Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Zdrukthëtari»

«Zdrukthëtari»

Jeta e të krishterëve në shekullin e parë

«Zdrukthëtari»

«A s’është ky biri i zdrukthëtarit?»​—MATEU 13:55.

JEZUI ishte i njohur jo vetëm si «biri i zdrukthëtarit», por edhe si «zdrukthëtari». (Marku 6:3) Ka mundësi që këtë zanat ta ketë mësuar nga babai i tij birësues, Jozefi.

Cilat aftësi dhe vegla pune i duheshin Jezuit për të punuar me mjeshtëri si zdrukthëtar? Cilat pajisje dhe shërbime mund t’u ketë siguruar ai banorëve të Nazaretit? Dhe si mund të ketë ndikuar më vonë në jetën e tij stërvitja e hershme që mori si zejtar në punë me dru?

Zanati i familjes: Figura më poshtë tregon një baba që e mëson djalin e madh si ta përdorë me zotësi turjelën me hark, por edhe pa u dëmtuar. Ndërsa djali i vogël dëgjon dhe shikon me vëmendje.

Shpesh djemtë fillonin të punonin si çirakë kur ishin rreth 12 deri 15 vjeç. Në përgjithësi, zanatin ua mësonte babai. Normalisht u duheshin vite për t’u aftësuar, dhe djemtë duhej të përpiqeshin fuqimisht, nëse donin të zhvillonin aftësitë e nevojshme për t’u bërë zdrukthëtarë të zotë. Përfytyroni orët e shumta e të këndshme që Jozefi duhet të ketë kaluar me Jezuin: duke punuar me të, duke biseduar e duke e mësuar si të bëhej mjeshtër. Sa me krenari duhej ta ketë parë Jozefi Jezuin ndërsa bëhej mjeshtër për punimin e drurit!

Kërkohej njohuri, forcë dhe mjeshtëri: Një zdrukthëtar duhej t’i njihte veçoritë e drurit me të cilin punonte. Ai mund të zgjidhte aty afër pemë të rritura të tilla, si: qiparis, lis, cedër, fik Egjipti dhe ulli. Megjithatë, në atë kohë nuk kishte dyqane që shisnin dru të prerë tashmë në përmasa të caktuara, që të përdorej me lehtësi. Përkundrazi, ai duhej të udhëtonte për në pyll, të zgjidhte pemët e përshtatshme, t’i rrëzonte dhe pastaj t’i tërhiqte trungjet e rënda për te punishtja e vet.

Çfarë mund të bënte një zdrukthëtar me drurin që grumbullonte? Ka të ngjarë që të kalonte shumë orë përjashta duke ndihmuar për ndërtimin e shtëpive. U jepte formë trarëve për çatinë, bënte shkallë të brendshme, dyer dhe dritare.

Një zdrukthëtar bënte edhe orendi. Figurat shoqëruese tregojnë disa nga këto orendi: dollapë me sirtarë, me rafte ose me dyer (1); stola (2); karrige (3); tavolina (4) të përmasave e formave të ndryshme dhe djepa. Për të zbukuruar disa orendi, ai mund të vinte në to disa forma druri tërheqëse për t’u dhënë shumëllojshmëri modelesh. Për t’i mbrojtur dhe zbukuruar artikujt, ai mund t’u vinte përsipër një shtresë dylli bletësh, verniku ose vaji.

Gjithashtu, një zdrukthëtar bënte mjete për fermerët e vendit: zgjedha (5) të gdhendura prej druri të fortë, si dhe sfurqe, krehra dhe lopata (6). Parmendat (7) që bënte duhej të ishin të forta, pasi majat e tyre të çelikta do të lëronin brazda në tokë shkëmbore. Ai ndërtonte qerre prej druri (8) e karroca, rrota të forta ose me rreze, mbi të cilat lëviznin këto mjete. Ky profesion mund të përfshinte edhe riparimin dhe mirëmbajtjen e orendive, veglave e mjeteve të transportit që bënte.

A mund ta imagjinosh si ndikonte te pamja e Jezuit puna si zdrukthëtar? Mendo për lëkurën e Jezuit të nxirë nga dielli i Lindjes së Mesme, muskujt e forcuar me kalimin e viteve nga puna fizike dhe duart e fortësuara ngaqë shtrëngonte lëndë drusore të ashpër dhe përdorte sëpata, çekiçë dhe sharra.

Burim ilustrimesh: Jezui përdori me mjeshtëri objekte të thjeshta e të njohura që t’u mësonte të tjerëve të vërteta të thella për Perëndinë. A mori shkas nga puna si zdrukthëtar për disa nga ilustrimet e tij? Shqyrtoni disa mundësi. «Pse shikon lëmishten në syrin e vëllait, dhe nuk vëren traun në syrin tënd?»—i tha një turme. Një zdrukthëtar do ta dinte sa i madh ishte një tra. (Mateu 7:3) Më vonë, Jezui i tha një grupi tjetër: «Kush e ka vënë dorën në parmendë dhe shikon gjërat që ka lënë prapa, nuk është i përshtatshëm për mbretërinë e Perëndisë.» Ka mundësi që ai të ketë bërë shumë parmenda. (Luka 9:62) Në një nga ftesat më të përzemërta, Jezui përdori një nga pajimet që bënte zdrukthëtari. Ai tha: «Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë. . . . Zgjedha ime është e këndshme dhe ngarkesa ime është e lehtë.» (Mateu 11:29, 30) Pa dyshim që Jezui dinte si ta bënte një zgjedhë që të mos fërkohej me lëkurën, por që të ishte «e këndshme» ose të rrinte mirë.

Kundërshtarët e Jezuit mund t’i jenë referuar atij me përçmim si «biri i zdrukthëtarit». Prapëseprapë, ashtu si në shekullin e parë, të krishterët e sotëm e kanë për nder të ndjekin shembullin e përulur të këtij ish-zdrukthëtari.

[Kutia dhe figurat në faqen 26]

Kutia e veglave të zdrukthëtarit

Në shekullin e parë, një zdrukthëtar si Jezui duhej të dinte si t’i përdorte veglat e përshkruara këtu. Sharra e tij (1) përbëhej nga një skelet druri që mbante një teh hekuri me dhëmbëza, të vendosura në atë mënyrë që të priste kur të tërhiqej. Ai përdorte një goné (2) për të matur këndet dhe një plumbçe (3) për t’i vënë drejt sipërfaqet vertikale. Gjithashtu, në kutinë e tij të veglave kishte një nivel (4), shkop vizimi (5), zdrukth me tehe çeliku të lëvizshme për të lëmuar drurin e ashpër (6) dhe sëpatë (7) për të prerë pemë.

Zdrukthëtari i përdorte tornon me hark (8) dhe gërryesen e lugët (9) për të prerë dhe për t’u dhënë formë boshteve. Mbi kapakun e kutisë së veglave mund të shohësh një çekiç druri (10) që përdorej për të ngulur kunja në bashkimet e pjesëve ose për t’u rënë daltave. Gjithashtu, këtu tregohen edhe një sharrë e vogël dore (11), një rasketë (12) për të dhënë forma dhe disa gozhdë (13). Përballë kutisë së veglave ndodhet një çekiç hekuri (14) dhe një sqepar (15) për të bërë prerje paraprake të drurit. Mbi kapak ndodhet një thikë (16) si dhe dalta (17) me gjerësi të ndryshme. Një turjelë me hark (18) është mbështetur te kutia e veglave.