Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A ndihmoni për t’i bërë ndërtuese mbledhjet e krishtere?

A ndihmoni për t’i bërë ndërtuese mbledhjet e krishtere?

A ndihmoni për t’i bërë ndërtuese mbledhjet e krishtere?

«Kur mblidheni bashkë, . . . çdo gjë le të bëhet për ndërtim.» —1 KOR. 14:26.

1. Cili është një synim i rëndësishëm i mbledhjeve të krishtere sipas kapitullit 14 të 1 Korintasve?

«SA MBLEDHJE ndërtuese ishte!» A keni shprehur ndonjëherë ndjenja të tilla pas një mbledhjeje në Sallën e Mbretërisë? Pa dyshim që po! Mbledhjet e kongregacionit janë vërtet burim inkurajimi, por kjo nuk na habit. Në fund të fundit, ashtu si në ditët e të krishterëve të hershëm, një synim i rëndësishëm i mbledhjeve tona sot, është që të forcojnë frymësisht të gjithë të pranishmit. Vini re se si apostulli Pavël e thekson këtë synim specifik të mbledhjeve të krishtere në letrën e tij të parë drejtuar korintasve. Në gjithë kapitullin 14, ai thotë herë pas here se çdo pjesë që mbahet në mbledhjet e kongregacionit duhet të ketë të njëjtin synim: «Për ndërtimin e kongregacionit.»—Lexo 1 Korintasve 14:3, 12, 26. *

2. (a) Pse mbledhjet tona janë ndërtuese? (b) Cilën pyetje do të shqyrtojmë?

2 E kuptojmë se mbledhjet ndërtuese janë para së gjithash rezultat i ndikimit të frymës së Perëndisë. Për këtë arsye, e nisim çdo mbledhje të kongregacionit me një lutje të përzemërt drejtuar Jehovait, gjatë së cilës i kërkojmë Atit tonë qiellor të bekojë mbledhjen me anë të frymës së shenjtë. Megjithatë, e dimë se të gjithë pjesëtarët e kongregacionit mund të ndihmojnë për t’i bërë sa më ndërtuese mbledhjet. Atëherë, cilët janë disa hapa që mund të bëjmë personalisht për t’u siguruar që mbledhjet javore në Sallën e Mbretërisë të jenë gjithmonë burim freskimi dhe inkurajimi frymor?

3. Sa të rëndësishme janë mbledhjet e krishtere?

3 Për t’i dhënë përgjigje pyetjes, do të shqyrtojmë disa veçori të mbledhjeve që duhet t’i kenë parasysh ata që i drejtojnë. Po ashtu, do të shqyrtojmë se në ç’mënyrë kongregacioni si një i tërë mund të ndihmojë për t’i bërë mbledhjet raste nxitëse për të gjithë të pranishmit. Kjo temë na intereson shumë, sepse mbledhjet tona janë të shenjta. Po, ndjekja dhe pjesëmarrja në mbledhje janë aspekte të rëndësishme të adhurimit tonë ndaj Jehovait.—Psal. 26:12; 111:1; Isa. 66:22, 23.

Një mbledhje për studimin e Biblës

4, 5. Cili është synimi i Studimit të Kullës së Rojës?

4 Të gjithë duam të nxjerrim plotësisht dobi nga Studimi i Kullës së Rojës çdo javë. Prandaj, për të kuptuar qartë synimin kryesor të kësaj mbledhjeje, le të rishqyrtojmë disa ndryshime që janë bërë në revistën Kulla e Rojës dhe në artikujt e studimit.

5 Duke filluar me numrin e parë të botimit për studim të Kullës së Rojës, 15 janar 2008, në kapakun e përparmë u përfshi një detaj domethënës. A e vutë re? Shiheni mirë kapakun e revistës që keni në dorë. Rrëzë kullës, do të vëreni një Bibël të hapur. Kjo veçori e shtuar, thekson arsyen pse bëjmë Studimin e Kullës së Rojës. E bëjmë për të studiuar Biblën me ndihmën e kësaj reviste. Po, në Studimin e Kullës së Rojës çdo javë, ‘shtjellohet’ Fjala e Perëndisë dhe ashtu si në kohën e Nehemisë në lashtësi, ‘shpjegohet domethënia’ e saj.—Neh. 8:8; Isa. 54:13.

6. (a) Çfarë ndryshimi u bë në Studimin e Kullës së Rojës? (b) Çfarë duhet të mbajmë parasysh në lidhje me shkrimet e cilësuara «lexo»?

6 Meqë Bibla është libri ynë kryesor, u bë një ndryshim në Studimin e Kullës së Rojës. Disa shkrime në artikujt e studimit janë cilësuar me fjalën «lexo». Të gjithë nxitemi të ndjekim leximin e këtyre shkrimeve gjatë mbledhjes duke përdorur Biblën personale. (Vep. 17:11) Pse? Kur shohim këshillat e Perëndisë në Bibël, na lënë përshtypje më të thella. (Hebr. 4:12) Prandaj, përpara se të lexohen me zë këto shkrime, ai që drejton mbledhjen duhet t’u lërë kohë të mjaftueshme të gjithë të pranishmëve që t’i gjejnë këto shkrime dhe të ndjekin leximin e vargjeve.

Më tepër kohë për të shprehur besimin

7. Çfarë mundësie kemi gjatë Studimit të Kullës së Rojës?

7 Një tjetër ndryshim në artikujt e studimit të Kullës së Rojës ka të bëjë me gjatësinë e tyre. Vitet e fundit janë bërë më të shkurtër. Si rrjedhim, gjatë Studimit të Kullës së Rojës, harxhohet më pak kohë për leximin e paragrafëve dhe ka më tepër kohë për të komentuar. Tani në kongregacion më shumë të pranishëm kanë mundësi të shprehin publikisht besimin. Këtë mund ta bëjnë duke iu përgjigjur një pyetjeje të revistës, duke bërë një zbatim të një shkrimi, duke treguar një përvojë të shkurtër që ilustron sa e mençur është të ndjekim parimet biblike ose në mënyra të tjera. Ca kohë duhet harxhuar edhe për të diskutuar rreth figurave në revistë.—Lexo Psalmin 22:22; 35:18; 40:9.

8, 9. Cili është roli i drejtuesit të Studimit të Kullës së Rojës?

8 Megjithatë, do të kemi më tepër kohë për të dhënë një larmi komentesh vetëm nëse pjesëmarrësit do të komentojnë shkurt dhe drejtuesi i mbledhjes nuk do të komentojë shpesh gjatë Studimit të Kullës së Rojës. Atëherë, çfarë mund ta ndihmojë drejtuesin të gjejë ekuilibrin e duhur midis komenteve të tij dhe atyre të kongregacionit, në mënyrë që mbledhja të jetë ndërtuese për të gjithë?

9 Për t’u përgjigjur, le të shqyrtojmë një ilustrim. Një Studim i Kullës së Rojës i drejtuar mirë, është si një buqetë me lule që të kënaq syrin. Ashtu si një buqetë e madhe përbëhet nga shumë lule, edhe Studimi i Kullës së Rojës përbëhet nga shumë komente të ndryshme. Dhe, ashtu si lulet në një buqetë ndryshojnë për sa i përket madhësisë dhe ngjyrës, edhe komentet që jepen gjatë mbledhjes ndryshojnë për sa i përket gjatësisë dhe mënyrës si jepen. Cili është roli i drejtuesit? Komentet e tij që bëhen ndonjëherë, janë si disa degëza ose gjethe të gjelbërta që i shtohen me kujdes buqetës. Këto nuk mbizotërojnë, përkundrazi shërbejnë që të krijojnë një strukturë të buqetës dhe që ta bashkojnë në një të tërë. Në mënyrë të ngjashme, ai që drejton duhet të mbajë parasysh se roli i tij nuk është që të mbizotërojë, por që të plotësojë shprehjet e lavdisë që ofron kongregacioni. Po, kur komentet e shumta e të ndryshme të kongregacionit dhe shpjegimet e pakta, por me vend të drejtuesit, kombinohen bashkë me mjeshtëri, formojnë një buqetë të bukur me fjalë që do t’i kënaqin të gjithë të pranishmit.

«Le t’i paraqitim gjithnjë Perëndisë një flijim lëvdimi»

10. Si i shihnin të krishterët e hershëm mbledhjet e kongregacionit?

10 Përshkrimi që u bën Pavli mbledhjeve të krishtere te 1 Korintasve 14:26-33, na ndihmon të kuptojmë më mirë se si drejtoheshin këto mbledhje në shekullin e parë. Duke komentuar për këto vargje, një studiues biblik shkruan për mbledhjet e të krishterëve të hershëm se diçka vërtet e veçantë duhet të ketë qenë «se pothuajse të gjithë e ndienin se kishin privilegjin dhe detyrimin që të bënin pjesën e tyre. Një njeri nuk vinte me qëllimin e vetëm për të qenë një dëgjues pasiv, pra nuk vinte vetëm për të marrë, por për të dhënë.» Kështu, të krishterët e hershëm i shihnin mbledhjet e kongregacionit si mundësi për të shprehur besimin.—Rom. 10:10.

11. (a) Çfarë ndihmon shumë për t’i bërë mbledhjet ndërtuese dhe pse? (b) Zbatimi i cilave sugjerime mund të përmirësojë komentet tona në mbledhje? (Shih shënimin.)

11 Shprehjet tona të besimit në mbledhje ndihmojnë shumë për «ndërtimin e kongregacionit». Me siguri jeni dakord se, pavarësisht nga sa shumë vite i ndjekim mbledhjet, mbetet një kënaqësi e vërtetë të dëgjojmë komentet e vëllezërve dhe motrave. Prekemi nga përgjigjja e përzemërt e një bashkëbesimtari besnik të moshuar, nxitemi nga një shpjegim plot kuptueshmëri i një plaku të dashur dhe buzëqeshim kur një fëmijë bën një koment spontan që shpreh dashuri të sinqertë për Jehovain. Është e qartë se duke komentuar, të gjithë ndihmojmë për t’i bërë ndërtuese mbledhjet e krishtere. *

12. (a) Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Moisiut dhe i Jeremisë? (b) Ç’rol ka lutja në bërjen e komenteve?

12 Mirëpo, ata që janë të ndrojtur mund ta kenë shumë të vështirë të komentojnë. Nëse është kështu me ty, mund të jetë e dobishme të kujtosh se situata jote nuk është e pazakontë. Në fakt, edhe shërbëtorë besnikë të Perëndisë, si Moisiu dhe Jeremia, shprehën pasiguri tek aftësia e tyre për të folur në publik. (Dal. 4:10; Jer. 1:6) Megjithatë, ashtu si Jehovai i ndihmoi ata shërbëtorë të lashtësisë që ta lëvdonin publikisht, do të të ndihmojë edhe ty që të paraqitësh flijime lëvdimi. (Lexo Hebrenjve 13:15.) Si mund të marrësh ndihmë nga Jehovai që të mposhtësh frikën për të komentuar? Së pari, përgatitu mirë për mbledhjen. Pastaj, para se të shkosh në Sallën e Mbretërisë, lutju Jehovait dhe kërkoji konkretisht që të të japë guximin për të komentuar. (Filip. 4:6) Po kërkon diçka që është «sipas vullnetit të tij», prandaj mund të jesh i sigurt se Jehovai do t’i përgjigjet lutjes sate.—1 Gjon. 5:14; Prov. 15:29.

Mbledhje që synojnë ‘të ndërtojnë, të japin zemër dhe të ngushëllojnë’

13. (a) Ç’ndikim duhet të kenë mbledhjet te të pranishmit? (b) Cila pyetje ka rëndësi të veçantë për pleqtë?

13 Pavli thotë se një qëllim i rëndësishëm i mbledhjeve të kongregacionit është që ‘t’i ndërtojnë, t’u japin zemër dhe t’i ngushëllojnë’ të pranishmit. * (1 Kor. 14:3.) Ç’mund të bëjnë pleqtë e krishterë sot që pjesët e tyre në mbledhje t’i ndërtojnë e t’i ngushëllojnë vërtet vëllezërit dhe motrat? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, le të shqyrtojmë një mbledhje që mbajti Jezui pak kohë pas ringjalljes.

14. (a) Cilat ngjarje i paraprinë mbledhjes që mbajti Jezui? (b) Pse apostujt duhet të jenë ndier të lehtësuar kur Jezui «u afrua dhe u foli atyre»?

14 Së pari, vini re ngjarjet që i paraprinë asaj mbledhjeje. Vetëm pak para se të vritej Jezui, apostujt «e braktisën dhe ikën» dhe, siç ishte parathënë, ‘u shpërndanë secili në shtëpinë e vet’. (Mar. 14:50; Gjoni 16:32) Pastaj, pas ringjalljes, Jezui i ftoi apostujt e tij zemërlëshuar të ndiqnin një mbledhje të veçantë. * Në përgjigje të ftesës së tij, «njëmbëdhjetë dishepujt shkuan në Galile, në atë mal që u kishte caktuar» Jezui. Kur mbërritën, Jezui «u afrua dhe u foli atyre». (Mat. 28:10, 16, 18, Diodati i Ri) Imagjinoni sa të lehtësuar duhet të jenë ndier apostujt kur Jezui mori iniciativën për t’u folur! Për çfarë foli ai me ta?

15. (a) Për çfarë foli Jezui, por për çfarë nuk diskutoi? (b) Si ndikoi ajo mbledhje tek apostujt?

15 Jezui filloi duke bërë një njoftim: «Më është dhënë çdo autoritet.» Pastaj u dha një caktim: «Shkoni dhe bëni dishepuj.» Në fund, me dashuri i siguroi: «Unë jam me ju gjithë ditët.» (Mat. 28:18-20) Por, a e vutë re se çfarë nuk bëri Jezui? Nuk i qortoi apostujt dhe as e përdori atë mbledhje për të vënë në dyshim motivet e tyre ose për t’i bërë të ndiheshin edhe më fajtorë duke përmendur dobësinë e tyre të përkohshme të besimit. Përkundrazi, Jezui i siguroi për dashurinë e tij dhe të Atit të tij duke u besuar një caktim të rëndësishëm. Si ndikoi tek apostujt mënyra si veproi Jezui? Ata u ndërtuan, morën zemër dhe u ngushëlluan aq shumë, sa ca kohë pas asaj mbledhjeje, përsëri po «mësonin dhe shpallnin pareshtur lajmin e mirë».—Vep. 5:42.

16. Si e imitojnë shembullin e Jezuit pleqtë e krishterë sot për të drejtuar mbledhje që janë burim freskimi?

16 Në imitim të Jezuit, pleqtë sot i shohin mbledhjet si mundësi që t’i sigurojnë bashkëbesimtarët për dashurinë e patundur që ka Jehovai për popullin e Tij. (Rom. 8:38, 39) Kështu, kur kanë pjesë në mbledhje, pleqtë përqendrohen te pikat e forta të vëllezërve e jo te dobësitë e tyre. Nuk vënë në dyshim motivet e vëllezërve. Përkundrazi, shprehjet e tyre tregojnë se i konsiderojnë bashkëbesimtarët si individë që e duan Jehovain dhe duan të bëjnë atë që është e drejtë. (1 Sel. 4:1, 9-12) Sigurisht, ndonjëherë pleqtë duhet të japin këshilla për të ndrequr kongregacionin në përgjithësi, por nëse vetëm pak individë kanë nevojë të ndreqen, këshilla të tilla zakonisht është më mirë të jepen në një bisedë personale me individët e përfshirë. (Gal. 6:1; 2 Tim. 2:24-26) Kur i drejtohen gjithë kongregacionit, pleqtë synojnë të japin lavdërime kurdoherë që është e përshtatshme. (Isa. 32:2) Ata përpiqen të flasin në mënyrë të tillë që, në fund të mbledhjes, të gjithë të pranishmit të ndihen të freskuar dhe plot energji.—Mat. 11:28; Vep. 15:32.

Një liman i sigurt

17. (a) Pse është më e rëndësishme se kurrë më parë që mbledhjet tona të jenë një liman i sigurt? (b) Çfarë mund të bëni personalisht për t’i bërë mbledhjet ndërtuese? (Shih kutinë «Dhjetë mënyra për t’i bërë mbledhjet ndërtuese për veten dhe për të tjerët».)

17 Ndërsa bota e Satanait bëhet gjithnjë e më shtypëse, duhet të sigurohemi që mbledhjet tona të krishtere të jenë një liman i sigurt—një burim ngushëllimi për të gjithë. (1 Sel. 5:11) Një motër që bashkë me burrin hasën një sprovë të rëndë disa vjet më parë, kujton: «Kur ishim në Sallën e Mbretërisë ndiheshim sikur ishim në krahët e dashur të Jehovait. Gjatë orëve që ishim atje, të rrethuar nga vëllezër dhe motra të krishterë, e ndienim se mund ta hidhnim barrën tonë te Jehovai dhe përjetonim qetësi të brendshme.» (Psal. 55:22) Urojmë që të gjithë ata që ndjekin mbledhjet tona të ndihen po kështu të inkurajuar dhe të ngushëlluar! Për ta bërë të mundur këtë, le të vazhdojmë të japim ndihmën tonë për t’i bërë ndërtuese mbledhjet e krishtere.

[Shënimet]

^ par. 1 Ishte parathënë se disa veçori të mbledhjeve të krishtere në shekullin e parë, do të pushonin. Për shembull, ne ‘nuk flasim më gjuhë të huaja’ ose ‘nuk profetizojmë’. (1 Kor. 13:8; 14:5) Pavarësisht nga kjo, udhëzimet e Pavlit na ndihmojnë të kuptojmë më mirë se si duhen zhvilluar mbledhjet e krishtere sot.

^ par. 11 Për sugjerime se si të përmirësojmë komentet tona në mbledhje, shih Kullën e Rojës, 1 shtator 2003, faqet 19-22.

^ par. 13 Për sa i përket ndryshimit midis fjalëve «jap zemër» dhe «ngushëlloj», një fjalor shpjegon se fjala greke e përkthyer «ngushëlloj» tregon «një masë më të madhe butësie sesa [jap zemër]». (Vine’s Expository Dictionary of Old and New Testament Words)—Krahaso Gjonin 11:19.

^ par. 14 Ky mund të ketë qenë rasti të cilit iu referua më vonë Pavli kur tha se Jezui «iu shfaq njëherësh më shumë se pesëqind vëllezërve».​—1 Kor. 15:6.

Si do të përgjigjeshit?

• Sa të rëndësishme janë mbledhjet e krishtere?

• Pse komentet në mbledhje ndihmojnë «për ndërtimin e kongregacionit»?

• Çfarë mund të mësojmë nga një mbledhje që mbajti Jezui me dishepujt?

[Pyetjet]

[Kutia dhe figurat në faqet 22, 23]

DHJETË MËNYRA PËR T’I BËRË MBLEDHJET NDËRTUESE PËR VETEN DHE PËR TË TJERËT

Përgatituni që më përpara. Kur studioni më përpara materialin që do të shqyrtohet në Sallën e Mbretërisë, mbledhjet do t’ju tërheqin më shumë dhe do t’ju lënë një përshtypje më të thellë.

Ndiqini rregullisht. Meqë një pjesëmarrje e madhe është më inkurajuese për gjithë të pranishmit, prania juaj është e rëndësishme.

Mbërrini në kohë. Po të uleni para se të fillojë programi, mund të merrni pjesë në këngën dhe lutjen hapëse, të cilat janë pjesë e adhurimit tonë ndaj Jehovait.

Shkoni të pajisur mirë. Merrni Biblën dhe botimin ose botimet që do të përdoren në mbledhje, në mënyrë që të ndiqni dhe të kuptoni më mirë atë që po shqyrtohet.

Shmangni shpërqendrimet. Për shembull, mesazhet në celular lexojini pas mbledhjeve e jo gjatë tyre. Kështu i mbani çështjet personale në vendin e duhur.

Merrni pjesë. Kur më shumë veta komentojnë, më shumë të pranishëm nxiten dhe ndërtohen nga shprehjet e ndryshme të besimit.

Bëni komente të shkurtra. Kjo krijon mundësi që të komentojnë sa më shumë veta.

Përmbushini caktimet. Si studentë në Shkollën e Shërbimit Teokratik ose si pjesëmarrës në Mbledhjen e Shërbimit, përgatituni mirë, bëni prova që më përpara dhe përpiquni fort të mos i anuloni caktimet.

Lavdërojini ata që kanë marrë pjesë. Thuajuni atyre që kanë mbajtur një pjesë në mbledhje ose që kanë komentuar, se sa i çmoni përpjekjet e tyre.

Shoqërohuni me të tjerët. Përshëndetjet e përzemërta dhe bisedat ndërtuese para dhe pas mbledhjeve, bëjnë që të kemi më shumë kënaqësi dhe dobi duke qenë të pranishëm.