Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Keni vetëm një udhëheqës, Krishtin»

«Keni vetëm një udhëheqës, Krishtin»

«Keni vetëm një udhëheqës, Krishtin»

«Mos lejoni t’ju quajnë ‘udhëheqës’, sepse keni vetëm një Udhëheqës, Krishtin.»—MAT. 23:9, 10.

1. Kë kanë si Udhëheqës Dëshmitarët e Jehovait dhe pse?

KISHAT e të ashtuquajturit krishterim kanë udhëheqës njerëzorë të tillë, si papa i Romës, patriarkët dhe kryepeshkopët e kishave ortodokse lindore, si edhe krerët e feve të tjera që pohojnë se janë të krishtere. Dëshmitarët e Jehovait nuk kanë ndonjë njeri si udhëheqësin e tyre. Nuk janë dishepuj ose ithtarë të ndonjë njeriu. Kjo është në përputhje me shprehjen profetike të Jehovait për Birin e tij: «Unë ua dhashë atë si dëshmitar kombeve, ua dhashë atyre si udhëheqës dhe komandant.» (Isa. 55:4) Kongregacioni ndërkombëtar i të krishterëve të mirosur dhe i shokëve të tyre, ‘delet e tjera’, nuk dëshiron asnjë udhëheqës tjetër përveç atij që i ka dhënë Jehovai. (Gjoni 10:16) Ata mbështetin pohimin e Jezuit: «Keni vetëm një Udhëheqës, Krishtin.»—Mat. 23:10.

Princi frymor i Izraelit

2, 3. Ç’rol aktiv luajti Biri i Perëndisë në Izrael?

2 Shekuj para themelimit të kongregacionit të krishterë, Jehovai kishte një udhëheqës engjëllor mbi popullin e tij Izraelin. Pasi i nxori izraelitët nga Egjipti, Jehovai i tha atij kombi: «Ja, unë po dërgoj një engjëll përpara teje, që të të ruajë rrugës dhe të të çojë në vendin që kam përgatitur. Ki kujdes nga ai dhe bindju zërit të tij. Mos u rebelo kundër tij, sepse ai nuk do ta falë shkeljen tënde, mbasi emri im është në të.» (Dal. 23:20, 21) Është e arsyeshme të besojmë se ky engjëll, i cili kishte ‘emrin e Jehovait në të’, ishte Biri i parëlindur i Perëndisë.

3 Para se të lindte si njeri, Biri i Perëndisë me sa duket kishte emrin Mikael. Në librin e Danielit, Mikaeli quhet ‘princi’ i popullit të Danielit, pra Izraelit. (Dan. 10:21) Dishepulli Judë tregon se Mikaeli ishte përfshirë në çështjet e Izraelit shumë më përpara se koha e Danielit. Pas vdekjes së Moisiut, nga sa duket Satanai kishte ndër mend ta përdorte trupin e tij për qëllimet e veta, ndoshta duke e nxitur Izraelin të kryente idhujtari. Mikaeli ndërhyri për ta penguar këtë. Juda tregon: «Kur kryeengjëlli Mikael pati një mosmarrëveshje me Djallin dhe bëri fjalë me të për trupin e Moisiut, nuk guxoi të jepte kundër tij një gjykim me fjalë sharëse, por tha: ‘Jehovai të qortoftë!’» (Jud. 9) Pak më vonë, para rrethimit të Jerikosë, ka shumë mundësi që ishte Mikaeli, ‘princi i ushtrisë së Jehovait’, i cili iu shfaq Josiut për ta siguruar për mbështetjen e Perëndisë. (Lexo Josiun 5:13-15.) Kur një princ demonik u orvat të pengonte një engjëll që të mos i jepte profetit Daniel një mesazh të rëndësishëm, kryeengjëlli Mikael erdhi për ta ndihmuar engjëllin.—Dan. 10:5-7, 12-14.

Vjen Udhëheqësi i parathënë

4. Cila profeci u dha për ardhjen e Mesisë?

4 Para ngjarjes së mësipërme, Jehovai kishte dërguar engjëllin Gabriel te profeti Daniel, që t’i jepte një profeci për ardhjen e ‘Mesisë, Udhëheqësit’. (Dan. 9:21-25) * Tamam në kohën e duhur, në vjeshtën e vitit 29 të e.s., Jezui u pagëzua nga Gjoni. Mbi Jezuin u derdh fryma e shenjtë duke e bërë atë të Mirosurin—Krishtin, Mesinë. (Mat. 3:13-17; Gjoni 1:29-34; Gal. 4:4) Si i tillë, Jezui do të bëhej një Udhëheqës i pakrahasueshëm.

5. Si veproi Krishti si Udhëheqës gjatë shërbimit të tij në tokë?

5 Që në fillim të shërbimit të tij në tokë, Jezui tregoi se ishte «Mesia, Udhëheqësi». Brenda pak ditësh, ai filloi të mblidhte dishepuj dhe kreu mrekullinë e tij të parë. (Gjoni 1:35–2:11) Dishepujt e ndoqën teksa i binte kryq e tërthor vendit, duke predikuar lajmin e mirë për Mbretërinë. (Luka 8:1) Ai i stërviti ata në veprën e predikimit dhe mori drejtimin në predikim e mësimdhënie, duke lënë një shembull të shkëlqyer. (Luka 9:1-6) Pleqtë e krishterë sot duhet ta imitojnë në këtë aspekt.

6. Si tregoi Krishti se ishte Bari dhe Udhëheqës?

6 Jezui nxori në pah një aspekt tjetër të udhëheqjes së tij, duke e krahasuar veten me një bari të dashur. Barinjtë e Lindjes së Mesme u prinin kopeve në kuptimin e mirëfilltë. Shkrimtari Uilliam Tomson shkroi në një libër: «Bariu shkon përpara, jo vetëm për të treguar rrugën, por për të parë nëse është e kalueshme dhe e sigurt. . . . Me shkopin [e tij] e mban nën kontroll dhe e drejton kopenë në kullota të gjelbra, si edhe e mbron nga rreziqet.» (The Land and the Book) Duke treguar se është Bari dhe Udhëheqës i vërtetë, Jezui deklaroi: «Unë jam bariu i shkëlqyer, dhe bariu i shkëlqyer jep shpirtin për delet. Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh dhe ato më ndjekin.» (Gjoni 10:11, 27) Ashtu siç tha, Jezui dha jetën si flijim për delet e tij, por Jehovai «e lartësoi si udhëheqës dhe Shpëtimtar».—Vep. 5:31, New Jerusalem Bible; Hebr. 13:20.

Mbikëqyrës i kongregacionit të krishterë

7. Me anë të çfarë gjëje e mbikëqyr Jezui kongregacionin e krishterë?

7 Pak kohë pas ngritjes në qiell, Jezui i ringjallur u tha dishepujve: «Më është dhënë çdo autoritet në qiell dhe në tokë.» (Mat. 28:18) Jehovai nëpërmjet Jezuit dha frymë të shenjtë që t’i forconte dishepujt në të vërtetën e krishterë. (Gjoni 15:26) Jezui e derdhi këtë frymë mbi të krishterët e hershëm në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s. (Vep. 2:33) Kjo derdhje e frymës së shenjtë shënoi themelimin e kongregacionit të krishterë. Jehovai e emëroi Birin e tij që të udhëhiqte nga qielli kongregacionin në tokë. (Lexo Efesianëve 1:22; Kolosianëve 1:13, 18.) Jezui e drejton kongregacionin e krishterë me anë të frymës së shenjtë të Jehovait dhe ka në shërbim të tij engjëjt që «iu nënshtruan atij».—1 Pjet. 3:22.

8. Cilin mjet tokësor përdori Krishti në shekullin e parë për të udhëhequr dishepujt dhe kë po përdor sot?

8 Gjithashtu, me anë të frymës së shenjtë, Krishti dha «dhurata në njerëz», disa «si barinj e mësues» në kongregacion. (Efes. 4:8, 11) Apostulli Pavël u bëri këtë thirrje mbikëqyrësve të krishterë: «Kushtojini vëmendje vetes dhe gjithë kopesë, mes së cilës fryma e shenjtë ju emëroi mbikëqyrës, që të kullotni kongregacionin e Perëndisë.» (Vep. 20:28) Kur filloi kongregacioni i krishterë, të gjithë këta mbikëqyrës ishin burra të mirosur nga fryma. Apostujt dhe pleqtë e kongregacionit të Jerusalemit vepronin si një trup udhëheqës. Krishti e përdori këtë mjet për të udhëhequr tërë grupin e ‘vëllezërve’ të tij të mirosur në tokë. (Hebr. 2:11; Vep. 16:4, 5) Në këtë kohë të fundit, Krishti ia ka besuar «gjithë zotërimet e veta», pra tërë interesat tokësore të Mbretërisë, ‘skllavit të besueshëm e të matur’ dhe përfaqësuesit të tij, Trupit Udhëheqës, që është një grup të krishterësh të mirosur. (Mat. 24:45-47) Të mirosurit dhe shokët e tyre, delet e tjera, e kuptojnë se duke ndjekur drejtimin e Trupit të sotëm Udhëheqës, po ndjekin faktikisht Udhëheqësin e tyre, Krishtin.

Krishti nis veprën e predikimit

9, 10. Si i drejtoi gjërat Krishti në lidhje me përhapjen e lajmit të mirë për Mbretërinë?

9 Që në fillim, Jezui e drejtoi personalisht veprën botërore të predikimit dhe të mësimdhënies. Ai përcaktoi radhën sipas së cilës u duhej dhënë lajmi i mirë për Mbretërinë banorëve të tokës. Gjatë shërbimit, ai i udhëzoi apostujt: «Mos shkoni në rrugën e kombeve dhe mos hyni në asnjë qytet samaritan, por vazhdoni të shkoni te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit. Shkoni dhe predikoni: ‘Mbretëria e qiejve është afruar.’» (Mat. 10:5-7) Ata e bënë këtë duke u predikuar me zell judenjve dhe prozelitëve, sidomos pas festës së Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s.—Vep. 2:4, 5, 10, 11; 5:42; 6:7.

10 Më vonë, me anë të frymës së shenjtë, Jezui e shtriu veprën e predikimit për Mbretërinë te samaritanët dhe pastaj te jojudenjtë e tjerë. (Vep. 8:5, 6, 14-17; 10:19-22, 44, 45) Me qëllim që t’i jepte shtysë përhapjes së lajmit të mirë ndër kombe, Jezui veproi personalisht për ta nxitur Saulin nga Tarsi që të bëhej i krishterë. Jezui e udhëzoi dishepullin Anania: «Ngrihu, shko në rrugën që quhet E Drejtë, dhe kërko në shtëpinë e Judës një njeri nga Tarsi, që quhet Saul. . . . Shko, se ai njeri është për mua një enë e zgjedhur, që t’ua çojë emrin tim kombeve, mbretërve dhe bijve të Izraelit.» (Vep. 9:3-6, 10, 11, 15) «Ai njeri» u bë apostulli Pavël.—1 Tim. 2:7.

11. Si e zgjeroi Krishti veprën e predikimit nëpërmjet frymës së shenjtë?

11 Kur erdhi koha për të zgjeruar veprën e predikimit për Mbretërinë mes kombeve jojudaike, fryma e shenjtë e drejtoi Pavlin në udhëtimet misionare në Azinë e Vogël dhe Evropë. Tregimi i Lukës te Veprat thotë: «Ndërsa [profetët dhe mësuesit e krishterë në kongregacionin e Antiokisë së Sirisë] i shërbenin Jehovait dhe agjëronin, fryma e shenjtë tha: ‘Nga të gjithë, më ndani veç Barnabën dhe Saulin që të bëjnë veprën për të cilën i kam thirrur.’ Atëherë, ata agjëruan, u lutën, vunë duart mbi ta dhe i lanë të iknin.» (Vep. 13:2, 3) Jezui e kishte thirrur personalisht Saulin nga Tarsi që të ishte «një enë e zgjedhur» për t’ua çuar emrin e Tij kombeve, prandaj kjo shtysë e re për veprën e dëshmisë erdhi nga Krishti, Udhëheqësi i kongregacionit. Që Jezui po përdorte frymën e shenjtë për të drejtuar veprën, u bë e qartë pa asnjë pikë dyshimi gjatë udhëtimit të dytë misionar të Pavlit. Tregimi thotë se «Jezui nëpërmjet frymës», domethënë frymës së shenjtë, i udhëhoqi Pavlin dhe shokët e tij të udhëtimit të zgjidhnin itinerarin që do të ndiqnin dhe një vegim i drejtoi ata të shkonin në Evropë.—Lexo Veprat 16:6-10.

Udhëheqja e Jezuit mbi kongregacionin

12, 13. Si tregon libri i Zbulesës se Krishti ndjek nga afër atë që ndodh në çdo kongregacion?

12 Jezui e ndiqte nga afër atë që po ndodhte brenda kongregacioneve me dishepuj të mirosur në shekullin e parë të e.s. Ai e njihte mirë gjendjen frymore të çdo kongregacioni. Kjo duket qartë kur lexojmë kapitujt 2 dhe 3 të Zbulesës. Ai përmend me emër shtatë kongregacione, të cilat ndodheshin të gjitha në Azinë e Vogël. (Zbul. 1:11) Kemi çdo arsye për të besuar se e njihte po kaq mirë gjendjen frymore të kongregacioneve të tjera të asaj kohe.—Lexo Zbulesën 2:23.

13 Jezui i lavdëroi disa kongregacione për qëndrueshmërinë, besueshmërinë nën sprova, besnikërinë ndaj fjalës së tij dhe refuzimin e apostatëve. (Zbul. 2:2, 9, 13, 19; 3:8) Nga ana tjetër, u dha këshilla të prera disa kongregacioneve, sepse dashuria e tyre për të ishte ftohur dhe ata toleronin idhujtarinë, kurvërinë e sektarizmin. (Zbul. 2:4, 14, 15, 20; 3:15, 16) Si një mbikëqyrës frymor i dashur—madje edhe për ata që u dha këshilla të forta—Jezui tha: «Të gjithë ata që i kam për zemër, unë i qortoj dhe i disiplinoj. Prandaj, ji i zellshëm dhe pendohu.» (Zbul. 3:19) Megjithëse ishte në qiell, Jezui po i udhëhiqte kongregacionet në tokë me anë të frymës së shenjtë. Në fund të mesazheve drejtuar atyre kongregacioneve, ai deklaroi: «Kush ka veshë, le të dëgjojë çfarë u thotë fryma kongregacioneve.»—Zbul. 3:22.

14-16. (a) Si ka treguar Jezui se është një Udhëheqës i guximshëm i popullit të Jehovait në tokë? (b) Çfarë rezultati ka ardhur ngaqë Jezui ka qenë «me» dishepujt «gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit»? (c) Çfarë do të marrim në shqyrtim në artikullin vijues?

14 Kemi parë se Mikaeli (Jezui) tregoi që ishte një Udhëheqës engjëllor i guximshëm i Izraelit. Më vonë, Jezui ishte një Udhëheqës i guximshëm dhe Bari i dashur i dishepujve të tij të hershëm. Gjatë shërbimit në tokë, ai mori drejtimin në veprën e predikimit dhe, pas ringjalljes, mbikëqyri nga afër përhapjen e lajmit të mirë për Mbretërinë.

15 Nëpërmjet frymës së shenjtë, në fund Jezui do ta shtrinte veprën e dëshmisë deri në skajet e tokës. Para se të ngjitej në qiell, Jezui u tha dishepujve: «Kur fryma e shenjtë të vijë mbi ju, do të merrni fuqi e do të jeni dëshmitarët e mi në Jerusalem, në mbarë Judenë, në Samari e deri në skajin më të largët të tokës.» (Vep. 1:8; lexo 1 Pjetrit 1:12.) Nën drejtimin e Krishtit, në shekullin e parë u dha një dëshmi e jashtëzakonshme.—Kolos. 1:23.

16 Por vetë Jezui tregoi se kjo vepër do të vazhdonte në kohën e fundit. Pasi u dha ithtarëve të tij caktimin që të predikonin dhe të bënin dishepuj nga të gjitha kombet, Jezui u premtoi: «Unë jam me ju gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit.» (Mat. 28:19, 20) Që kur u vendos në pushtetin mbretëror në vitin 1914, Krishti është më shumë se kurrë «me» dishepujt dhe është gjithnjë e më aktiv si Udhëheqës i tyre. Aktiviteti i tij intensiv që nga viti 1914, do të merret në shqyrtim në artikullin vijues.

[Shënimi]

Pyetje për rishikim

• Si tregoi Biri i Perëndisë se ishte një Udhëheqës aktiv në Izrael?

• Si e udhëheq Krishti kongregacionin e tij në tokë?

• Si e ka drejtuar Krishti përhapjen e lajmit të mirë?

• Ç’gjë e tregon se Krishti e ndjek nga afër gjendjen frymore të çdo kongregacioni?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 21]

«Unë po dërgoj një engjëll përpara teje»

[Figura në faqen 23]

Ashtu si në të kaluarën, Krishti përdor ‘dhuratat në njerëz’ për të kullotur kopenë e tij