Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dërgohen misionarë që ‘të bëjnë dishepuj’

Dërgohen misionarë që ‘të bëjnë dishepuj’

Diplomimi i klasës së 128-të të Galaadit

Dërgohen misionarë që ‘të bëjnë dishepuj’

«QË TË gjitha kombet të dëgjonin lajmin e mirë, disa të krishterëve do t’u duhej të ishin të gatshëm të linin familjen dhe shtëpinë që të predikonin në një vend të huaj.» Me këto fjalë, Dejvid Splejni, pjesëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait, e përgatiti auditorin për një program inkurajues dhe emocionues.

Më 13 mars 2010, afro 8.000 veta u mblodhën për të ndjekur diplomimin e klasës së 128-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit. Programin e ndoqën miq dhe familjarë të misionarëve, si dhe mysafirë nga 27 vende.

«Dishepujt nuk mund të rrinin në shtëpi»

Drejtuesi i programit, vëlla Splejni, e hapi programin duke shqyrtuar urdhrin e Jezuit: «Prandaj, shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet.» (Mateu 28:19, 20) Ai theksoi se Jezui i dërgoi dishepujt te njerëzit. Është e vërtetë se, gjatë festës së Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s, njerëz nga Mesopotamia, Afrika e Veriut dhe shumë pjesë të Perandorisë Romake, shkuan në Jerusalem dhe atje dëgjuan lajmin e mirë. Oratori tha se, megjithatë «dishepujt nuk mund të rrinin në shtëpi e të pritnin që njerëzit e kombeve të shkonin tek ata. Duhej të shkonin deri në skajin më të largët të tokës që të gjenin njerëzit».—Veprat 1:8.

Vëlla Splejni shtoi: «Jezui nuk u tha dishepujve vetëm se çfarë duhej të bënin, por u mësoi edhe si ta kryenin caktimin. Ai nuk u mësoi thjesht të luteshin, por edhe si të luteshin. Nuk u tha vetëm të predikonin, por edhe u tregoi si ta bënin këtë. Ai nuk u tha vetëm të ishin mësues të mirë, por u demonstroi metoda të mira e të efektshme mësimdhënieje.

Prindërve të të diplomuarve drejtuesi u citoi fjalët siguruese që Jezui u tha dishepujve: «Ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit.» (Mateu 28:20) Vëlla Splejni i siguroi të pranishmit se Jezui do të vazhdonte të kujdesej për studentët edhe në caktimet në vendet e huaja.

«Vazhdoni përpara dhe mburruni»

Entoni Morisi, pjesëtar i Trupit Udhëheqës, e nxiti klasën ‘të vazhdonte përpara dhe të mburrej’. Ai tha se ka një ndryshim midis mburrjes me vend dhe asaj pa vend. Mburrja pa vend ka të bëjë me lavdinë që i japim vetes. Ndërsa mburrja me vend përshkruhet te 1 Korintasve 1:31: «Ai që mburret, le të mburret në lidhje me Jehovain.» Vëlla Morisi shtoi: «Diçka për të cilën ia vlen të mburremi është gjykimi i thellë dhe njohuria për Perëndinë Jehova. Në fakt privilegji juaj më i madh—edhe imi—është të mbajmë emrin e shenjtë, të jemi Dëshmitarë të Jehovait.»—Jeremia 9:24.

Më pas oratori tregoi përvojën e një misionari në Afrikë për të theksuar sa rëndësi ka që ta bëjmë të njohur emrin e Jehovait. Misionari po udhëtonte bashkë me të shoqen që të mbante një fjalim biblik. Në një postbllok, një ushtar i ri i drejtoi armën vëllait misionar dhe e pyeti se kush ishte. Gruaja, e cila solli ndër mend çfarë kishte mësuar në Galaad, iu afrua dhe i pëshpëriti: «Thuaji se je Dëshmitar i Jehovait dhe se po shkon të mbash një fjalim biblik.» Ai ia dëgjoi këshillën, dhe kështu i lanë të kalonin postbllokun. Ditën tjetër çifti dëgjoi në radio se presidenti u kishte thënë ushtarëve të tij të rrinin syçelë ndaj vrasësve që e quanin veten misionarë. Duke u identifikuar si Dëshmitarë të Jehovait, jo thjesht si misionarë, çifti i kurseu vetes shumë dhembje. Vëlla Morisi e mbylli fjalimin me fjalët: «Kur të mbërrini në caktim, vazhdoni përpara dhe mburruni. Mburruni për të gjitha gjërat që Jehovai do të përmbushë ndërsa ju përdor për lavdinë e tij të përjetshme.»

«A do ta përmbushni caktimin?»

Xhefri Xheksoni, pjesëtar i Trupit Udhëheqës dhe ish-misionar, i ndihmoi të diplomuarit të mendonin për pyetjen e mësipërme. Ai pyeti: «Çfarë do të thotë të jesh misionar?» Më tej shpjegoi se fjala «misionar» vjen nga një shprehje latine që i referohet një individi ose grupi me caktim të veçantë. Si Dëshmitarë të Jehovait, caktimi ynë është të predikojmë lajmin e mirë dhe t’i ndihmojmë të tjerët të njohin Jehovain. E bëjmë këtë vepër në imitim të Jezu Krishtit, i cili e mbante gjithnjë të qartë në mendje caktimin e tij në tokë. Ai i tha guvernatorit romak, Ponc Pilatit: «Për këtë linda dhe erdha në botë, që të jap dëshmi për të vërtetën.»—Gjoni 18:37.

Oratori e ndihmoi klasën të mendonte për tregimin biblik që përshkruan betejën e Jerikosë. Për gjashtë ditë, luftëtarët izraelitë ngriheshin herët në mëngjes, vishnin armaturën dhe marshonin përreth Jerikosë, e më pas vetëm sa ktheheshin në shtëpi. Oratori tha se nga këndvështrimi njerëzor caktimi i tyre dukej i paarsyeshëm dhe i çuditshëm. Gjithashtu shtoi se disa ushtarë mund të kenë menduar: «Çfarë humbje kohe!» Por ditën e shtatë izraelitëve iu tha të marshonin rreth qytetit shtatë herë rresht dhe në fund duhej të lëshonin një britmë të madhe për luftë. Rezultati? Muret e Jerikosë u rrafshuan.—Josiu 6:13-15, 20.

Vëlla Xheksoni nxori në pah katër mësime nga tregimi për Jerikonë. (1) Bindja është thelbësore. Duhet t’i bëjmë gjërat sipas mënyrës së Jehovait e të mos mendojmë se mënyra jonë është më e mirë. (2) Besimi te Jehovai është jetësor. «Me anë të besimit, muret e Jerikosë u rrëzuan» dhe jo nga përdorimi i deshve shpartallues. (Hebrenjve 11:30) (3) Duhet të jemi të durueshëm. Me kalimin e kohës bekimi i Jehovait ‘do t’ju zërë’. (Ligji i përtërirë 28:2) (4) Mos u dorëzoni. Mos e hiqni kurrë nga mendja caktimin. Vëlla Xheksoni e përmblodhi fjalimin me fjalët: «Nëse mbani në mendje këto pika, do ta përmbushni caktimin për lëvdimin dhe lavdinë e Jehovait.»

Pika të tjera kryesore nga programi

«Duajeni Biblën dhe autorin e saj.» Kjo ishte tema që trajtoi Maksuell Llojdi, pjesëtar i Komitetit të Degës në Shtetet e Bashkuara. Ai i tha klasës: «Bibla duhet të jetë një libër i gjallë për ju.» Më pas u dha inkurajimin: mos lejoni kurrë t’ju ftohet dashuria për Perëndinë Jehova. Mos pritni që të gjithë t’i kuptojnë gjërat që do u mësoni. Thjeshtojini të vërtetat, me qëllim që t’ua ngulitni materialin në zemër studentëve tuaj. Jini të përulur. Mos krijoni përshtypjen sikur dini më shumë. Mësoni me anë të shembullit tuaj. Urojmë që studentët ta dallojnë dashurinë e thellë që keni për Biblën.

«Vëreni korbat.» Ky ishte titulli i fjalimit që mbajti Majkëll Bërneti, instruktor i klasës dhe ish-misionar. Ai tha se ndonjëherë do të kemi shqetësime. Por kujtoni këshillën e Jezuit: «Vëreni korbat, që as mbjellin, as korrin, . . . e megjithatë Perëndia i ushqen.» (Luka 12:24) Sipas besëlidhjes së Ligjit, korbat ishin të papastër dhe nuk duheshin ngrënë. Duheshin konsideruar të neveritshëm. (Levitiku 11:13, 15) Por, pavarësisht nga kjo, Perëndia i ushqente. Vëlla Bërneti tha: «Pra, nëse hasni shqetësime të mëdha në të ardhmen, sillni ndër mend korbin. Nëse Perëndia kujdesej për një zog që konsiderohej i neveritshëm e i papastër, sa më shumë do të kujdeset për ju që në sytë e tij jeni të pastër.»

«S’po të bëj asnjë padrejtësi.» Mark Numari, një instruktor tjetër i Galaadit, i ndihmoi të gjithë të pranishmit të shqyrtonin ilustrimin e Jezuit për punëtorët e vreshtit. Disa punëtorë u rropatën gjithë ditën. Të tjerë punuan veç një orë. Megjithatë morën të njëjtën pagë. Midis atyre që punuan më shumë shpërthyen murmuritjet. I zoti i vreshtit iu përgjigj atyre që u ankuan, duke i thënë këto fjalë njërit prej tyre: «S’po të bëj asnjë padrejtësi. A nuk re dakord me mua për një denar? Merr atë që është jotja dhe shko.» (Mateu 20:13, 14) Cili është mësimi? Mos u krahasoni me të tjerët. «Krahasimet negative vetëm sa do t’jua rrëmbejnë gëzimin. Por ç’është më e keqja, mund t’ju bëjnë të lini caktimin, pra të hiqni dorë nga një privilegj i çmuar shërbimi»,—tha vëlla Numari. Ai i kujtoi klasës se Jezui po drejton veprën e të korrave frymore në ditët tona dhe vepron me dishepujt e tij si t’i duket e udhës. Nëse Jehovai dhe Jezui vendosin të bëjnë diçka më tepër për të tjerët, nuk po ju bëjnë asnjë padrejtësi. Përqendrohuni tek ajo që është juaja dhe mos lejoni që «pagat» e të tjerëve t’ju shpërqendrojnë nga vepra që ju ka caktuar Jehovai.

Përvoja dhe intervista

Kur nuk kanë mësim ose nuk kanë për t’u përgatitur, studentët e Galaadit shoqërohen me kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait për të marrë pjesë në veprën e predikimit. Sam Robersoni, një nga instruktorët e Galaadit, intervistoi disa studentë për përvojat që kishin pasur. Për shembull, motër Alesandra Kirkleri takoi një grua e cila ishte shumë e shqetësuar për vesin e duhanit që kishte i biri. Më vonë Alesandra u kthye me një artikull të revistës Zgjohuni! që fliste për atë temë. Nuk gjeti njeri në shtëpi, por gjithsesi ia la artikullin. Më në fund Alesandra e gjeti gruan, e cila e ftoi brenda. Ajo e vlerësoi artikullin dhe i tha: «Gjithmonë kam pyetur veten se çfarë po përpiqet të më mësojë Perëndia me sprovat që më jep.» Alesandra i tregoi nga Bibla se nuk i shkakton Perëndia gjërat e liga që na ndodhin. (Jakovi 1:13) Tani kjo grua me të birin po studiojnë Biblën.

Melvin Xhonsi, që shërben në Repartin e Shërbimit, intervistoi tre ish të diplomuar: Xhon Somerudin, që shërben në Shqipëri; Mark Andersonin, që shërben në Kenia dhe Xhejms Hindererin, që shërben në Repartin e Shkollave Teokratike. Të tre pranuan se Galaadi jo vetëm u mëson studentëve të vërteta të rëndësishme biblike, por edhe si t’i zbatojnë ato të vërteta, pavarësisht se cilët janë apo ku shërbejnë.

Më vonë, njëri nga studentët lexoi një letër çmueshmërie nga klasa, që ishte prekëse. Xhon Barri, 96 vjeç dhe më i moshuari nga pjesëtarët e Trupit Udhëheqës, e mbylli programin me një lutje, ku i kërkoi Jehovait të bekonte punën e klasës së 128-të të Galaadit.

[Tabela dhe harta në faqen 31]

STATISTIKAT E KLASËS

8 vende të përfaqësuara

54 studentë

27 çifte

35.2 mosha mesatare

19.1 mesatarja e viteve si të pagëzuar

13.8 mesatarja e viteve në shërbimin e plotkohor

[Harta]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

Të diplomuarit u caktuan në 25 vendet që tregohen më poshtë:

CAKTIMET E MISIONARËVE

SHQIPËRI

ARUBË

BOLIVI

KAMBOXHIA

BREGU I FILDISHTË

REPUBLIKA DOMENIKANE

EKUADOR

GANË

GUATEMALË

GUINE

GUAJANË

HONDURAS

INDONEZI

KOSOVË

LETONI

LIBERI

MADAGASKAR

MONGOLI

NAMIBI

NIKARAGUA

PARAGUAI

RUMANI

RUANDË

SERBI

TAJVAN

(CAKTIM NËN MBIKËQYRJEN E DEGËS SË AUSTRALISË)

[Figura në faqen 30]

Studentët e Galaadit demonstrojnë një nga përvojat që patën në predikim

[Figura në faqen 31]

Diplomimi i klasës së 128-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit

Në listën e mëposhtme, rreshtat janë numëruar nga para pas dhe emrat janë renditur nga e majta në të djathtë për çdo rresht.

(1) Keller, E.; Ostopowich, I.; Jacobsen, S.; Arias, M.; Dieckmann, Y.; Tanaka, J.; Harada, K.

(2) Camacho, L.; Kirchler, A.; Rodríguez, S.; Ward, B.; Trenalone, K.; Victoria, V.; Oxley, F.; Nguyen, K.

(3) Oxley, O.; De Dios, A.; Lindström, C.; Allen, J.; Meads, T.; Waddington, J.; Victoria, E.

(4) Harada, H.; Lindström, A.; Orsini, E.; Logue, D.; Missud, T.; Bergeron, S.; Camacho, G.; Ward, T.

(5) Kirchler, W.; Nguyen, H.; Kremer, E.; Burgaud, C.; Titmas, N.; De Dios, C.; Rodríguez, A.; Waddington, M.

(6) Dieckmann, J.; Allen, C.; Titmas, R.; Arias, J.; Bergeron, E.; Keller, J.; Ostopowich, F.; Burgaud, F.

(7) Tanaka, K.; Kremer, J.; Jacobsen, R.; Trenalone, J.; Logue, J.; Meads, D.; Missud, D.; Orsini, A.