Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Për çfarë të lutemi?

Për çfarë të lutemi?

NJIHET si lutja që përsëritet më shpesh nga të gjithë të krishterët. Qoftë e vërtetë apo jo, lutja model e Jezuit—nganjëherë e quajtur «Ati ynë»—është pa dyshim një ndër lutjet që keqkuptohet më shumë. Miliona njerëz i pëshpëritin fjalët e saj përmendsh, ndoshta shpeshherë gjatë ditës. Por, Jezui kurrë nuk kishte ndër mend që lutja të përdorej në këtë mënyrë. Si e dimë?

Pikërisht para se ta përmendte atë lutje, Jezui tha: «Kur të lutesh, mos thuaj gjithnjë të njëjtat gjëra.» (Mateu 6:7) A po e kundërshtonte veten Jezui kur dha një varg fjalësh që të mësoheshin përmendsh e të përsëriteshin? Sigurisht që jo! Në vend të kësaj, Jezui po na mësonte për çfarë të lutemi dhe po na tregonte qartë se cilave gjëra duhet t’u japim përparësi kur lutemi. Le t’u hedhim një sy më nga afër fjalëve që tha. Lutja është dokumentuar te Mateu 6:9-13.

«Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt.»

Kështu Jezui u kujtoi dishepujve se të gjitha lutjet i duhen drejtuar Atit të tij, Jehovait. Por, a e di pse është kaq i rëndësishëm emri i Perëndisë dhe pse duhet shenjtëruar ose të bëhet i shenjtë?

Që në fillim të historisë njerëzore, emrit të shenjtë të Perëndisë i është hedhur baltë. Kundërshtari i Perëndisë, Satanai, e ka quajtur Jehovain gënjeshtar dhe Sundimtar egoist që s’ka fare të drejtë të sundojë krijimin e Tij. (Zanafilla 3:1-6) Shumë e kanë përkrahur Satanain, duke mësuar se Perëndia është i ftohtë, mizor dhe hakmarrës ose duke e mohuar si Krijues. Madje të tjerë kanë sulmuar emrin e tij, duke e hequr emrin Jehova nga përkthimet e Biblës dhe duke e ndaluar përdorimin e tij.

Bibla tregon se Perëndia do t’i ndreqë të gjitha këto padrejtësi. (Ezekieli 39:7) Në këtë mënyrë, ai do t’i plotësojë të gjitha nevojat e tua dhe do t’i zgjidhë të gjitha problemet që ke. Si? Fjalët vijuese në lutjen e Jezuit na japin përgjigjen.

«Ardhtë mbretëria jote.»

Sot ka shumë pështjellim mes mësuesve fetarë për Mbretërinë e Perëndisë. Por, siç e dinin dëgjuesit e Jezuit, profetët e Perëndisë e kishin parathënë shumë kohë më përpara se Mesia, një Shpëtimtar i zgjedhur nga Perëndia, do të sundonte një Mbretëri që do të ndryshonte botën. (Isaia 9:6, 7; Danieli 2:44) Ajo do të shenjtërojë emrin e Perëndisë duke nxjerrë në shesh gënjeshtrat e Satanait dhe duke e mposhtur atë bashkë me të gjitha veprat e tij. Mbretëria e Perëndisë do t’u japë fund luftërave, sëmundjeve, zisë së bukës, madje edhe vdekjes. (Psalmi 46:9; 72:12-16; Isaia 25:8; 33:24) Kur lutesh që të vijë Mbretëria e Perëndisë, po lutesh që të realizohen të gjitha këto premtime.

«U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë.»

Fjalët e Jezuit tregojnë se vullneti i Perëndisë me siguri do të bëhet në tokë, ashtu si është bërë në qiell, ku banon Perëndia. Asgjë s’e ka penguar kryerjen e vullnetit të Perëndisë në qiell, ku Biri i Perëndisë luftoi kundër Satanait dhe përkrahësve të tij e i hodhi poshtë në tokë. (Zbulesa 12:9-12) Kjo kërkesë e tretë e lutjes model, ashtu si dy të parat, na ndihmon të përqendrohemi tek ajo që ka më shumë rëndësi: te vullneti i Perëndisë, jo tek yni. Është ky vullnet që gjithmonë sjell më të mirën për tërë krijimin. Prandaj, edhe njeriu i përsosur Jezu i tha Atit të tij: «Le të mos bëhet vullneti im, por yti.»​—Luka 22:42.

«Na e jep bukën për këtë ditë.»

Më pas, Jezui tregoi se mund të lutemi edhe për nevojat tona. Nuk ka asgjë të keqe t’i lutemi Perëndisë për nevojat tona të përditshme. Në fakt, kjo mënyrë të vepruari na kujton se Jehovai është ai që «u jep të gjithëve jetë, frymë dhe gjithçka». (Veprat 17:25) Bibla zbulon se ai është një prind i dashur që kënaqet kur u jep fëmijëve gjërat për të cilat kanë nevojë. Gjithsesi, ashtu si një prind i mirë, ai nuk do t’i plotësojë kërkesat që nuk janë në dobi të tyre.

«Na i fal mëkatet.»

A i je vërtet borxhli Perëndisë? A ke nevojë për faljen e tij? Sot, shumë veta nuk e kuptojnë më çfarë është vërtet mëkati dhe sa serioz është. Por Bibla mëson se mëkati është rrënja e halleve tona më të mëdha, sepse është shkaku kryesor i vdekjes së njerëzve. Meqenëse kemi lindur në mëkat, të gjithë mëkatojmë vazhdimisht dhe shpresa jonë e vetme për një të ardhme të përhershme varet nga falja e Perëndisë. (Romakëve 3:23; 5:12; 6:23) Sa të lehtësuar ndihemi kur mësojmë se Bibla thotë: «Ti, o Jehova, je i mirë dhe gati të falësh.»​—Psalmi 86:5.

«Na çliro nga i ligu.»

A e kupton sa nevojë të ngutshme ke për mbrojtjen e Perëndisë? Shumë njerëz nuk duan të besojnë se «i ligu», Satanai, ekziston vërtet. Por Jezui mësoi se Satanai është real, madje e quajti «sundimtari i kësaj bote». (Gjoni 12:31; 16:11) Satanai e ka korruptuar këtë botë, të cilën e ka nën kontroll, dhe mezi pret të të korruptojë edhe ty, që të mos zhvillosh një marrëdhënie të ngushtë me Atin tënd, Jehovain. (1 Pjetrit 5:8) Megjithatë, Jehovai është shumë më i fortë se Satanai dhe më se i gatshëm t’i mbrojë ata që e duan.

Kjo përmbledhje e shkurtër e pikave kryesore të lutjes model të Jezuit nuk i trajton të gjitha temat për të cilat mund të lutemi. Sill ndër mend se 1 Gjonit 5:14 na thotë për Perëndinë: «Çfarëdo që të kërkojmë sipas vullnetit të tij, ai na dëgjon.» Prandaj mos mendo se hallet e tua janë tepër të parëndësishme për t’ia parashtruar Perëndisë në lutje.​—1 Pjetrit 5:7.

Por ç’të themi për kohën dhe vendin ku lutemi? A ka rëndësi se kur dhe ku lutemi?