. Natani i përcjell Davidit këtë premtim solemn të Perëndisë: «Shtëpia dhe mbretëria jote kanë për të qenë përjetë të palëkundura. Froni yt do të jetë i patundur përjetë.» (Vargu 16) Kush është Trashëgimtari i përhershëm i kësaj besëlidhjeje, pra Ai që do të sundojë përgjithmonë?​—Psalmi 89:20, 29, 34-36.

Jezui nga Nazareti ishte pasardhës i Davidit. Kur njoftoi lindjen e Jezuit, engjëlli tha: «Perëndia Jehova do t’i japë fronin e Davidit, të atit, ai do të mbretërojë përgjithmonë në shtëpinë e Jakobit dhe mbretëria e tij s’do të ketë fund.» (Luka 1:32, 33) Pra, besëlidhja me Davidin përmbushet te Jezu Krishti. Kështu, ai nuk sundon ngaqë e kanë zgjedhur njerëzit, por nëpërmjet një premtimi solemn të Perëndisë që i jep të drejtën të sundojë përgjithmonë. Të mos harrojmë se premtimet e Perëndisë dalin gjithnjë të vërteta.​—Isaia 55:10, 11.

Në kapitullin 7 të Librit të Dytë të Samuelit, nxjerrim dy mësime të vlefshme. Së pari, jemi të sigurt se asgjë dhe askush nuk mund ta pengojë Jezu Krishtin të sundojë. Prandaj, mund të jemi të sigurt se ai do ta përmbushë qëllimin që kishte shpallur në lidhje me sundimin e tij, domethënë, të bëjë vullnetin e Perëndisë në tokë, si në qiell.​—Mateu 6:9, 10.

Së dyti, ky tregim përcjell një mësim prekës për Jehovain. Kujtojmë që Jehovai pa dhe vlerësoi synimin që kishte në zemër Davidi. Ndihemi të sigurt kur dimë se Jehovai sheh dhe vlerëson përkushtimin tonë ndaj adhurimit të tij. Në disa raste, rrethanat që janë jashtë kontrollit tonë të tilla, si shëndeti që keqësohet ose mosha e thyer, mund të na pengojnë të bëjmë atë që dëshirojmë me gjithë zemër në shërbim të Perëndisë. Nëse është kështu, le të ngushëllohemi duke ditur se Jehovai sheh madje edhe synimet e një zemre që është plot përkushtim ndaj adhurimit të tij.

[Shënimi]

^ par. 2 Arka e besëlidhjes ishte një sënduk i shenjtë që u bë sipas drejtimit dhe projektit të Jehovait. Ajo përfaqësonte praninë e Jehovait në Izraelin e lashtë.​—Dalja 25:22.