Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kush mund t’i çlirojë ata që thërrasin për ndihmë?

Kush mund t’i çlirojë ata që thërrasin për ndihmë?

Kush mund t’i çlirojë ata që thërrasin për ndihmë?

«O Perëndi, mësoja ligjet e tua mbretit . . . Sepse ai do ta çlirojë të varfrin që thërret për ndihmë.»​—PSAL. 72:1, 12.

1. Çfarë mësojmë për mëshirën e Perëndisë në rastin e Davidit?

SA NA inkurajojnë këto fjalë, që me sa duket i shkroi mbreti David i Izraelit të lashtë! Vite para se t’i shkruante ato, Davidin e kishte brejtur ndërgjegjja pasi kishte kryer kurorëshkelje me Betshebën. Në atë kohë Davidi iu përgjërua Perëndisë: «Fshiji shkeljet e mia, sipas mëshirës sate të madhe! . . . Mëkatin tim e kam përpara vazhdimisht. . . . Ja, në faj erdha në dritë mes dhembjeve të lindjes dhe në mëkat më ngjizi nëna ime.» (Psal. 51:1-5) Me mëshirë, Jehovai merr parasysh gjendjen mëkatare që kemi trashëguar.

2. Çfarë na tregon Psalmi 72?

2 Jehovai e kupton gjendjen tonë të mjerë. Por, siç ishte parathënë, Mbreti i mirosur i Perëndisë «do ta çlirojë të varfrin që thërret për ndihmë, si dhe të munduarin e këdo që nuk ka kush e ndihmon. Atij do t’i dhimbset i përvuajturi dhe i varfri, dhe do ta shpëtojë shpirtin e të varfërve». (Psal. 72:12, 13) Si do të sigurohet lehtësimi? Psalmi 72 na e tregon. Kjo këngë e cila u kompozua për mbretërimin e birit të Davidit, Solomonit, tregon në mënyrë paraprake se si sundimi i Birit të Perëndisë, Jezu Krishtit, do ta çlirojë njerëzimin nga problemet.

Një pamje paraprake e sundimit të Krishtit

3. Çfarë kërkoi Solomoni dhe çfarë i dha Perëndia?

3 Pasi urdhëroi që Solomoni të bëhej mbret, Davidi i moshuar i dha atij udhëzime specifike që Solomoni i ndoqi me besnikëri. (1 Mbret. 1:32-35; 2:1-3) Më vonë, Jehovai iu shfaq Solomonit në një ëndërr dhe i tha: «Më thuaj: ç’dëshiron të të jap?» Solomoni bëri vetëm një kërkesë: «Jepi shërbëtorit tënd një zemër të bindur për të gjykuar popullin tënd, për të dalluar të mirën nga e keqja.» Për shkak të kërkesës së përulur të Solomonit, Perëndia i dha jo vetëm atë që kërkoi, por edhe më shumë.​—1 Mbret. 3:5, 9-13.

4. Si e përshkroi mbretërimin e Solomonit një sundimtare tjetër e kohës së tij?

4 Me bekimin e Jehovait, mbretërimi i Solomonit ishte periudha më e jashtëzakonshme me paqe e begati që kanë përjetuar ndonjëherë njerëzit nën ndonjë qeveri në tokë. (1 Mbret. 4:25) Mes atyre që erdhën të shihnin se si ishte sundimi i Solomonit, ishte mbretëresha e Shebës bashkë me shpurën e saj të madhe. Ajo i tha Solomonit: «Fjalët që dëgjova në vendin tim . . . dolën të vërteta. . . . Nuk më kishin treguar as gjysmën. Mençuria dhe begatia jote ua kanë kaluar gjërave që kam dëgjuar.» (1 Mbret. 10:1, 6, 7) Megjithatë, një mençuri ku e ku më të madhe shfaqi Jezui, i cili me të drejtë mundi të thoshte për veten: «Ja, këtu është dikush më i madh se Solomoni.»​—Mat. 12:42.

Lehtësim nën Solomonin më të Madh

5. Çfarë zbulon Psalmi 72 dhe ç’pamje paraprake na jep?

5 Le të shqyrtojmë tani disa aspekte të Psalmit 72 për të mësuar rreth bekimeve nën sundimin e Jezu Krishtit, Solomonit më të Madh. (Lexo Psalmin 72:1-4.) Ky Psalm zbulon se çfarë mendon Jehovai për ‘sundimin princëror’ të Birit të tij, ‘Princit të Paqes’, Jezu Krishtit. (Isa. 9:6, 7) Nën drejtimin e Perëndisë, Solomoni më i Madh ‘do të mbrojë çështjen e të munduarve dhe do t’i shpëtojë bijtë e të varfrit’. Nën sundimin e tij do të ketë paqe dhe drejtësi. Kur ishte në tokë, Jezui na dha një pamje paraprake të asaj që do të bëjë Sundimi i tij Mijëvjeçar që po vjen.—Zbul. 20:4.

6. Çfarë pamjeje paraprake të bekimeve që do të ketë nën sundimin e Mbretërisë na dha Jezui?

6 Të shqyrtojmë disa nga gjërat që bëri Jezu Krishti, të cilat na japin një pamje paraprake të asaj që do të bëjë ai për njerëzimin në përmbushje të Psalmit 72. Me të drejtë na bën përshtypje dhembshuria e tij e madhe për ata që vuanin. (Mat. 9:35, 36; 15:29-31) Për shembull, një njeri me lebër iu afrua Jezuit dhe iu përgjërua: «Po të duash, ti mund të më pastrosh.» Jezui iu përgjigj: «Dua. Pastrohu.» Dhe ai njeri u pastrua. (Mar. 1:40-42) Më vonë, Jezui ndeshi një vejushë së cilës i kishte vdekur biri i vetëm. ‘I shtyrë nga keqardhja’, Jezui tha «ngrihu» dhe biri i saj u ngrit vërtet. Ai ishte përsëri gjallë!​—Luka 7:11-15.

7, 8. Cilat ishin disa mënyra se si e tregoi Jezui fuqinë e tij shëruese?

7 Jehovai i dha fuqi Jezuit të kryente mrekulli. Një shembull i kësaj, ishte rasti i ‘një gruaje që kishte dymbëdhjetë vjet që s’i pushonte rrjedhja e gjakut’. Megjithëse «kishte vuajtur së tepërmi nga shumë mjekë dhe kishte harxhuar gjithë pasurinë e saj», faktikisht ishte bërë më keq. Gruaja hyri në mes të një turme dhe e preku Jezuin. Kjo ishte një shkelje e Ligjit për dikë që ‘kishte rrjedhje gjaku’. (Lev. 15:19, 25) Jezui e ndjeu se nga ai kishte dalë fuqi, prandaj pyeti se kush e preku. «E trembur dhe duke u dridhur», gruaja «ra përmbys para tij dhe i tregoi gjithë të vërtetën». Duke kuptuar se Jehovai e kishte shëruar gruan, Jezui e trajtoi atë me dashamirësi dhe i tha: «Bijë, besimi yt të shëroi. Shko në paqe dhe qofsh shëndoshë, sepse sëmundja jote e rëndë kaloi!»​—Mar. 5:25-27, 30, 33, 34.

8 Me fuqitë shëruese që i kishte dhënë Perëndia, Jezui shëroi të sëmurët, por duhet të ketë pasur një ndikim të fuqishëm edhe tek ata që e vëzhgonin. Për shembull, pa dyshim shumë vetave u bëri përshtypje kur panë Jezuin që shëroi njerëz para fjalimit të tij të famshëm, Predikimit në Mal. (Luka 6:17-19) Kur Gjon Pagëzori dërgoi dy lajmëtarë që të sigurohej se Jezui ishte Mesia, ata e gjetën Jezuin ‘duke shëruar shumë veta nga sëmundjet, lëngatat e rënda dhe nga frymërat e liga, si dhe duke u falur shikimin shumë të verbërve’. Atëherë Jezui u tha dy lajmëtarëve: «Tregojini Gjonit ç’patë dhe dëgjuat: të verbrit po fitojnë shikimin, të çalët po ecin, të lebrosurit po pastrohen dhe të shurdhrit po dëgjojnë, të vdekurit po ngrihen dhe të varfërve po u thuhet lajmi i mirë.» (Luka 7:19-22) Sa duhet ta kenë inkurajuar Gjonin këto fjalë!

9. Pamje paraprake të çfarë gjëje përbënin mrekullitë e Jezuit?

9 Vërtet, lehtësimi nga vuajtjet, që solli Jezui gjatë shërbimit në tokë ishte i përkohshëm. Ata që shëroi ose ringjalli ai, më vonë vdiqën. Sidoqoftë, mrekullitë që kreu Jezui kur ishte në tokë përbënin pamje paraprake të lehtësimit të përhershëm që do të gëzojë njerëzimi nën sundimin e tij mesianik.

Na pret një Parajsë mbarëbotërore

10, 11. (a) Sa do të zgjatin bekimet e Mbretërisë dhe si do të jetë sundimi i Jezuit? (b) Kush do të jetë me Krishtin në Parajsë dhe në ç’mënyrë do të ketë mundësi të jetojë përgjithmonë?

10 Përpiqu të përfytyrosh se si do të jetë jeta në Parajsën në tokë. (Lexo Psalmin 72:5-9.) Adhuruesit e të vetmit Perëndi të vërtetë do të mund ta gëzojnë jetën në Parajsë derisa të ekzistojë dielli e hëna​—po, përgjithmonë. Mbreti Jezu Krisht do t’i freskojë njerëzit «si shiu mbi barin e kositur, si shirat e bollshme që lagin tokën».

11 Ndërsa përfytyron përmbushjen e këtij psalmi, a nuk ta çon peshë zemrën shpresa e jetës së përhershme në një parajsë tokësore? Me siguri, keqbërësi që e kishin varur në shtyllë u entuziazmua kur Jezui i tha: «Ti do të jesh me mua në Parajsë.» (Luka 23:43) Gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar, ai njeri do të rikthehet në jetë. Nëse i nënshtrohet sundimit të Krishtit, do të ketë mundësi të jetojë në tokë përgjithmonë me shëndet të përsosur e lumturi.

12. Cila mundësi do t’u jepet të padrejtëve të ringjallur gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit?

12 Nën sundimin e Solomonit më të Madh, Jezu Krishtit, «i drejti do të lulëzojë», domethënë do të ketë begati. (Psal. 72:7) Në atë kohë, Krishti do të tregojë me bollëk dashuri e kujdes të butë siç bëri kur ishte në tokë. Në botën e re që ka premtuar Perëndia, madje edhe ‘të padrejtëve’ që do të ringjallen, me dashuri do t’u jepet një mundësi për ta përputhur jetën me normat e Jehovait dhe për të jetuar. (Vep. 24:15) Natyrisht, ata që nuk pranojnë të veprojnë në përputhje me kërkesat e Perëndisë, nuk do të lejohen të vazhdojnë të jetojnë që të prishin paqen dhe qetësinë e botës së re.

13. Deri ku do të shtrihet sundimi i Mbretërisë dhe pse paqja nuk do të prishet kurrë?

13 Shtrirja mbarëbotërore e sundimit të Solomonit më të Madh tregohet nga këto fjalë: «Do të ketë nënshtetas nga deti në det, dhe nga Lumi [Eufrat] deri në skajet e tokës. Para tij do të përkulen banorët e rajoneve pa ujë, kurse armiqtë e tij do të lëpijnë pluhurin.» (Psal. 72:8, 9) Po, Jezu Krishti do të sundojë mbi tërë tokën. (Zak. 9:9, 10) Ata që do të pranojnë dhe do të çmojnë sundimin dhe bekimet e tij, «do të përkulen» në shenjë nënshtrimi me gatishmëri. Nga ana tjetër, mëkatarët e papenduar do të shfarosen, edhe sikur të ishin në moshën «njëqind vjeç». (Isa. 65:20) Ata «do të lëpijnë pluhurin».

Empati dhe interesim ndaj nesh

14, 15. Si e dimë se Jezui i kupton ndjenjat njerëzore dhe «do ta çlirojë të varfrin që thërret për ndihmë»?

14 Njerëzimi mëkatar është në një gjendje të mjerë dhe ka tmerrësisht nevojë për ndihmë. Por nuk jemi pa shpresë. (Lexo Psalmin 72:12-14.) Jezui, Solomoni më i Madh, ka empati për ne sepse e kupton gjendjen tonë të papërsosur. Për më tepër, Jezui vuajti për hir të drejtësisë dhe Perëndia lejoi që t’i përballonte vetë sprovat. Jezui vuajti kaq shumë emocionalisht, saqë «djersa iu bë si pika gjaku që binin përtokë». (Luka 22:44) Më vonë, në shtyllën e torturës, ai thirri: «Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?» (Mat. 27:45, 46) Pavarësisht nga të gjitha gjërat që vuajti dhe ndonëse Satanai bëri të pamundurën për ta larguar nga Jehovai, Jezui u tregua besnik ndaj Perëndisë Jehova.

15 Mund të jemi të sigurt se Jezui e sheh dhembjen tonë dhe «do ta çlirojë të varfrin që thërret për ndihmë, si dhe të munduarin e këdo që nuk ka kush e ndihmon». Meqë interesohet me dashuri ashtu si Ati i tij, Jezui ‘do t’i dëgjojë të varfrit’ e ‘do t’i shërojë zemërvrarët dhe do të lidhë plagët e tyre të dhembshme’. (Psal. 69:33; 147:3) Jezui mund të tregojë empati ose ‘të bashkohet me ndjenjat tona në dobësitë që kemi’, sepse «është sprovuar në çdo aspekt si ne». (Hebr. 4:15) Sa mirë është të dimë se Mbreti Jezu Krisht po sundon tani në qiell dhe mezi pret t’u sjellë lehtësim njerëzve që vuajnë!

16. Pse Solomoni mund të tregonte ndjenja të përbashkëta ndaj nënshtetasve të tij?

16 Ngaqë kishte mençuri dhe gjykim të thellë, pa dyshim Solomonit ‘i dhimbsej i përvuajturi’. Përveç kësaj, jeta e tij u karakterizua nga ngjarje të trishtueshme dhe tronditëse. I vëllai, Amnoni, përdhunoi motrën e tij, Tamarën, dhe vëllai tjetër i Solomonit, Absalomi, urdhëroi që Amnoni të vritej për këtë krim. (2 Sam. 13:1, 14, 28, 29) Absalomi uzurpoi fronin e Davidit, por grushti i tij i shtetit dështoi dhe u vra nga Joabi. (2 Sam. 15:10, 14; 18:9, 14) Më vonë, vëllai i Solomonit, Adonijahu, u orvat të merrte mbretërinë. Po t’ia kishte arritur qëllimit, pa dyshim Solomoni do të ishte vrarë. (1 Mbret. 1:5) Që Solomoni i kuptonte vuajtjet njerëzore shihet qartë nga ajo që tha në lutje gjatë përurimit të tempullit të Jehovait. Në lidhje me nënshtetasit e tij, mbreti u lut: «Gjithsecili e njeh plagën dhe dhembjen e vet . . . Fal [o Jehova] dhe jepi secilit sipas gjithë udhëve të tij.»​—2 Kron. 6:29, 30.

17, 18. Çfarë dhembjeje kanë përballuar disa shërbëtorë të Jehovait dhe çfarë i ka ndihmuar?

17 ‘Dhembja jonë’ mund të vijë nga pasojat e disa situatave që kemi përjetuar në jetë. Një Dëshmitare e Jehovait te të tridhjetat, Meri, * shkruan: «Kam çdo arsye për të qenë e lumtur, por shpesh e shkuara më sjell në mendje ndjenja turpi dhe neverie. Si rrjedhim ndihem tejet e trishtuar dhe prirem të qaj sikur gjithçka të kishte ndodhur dje. Kujtimet e rrënjosura thellë më shkaktojnë ende ndjenja mbytëse pavlefshmërie dhe faji.»

18 Ndoshta shumë shërbëtorë të Jehovait ndihen kështu, por çfarë mund t’i ndihmojë të marrin forcën e nevojshme për të qëndruar? Meri thotë: «Tani ndihem e lumtur ngaqë kam miq të vërtetë dhe një familje frymore. Gjithashtu, përpiqem të përqendrohem në atë që ka premtuar Jehovai për të ardhmen dhe jam e sigurt se britmat e mia për ndihmë do të shndërrohen në britma gëzimi.» (Psal. 126:5) Kemi nevojë të shpresojmë te masa që ka marrë Perëndia nëpërmjet Birit të tij, Sundimtarit të tij të emëruar. Për të ishte parathënë: «Atij do t’i dhimbset i përvuajturi dhe i varfri, dhe do ta shpëtojë shpirtin e të varfërve. Nga shtypja dhe dhuna, do t’ua shpengojë shpirtin, dhe gjaku i tyre do të jetë i çmuar në sytë e tij.» (Psal. 72:13, 14) Sa siguri na jep ky mendim!

Një botë e re dhe e begatë na pret

19, 20. (a) Cilin problem do të zgjidhë sundimi i Mbretërisë, siç tregohet në Psalmin 72? (b) Kujt duhet t’i shkojë në radhë të parë merita për sundimin e Krishtit dhe si ndihesh për atë që do të bëjë ky sundim?

19 Përpiqu përsëri të përfytyrosh të ardhmen e njerëzve të drejtë në botën e re të Perëndisë nën sundimin e Solomonit më të Madh. Na bëhet ky premtim: «Në tokë do të ketë drithë me bollëk, edhe në majat e maleve drithi do të vërshojë.» (Psal. 72:16) Meqë drithi zakonisht nuk prodhohet në majat e maleve, këto fjalë theksojnë se sa pjellore do të bëhet toka. Prodhimi i saj «do të jetë si në Liban», një rajon që prodhonte me bollëk në kohën e mbretërimit të Solomonit. Vetëm mendo pak: nuk do të ketë më mungesa ushqimesh, asnjë të kequshqyer, askënd që të vuajë nga uria! Në atë kohë të gjithë do të gëzojnë «një gosti me gjellë plot yndyrë».​—Isa. 25:6-8; 35:1, 2.

20 Kujt do t’i shkojë merita për të gjitha këto bekime? Në radhë të parë Mbretit të Përjetshëm dhe Sundimtarit Universal, Perëndisë Jehova. Në fakt, në atë kohë të gjithë ne do t’i bashkojmë me gëzim zërat për të kënduar pjesën përmbyllëse të kësaj kënge të bukur e që të ngroh zemrën: «Emri i mbretit [Jezu Krisht] qoftë në jetë të jetëve! Emri i tij le të mbetet sa të jetë dielli, dhe me anë të mbretit, le të bekohen njerëzit. Të gjitha kombet le ta shpallin të lumtur! Bekuar qoftë Perëndia Jehova, Perëndia i Izraelit! Vetëm ai bën vepra të mrekullueshme. Bekuar qoftë emri i tij i lavdishëm në jetë të jetëve! Lavdia e tij le të mbushë mbarë tokën! Amin, po, Amin!»​—Psal. 72:17-19.

[Shënimi]

^ par. 17 Emri është ndryshuar.

Si do të përgjigjeshe?

• Pamjen paraprake të çfarë gjëje na jep Psalmi 72?

• Kush është Solomoni më i Madh dhe deri ku do të shtrihet sundimi i tij?

• Çfarë të tërheq ty nga bekimet që janë parathënë në Psalmin 72?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 29]

Çfarë paraqiste në mënyrë paraprake begatia gjatë mbretërimit të Solomonit?

[Figura në faqen 32]

Ia vlen çdo përpjekje për të fituar jetën në Parajsë nën sundimin e Solomonit më të Madh