Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si të kemi një familje të lumtur?

Fol me fëmijët e tu për seksin

Fol me fëmijët e tu për seksin

Një adoleshente e quajtur Alisa *, thotë: «Nganjëherë, thjesht jam kureshtare për diçka rreth seksit, por mendoj se, nëse i pyes prindërit, ata do të kujtojnë se jam përfshirë në një sjellje të keqe.»

Inesa, mamaja e Alisës, thotë: «Sa do të doja të ulesha e të flitja me vajzën për seksin, por ajo është kaq e zënë. Është e vështirë ta gjej në një moment të lirë.»

SOT, seksi gjendet kudo​—në televizor, në filma dhe i afishuar nëpër reklama. Duket se mungon vetëm në bisedën mes prindërve dhe fëmijëve, pasi konsiderohet ende tabu. «Sa do të doja që prindërit ta dinin sa nervozuese dhe e sikletshme është të flasësh me ta për seksin,—thotë Majkëlli, një adoleshent nga Kanadaja.—Është më e lehtë të flasësh me një shok.»

Shpesh, prindërit ngurrojnë po aq sa fëmijët e tyre të flasin për seksin. Debra Hafneri, specialiste në fushën e shëndetësisë, thotë në librin e saj, Beyond the Big Talk: «Shumë prindër më kanë thënë se i blinin fëmijës një libër për pjekurinë seksuale ose pubertetin, e linin në dhomën e fëmijës që ende s’kishte hyrë në adoleshencë dhe kurrë nuk ia përmendnin më.» Hafneri thotë se mesazhi për fëmijët është i qartë: «Ne duam që ta njihni trupin tuaj dhe të mësoni për seksin, por nuk duam të flasim për këtë temë.»

Nëse je prind, duhet të kesh qëndrim krejt tjetër. Vërtet, është tepër e rëndësishme të flasësh ti vetë me fëmijët për seksin. Shqyrto tri arsye për këtë:

  1. Koncepti që ka bota për seksin, ka ndryshuar. «Njerëzit nuk e mendojnë më seksin vetëm si marrëdhënie seksuale midis një burri e një gruaje,—thotë Xhejmsi, një 20-vjeçar.—Tani ka seks oral, seks anal, kiberseks, madje edhe ajo që quhet sexting *

  2. Ka të ngjarë që fëmijët e tu të keqinformohen që në moshë të njomë. «Ata do të dëgjojnë për seksin me të filluar shkollën dhe nuk do të kenë pikëpamjen që ti dëshiron t’u ngulitësh»,—thotë një nënë që quhet Shila.

  3. Fëmijët e tu kanë pyetje për seksin, por vështirë se do të të afrohen për të folur. «Sinqerisht, nuk e kam idenë si të filloj një bisedë me prindërit për seksin»,—thotë Ana 15-vjeçare nga Brazili.

Të flasësh me fëmijët e tu për seksin, është pjesë e përgjegjësisë që Perëndia të ka dhënë ty si prind. (Efesianëve 6:4) Vërtet, mund të jetë e sikletshme, si për ty, ashtu edhe për ata. Gjithsesi, po të shohim anën pozitive, shumë të rinj janë dakord me Danielën 14-vjeçare që thotë: «Ne duam të mësojmë për seksin nga prindërit tanë e jo nga ndonjë mësues a program televiziv.» Atëherë, si mund të flasësh me fëmijët e tu për këtë temë sa të rëndësishme, aq edhe të sikletshme? *

Në përputhje me moshën

Që në moshë të njomë, fëmijët do të dëgjojnë për seksin, përveçse nëse jetojnë në izolim të plotë. Edhe më shqetësues është fakti se në këto ‘ditë të fundit’, njerëzit e ligj po shkojnë «keq e më keq». (2 Timoteut 3:1, 13) Është e trishtueshme që shumë të rritur abuzojnë seksualisht me fëmijët.

Prandaj, është e rëndësishme të fillosh t’i mësosh fëmijët ndërsa janë ende të vegjël. «Nëse pret derisa t’i afrohen adoleshencës, ata mund të mos duan të flasin hapur, për shkak të druajtjes që vjen nga puberteti»,—thotë Renata, një nënë nga Gjermania. Çelësi është t’u japësh informacione të përshtatshme për moshën e tyre.

Për parashkollorët:

Përpiqu t’u mësosh emrat e duhur të organeve seksuale dhe thekso se askush s’duhet t’ua prekë ato organe. Hulja, një nënë nga Meksika, thotë: «Fillova ta mësoja djalin kur ishte tre vjeç. Vetëm ideja se mësuesit, dadot ose fëmijët më të rritur mund ta lëndonin, më merakoste jashtë mase. Ai duhej të dinte si të mbrohej nga të panjohurit.»

SUGJERIM: Stërvite fëmijën të përgjigjet me vendosmëri nëse dikush përpiqet të luajë me organet seksuale të tij ose të saj. Për shembull, mund ta mësosh fëmijën të thotë: «Mos më prek! Do t’u tregoj të tjerëve për këtë që po bën!» Siguroje fëmijën se është gjithmonë e përshtatshme të tregojë, edhe nëse personi premton dhurata ose e kërcënon. *

Për fëmijët e shkollës fillore:

Përdori këto vite si një mundësi për t’i dhënë fëmijës njohuri gradualisht. Një baba që quhet Piter, sugjeron: «Para se të fillosh një bisedë, kupto çfarë dinë dhe nëse duan të dinë më tepër. Mos i detyro të flasin. Ka të ngjarë që biseda të rrjedhë natyrshëm nëse kalon kohë rregullisht me fëmijët.»

SUGJERIM: Bëj biseda të shkurtra e të shpeshta, në vend se një bisedë të gjatë. (Ligji i përtërirë 6:6-9) Kështu, nuk do t’i mbytni me informacione fëmijët. Për më tepër, ndërsa rriten, do të kenë informacionet e nevojshme në përputhje me nivelin e pjekurisë.

Për adoleshentët:

Tani është koha të sigurohesh që fëmija yt të ketë njohuri të mjaftueshme për aspektet fizike, emocionale dhe morale që lidhen me seksin. «Djemtë dhe vajzat në shkollën time tashmë bëjnë seks sa për të kaluar kohën, pa ndonjë angazhim,—thotë Ana 15-vjeçare, e cituar më sipër.—Mendoj se si e krishterë, duhet të kem njohuri të mjaftueshme për këtë temë. Edhe pse mund të jetë e sikletshme të flasësh për seksin, është një temë për të cilën duhet të di diçka.» *

Kujdes: Adoleshentët mund të ngurrojnë të pyesin ngaqë kanë frikë se mos prindërit dyshojnë se janë përfshirë në sjellje të gabuar. Këtë kuptoi një prind me emrin Stiven. Ai thotë: «Djali ynë ngurronte të fliste për seksin. Por më vonë kuptuam se kishte frikë se mos dyshonim për sjelljen e tij. Ia bëmë të qartë se po flitnim me të për këto tema se donim të siguroheshim që të dinte aq sa të përballonte ndikimet e këqija përreth, dhe jo se dyshonim tek ai për ndonjë gjë.»

SUGJERIM: Në vend që ta pyesësh drejtpërdrejt adoleshentin për diçka specifike rreth seksit, pyete se çfarë mendojnë shokët dhe shoqet e klasës. Për shembull, mund t’i thuash: «Shumë veta mendojnë se seksi oral nuk është vërtet seks. Kështu mendojnë edhe shokët e tu?» Pyetje të tilla të tërthorta ka më shumë të ngjarë ta bëjnë adoleshentin të ndihet rehat dhe të shprehë mendimet e veta.

Të mposhtësh sikletin

Është e vërtetë, të flasësh me fëmijët për seksin mund të jetë një nga detyrat më të sikletshme që ke si prind. Por, ia vlen barra qiranë. Një nënë me emrin Dajana thotë: «Sikleti fashitet me kalimin e kohës dhe bisedat me fëmijët për seksin kthehen në raste për t’u lidhur më shumë me ta.» Stiveni i përmendur më parë është dakord me sa u tha më lart: «Bëhet më e lehtë të flasësh për tema të sikletshme si seksi, nëse e bën zakon të shprehesh pa rezerva për çdo lloj teme që lind në familje. Sikleti nuk zhduket kurrë krejtësisht, por ama, komunikimi i hapur është thelbësor për një familje të krishtere të shëndetshme.»

^ par. 3 Në këtë artikull emrat janë ndryshuar.

^ par. 8 Sexting është dërgimi i mesazheve, fotografive a videove që haptazi kanë përmbajtje seksuale, kryesisht me anë të celularit.

^ par. 11 Ky artikull tregon sa e nevojshme është të flasësh me fëmijët e tu për seksin. Një artikull i ardhshëm i kësaj serie do të tregojë si të përcjellësh vlera morale në biseda të tilla.

^ par. 16 Përshtatur nga faqja 171 e librit Të mësojmë nga Mësuesi i Madh, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 19 Për të diskutuar me fëmijët e tu adoleshentë rreth seksit, përdor kapitujt 1-5, 28, 29 dhe 33 të librit Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, vëllimi 2, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

SI DO TË PËRGJIGJESHE?

Lexo komentet e mëposhtme nga të rinj përreth botës, dhe më pas mendo si do t’u përgjigjeshe pyetjeve shoqëruese.

«Prindërit më thonë të lexoj artikuj për seksin dhe më pas t’u afrohem për ndonjë pyetje që mund të kem. Por do të doja të flitnin më shumë me mua për këtë.»​—Ana nga Brazili.

Pse mendon se është e rëndësishme të bësh më tepër se sa thjesht t’i japësh fëmijës diçka për të lexuar?

«Di kaq shumë gjëra për akte të gabuara seksuale, për të cilat mendoj se babai as që e ka idenë. Ai do të skandalizohej po ta pyesja për to.»​—Keni nga Kanadaja.

Pse mund të ketë frikë fëmija të të flasë për shqetësimet e veta?

«Kur më në fund guxova t’i pyesja prindërit për seksin, m’u përgjigjën sikur po më akuzonin: «Pse pyet për këtë? Mos ka ndodhur gjë?»​—Masami nga Japonia.

Si mund ta hapë ose ta mbyllë derën e diskutimeve të ardhshme reagimi yt kur fëmija të pyet për seksin?

«Do ta kisha më të lehtë nëse prindërit do të më siguronin se bënin të njëjtat pyetje kur ishin sa unë dhe se është normale t’i pyes edhe unë.»​—Lizeta nga Franca.

Si ta bësh fëmijën të ndihet rehat e të flasë hapur për seksin?

«Mamaja më pyeste për seksin, por me ton të butë. Mendoj se kjo është e rëndësishme pasi kështu fëmija nuk ndihet sikur po e gjykojnë.»​—Zheraldi nga Franca.

Ç’lloj toni përdor kur flet me fëmijën për seksin? Mos ke nevojë të bësh ndonjë ndryshim?