Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Do të ecim me integritet!

Do të ecim me integritet!

Do të ecim me integritet!

«Unë do të eci me integritet.»—PSAL. 26:11.

1, 2. (a) Çfarë tha Jobi për integritetin e tij? (b) Çfarë tregohet për Jobin te kapitulli 31 i librit të Jobit?

NË KOHËT e lashta, shpesh sendet peshoheshin në një peshore të veçantë. Zakonisht ajo përbëhej nga një bosht ose shufër horizontale, e cila në qendër varej te një kunj. Nga secili skaj i shufrës varej një pjatë. Sendi që do të peshohej vendosej në njërën pjatë, kurse në tjetrën vihej një gurë peshe. Populli i Perëndisë duhej të përdorte peshore dhe gurë peshe pa hile.—Prov. 11:1.

2 Ndërsa njeriu i perëndishëm Job po vuante nga një sulm satanik, tha: «Perëndia do të më peshonte në një peshore të saktë dhe do ta njihte integritetin tim.» (Jobi 31:6) Jobi përmendi disa situata që mund ta vinin në sprovë një njeri me integritet. Megjithatë, Jobi e kaloi me sukses sprovën, siç kuptohet nga fjalët e tij të dokumentuara te kapitulli 31 i Jobit. Shembulli i tij i shkëlqyer mund të na nxitë fare mirë të veprojmë në mënyra të ngjashme dhe të themi me bindje si psalmisti David: «Unë do të eci me integritet.»—Psal. 26:11.

3. Pse është e rëndësishme të jemi besnikë ndaj Perëndisë qoftë në gjëra të mëdha, qoftë në të vogla?

3 Megjithëse Jobi u sprovua keqas, i qëndroi besnik Perëndisë. Disa madje mund të thonë se integriteti i jashtëzakonshëm i Jobit nën sprovat e rënda ishte heroizëm. Ne nuk po vuajmë tamam si Jobi. Megjithatë, duhet të jemi besnikë ndaj Perëndisë qoftë në gjëra të mëdha, qoftë në të vogla, nëse duam të tregojmë se ecim me integritet dhe përkrahim sovranitetin e tij.—Lexo Lukën 16:10.

Integriteti moral është thelbësor

4, 5. Ç’sjellje shmangu Jobi si njeri me integritet?

4 Që të mbajmë integritetin para Jehovait duhet t’u përmbahemi standardeve të tij morale ashtu si Jobi. Ai tha: «Kam bërë një besëlidhje me sytë e mi. E si mund t’i ndalja sytë te një virgjëreshë? . . . Nëse zemra m’u josh nga një grua, dhe zura pritë te dera e shokut, gruaja ime le të bluajë për një tjetër, e burra të tjerë u përkulshin mbi të!»—Jobi 31:1, 9, 10.

5 I vendosur për të mbajtur integritetin para Perëndisë, Jobi nuk e vështronte një grua me epsh. Si i martuar, nuk flirtonte me ndonjë vajzë dhe as kishte qëllime romantike për gruan e një tjetri. Në Predikimin në Mal, Jezui bëri një deklaratë të fuqishme lidhur me moralin seksual dhe kjo patjetër është një pikë që njerëzit me integritet duhet ta mbajnë ndër mend.—Lexo Mateun 5:27, 28.

Të mos përdorim kurrë metoda hileqare

6, 7. (a) Ashtu si në rastin e Jobit, çfarë përdor Perëndia për të na matur integritetin? (b) Pse nuk duhet të jemi hileqarë ose mashtrues?

6 Nuk mund të përdorim metoda hileqare nëse duam të konsiderohemi njerëz me integritet. (Lexo Proverbat 3:31-33.) Jobi tha: «Po të kisha shkuar me gënjeshtarë dhe hapat e mi të kishin nxituar drejt mashtrimit, Perëndia do të më peshonte në një peshore të saktë dhe do ta njihte integritetin tim.» (Jobi 31:5, 6) Jehovai i peshon të gjithë njerëzit në «peshore të saktë». Ashtu si në rastin e Jobit, Perëndia përdor standardin e Tij të përsosur të drejtësisë për të matur integritetin tonë si shërbëtorë të Tij të kushtuar.

7 Po të bëhemi hileqarë ose mashtrues, nuk do të mbajmë më integritetin para Perëndisë. Njerëzit me integritet kanë «hequr dorë nga gjërat që bëhen në fshehtësi, të cilat janë për të ardhur turp», dhe ‘nuk ecin me dinakëri’. (2 Kor. 4:1, 2) Por, po sikur të tregoheshim hileqarë në fjalë ose në veprime, duke e shtyrë kështu një bashkëbesimtar t’i kërkonte ndihmë Perëndisë? Kjo do të ishte diçka tepër e keqe për ne! Psalmisti këndoi: «Kur isha i brengosur i thirra Jehovait, dhe ai m’u përgjigj. O Jehova, çliroje shpirtin tim nga buzët që thonë gënjeshtra dhe nga gjuha dhelpërake.» (Psal. 120:1, 2) Duhet të kujtojmë se Perëndia është në gjendje të na shohë në thellësi e ‘të na hetojë zemrën dhe veshkat’ që të përcaktojë nëse jemi vërtet njerëz me integritet.—Psal. 7:8, 9.

Të jemi shembullorë në marrëdhëniet me të tjerët

8. Si i trajtonte Jobi të tjerët?

8 Që të mbajmë integritetin, duhet të jemi si Jobi, i cili ishte i drejtë, i përulur dhe i vëmendshëm ndaj të tjerëve. Ai tha: «Nëse nuk ia vija veshin skllavit ose skllaves sime kur hapte gjyq kundër meje, ç’do të bëja kur të ngrihej Perëndia? Kur të më kërkonte llogari, si do t’i përgjigjesha? Ai që më bëri mua në bark të nënës, a nuk bëri edhe atë? Në barkun e nënës, a nuk na gatoi po Ai?»—Jobi 31:13-15.

9. Çfarë cilësish shfaqi Jobi në marrëdhëniet me shërbëtorët e tij? Si duhet të sillemi ne në këtë drejtim?

9 Me sa duket, në kohën e Jobit nuk kishte ndonjë procedurë të ndërlikuar për të trajtuar çështjet ligjore. Çështjet shqyrtoheshin me rregullsi dhe gjykatat ishin edhe për skllevërit. Jobi ishte i drejtë dhe i mëshirshëm në marrëdhëniet me shërbëtorët e tij. Nëse duam të ecim me integritet, duhet të shfaqim cilësi të tilla, sidomos nëse shërbejmë si pleq në kongregacionin e krishterë.

Të jemi bujarë, jo lakmitarë

10, 11. (a) Si e dimë se Jobi ishte bujar dhe i gjindshëm? (b) Cilat këshilla biblike të shkruara më vonë mund të na kujtojë Jobi 31:16-25?

10 Jobi ishte bujar dhe i gjindshëm, jo egoist dhe lakmitar. Ai tha: «Nëse . . . e lija vejushën t’i ligeshin sytë, nëse e haja i vetëm kafshatën time dhe nuk i jepja jetimit prej saj, . . . nëse shihja dikë të vdiste, ngaqë s’kishte rroba, . . . nëse ia kam tundur dorën me kërcënim ndonjë jetimi, kur shihja se kishte nevojë për ndihmën time te porta, më daltë shpatulla vendit e m’u theftë kocka e krahut!» Po ashtu, Jobi nuk do ta kishte mbajtur integritetin nëse do t’i kishte thënë arit: «Te ti kam besim!»—Jobi 31:16-25.

11 Shprehje të tilla poetike mund të na sjellin ndër mend këto fjalë të dishepullit Jakov: «Adhurimi i pastër dhe i pandotur nga pikëpamja e Perëndisë, Atit tonë, është ky: të kujdesesh për jetimët dhe vejushat në vështirësitë e tyre dhe ta ruash veten të panjollë nga bota.» (Jak. 1:27) Gjithashtu, mund të na kujtojnë paralajmërimin e Jezuit: «Rrini syhapur dhe ruhuni nga çdo lloj lakmie, sepse edhe kur dikush ka me bollëk, jeta e tij nuk varet nga gjërat që zotëron.» Pastaj, Jezui bëri një ilustrim për një njeri të pasur lakmitar që vdiq duke mos qenë «i pasur në sytë e Perëndisë». (Luka 12:15-21) Që të jemi njerëz me integritet, nuk duhet t’i dorëzohemi lakmisë mëkatare. Lakmia është idhujtari pasi ajo çka dëshiron me zjarr një lakmitar, ia largon vëmendjen nga Jehovai dhe kështu bëhet idhull për të. (Kolos. 3:5) Integriteti dhe lakmia nuk mund të përzihen mes tyre!

Të mbahemi fort pas adhurimit të vërtetë

12, 13. Çfarë shembulli la Jobi për të shmangur idhujtarinë?

12 Njerëzit me integritet nuk largohen nga adhurimi i pastër. Edhe Jobi veproi kështu, sepse ai deklaroi: «Nëse e shihja dritën që vetëtinte, dhe hënën e shndritshme kur dilte, e zemra në fshehtësi më joshej, dhe [me dorë t’u çoja puthje, Simon Filipaj], prapë do të ishte një faj për të shkuar para gjykatësit, se do të kisha mohuar Perëndinë e vërtetë atje lart.»—Jobi 31:26-28.

13 Jobi nuk adhuronte gjëra të pajeta. Nëse zemra e tij joshej në fshehtësi kur shihte trupat qiellorë si hëna dhe nëse ‘me dorë u çonte puthje’, ndoshta si një akt idhujtarie, do të ishte një idhujtar që mohonte Perëndinë. (Ligj. 4:15, 19) Që të mbajmë integritetin para Perëndisë, duhet të shmangim çdo lloj idhujtarie.—Lexo 1 Gjonit 5:21.

Të mos jemi hakmarrës ose hipokritë

14. Pse mund të themi se Jobi nuk ishte dashakeq?

14 Jobi nuk ishte as dashakeq, as mizor. Ai e dinte se këto karakteristika do të tregonin se ishte pa integritet, pasi tha: «Mos vallë gëzoja për shfarosjen e atij që më urrente thellësisht, ose kënaqesha kur e gjente një e keqe? . . . Unë nuk e lija qiellzën të mëkatonte duke mallkuar shpirtin e tij.»—Jobi 31:29, 30.

15. Pse është e gabuar të gëzojmë kur i ndodh një e keqe dikujt që na urren?

15 Njeriu i drejtë Job kurrë nuk gëzonte nëse i ndodhte një e keqe dikujt që e urrente Jobin. Një proverb i mëvonshëm paralajmëron: «Mos gëzo kur armiku yt bie, dhe kur ai pengohet, zemra jote të mos gëzohet, që të mos shohë Jehovai e t’i duket gjë e keqe, dhe kështu ta largojë nga ai zemërimin e vet.» (Prov. 24:17, 18) Meqë Jehovai mund të lexojë zemrën, e di nëse po gëzojmë në fshehtësi për të keqen që i ka ndodhur një tjetri dhe patjetër nuk e miraton një qëndrim të tillë. (Prov. 17:5) Perëndia mund të sillet me ne në bazë të këtij qëndrimi, sepse ai thotë: «Hakmarrja më përket mua, edhe shpagimi.»—Ligj. 32:35.

16. Si mund të jemi mikpritës, edhe nëse nuk jemi të pasur?

16 Jobi ishte mikpritës. (Jobi 31:31, 32) Edhe pse ndoshta nuk jemi të pasur, mund ‘të ndjekim udhën e mikpritjes’. (Rom. 12:13) Mund të ndajmë një vakt të thjeshtë me të tjerët duke kujtuar se është «më mirë një pjatë me perime aty ku ka dashuri, se një dem i majmur bashkë me urrejtje». (Prov. 15:17) Po të hamë bashkë me një vëlla me integritet në një atmosferë plot dashuri, edhe vakti më i thjeshtë do të bëhet i këndshëm dhe me siguri do të na sjellë dobi frymësisht.

17. Pse nuk duhet të përpiqemi të fshehim një mëkat të rëndë?

17 Duhet të ketë qenë shumë ndërtuese nga ana frymore të gëzoje mikpritjen e Jobit, sepse ai nuk ishte hipokrit. Nuk ishte si njerëzit e paperëndishëm që hynë pa u ndier në kongregacionin e shekullit të parë dhe ‘admironin personalitetet që të nxirrnin dobi për vete’. (Jud. 3, 4, 16) Gjithashtu, Jobi nuk i mbulonte shkeljet ose ‘nuk i fshihte fajet në xhepin e këmishës’, duke pasur frikë nga përçmimi që do të vinte po ta merrnin vesh të tjerët. Ai ishte i gatshëm të hetohej nga Perëndia, të cilit do t’i bënte çdo rrëfim të nevojshëm. (Jobi 31:33-37) Nëse mëkatojmë rëndë, të mos përpiqemi ta fshehim keqbërjen për të mos bërë figurë të keqe. Si mund të tregojmë se po përpiqemi të mbajmë integritetin? Duke e pranuar fajin, duke u penduar, duke kërkuar ndihmë frymore dhe duke bërë çmos për t’i ndrequr gjërat.—Prov. 28:13; Jak. 5:13-15.

Një njeri me integritet në gjyq

18, 19. (a) Pse mund të themi se Jobi kurrë nuk shfrytëzoi ndokënd? (b) Çfarë ishte i gatshëm të bënte Jobi nëse do të dilte fajtor?

18 Jobi ishte i ndershëm dhe i drejtë. Ja pse mundi të thoshte: «Nëse klithi për ndihmë toka ime kundër meje, dhe tërë brazdat e saj qanë; nëse i hëngra pa paguar frytet e saj dhe e bëra shpirtin e të zotërve të rënkonte, në vend të grurit dalshin gjembaçë, dhe në vend të elbit, barëra me erë të qelbur!» (Jobi 31:38-40) Jobi kurrë nuk ua zhvaste tokën të tjerëve dhe nuk i shfrytëzonte punëtorët. Ashtu si ai, edhe ne duhet të mbajmë integritetin para Jehovait në çështje të mëdha e të vogla.

19 Para tre shokëve, si edhe para të riut Elihu, Jobi kishte folur për mënyrën si kishte jetuar. Ai kishte ftuar këdo që kishte hapur gjyq kundër tij, të paraqiste akuza për gjithçka kishte bërë në jetë Jobi e që mbështetej nga ‘dëshmia e tij e nënshkruar’. Nëse do të provohej se ishte fajtor, Jobi do të ishte i gatshëm të vuante ndëshkimin. Prandaj, ai paraqiti çështjen e tij dhe priti vendimin e gjykatës hyjnore. Pas kësaj, ‘fjalët e Jobit përfunduan’.—Jobi 31:35, 40.

Ti mund ta mbash integritetin

20, 21. (a) Pse mundi ta mbante integritetin Jobi? (b) Si mund ta kultivojmë dashurinë për Perëndinë?

20 Jobi ishte në gjendje të mbante integritetin sepse e donte Perëndinë dhe Ai e donte dhe e ndihmoi. Jobi tha: «Më fale jetë e dashamirësi [dashuri besnike]; me kujdesin tënd [Jehova] më ruajte.» (Jobi 10:12) Për më tepër, Jobi tregonte dashuri për të tjerët, pasi e kuptonte se kushdo që nuk tregon dashuri besnike për të tjerët, nuk ka më frikë me nderim nga i Plotfuqishmi. (Jobi 6:14) Njerëzit me integritet e duan Perëndinë dhe të afërmin.—Mat. 22:37-40.

21 Mund ta kultivojmë dashurinë për Perëndinë duke lexuar Fjalën e tij çdo ditë dhe duke medituar rreth asaj që zbulohet aty për Të. Me lutje të përzemërta mund ta lëvdojmë Jehovain dhe ta falënderojmë për mirësinë e tij ndaj nesh. (Filip. 4:6, 7) Mund t’i këndojmë Jehovait dhe të nxjerrim dobi duke u shoqëruar rregullisht me popullin e tij. (Hebr. 10:23-25) Dashuria jonë për Perëndinë do të rritet edhe teksa marrim pjesë në shërbim dhe shpallim «lajmin e mirë të shpëtimit që sjell ai». (Psal. 96:1-3) Në këto mënyra, mund të mbajmë integritetin si psalmisti që këndoi: «Për mua, është gjë e mirë që t’i afrohem Perëndisë. Zotërinë Sovran Jehova e kam bërë strehën time.»—Psal. 73:28.

22, 23. Çfarë kanë të përbashkët aktivitetet tona si mbështetës të sovranitetit të Jehovait me ato të njerëzve me integritet në të kaluarën?

22 Gjatë shekujve, Jehovai u ka dhënë njerëzve me integritet shumë caktime. Noeja ndërtoi një arkë dhe ishte ‘predikues i drejtësisë’. (2 Pjet. 2:5) Josiu u priu izraelitëve në Tokën e Premtuar, por ia doli mbanë vetëm sepse lexonte ‘librin e ligjit ditë e natë’ dhe vepronte në përputhje me të. (Jos. 1:7, 8) Të krishterët e shekullit të parë bënin dishepuj dhe mblidheshin rregullisht për të studiuar Shkrimet.—Mat. 28:19, 20.

23 E mbështetim sovranitetin e Jehovait dhe e mbajmë integritetin tonë duke predikuar drejtësinë, duke bërë dishepuj, duke zbatuar këshillat biblike dhe duke qëndruar me bashkëbesimtarët në mbledhje, asamble dhe kongrese. Këto aktivitete na ndihmojnë të jemi të guximshëm, të fortë frymësisht dhe të kemi sukses në bërjen e vullnetit të Perëndisë. Kjo nuk është tepër e vështirë për ne sepse kemi mbështetjen e Atit tonë qiellor e të Birit të tij. (Ligj. 30:11-14; 1 Mbret. 8:57) Për më tepër, kemi mbështetjen e ‘gjithë vëllazërisë’, e cila ecën gjithashtu në integritet dhe nderon Jehovain si Zotëria Sovran.—1 Pjet. 2:17.

Si do të përgjigjeshit?

• Si duhet t’i shohim standardet morale të Jehovait?

• Cilat cilësi të Jobit ju tërheqin në veçanti?

• Si sillej Jobi, siç tregohet te Jobi 31:29-37?

• Pse është e mundur ta mbajmë integritetin para Perëndisë?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 29]

Jobi e mbajti integritetin para Jehovait. Edhe ne mund ta mbajmë!

[Figura në faqen 32]

Ne mund ta mbajmë integritetin!