Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A po e ndiqni plotësisht Krishtin?

A po e ndiqni plotësisht Krishtin?

A po e ndiqni plotësisht Krishtin?

«Siç po ecni në fakt—të vazhdoni ta bëni këtë edhe më shumë.»—1 SEL. 4:1.

1, 2. (a) Për cilat gjëra madhështore qenë dëshmitarë shumë njerëz në kohën e Jezuit? (b) Pse edhe epoka jonë është e veçantë?

A KENI menduar ndonjëherë se sa e mrekullueshme do të kishte qenë të jetonit kur Jezui ishte në tokë? Ndoshta keni imagjinuar të shëroheshit nga Jezui e kështu t’i kursenit vetes vuajtjet që vijnë nga ndonjë problem fizik shqetësues. Ose mund të keni menduar se ç’kënaqësi do të ishte të shihnit e të dëgjonit Jezuin—të mësoheshit prej tij ose të shikonit tek kryente ndonjë mrekulli. (Mar. 4:1, 2; Luka 5:3-9; 9:11) Ç’privilegj i madh të ishit të pranishëm kur Jezui kreu tërë ato vepra! (Luka 19:37) Që nga ajo kohë, asnjë brez nuk ka parë gjëra të tilla dhe ajo që bëri Jezui në tokë «me anë të flijimit të vetes», nuk do të përsëritet kurrë.—Hebr. 9:26; Gjoni 14:19.

2 Por, edhe epoka jonë është shumë e veçantë. Pse? Jetojmë në periudhën që Shkrimet e kishin parathënë si ‘koha e fundit’ dhe «ditët e fundit». (Dan. 12:1-4, 9; 2 Tim. 3:1) Gjatë kësaj periudhe, Satanai u dëbua nga qielli. Së shpejti, ai do të lidhet dhe do të hidhet «në humnerë». (Zbul. 12:7-9, 12; 20:1-3) Po ashtu, gjatë kësaj kohe kemi privilegjin e madh që të shpallim ‘lajmin e mirë për mbretërinë’ në mbarë botën, t’u flasim njerëzve për shpresën e Parajsës që do të vijë. E kjo vepër nuk do të përsëritet kurrë!—Mat. 24:14.

3. Pak para se të ngjitej në qiell, çfarë u tha Jezui dishepujve të bënin dhe çfarë do të përfshinte kjo?

3 Pak para se të ngjitej në qiell, Jezui u tha dishepujve: «Do të jeni dëshmitarët e mi në Jerusalem, në mbarë Judenë, në Samari e deri në skajin më të largët të tokës.» (Vep. 1:8) Kjo do të përfshinte një vepër mësimdhënieje mbarëbotërore. Me cilin synim do të bëhej? Për të bërë dishepuj të tjerë të Krishtit para se të vinte fundi. (Mat. 28:19, 20) Çfarë duhet të bëjmë nëse duam ta përmbushim me sukses caktimin që na dha Jezui?

4. (a) Ç’nevojë theksohet te thirrja që gjendet te 2 Pjetrit 3:11, 12? (b) Ndaj ç’gjëje duhet të tregohemi syçelë?

4 Vini re këtë thirrje të apostullit Pjetër: «Ç’lloj personash duhet të jeni në vepra të shenjta sjelljeje dhe në veprime të përkushtimit hyjnor, duke pritur dhe duke e mbajtur gjithnjë në mend praninë e ditës së Jehovait!» (2 Pjet. 3:11, 12) Fjalët e Pjetrit theksojnë nevojën që të tregohemi syçelë në këto ditë të fundit për t’u siguruar se po vazhdojmë të jemi të përqendruar te veprat e përkushtimit hyjnor. Këto vepra përfshijnë predikimin e lajmit të mirë. Prandaj, ç’gëzim është të shohim se me sa zell vëllezërit tanë në mbarë botën po kryejnë caktimin e predikimit që dha Krishti! Në të njëjtën kohë, kuptojmë se kemi nevojë të tregojmë kujdes që presionet e përditshme nga bota e Satanait dhe nga prirjet tona mishore të trashëguara, të mos na e ftohin zellin me të cilin po e kryejmë shërbimin ndaj Perëndisë. Kështu, le të shqyrtojmë se si të sigurohemi që po vazhdojmë ta ndjekim Krishtin.

Pranoni me gatishmëri përgjegjësitë nga Perëndia

5, 6. (a) Për çfarë i lavdëroi Pavli bashkëbesimtarët në Jerusalem dhe për çfarë i paralajmëroi? (b) Pse nuk duhet t’i marrim kurrë lehtë e lehtë përgjegjësitë nga Perëndia?

5 Në letrën drejtuar të krishterëve në Jerusalem, apostulli Pavël i lavdëroi bashkëbesimtarët për qëndrueshmërinë që kishin treguar në të kaluarën, madje edhe nën përndjekje. Ai tha: «Vazhdoni të kujtoni ditët e mëparshme, në të cilat, pasi u ndriçuat, duruat një betejë të madhe nën vuajtje.» Po, Jehovai e kujtonte besnikërinë që kishin treguar. (Hebr. 6:10; 10:32-34) Lavdërimet e ngrohta të Pavlit duhet t’u kenë dhënë shumë zemër atyre të krishterëve hebrenj. Megjithatë, në të njëjtën letër, Pavli paralajmëroi edhe kundër një prirjeje njerëzore që, nëse nuk mbahet nën kontroll, mund të na e ftohë zellin në shërbim të Perëndisë. Ai tha se të krishterët duhet të tregojnë kujdes që të mos gjejnë justifikime ‘për t’u shmangur’ nga zbatimi i urdhërimeve të Perëndisë.—Hebr. 12:25.

6 Ky paralajmërim, kundër prirjes ‘për t’iu shmangur’ përgjegjësive nga Perëndia duke mos i pranuar me gatishmëri, vlen edhe për të krishterët sot. E kuptojmë se kemi nevojë të jemi të vendosur për të mos i marrë kurrë lehtë e lehtë përgjegjësitë tona ose të mos lejojmë që të na ftohet zelli për shërbimin ndaj Perëndisë. (Hebr. 10:39) Në fund të fundit, kryerja e shërbimit të shenjtë është një çështje për jetë a vdekje.—1 Tim. 4:16.

7, 8. (a) Çfarë do të na ndihmojë të ruajmë zellin për shërbimin ndaj Perëndisë? (b) Çfarë duhet të kujtojmë për Jehovain dhe Jezuin, nëse na është ftohur disi zelli që kishim në fillim?

7 Çfarë do të na ndihmojë që të mos gjejmë justifikime në përmbushjen e detyrimeve që kemi ndaj Perëndisë? Një mënyrë e rëndësishme për të luftuar këtë prirje është të meditojmë rregullisht për domethënien e zotimit që kemi bërë kur i jemi kushtuar Jehovait. Në thelb, ne i premtuam Jehovait se do të vinim në vend të parë në jetë bërjen e vullnetit të tij dhe duam ta mbajmë këtë premtim. (Lexo Mateun 16:24.) Prandaj, ndonjëherë kemi nevojë të ndalemi e të pyesim veten: «A jam ende po kaq i vendosur për të jetuar në lartësinë e kushtimit ndaj Perëndisë siç isha në kohën e pagëzimit apo në vitet më pas më është ftohur disi zelli që kisha në fillim?»

8 Nëse një vetëshqyrtim i ndershëm tregon se kemi ngadalësuar ritmin në shërbimin ndaj Jehovait, bëjmë mirë të kujtojmë fjalët forcuese të profetit Sofonia. Ai tha: «Të mos të lëshojë zemra. Jehovai, Perëndia yt, është mes teje dhe si i Fuqishëm do të të shpëtojë. Do të ngazëllojë për ty.» (Sof. 3:16, 17) Këto fjalë që të japin siguri, së pari zbatohen për izraelitët e lashtë që u kthyen në Jerusalem pas robërisë në Babiloni. Gjithsesi, këto fjalë inkurajuese vlejnë edhe për popullin e Perëndisë sot. Meqë vepra që po kryejmë është e Jehovait, duhet të mbajmë parasysh se edhe Ai, edhe Biri i tij na mbështetin e na forcojnë që të përmbushim plotësisht përgjegjësitë nga Perëndia. (Mat. 28:20; Filip. 4:13) Nëse përpiqemi që të vazhdojmë të bëjmë me zell veprën e Perëndisë, ai do të na bekojë dhe do të na ndihmojë që të përparojmë frymësisht.

‘Kërkoni në radhë të parë mbretërinë’ me zell

9, 10. Cilën pikë theksoi Jezui tek ilustrimi në lidhje me darkën e madhe dhe ç’mësim mund të nxjerrim?

9 Ndërsa po hante një vakt në shtëpinë e njërit nga krerët e farisenjve, Jezui dha një ilustrim në lidhje me një darkë të madhe. Në atë ilustrim, ai përshkroi mundësinë që iu dha njerëzve të ndryshëm që të ishin në Mbretërinë e qiejve. Gjithashtu, ilustroi se ç’do të thotë ‘t’i shmangesh’ ose ‘t’i bësh bisht’ diçkaje. (Lexo Lukën 14:16-21.) Të ftuarit në ilustrimin e Jezuit nxorën justifikime për të mos shkuar në gosti. Njëri tha se i duhej të shkonte për të parë arën që sapo kishte blerë. Një tjetër tha se kishte blerë disa qe dhe donte t’i kontrollonte. Kurse një tjetër tha: «Sapo u martova, prandaj nuk vij dot.» Këto ishin justifikime pa baza. Dikush që blen një arë ose bagëti, normalisht i kontrollon që më përpara, prandaj nuk është shumë urgjente të kontrollohen më pas. Po ashtu, pse dikush nuk mund të pranojë një ftesë kaq të rëndësishme vetëm ngaqë sapo është martuar? Jo më kot, njeriu në ilustrim që shtroi darkën, u zemërua shumë.

10 I gjithë populli i Perëndisë mund të nxjerrë një mësim nga ilustrimi i Jezuit. Cili është ai? Kurrë nuk duhet të lejojmë që çështje personale të tilla si ato që përmenden në ilustrimin e Jezuit, të bëhen kaq të rëndësishme sa ta lëmë mënjanë shërbimin ndaj Perëndisë. Në qoftë se një i krishterë nuk i mban në vendin e duhur çështjet personale, pak nga pak zelli i tij në shërbim do të ftohet. (Lexo Lukën 8:14.) Që të mos e lejojmë këtë, duhet të jetojmë sipas këshillës së Jezuit: «Vazhdoni të kërkoni në radhë të parë mbretërinë dhe drejtësinë e Perëndisë.» (Mat. 6:33) Sa inkurajuese është të shohim që shërbëtorët e Perëndisë—të rinj e të moshuar—po e zbatojnë këtë këshillë jetike! Në fakt, shumë kanë ndërmarrë hapa për të thjeshtuar jetën, në mënyrë që t’i kushtojnë më tepër kohë shërbimit. Ata kanë mësuar nga përvoja se kur kërkojnë në radhë të parë Mbretërinë me zell, kjo u sjell lumturi të vërtetë dhe kënaqësi të madhe.

11. Cili tregim biblik ilustron sa e rëndësishme është t’i shërbejmë Perëndisë me gjithë zemër e me zell?

11 Për të ilustruar sa e rëndësishme është të jemi të zellshëm në shërbimin ndaj Perëndisë, të shohim një ngjarje nga jeta e mbretit izraelit, Jehoasit. Ngaqë mendonte se Siria mund ta pushtonte Izraelin, i shqetësuar, Jehoasi erdhi duke qarë tek Eliseu. Profeti i tha të qëllonte me një shigjetë jashtë dritares në drejtim të Sirisë, për të treguar fitoren që do të arrihej kundër atij kombi falë Jehovait. Sigurisht, kjo duhet t’i ketë dhënë forcë mbretit. Më pas, Eliseu i tha Jehoasit që të merrte shigjetat dhe të godiste me to tokën. Jehoasi e goditi tokën tri herë. Eliseu u zemërua prej kësaj, sepse goditja e tokës pesë ose gjashtë herë do të kishte treguar se ai ‘do ta kishte goditur Sirinë derisa ta shfaroste’. Ndërsa tani Jehoasi do të arrinte vetëm tri fitore të pjesshme. Ngaqë veproi pa zell, Jehoasi nuk pati shumë sukses. (2 Mbret. 13:14-19) Ç’mësim mund të nxjerrim nga ky tregim? Jehovai do të na bekojë me bollëk vetëm nëse e bëjmë veprën e tij me gjithë zemër e me zell.

12. (a) Çfarë do të na ndihmojë të ruajmë zellin në shërbimin ndaj Perëndisë, ndërkohë që përballemi me sfidat e jetës? (b) Tregoni se si po nxirrni dobi duke qenë plotësisht të angazhuar në shërbim.

12 Sfidat e jetës na e sprovojnë zellin dhe përkushtimin tonë për shërbimin që i bëjmë Perëndisë. Shumë vëllezër dhe motra po përballen me rrethana të vështira ekonomike. Të tjerë janë të shkurajuar ngaqë një sëmundje e rëndë ua kufizon atë që mund të bëjnë në shërbim të Jehovait. Prapëseprapë, secili nga ne mund të ndërmarrë hapa që të ruajë zellin dhe të vazhdojë të ndjekë plotësisht Krishtin. Ju lutemi, vëreni disa nga sugjerimet dhe shkrimet e renditura në kutinë «Çfarë do t’ju ndihmojë që të vazhdoni të ndiqni Krishtin?». Shqyrtoni se si mund t’i zbatoni në mënyrë sa më të plotë. Nëse veproni kështu, do të korrni vërtet bekime. Angazhimi i plotë në shërbim, ka një ndikim stabilizues te ne, na pasuron jetën dhe na jep më shumë paqe e lumturi. (1 Kor. 15:58) Për më tepër, shërbimi me gjithë shpirt ndaj Perëndisë, na ndihmon ‘të mbajmë gjithnjë në mend praninë e ditës së Jehovait’.—2 Pjet. 3:12.

Bëni një vetëshqyrtim të sinqertë

13. Si mund ta përcaktojmë se çfarë nënkupton për ne personalisht shërbimi me gjithë shpirt?

13 Megjithatë, është mirë të kujtojmë se shërbimi me gjithë shpirt nuk nënkupton se sa kohë kalojmë në shërbim. Rrethanat individuale ndryshojnë. Dikush që kalon vetëm një ose dy orë në muaj në shërbim, mund ta kënaqë shumë Jehovain, nëse kjo është vërtet gjithçka që ia lejon shëndeti. (Krahaso Markun 12:41-44.) Prandaj, për të përcaktuar se çfarë nënkupton për secilin prej nesh shërbimi me gjithë shpirt ndaj Perëndisë, duhet të bëjmë një vetëshqyrtim të sinqertë të aftësive dhe rrethanave tona. Gjithashtu, si dishepuj të Krishtit duam të kemi të njëjtën pikëpamje me të. (Lexo Romakëve 15:5; 1 Kor. 2:16) Çfarë ishte parësore në jetë për Jezuin? Ai u tha turmave në Kapernaum: ‘Duhet të shpall lajmin e mirë për mbretërinë e Perëndisë, sepse për këtë u dërgova.’ (Luka 4:43; Gjoni 18:37) Duke pasur në mendje zellin e Jezuit në shërbim, shqyrtoni rrethanat tuaja për të parë nëse mund ta zgjeroni edhe më shumë shërbimin.—1 Kor. 11:1.

14. Në cilat mënyra mund ta zgjerojmë më tej shërbimin?

14 Nga një shqyrtim i kujdesshëm i rrethanave tona, mund të nxjerrim përfundimin se jemi në gjendje të rritim sasinë e kohës që kalojmë në shërbim. (Mat. 9:37, 38) Për shembull, mijëra të rinj që kohët e fundit kanë mbaruar shkollën, e kanë zgjeruar shërbimin dhe po përjetojnë gëzimin që vjen kur shërben me zell si pionier. A dëshironi ta provoni edhe ju këtë gëzim? Disa vëllezër dhe motra kanë shqyrtuar rrethanat dhe kanë vendosur të transferohen në një zonë tjetër ose edhe jashtë shtetit, ku ka më shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë. Gjithashtu, të tjerë kanë mësuar një gjuhë për të ndihmuar të huajt. Edhe pse zgjerimi i shërbimit mund të jetë një sfidë, sjell shumë bekime dhe kështu mund të ndihmojmë shumë të tjerë që «të fitojnë njohurinë e saktë të së vërtetës».—1 Tim. 2:3, 4; 2 Kor. 9:6.

Shembuj biblikë për t’u ndjekur

15, 16. Shembujt e kujt mund të imitojmë për të qenë dishepuj të zellshëm të Krishtit?

15 Si reaguan disa që më vonë u bënë apostuj kur Krishti u bëri thirrje të bëheshin dishepuj të tij? Për Mateun tregimi thotë: «Ai la pas çdo gjë, u çua dhe e ndoqi.» (Luka 5:27, 28) Për Pjetrin dhe Andrean që po peshkonin lexojmë: «Ata i lanë menjëherë rrjetat dhe e ndoqën.» Më pas, Jezui pa Jakovin dhe Gjonin që po ndreqnin rrjetat bashkë me babanë. Si reaguan ndaj ftesës së Jezuit? «Ata e lanë menjëherë barkën e babanë, dhe e ndoqën.»—Mat. 4:18-22.

16 Një shembull tjetër i shkëlqyer është ai i Saulit, që u bë apostulli Pavël. Edhe pse kishte qenë një përndjekës i tërbuar i dishepujve të Krishtit, ai ndërroi rrugë dhe u bë «një enë e zgjedhur» që t’ua çonte emrin e Krishtit të tjerëve. «Menjëherë [Pavli] filloi të predikonte për Jezuin nëpër sinagoga se Ai është Biri i Perëndisë.» (Vep. 9:3-22) Pavarësisht se iu desh të duronte shumë vështirësi dhe përndjekje, Pavlit nuk iu ftoh kurrë zelli.—2 Kor. 11:23-29; 12:15.

17. (a) Çfarë dëshironi të bëni për të ndjekur Krishtin? (b) Çfarë bekimesh gëzojmë ngaqë bëjmë vullnetin e Jehovait me gjithë zemrën dhe forcën tonë?

17 Patjetër ne duam t’i imitojmë shembujt e shkëlqyer të atyre dishepujve dhe t’i përgjigjemi menjëherë e pa rezerva ftesës për të ndjekur Krishtin. (Hebr. 6:11, 12) Cilat bekime gëzojmë teksa vazhdojmë të përpiqemi për të ndjekur plotësisht dhe me zell Krishtin? Provojmë kënaqësi të vërtetë kur bëjmë vullnetin e Perëndisë dhe përjetojmë gëzimin që vjen kur pranojmë të tjera privilegje shërbimi dhe përgjegjësi në kongregacion. (Psal. 40:8; Lexo 1 Selanikasve 4:1.) Po, teksa përpiqemi fuqimisht për të ndjekur Krishtin, gëzojmë bekime të tilla të pasura e afatgjata, si paqe mendore, kënaqësi, miratimin e Perëndisë dhe perspektivën e jetës së përhershme.—1 Tim. 4:10.

A ju kujtohet?

• Cila vepër e rëndësishme na është besuar dhe si duhet ta konsiderojmë?

• Kundër cilës prirje njerëzore duhet të ruhemi dhe pse?

• Cilin vetëshqyrtim të sinqertë duhet të bëjmë?

• Çfarë do të na ndihmojë që të vazhdojmë të ndjekim Krishtin?

[Pyetjet]

[Kutia dhe figura në faqen 27]

Çfarë do t’ju ndihmojë që të vazhdoni të ndiqni Krishtin?

▪ Lexojeni Fjalën e Perëndisë çdo ditë dhe meditoni rreth asaj që lexoni.—Psal. 1:1-3; 1 Tim. 4:15.

▪ Lutuni shpesh për mbështetjen dhe drejtimin e frymës së Perëndisë.—Zak. 4:6; Luka 11:9, 13.

▪ Shoqërohuni me ata që tregojnë zell të zjarrtë për shërbimin.—Prov. 13:20; Hebr. 10:24, 25.

▪ Dalloni urgjencën e kohëve ku po jetojmë.—Efes. 5:15, 16.

▪ Jini të ndërgjegjshëm për pasojat serioze që vijnë kur ‘u shmangemi’ përgjegjësive nga Perëndia.—Luka 9:59-62.

▪ Meditoni rregullisht për zotimin që keni bërë kur i jeni kushtuar Jehovait dhe për bekimet e bollshme që vijnë kur i shërbejmë Atij dhe ndjekim Krishtin me gjithë zemër.—Psal. 116:12-14; 133:3; Prov. 10:22.