Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të gjithë jeni të ftuar!

Të gjithë jeni të ftuar!

Të gjithë jeni të ftuar!

PËR çfarë jeni të ftuar? Që të vizitoni një nga zyrat e degëve të Dëshmitarëve të Jehovait që zakonisht quhen Bethel. Ka 118 qendra të tilla që ndodhen në vende të ndryshme. Shpesh vizitorët shprehin çmueshmërinë e tyre të përzemërt për gjërat që shohin në Bethel.

Pasi pa shumë punëtorë të palodhur që po i shërbenin të lumtur Jehovait në zyrën e degës në Meksikë, një studenti biblik të ri në moshë i bëri kaq përshtypje, saqë pyeti: «Çfarë duhet të bëj për të qëndruar këtu?» Atij iu tha: «Së pari, duhet të pagëzohesh. Pastaj është mirë të shërbesh si pionier, domethënë si lajmëtar i Mbretërisë në kohë të plotë.» I riu u vuri veshin këshillave dhe dy vjet më vonë u ftua në Bethelin e Meksikës ku shërben prej 20 vjetësh.

Çfarë është Betheli?

Në gjuhën hebraike, fjala «Bethel» do të thotë «shtëpi e Perëndisë». (Zan. 28:19, shën.) Godinat në degët e ndryshme përdoren për të shtypur dhe shpërndarë Bibla e literaturë biblike dhe për t’u dhënë ndihmë frymore mbi 100.000 kongregacioneve të Dëshmitarëve të Jehovait në mbarë botën. Rreth 20.000 veta që punojnë në Bethel—burra e gra me prejardhje të ndryshme shoqërore dhe kulturore—i shërbejnë në kohë të plotë e me altruizëm Jehovait dhe vëllezërve e motrave të tyre frymore. Ata që kanë kaluar shumë vite në këtë vepër të krishterë, shërbejnë përkrah të rinjve energjikë. Në mbrëmje dhe në fundjavë, pjesëtarët e familjeve Bethel shoqërohen me kongregacionet e afërta të Dëshmitarëve të Jehovait në mbledhjet dhe në shërbimin e krishterë. Gjithashtu, ata e përdorin kohën e lirë për të studiuar Biblën, për t’u zbavitur dhe për t’u marrë me gjërat personale.

Pjesëtarët e familjes Bethel marrin një shpërblim të vogël mujor. Hanë ushqime të shijshme e të shëndetshme dhe banojnë në dhoma të pastra e të rehatshme. Shtëpitë Bethel nuk kanë si qëllim të jenë luksoze. Megjithatë, ato janë praktike. Vizitorëve u bëjnë përshtypje jo vetëm ndërtesat e oborri i mirëmbajtur dhe puna e organizuar, por edhe fryma e mirëdashjes dhe e bashkëpunimit që mbizotëron në Bethel. Të gjithë punojnë me zell, por askush nuk është kaq i zënë sa të mos tregohet miqësor. Në Bethel nuk ka dallime shoqërore dhe as ndjenja superioriteti për shkak të caktimit që mund të ketë dikush. Çdo caktim është i rëndësishëm, qoftë në pastrim, kopshtari, gatim ose në shtypshkronjë a në zyrë. Bethelitët, siç njihen ata që shërbejnë në Bethel, punojnë bashkë si një skuadër për të mbështetur shërbimin e Dëshmitarëve të Jehovait.​—Kolos. 3:23.

Njihni disa bethelitë

Le t’i njohim më mirë ata që bëjnë pjesë në këtë familje ndërkombëtare. Çfarë i shtyu të shërbenin në Bethel? Shqyrtoni rastin e Marios. Kur u bë Dëshmitar i Jehovait, Mario kishte një punë fitimprurëse në një kompani prestigjoze automjetesh në Gjermani dhe kishte mundësi të bënte përpara. Jo shumë kohë pas pagëzimit, doli vullnetar që të punonte një javë në Bethelin e vendit të tij. E caktuan të punonte në shtypshkronjë. Mario mundi të shihte kontrastin e madh midis atyre që punonin në Bethel dhe kolegëve të punës në botë. Kështu, bëri kërkesë për të shërbyer në kohë të plotë në Bethel. Megjithëse shumë nga të afërmit dhe kolegët e kishin të vështirë të kuptonin vendimin e tij, Mario tani shërben i lumtur në Bethelin e Gjermanisë.

Shumë hyjnë në shërbimin në Bethel pa pasur ndonjë arsimim ose aftësi të veçantë. Ky ishte rasti i Abelit, i cili shërben prej 15 vjetësh në Bethelin e Meksikës. Ai thotë: «Betheli ka qenë për mua një shkollë e vërtetë. Kam mësuar të vë në punë makina shtypi shumë të sofistikuara. E kuptoj se me gjërat që di mund të bëja shumë pará jashtë Bethelit, por nuk do të kisha atë që gëzoj këtu—një jetë të qetë e të këndshme, pa shqetësimet dhe frymën e konkurrencës që ekziston në shumë vende pune në botë. E kuptoj se kam marrë arsimimin më të shkëlqyer, atë arsimim që më ka ndihmuar të zhvillohem nga ana frymore dhe intelektuale. Nuk mund t’i kisha marrë këto dobi frymore madje as në universitetin më të mirë.»

Një vizitë mund të jetë inkurajuese

Thjesht një vizitë në Bethel mund të ketë ndikime pozitive te gjendja frymore e një personi. Kështu ndodhi me Omarin në Meksikë. Mamaja i kishte mësuar të vërtetat biblike, por në moshën 17-vjeçare ai nuk shkoi më në mbledhjet e krishtere dhe në shërbim. Si përfundim, u dha pas veseve dhe një mënyre jetese materialiste. Më vonë, kur punonte për një kompani telekomunikacioni, Omari shkoi me një grup që do të vizitonte Bethelin e Meksikës për të demonstruar përdorimin e disa pajisjeve. Omari thotë: «Pas demonstrimit tonë, na bënë një vizitë në godinat e degës. Ajo që pashë dhe mënyra si më trajtuan, më bënë të mendoja për jetën që po bëja, larg Jehovait. Menjëherë fillova të ndiqja përsëri mbledhjet dhe të studioja Biblën. Gjashtë muaj pas vizitës në Bethel, u pagëzova. Falënderoj Jehovain për nxitjen që mora nëpërmjet asaj vizite në Bethel.»

Edhe Masahiko, në Japoni, ishte rritur në një familje Dëshmitarësh. Mirëpo, ai filloi të mendonte se jetesa si i krishterë ishte tepër kufizuese. U dha shumë pas aktiviteteve shkollore dhe nuk merrte më pjesë në mbledhje e në veprën e predikimit. Masahiko kujton: «Një ditë familja ime dhe disa miq të krishterë vendosën të vizitonin Bethelin. Me këmbënguljen e familjes shkova edhe unë. Vizita në Bethel më gjallëroi si kurrë më parë. Kënaqësia që provova nga shoqëria me të krishterët e tjerë gjatë udhëtimit, ishte diçka që nuk e kisha përjetuar me miqtë e mi që nuk ishin Dëshmitarë. M’u shtua dëshira për të jetuar si i krishterë dhe vendosa të kërkoja një studim biblik.» Tani Masahiko shërben në kohë të plotë në kongregacionin e tij.

Një Dëshmitare nga Franca u transferua në Moskë për punë. Atje humbi kontaktet me popullin e Jehovait dhe u dobësua frymësisht. U përfshi në keqbërje dhe në fund u martua me një person që nuk ishte Dëshmitar. Më pas, një motër frymore nga Franca shkoi ta takonte dhe së bashku udhëtuan për në Shën-Pjetërburg, Rusi, që të vizitonin shtëpinë Bethel atje. Ajo shkruan: «Në Bethel na pritën me ngrohtësi dhe kjo më preku shumë. Sa paqe kishte! Ndieja frymën e Jehovait. Si e bëra këtë gabim që isha larguar nga organizata e Jehovait? Pas vizitës në Bethel, iu luta Jehovait për ndihmë dhe fillova t’u mësoja fëmijëve Biblën me më shumë vendosmëri.» Përveç çdo ndihme tjetër frymore që mund të ketë marrë kjo Dëshmitare dikur e dobët frymësisht, ajo mori shumë forcë nga vizita në Bethel dhe pas kësaj bëri përparim.

Ç’përshtypje u lë një vizitë në Bethel atyre që nuk i njohin shumë Dëshmitarët e Jehovait? Në vitin 1988, Albertu, i cili ishte i zhytur në politikë, vizitoi Bethelin në Brazil. Pastërtia, rregullsia dhe sidomos fakti që puna nuk bëhej në fshehtësi, i bënë mjaft përshtypje. Jo shumë kohë para se të vizitonte Bethelin, Albertu kishte vizituar seminarin ku shërbente si prift kunati i tij. Albertu vërejti kontrastin e madh. «Në seminar çdo gjë bëhej fshehurazi»,—thotë Albertu. Pak kohë pas vizitës në Bethel, ai pranoi një studim biblik, nuk u mor më me politikë dhe tani shërben si plak kongregacioni.

Ejani të vizitoni Bethelin!

Shumë kanë bërë përpjekje të jashtëzakonshme për të vizituar zyrën e degës në vendin e tyre. Për shembull, në Brazil, Paulu dhe Euzhenia kursyen para për katër vjet që të bënin udhëtimin dyditor me autobus prej 3.000 kilometrash, që të shihnin godinat e Bethelit në atë vend. Ata thonë: «Ia vlenin të gjitha këto përpjekje. Tani kemi një ide më të plotë për organizatën e Jehovait. Kur u shpjegojmë studentëve tanë të Biblës punën që bëhet në Bethel, ndonjëherë ata pyesin: ‘Po ju, keni qenë ndonjëherë atje?’ Tani mund t’u themi se po.»

A ka një zyrë dege dhe shtëpi Bethel në vendin tuaj ose në një vend tjetër të afërt? Ju ftojmë ta vizitoni. Me siguri do t’ju jepet një mirëseardhje e ngrohtë dhe do të nxirrni dobi të mëdha frymore nga vizita në Bethel.

[Figura në faqen 18]

Mario

[Figura në faqen 18]

Abeli

[Figura në faqen 18]

Gjermani

[Figura në faqen 18]

Japoni

[Figura në faqen 18]

Brazil