Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Burra, a i nënshtroheni kryesisë së Krishtit?

Burra, a i nënshtroheni kryesisë së Krishtit?

Burra, a i nënshtroheni kryesisë së Krishtit?

«Kreu i çdo burri është Krishti.»—1 KOR. 11:3.

1. Ç’gjë tregon se Jehovai është Perëndi i rregullit?

«TI JE i denjë, o Jehova, Perëndia ynë, të marrësh lavdinë, nderimin dhe fuqinë,—thuhet te Zbulesa 4:11,—sepse ti krijove gjithçka dhe falë vullnetit tënd ato ekzistuan dhe u krijuan.» Duke qenë Krijuesi i çdo gjëje, Perëndia Jehova është Sovrani më i Lartë i universit dhe ka autoritet mbi të gjitha krijesat e tij. Që Jehovai «nuk është një Perëndi i çrregullimit, por i paqes», mund të shihet qartë në mënyrën se si është organizuar familja e tij e përbërë nga engjëjt.—1 Kor. 14:33; Isa. 6:1-3; Hebr. 12:22, 23.

2, 3. (a) Cili ishte krijimi i parë i Jehovait? (b) Ç’pozitë ka Biri i parëlindur në krahasim me Atin?

2 Para se të krijohej ndonjë gjë, Perëndia ekzistonte prej epokash të pafundme. Krijimi i tij i parë ishte një krijesë frymore e njohur si «Fjala», pasi ishte Zëdhënësi i Jehovait. Fjala është ai nëpërmjet të cilit erdhi në ekzistencë gjithçka tjetër. Kohë më pas, ai erdhi në tokë si njeri i përsosur dhe u bë i njohur si Jezu Krishti.—Lexo Gjonin 1:1-3, 14.

3 Ç’thonë Shkrimet për pozitën e Perëndisë në lidhje me Birin e tij të parëlindur? Duke shkruar nën frymëzim, apostulli Pavël thotë: «Dua të dini se kreu i çdo burri është Krishti, kreu i gruas është burri, dhe kreu i Krishtit është Perëndia.» (1 Kor. 11:3) Krishti është nën kryesinë e Atit. Kryesia dhe nënshtrimi janë thelbësorë që të mbizotërojë paqja dhe rregulli midis krijesave me aftësi për të arsyetuar. Edhe nga ai, ‘me anë të të cilit u krijua gjithçka’, kërkohet që t’i nënshtrohet kryesisë së Perëndisë.—Kolos. 1:16.

4, 5. Çfarë mendonte Jezui për pozitën e tij në lidhje me Jehovain?

4 Çfarë mendonte Jezui për nënshtrimin ndaj kryesisë së Jehovait dhe ardhjen në tokë? Shkrimet thonë: «Krishti Jezu, i cili, edhe pse ishte në formë Perëndie, as që e çoi nëpër mend të bënte ndonjë rrëmbim, domethënë, të ishte i barabartë me Perëndinë. Jo, përkundrazi e zbrazi veten dhe mori formë skllavi, duke u bërë ngjashëm njerëzve. Për më tepër, kur u gjend në trajtë njeriu, ai e përuli veten dhe u bind madje deri në vdekje, po, vdekje në një shtyllë torture.»—Filip. 2:5-8.

5 Gjithmonë Jezui iu nënshtrua me përulësi vullnetit të Atit. Ai tha: «Unë s’mund të bëj as edhe një gjë të vetme me nismën time. . . . Gjykimi që jap unë, është i drejtë, sepse nuk kërkoj vullnetin tim, por vullnetin e atij që më dërgoi.» (Gjoni 5:30) «Bëj gjithmonë gjërat që i pëlqejnë [Atit]»,—deklaroi ai. (Gjoni 8:29) Nga fundi i jetës në tokë, Jezui i tha në lutje Atit: «Unë të kam dhënë lavdi në tokë, duke e mbaruar veprën që më dhe për të bërë.» (Gjoni 17:4) Është e qartë se Jezui nuk e kishte problem të njihte e të pranonte kryesinë e Atit.

Nënshtrimi ndaj Atit i sjell dobi Birit

6. Çfarë cilësish të mrekullueshme shfaqi Jezui?

6 Kur ishte në tokë, Jezui shfaqi shumë cilësi të mrekullueshme. Ndër to ishte dashuria e madhe që tregoi për Atin. «Unë e dua Atin»,—tha ai. (Gjoni 14:31) Jezui tregoi dashuri edhe për njerëzit. (Lexo Mateun 22:35-40.) Ishte mirëdashës dhe merrte parasysh ndjenjat dhe nevojat e të tjerëve, nuk ishte i ashpër ose autoritar. Ai tha: «Ejani tek unë, të gjithë ju që po robtoheni dhe që jeni të ngarkuar, e unë do t’ju freskoj. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse jam me natyrë të butë e i përulur në zemër, dhe ju do të gjeni freskim për shpirtin. Sepse zgjedha ime është e këndshme dhe ngarkesa ime është e lehtë.» (Mat. 11:28-30) Njerëzit e përulur të të gjitha moshave, sidomos ata që janë të nëpërkëmbur e të shtypur, gjejnë shumë ngushëllim në personalitetin e këndshëm dhe në mesazhin inkurajues të Jezuit.

7, 8. Çfarë kufizimesh kishte nga Ligji i Moisiut gruaja me rrjedhje gjaku, por si u soll Jezui me të?

7 Të shqyrtojmë si sillej me gratë Jezui. Gjatë gjithë historisë, shumë burra i kanë trajtuar gratë mjaft keq. Kështu vepronin udhëheqësit fetarë në Izraelin e lashtë. Por Jezui i trajtonte gratë me respekt. Kjo duket qartë në mënyrën si u soll me një grua që kishte qenë e sëmurë prej 12 vjetësh me një rrjedhje gjaku. «Ajo kishte vuajtur së tepërmi» nga mjekët dhe kishte harxhuar të gjithë pasurinë në përpjekje për t’u shëruar. Pavarësisht nga të gjitha përpjekjet, «ishte bërë më keq». Nën Ligj, konsiderohej e papastër. Kushdo që e prekte, bëhej i papastër.—Lev. 15:19, 25.

8 Kur kjo grua dëgjoi se Jezui po shëronte të sëmurët, u bashkua me turmën që ishte përreth tij duke thënë: «Sikur vetëm rrobat t’i prek, do të shërohem.» Ajo e preku Jezuin dhe menjëherë u shërua. Jezui e dinte se nuk duhej t’i kishte prekur rrobën. Gjithsesi, nuk e qortoi. Përkundrazi u tregua mirëdashës. Jezui e kuptonte se si duhej të jetë ndier ajo pas tërë atyre viteve me sëmundje dhe e vërejti se kishte një nevojë të jashtëzakonshme për ndihmë. Me dhembshuri, ai i tha: «Bijë, besimi yt të shëroi. Shko në paqe dhe qofsh shëndoshë!»—Mar. 5:25-34.

9. Si reagoi Jezui kur dishepujt u përpoqën të mos i linin fëmijët të shkonin tek ai?

9 Edhe fëmijët mund të ndiheshin rehat në praninë e Jezuit. Kur në një rast njerëzit sollën fëmijët tek ai, dishepujt i qortuan, duke menduar me sa duket se Jezui nuk donte të bezdisej nga fëmijët. Por Jezui nuk mendonte kështu. Tregimi biblik thotë: «Sa i pa, Jezui u indinjua dhe u tha [dishepujve]: ‘Lërini fëmijët të vijnë tek unë dhe mos u mundoni t’i ndalni, sepse mbretëria e Perëndisë u përket atyre që janë si këta.’» Më pas, «i mori fëmijët në krahë dhe filloi t’i bekonte, duke vënë duart mbi ta». Jezui nuk është se vetëm sa i duroi fëmijët, përkundrazi i priti ngrohtë.—Mar. 10:13-16.

10. Si arriti Jezui të kishte cilësitë që shfaqi?

10 Si arriti Jezui të kishte cilësitë që shfaqi gjatë jetës në tokë? Në ekzistencën e tij paranjerëzore, vëzhgoi Atin qiellor për epoka të tëra dhe e bëri të tijën mënyrën si vepronte Ai. (Lexo Proverbat 8:22, 23, 30.) Në qiell, ai kishte parë dhe përvetësuar mënyrën e dashur se si e ushtronte kryesinë Jehovai mbi të gjitha krijesat e Tij. A do të kishte arritur Jezui të bënte një gjë të tillë nëse nuk do të kishte qenë i nënshtruar? Për të ishte kënaqësi t’i nënshtrohej Atit dhe Jehovai kënaqej që kishte një Bir të tillë. Kur ishte në tokë, Jezui pasqyroi në mënyrë të përsosur cilësitë e mrekullueshme të Atit të tij qiellor. Ç’privilegj është për ne t’i nënshtrohemi Krishtit, Sundimtarit të Mbretërisë qiellore që është emëruar nga Perëndia!

Imitoni cilësitë e Krishtit

11. (a) Kë duhet të përpiqemi fort të imitojmë? (b) Pse sidomos burrat në kongregacion duhet të përpiqen fort të imitojnë Jezuin?

11 Të gjithë në kongregacionin e krishterë, sidomos burrat, duhet të vazhdojnë të përpiqen fort për të imituar cilësitë e Krishtit. Siç u tha tashmë, Bibla pohon: «Kreu i çdo burri është Krishti.» Ashtu si Krishti imitoi Kreun e tij, Perëndinë e vërtetë, burrat e krishterë duhet të përpiqen fort të imitojnë kreun e tyre—Krishtin. Kur u bë i krishterë, apostulli Pavël bëri pikërisht këtë. Ai u bëri thirrje të krishterëve: «Bëhuni imituesit e mi, ashtu si unë jam i Krishtit.» (1 Kor. 11:1) Kurse apostulli Pjetër tha: «Në këtë udhë u thirrët, sepse edhe Krishti vuajti për ju, duke ju lënë një model, që të ndiqni me kujdes gjurmët e tij.» (1 Pjet. 2:21) Këshilla për të imituar Krishtin është me interes të veçantë për burrat edhe për një arsye tjetër. Burrat bëhen pleq dhe shërbëtorë ndihmës. Ashtu si Jezui gjente gëzim duke imituar Jehovain, burrat e krishterë duhet të gjejnë gëzim kur imitojnë Krishtin dhe cilësitë e tij.

12, 13. Si duhet të sillen pleqtë me delet që kanë nën kujdes?

12 Pleqtë në kongregacionin e krishterë janë nën detyrimin që të mësojnë të jenë si Krishti. Pjetri u dha pleqve të kongregacionit këtë nxitje: «Kulloteni kopenë e Perëndisë që është nën kujdesin tuaj, jo me detyrim, por vullnetarisht, as për fitim të pandershëm, por me gatishmëri, as duke u sjellë si zotër me ata që janë trashëgimia e Perëndisë, por duke u bërë shembuj për kopenë.» (1 Pjet. 5:1-3) Pleqtë e krishterë nuk duhet të jenë diktatorë, autoritarë, arbitrarë ose të ashpër. Duke imituar shembullin e Krishtit, ata përpiqen të jenë të dashur, të marrin parasysh ndjenjat dhe nevojat e të tjerëve, të jenë të përulur dhe mirëdashës në marrëdhëniet me delet që u janë lënë nën kujdes.

13 Ata që marrin drejtimin në kongregacion janë të papërsosur, prandaj duhet të jenë vazhdimisht të vetëdijshëm për kufizimet e tyre. (Rom. 3:23) Për këtë arsye duhet të kenë etje për të mësuar rreth Jezuit dhe për të imituar dashurinë e tij. Kanë nevojë të meditojnë rreth mënyrës se si i trajtojnë njerëzit Perëndia e Krishti dhe të përpiqen fort t’i imitojnë ata. Pjetri na bën këtë thirrje: «Ngjishuni të gjithë me përulësi mendjeje ndaj njëri-tjetrit, sepse Perëndia u kundërvihet fodullëve, por u jep dashamirësi të pamerituar të përulurve.»—1 Pjet. 5:5.

14. Deri në ç’masë pleqtë duhet t’u tregojnë nderim të tjerëve?

14 Në marrëdhëniet me kopenë e Perëndisë, të emëruarit në kongregacion duhet të shfaqin cilësi të shkëlqyera. Romakëve 12:10 thotë: «Kini për njëri-tjetrin përzemërsi të butë me dashuri vëllazërore. Jini të parët për t’i treguar nderim njëri-tjetrit.» Pleqtë dhe shërbëtorët ndihmës duhet t’u tregojnë nderim të tjerëve. Ashtu si gjithë të krishterët, edhe këta burra ‘nuk duhet të bëjnë asgjë nga fryma e grindjes ose nga uni, por me përulësi mendjeje, duhet t’i shohin të tjerët si më të lartë se veten’. (Filip. 2:3) Patjetër, ata që marrin drejtimin duhet t’i konsiderojnë të tjerët sikur të ishin më të lartë se vetja. Duke vepruar kështu, të emëruarit do të ndjekin këshillën e Pavlit: «Ne që jemi të fortë, duhet të mbajmë dobësitë e atyre që s’janë të fortë, e jo të kënaqim veten. Secili nga ne të kënaqë të afërmin me atë që është e mirë për ta ndërtuar. Sepse edhe Krishti nuk kënaqi veten.»—Rom. 15:1-3.

‘Nderojini gratë’

15. Si duhet të sillen burrat me gratë e tyre?

15 Të shqyrtojmë tani këshillën e Pjetrit drejtuar burrave të martuar. Ai shkroi: «Ju burra, vazhdoni të banoni në mënyrë të ngjashme me [gratë tuaja] sipas njohurisë, duke i nderuar gratë si një enë më të dobët.» (1 Pjet. 3:7) Të nderosh dikë do të thotë të kesh vlerësim të lartë për të. Kështu do të kesh parasysh opinionet, nevojat e dëshirat e personit dhe mund t’i hapësh rrugë atij nëse nuk ka një arsye tejet të rëndësishme për të vepruar ndryshe. Kjo është mënyra se si duhet ta trajtojë burri gruan e vet.

16. Ç’paralajmërim u jep Fjala e Perëndisë burrave në lidhje me nderimin që duhet t’u tregojnë grave?

16 Kur u thotë burrave të nderojnë gratë, Pjetri shton një paralajmërim: «Që të mos pengohen lutjet tuaja.» (1 Pjet. 3:7) Kjo tregon qartë sa seriozisht e sheh Jehovai mënyrën se si një burrë e trajton gruan e vet. Po të mos i tregojë nderim asaj, mund t’i pengohen lutjet. Për më tepër, a nuk reagojnë zakonisht mirë gratë kur burrat i nderojnë?

17. Deri në ç’masë duhet ta dojë burri gruan e tij?

17 Në lidhje me dashurinë që burri duhet t’i tregojë gruas, Fjala e Perëndisë thotë: «Burrat duhet t’i duan gratë e tyre, si vetë trupat e tyre. . . . Sepse, asnjeri nuk e urren kurrë trupin e vet, por e ushqen dhe përkujdeset për të, ashtu siç bën Krishti për kongregacionin. . . . Secili nga ju ta dojë gruan si veten.» (Efes. 5:28, 29, 33) Deri në ç’masë duhet t’i duan burrat gratë e tyre? «Burra,—shkroi Pavli,—vazhdoni t’i doni gratë tuaja, ashtu si edhe Krishti e deshi kongregacionin dhe dorëzoi veten për të.» (Efes. 5:25) Po, një burrë duhet të jetë i gatshëm të japë jetën për gruan, siç bëri Krishti për të tjerët. Kur një burrë i krishterë e trajton gruan me butësi, vëmendje, altruizëm dhe merr parasysh ndjenjat dhe nevojat e saj, për gruan është më e lehtë t’i nënshtrohet kryesisë së tij.

18. Ç’ndihmë kanë burrat që të kujdesen për përgjegjësitë në martesë?

18 Mos vallë pritet tepër nga burrat që t’i nderojnë gratë në këtë mënyrë? Jo. Jehovai nuk do t’u kërkonte kurrë të bënin diçka që është përtej mundësive të tyre. Përveç kësaj, adhuruesit e Jehovait kanë në dispozicion forcën më të madhe në univers: frymën e shenjtë të Perëndisë. Jezui tha: «Nëse ju, edhe pse të ligj, dini t’u jepni dhurata të mira fëmijëve tuaj, aq më shumë Ati në qiell do t’u japë frymë të shenjtë atyre që ia kërkojnë!» (Luka 11:13) Në lutje, burrat mund të kërkojnë që me anë të frymës së tij Jehovai t’i ndihmojë se si t’i trajtojnë të tjerët, përfshirë edhe gratë e tyre.—Lexo Veprat 5:32.

19. Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin vijues?

19 Po, burrat kanë një përgjegjësi të madhe që të mësojnë si të jenë të nënshtruar ndaj Krishtit e të imitojnë mënyrën si e ushtron kryesinë ai. Por, ç’mund të themi për gratë, e sidomos për ato që janë të martuara? Në artikullin vijues do të shqyrtojmë se si duhet ta shohin gratë rolin që kanë sipas Jehovait.

A ju kujtohet?

• Çfarë cilësish të Jezuit duhet të imitojmë?

• Si duhet të sillen pleqtë me delet?

• Si duhet ta trajtojë burri gruan e tij?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 10]

Imitoni Jezuin duke u treguar nderim të tjerëve