Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Kush ka arritur të njohë mendjen e Jehovait?»

«Kush ka arritur të njohë mendjen e Jehovait?»

«Kush ka arritur të njohë mendjen e Jehovait?»

«‘Kush ka arritur të njohë mendjen e Jehovait, që ta mësojë atë’? Por ne kemi mendjen e Krishtit.»—1 KOR. 2:16.

1, 2. (a) Ç’vështirësi hasin shumë njerëz? (b) Çfarë kemi nevojë të kujtojmë për mënyrën tonë të të menduarit dhe për atë të Jehovait?

A E KE pasur ndonjëherë të vështirë të kuptosh mënyrën e të menduarit të dikujt? Ndoshta je martuar kohët e fundit dhe ndihesh sikur nuk mund ta kuptosh plotësisht çfarë mendon bashkëshorti yt. Në fakt, burrat dhe gratë mendojnë e madje flasin ndryshe. Në disa kultura, burrat flasin një dialekt krejt të ndryshëm nga ai i grave. Përveç kësaj, ndryshimet në kulturë e në gjuhë mund të sjellin mënyra të ndryshme të menduari dhe sjelljeje. Megjithatë, sa më shumë t’i njohësh të tjerët, aq më shumë mundësi ke të fillosh të kuptosh mënyrën e tyre të të menduarit.

2 Prandaj, nuk duhet të habitemi që mënyra jonë e të menduarit është krejt ndryshe nga ajo e Jehovait. Nëpërmjet profetit Isaia, Jehovai u tha izraelitëve: «Mendimet tuaja nuk janë mendimet e mia dhe as udhët tuaja nuk janë udhët e mia.» Pastaj, për ta ilustruar këtë fakt, Jehovai tha më tej: «Ashtu si qiejt qëndrojnë më lart se toka, edhe udhët e mia janë më lart se udhët tuaja, dhe mendimet e mia më lart se mendimet tuaja.»—Isa. 55:8, 9.

3. Cilat janë dy mënyra se si mund të përpiqemi të kemi ‘një miqësi të ngushtë me Jehovain’?

3 Por, a do të thotë kjo se as nuk duhet të përpiqemi të kuptojmë mënyrën e të menduarit të Jehovait? Jo. Megjithëse kurrë nuk mund të kuptojmë plotësisht të gjitha mendimet e Jehovait, prapëseprapë Bibla na nxit të kemi «një miqësi të ngushtë me të». (Lexo Psalmin 25:14; Proverbat 3:32.) Një mënyrë si mund t’i afrohemi më shumë Jehovait është duke mos i shpërfillur veprat e tij, por duke u kushtuar vëmendje, siç janë dokumentuar në Fjalën e tij, Biblën. (Psal. 28:5) Një mënyrë tjetër është duke arritur të njohim «mendjen e Krishtit», i cili është «shëmbëlltyra e Perëndisë së padukshëm». (1 Kor. 2:16; Kolos. 1:15) Duke lënë kohë për të studiuar tregimet biblike dhe për të medituar rreth tyre, mund të fillojmë të kuptojmë cilësitë e Jehovait dhe mënyrën e tij të të menduarit.

Të ruhemi nga një prirje e gabuar

4, 5. (a) Cilën prirje të gabuar duhet të shmangim? Shpjego. (b) Në grackën e cilës mënyrë të menduari të gabuar ranë izraelitët?

4 Kur meditojmë për veprat e Jehovait, duhet të shmangim prirjen për ta gjykuar atë sipas standardeve njerëzore. Kjo prirje nënkuptohet në fjalët e Jehovait të dokumentuara te Psalmi 50:21: «Ti kujtoje se do të bëhesha patjetër si ti.» Është siç tha një studiues biblik mbi 175 vjet më parë: «Njerëzit priren ta gjykojnë Perëndinë sipas standardeve të tyre dhe të mendojnë se ai kufizohet nga të njëjtat ligje që sipas tyre duhen ndjekur.»

5 Duhet të kemi kujdes që pikëpamja jonë për Jehovain të mos përcaktohet nga standardet dhe dëshirat tona. Pse është e rëndësishme kjo? Po ja, ndërsa studiojmë Shkrimet, disa nga veprimet e Jehovait mund të mos duken plotësisht të drejta nga pikëpamja jonë e kufizuar dhe e papërsosur. Izraelitët e lashtë ranë në grackën e kësaj mënyre të menduari dhe nxorën një përfundim të gabuar për mënyrën si vepronte Jehovai me ta. Vër re se çfarë u tha Jehovai atyre: «Ju do të thoni: ‘Udha e Jehovait nuk është e drejtë.’ Dëgjoni, ju lutem, o shtëpi e Izraelit! Udha ime nuk është e drejtë apo udhët tuaja?»—Ezek. 18:25.

6. Ç’mësim nxori Jobi dhe si mund të nxjerrim dobi nga përvoja e tij?

6 Një faktor i rëndësishëm për të mos e gjykuar Jehovain sipas standardeve tona, është të pranojmë se pikëpamja jonë është e kufizuar dhe ndonjëherë fare e gabuar. Jobi kishte nevojë ta mësonte këtë. Gjatë vuajtjeve të tij, Jobi luftonte me ndjenjat e dëshpërimit dhe u përqendrua disi tepër te vetja. Humbi nga sytë çështjet më të rëndësishme. Por, Jehovai e ndihmoi me dashuri ta zgjeronte pikëpamjen e tij. Duke i bërë mbi 70 pyetje, të cilave Jobi nuk mund t’u përgjigjej, Jehovai theksoi kufizimet e kuptueshmërisë së Jobit. Jobi reagoi me përulësi, duke e ndrequr pikëpamjen e vet.—Lexo Jobin 42:1-6.

Si të kemi «mendjen e Krishtit»?

7. Pse shqyrtimi i gjërave që bëri Jezui do të na ndihmojë të kuptojmë mënyrën e të menduarit të Jehovait?

7 Jezui imitoi në mënyrë të përsosur Atin në gjithçka që tha e bëri. (Gjoni 14:9) Prandaj, shqyrtimi i gjërave që bëri Jezui do të na ndihmojë të kuptojmë mënyrën e të menduarit të Jehovait. (Rom. 15:5; Filip. 2:5) Atëherë, le të shqyrtojmë dy tregime nga ungjijtë.

8, 9. Sipas Gjonit 6:1-5, cila situatë e shtyu Jezuin t’i bënte Filipit një pyetje, dhe pse veproi kështu Jezui?

8 Përfytyro skenën. Ishte vetëm pak kohë para Pashkës së vitit 32 të e.s. Apostujt e Jezuit sapo ishin kthyer nga një fushatë e jashtëzakonshme predikimi anembanë Galilesë. Meqë ishin të lodhur nga e gjithë kjo, Jezui i çoi në një vend të veçuar në bregun verilindor të detit të Galilesë. Mirëpo, mijëra njerëz i ndoqën. Pasi Jezui e shëroi këtë turmë dhe u mësoi shumë gjëra, lindi një problem. Si mund të gjenin këta njerëz diçka për të ngrënë në këtë vend kaq të veçuar? Duke e kuptuar këtë nevojë, Jezui e pyeti Filipin, i cili ishte nga ajo zonë: «Ku do të blejmë bukë që të hanë këta?»—Gjoni 6:1-5.

9 Pse Jezui i bëri Filipit këtë pyetje? A ishte i shqetësuar Jezui sepse nuk dinte çfarë të bënte? Jo. Çfarë po mendonte në të vërtetë? Apostulli Gjon, që ishte i pranishëm, shpjegon: «[Jezui] e tha këtë për ta vënë në provë, sepse ai vetë e dinte se ç’do të bënte pas pak.» (Gjoni 6:6) Këtu Jezui vuri në provë përparimin frymor të dishepujve. Duke bërë këtë pyetje, u tërhoqi vëmendjen dhe u dha mundësinë të shprehnin besimin e tyre në atë që ishte në gjendje të bënte. Por ata e humbën këtë rast dhe treguan se sa e kufizuar ishte në të vërtetë pikëpamja e tyre. (Lexo Gjonin 6:7-9.) Atëherë, Jezui u tregoi se mund të bënte diçka që ata as e kishin imagjinuar. Në mënyrë të mrekullueshme i ushqeu ata mijëra njerëz të uritur.—Gjoni 6:10-13.

10-12. (a) Pse Jezui mund të mos ia ketë plotësuar menjëherë kërkesën gruas greke? Shpjego. (b) Çfarë do të shqyrtojmë tani?

10 Ky tregim mund të na ndihmojë të kuptojmë mënyrën e të menduarit të Jezuit në një rast tjetër. Pak kohë pasi ushqeu këtë grup të madh me njerëz, Jezui dhe apostujt shkuan në veri, përtej kufijve të Izraelit, në afërsi të Tirit dhe Sidonit. Ndërsa ishin atje, takuan një grua greke që iu përgjërua Jezuit t’i shëronte vajzën. Në fillim, Jezui nuk i kushtoi vëmendje asaj gruaje. Por kur ajo vazhdoi të këmbëngulte, Jezui i tha: «Le të ngopen më parë fëmijët, sepse nuk është e drejtë të marrësh bukën e fëmijëve e t’ua hedhësh këlyshëve të qenve.»—Mar. 7:24-27.

11 Pse në fillim Jezui nuk pranoi ta ndihmonte këtë grua? A po e vinte në provë, siç bëri me Filipin, që të shihte si do të reagonte, duke i dhënë mundësi të tregonte besimin e saj? Toni i zërit të tij, ndonëse nuk tregohet në tekstin e shkruar, nuk e shkurajoi gruan. Përdorimi i frazës «këlyshëve të qenve», e zbuti krahasimin. Pra, Jezui ndoshta po vepronte si një prind që ka ndër mend t’i plotësojë një kërkesë fëmijës, por nuk e tregon menjëherë qëllimin e tij, që të vërë në provë vendosmërinë e fëmijës. Sido që të ketë qenë, pasi gruaja shprehu besimin e saj, Jezui ia plotësoi me gatishmëri kërkesën.—Lexo Markun 7:28-30.

12 Këto dy tregime nga ungjijtë na japin kuptueshmëri të çmuar për «mendjen e Krishtit». Le të shohim tani se si mund të na ndihmojnë këto tregime që të kuptojmë më mirë mendjen e Jehovait.

Mënyra si veproi Jehovai me Moisiun

13. Si na ndihmon kuptueshmëria për mënyrën e të menduarit të Jezuit?

13 Kuptueshmëria për mënyrën e të menduarit të Jezuit, na ndihmon të kuptojmë fragmente në Shkrime që mund të jenë të vështira për t’u kapur. Për shembull, shqyrto fjalët që Jehovai ia drejtoi Moisiut pasi izraelitët kishin bërë një viç të artë për të adhuruar. Perëndia tha: «Kam parë që ky është një popull me qafë të fortë. E pra, lërmë të më ndizet zemërimi kundër tyre e t’i shfaros, dhe të të bëj ty një komb të madh.»—Dal. 32:9, 10.

14. Si reagoi Moisiu ndaj fjalëve të Jehovait?

14 Tregimi thotë më tej: «Moisiu u përpoq të zbuste zemërimin e Jehovait dhe i tha: “Përse, o Jehova, të të ndizet zemërimi kundër popullit tënd, që e nxore nga vendi i Egjiptit me fuqi të madhe dhe me dorë të fortë? Përse të thonë egjiptianët: ‘I nxori për qëllime të këqija, që t’i vriste mes maleve e t’i shfaroste nga faqja e dheut.’ Hiq dorë nga zemërimi yt i zjarrtë, të të vijë keq dhe mos ia bëj këtë popullit tënd. Kujto Abrahamin, Isakun dhe Izraelin, shërbëtorët e tu, të cilëve iu betove për veten tënde dhe u the: ‘Do ta shumoj farën tuaj si yjet e qiellit, dhe gjithë vendin për të cilin fola, do t’ia jap farës suaj, që ta zotërojnë përgjithmonë.’” Prandaj, Jehovait nisi t’i vinte keq për atë që kishte thënë se do t’i bënte popullit të tij.»—Dal. 32:11-14. *

15, 16. (a) Cila mundësi iu dha Moisiut për shkak të asaj që tha Jehovai? (b) Në ç’kuptim Jehovait ‘i erdhi keq’?

15 A ishte vërtet e nevojshme që Moisiu të ndreqte mënyrën e të menduarit të Jehovait? Patjetër që jo! Ndonëse Jehovai shprehu atë që ishte i prirur të bënte, ky nuk ishte gjykimi i tij përfundimtar. Në fakt, Jehovai këtu po vinte në provë Moisiun, ashtu siç bëri më vonë Jezui me Filipin dhe gruan greke. Moisiut iu dha një mundësi për të shprehur pikëpamjen e tij. * Jehovai e kishte caktuar Moisiun si ndërmjetës mes Izraelit e Atij vetë, dhe Jehovai e respektonte rolin që i kishte caktuar Moisiut. A do të ndikohej Moisiu nga zhgënjimi që pati prej izraelitëve? A do të përfitonte nga ky rast që ta nxiste Jehovain ta harronte Izraelin dhe të bënte një komb të fuqishëm nga pasardhësit e Moisiut?

16 Përgjigjja e Moisiut zbuloi besimin që kishte në drejtësinë e Jehovait. Reagimi i tij nuk tregoi interes egoist, por merak për emrin e Jehovait. Ai nuk donte që ky emër të përgojohej. Kështu Moisiu tregoi se e kuptonte «mendjen e Jehovait» në lidhje me këtë çështje. (1 Kor. 2:16) Cili ishte rezultati? Ngaqë Jehovai nuk kishte vendosur përfundimisht të vepronte në njëfarë mënyre, tregimi i frymëzuar thotë se atij «nisi t’i vinte keq». Në hebraisht, kjo shprehje mund të nënkuptojë thjesht se Jehovai nuk e solli gjëmën që tha se ishte i prirur të sillte kundër tërë kombit.

Mënyra si veproi Jehovai me Abrahamin

17. Si tregoi Jehovai durim të madh kur Abrahami i shprehu shqetësimet e tij?

17 Një shembull tjetër se si Jehovai u jep shërbëtorëve të tij një mundësi që të shprehin besimin e tyre, përfshin kërkesën e Abrahamit për Sodomën. Në këtë rast, Jehovai tregoi durim të madh duke e lejuar Abrahamin të bënte tetë pyetje radhazi. Në njëfarë pike, Abrahami bën këtë thirrje të zjarrtë: «As që mund të mendohet kurrë që ti të veprosh kështu: të vrasësh të drejtin bashkë me të ligun, dhe të drejtit t’i ndodhë ashtu siç i ndodh edhe të ligut! S’mund të mendohet kurrë për ty! A nuk do të bëjë atë që është e drejtë Gjykatësi i gjithë tokës?»—Zan. 18:22-33.

18. Çfarë mësojmë nga mënyra si veproi Jehovai me Abrahamin?

18 Çfarë mësojmë për mënyrën e të menduarit të Jehovait nga ky tregim? Për të marrë vendimin e duhur, a kishte nevojë Jehovai që Abrahami të arsyetonte me të? Jo. Natyrisht, Jehovai mund të kishte thënë thjesht, që në fillim, arsyet e vendimit të tij. Por nëpërmjet këtyre pyetjeve, Jehovai i dha kohë Abrahamit të pranonte vendimin dhe të kuptonte mënyrën e Tij të të menduarit. Gjithashtu, Abrahami kishte mundësi të kuptonte sa e madhe ishte dhembshuria dhe drejtësia e Jehovait. Po, Jehovai veproi me Abrahamin si me një mik.—Isa. 41:8; Jak. 2:23.

Mësime për ne

19. Si mund ta imitojmë Jobin?

19 Çfarë kemi mësuar për «mendjen e Jehovait»? Kemi nevojë ta lejojmë Fjalën e Perëndisë të na modelojë kuptueshmërinë për mendjen e tij. Kurrë nuk duhet ta gjykojmë Jehovain sipas pikëpamjes sonë të kufizuar, standardeve tona dhe mënyrës sonë të të menduarit. Jobi tha: «[Perëndia] nuk është njeri si unë, që t’i përgjigjem, e të dalim bashkë në gjyq.» (Jobi 9:32) Ashtu si Jobi, kur fillojmë të kuptojmë mendjen e Jehovait, nuk mund të bëjmë gjë tjetër veçse të thërrasim: «E pra, këto s’janë veç thekët e udhëve të tij. Ne dëgjojmë veç pëshpërimën e zërit të tij, por bubullimën që lëshon ai, kush mund ta kuptojë?»—Jobi 26:14.

20. Çfarë duhet të bëjmë nëse hasim një fragment biblik që e kemi të vështirë ta kuptojmë?

20 Teksa lexojmë Shkrimet, çfarë duhet të bëjmë nëse hasim një fragment që është i vështirë për t’u kuptuar, sidomos në lidhje me mënyrën e të menduarit të Jehovait? Nëse, edhe pasi kemi bërë kërkime rreth kësaj çështjeje nuk kemi një përgjigje të qartë, mund ta shohim këtë si një provë të besimit tonë te Jehovai. Kujto se ndonjëherë disa pohime na japin mundësi të tregojmë besimin te cilësitë e Jehovait. Le të pranojmë përulësisht se nuk e kuptojmë gjithçka që bën ai. (Ekl. 11:5) Kështu do të nxitemi të pajtohemi me këto fjalë të apostullit Pavël: «O thellësi e pasurisë, e mençurisë dhe e njohurisë së Perëndisë! Sa të pahetueshme janë gjykimet e tij dhe sa të pagjurmueshme janë udhët e tij! Sepse ‘kush ka arritur ta njohë mendjen e Jehovait apo kush është bërë këshilltar i tij’? Ose ‘kush i ka dhënë atij i pari, që t’i shpërblehet’? Sepse nga ai, me anë të tij dhe për të, janë të gjitha gjërat. Atij i qoftë lavdia përgjithmonë! Amin!»—Rom. 11:33-36.

[Shënimet]

^ par. 14 Një tregim i ngjashëm ndodhet te Numrat 14:11-20.

^ par. 15 Sipas disa studiuesve, idioma hebraike që është përkthyer «lërmë» te Dalja 32:10, mund të merret si një ftesë, një sugjerim për Moisiun që të lejohej të ndërmjetësonte ose ‘të dilte përpara si ndërmjetës tek e çara’ mes Jehovait dhe kombit. (Psal. 106:23; Ezek. 22:30) Sido që të jetë, me siguri Moisiu u ndie i qetë për t’ia shprehur lirshëm mendimin Jehovait.

A të kujtohet?

• Çfarë do të na ndihmojë të shmangim prirjen për ta gjykuar Jehovain sipas standardeve tona?

• Në ç’mënyrë kuptueshmëria për gjërat që bëri Jezui, do të na ndihmojë të kemi ‘një miqësi të ngushtë me Jehovain’?

• Cilat mësime nxore nga bisedat e Jehovait me Moisiun dhe Abrahamin?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 5]

Çfarë mësojmë për mënyrën e të menduarit të Jehovait nga mënyra si veproi me Moisiun dhe Abrahamin?