Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Vegime të botës frymore

Vegime të botës frymore

Vegime të botës frymore

KUNDROJENI tërë kërshëri qiellin për sa kohë të doni, por nuk do të shihni asnjë person frymor. Mbani vesh, por nuk do të dëgjoni askënd. Prapëseprapë, mund të jeni të sigurt se ata ekzistojnë. Engjëjt janë tepër inteligjentë e të fuqishëm, si dhe kanë emra e personalitete që i dallojnë nga njëri-tjetri. Disa na duan të mirën, kurse të tjerë na duan të keqen. Të gjithë i kanë sytë mbi ne.

Vetë Perëndia i vërtetë është Frymë. (Gjoni 4:24) Ai ka një emër unik që e dallon nga perënditë e shumta të rreme. Emri i tij është Jehova. (Psalmi 83:18) Psalmisti shkroi: «Jehovai është i madh dhe i denjë të lëvdohet shumë. Ai ngjall frikë më shumë se tërë perënditë. Sepse tërë perënditë e popujve janë të kota; kurse Jehovai, ka bërë vetë qiejt. Lavdia dhe shkëlqimi janë para tij, forca dhe bukuria janë në shenjtëroren e tij.»​—Psalmi 96:4-6.

Vegime të Perëndisë së vërtetë

«Askush s’e ka parë asnjëherë Perëndinë»,—thotë Bibla. (Gjoni 1:18) Pamja dhe shkëlqimi i tij shkojnë përtej çdo kuptueshmërie, ashtu si ngjyrat për dikë që ka lindur i verbër. Por, ashtu si një mësues i mirë u shpjegon nxënësve tema të komplikuara me terma që mund t’i kuptojnë, edhe Perëndia, me anë të Fjalës së tij, Biblës, përdor gjëra që mund t’i shohim për të na përshkruar gjëra që s’i shohim dot. Me anë të vegimeve që u ka dhënë besnikëve të tij të kohëve të lashta, Jehovai na ndihmon të përfytyrojmë vendbanimin e tij qiellor dhe të kuptojmë ç’lidhje kemi me ata që banojnë atje.

Për shembull, profeti Ezekiel, në një vegim që iu dha, e lidh lavdinë e Jehovait me zjarrin, shndritjen, gurin e safirit dhe me një ylber. Në një vegim tjetër, apostulli Gjon e sheh Jehovain në fron dhe thotë se Perëndia «i ngjan një guri diaspri dhe një guri të çmuar të kuq» e shton se «rreth e përqark fronit ka një ylber, që ngjan si smerald». Përshkrime të tilla na tregojnë se prania e Jehovait pasqyron një bukuri, hijeshi dhe paqe të rrallë e verbuese.​—Zbulesa 4:2, 3; Ezekieli 1:26-28.

Edhe profeti Daniel pati një vegim të Jehovait, ku pa ‘dhjetë mijë herë dhjetë mijë [krijesa engjëllore] që qëndronin pikërisht përpara [Jehovait]’. (Danieli 7:10) Ç’pamje mahnitëse duhet të ketë qenë! Po të shohësh një engjëll, qoftë edhe në vegim, do të ishte mahnitëse, por imagjinoni tani mori krijesash engjëllore të përsosura!

Engjëjt përmenden rreth 400 herë në Bibël. Në radhët e tyre përfshihen serafinët e kerubinët. Si fjala greke, ashtu edhe ajo hebraike, që në Bibël përkthehen «engjëll», kanë kuptimin «lajmëtar». Prandaj, engjëjt mund të komunikojnë me njëri-tjetrin. Në të kaluarën kanë komunikuar edhe me njerëzit. Engjëjt nuk janë krijesa që kanë jetuar më parë në tokë si njerëz. Jehovai i krijoi këto qenie frymore shumë kohë para se të krijonte njeriun.​—Jobi 38:4-7.

Në vegimin e Danielit, moritë e engjëjve ishin mbledhur që të dëshmonin për një ngjarje të jashtëzakonshme. Pastaj, Danieli pa «dikë si një bir njeriu» teksa afrohej te froni i Jehovait që t’i jepej «sundim, lavdi dhe mbretëri, që t’i shërbenin gjithë popujt, kombet dhe gjuhët». (Danieli 7:13, 14) ‘Biri i njeriut’, një figurë qendrore në botën frymore, është Jezu Krishti i ringjallur, të cilit i është dhënë sundimi mbi gjithë tokën. Sundimi i tij do të zëvendësojë së shpejti të gjitha qeveritë njerëzore dhe do t’u japë fund sëmundjeve, brengave, shtypjes, varfërisë, madje edhe vdekjes.​—Danieli 2:44.

Kurorëzimi i Jezuit si mbret sigurisht që u ka sjellë gëzim tepër të madh morive të engjëjve besnikë, të cilët i duan më të mirën njerëzimit. Por, mjerisht, jo të gjitha krijesat frymore janë ndier kështu.

Armiq të Perëndisë dhe të njeriut

Që në fillim të historisë njerëzore, një nga engjëjt, i përpirë nga dëshira që ta adhuronin, u kthye kundër Jehovait dhe u bë Satana, që do të thotë «Kundërshtar». Satanai, personifikimi më i madh i së keqes, është kundërshtar i egër i Jehovait, personifikimit të dashurisë. Edhe engjëj të tjerë janë bashkuar në rebelimin e Satanait. Këta, Bibla i quan demonë. Si Satanai, demonët janë bërë armiq mizorë të njerëzimit. Shumë nga vuajtjet në tokë, padrejtësitë, sëmundjet, varfëria dhe luftërat janë pasoja të ndikimit të tyre.

Pavarësisht se në shumë kisha të të ashtuquajturit krishterim s’para flitet më për Satanain, libri biblik i Jobit na ndihmon të kuptojmë karakterin dhe motivet e këtij engjëlli rebel. Aty thuhet: «Erdhi dita që bijtë e Perëndisë së vërtetë hynë e u paraqitën para Jehovait. Me ta hyri edhe Satanai.» Në dialogun që pasoi, në mënyrë të pacipë Satanai ngriti akuzën se njeriu Job i shërbente Perëndisë vetëm për shkak të gjërave që merrte në këmbim. Në përpjekje për të vërtetuar akuzën, Satanai i solli vuajtje të mëdha Jobit, duke i vrarë bagëtinë dhe të dhjetë fëmijët. Më pas, e goditi me çibanë të këqij, që ia mbuluan tërë trupin. Asnjë sulm i Satanait nuk ia arriti qëllimit.​—Jobi 1:6-19; 2:7.

Ka arsye të vlefshme pse Jehovai e ka toleruar Satanain kaq gjatë, por nuk do ta tolerojë pafundësisht. Së shpejti, Djalli do të shfaroset. Hapat e parë janë ndërmarrë tashmë, dhe përshkruhen në librin e Zbulesës, ku perdja hapet për të zbuluar një tjetër ngjarje të rëndësishme në botën frymore, që përndryshe nuk do ta shihnim kurrë. Aty lexojmë: «Në qiell shpërtheu lufta: Mikaeli [Jezu Krishti i ringjallur] dhe engjëjt e tij luftuan kundër dragoit [Satanait]. Edhe dragoi bashkë me engjëjt e tij luftoi, por nuk fitoi, dhe për ta nuk pati më vend në qiell. Kështu, u hodh poshtë dragoi i madh, gjarpri i hershëm, që quhet Djall dhe Satana, i cili mashtron gjithë tokën e banuar. U hodh poshtë në tokë ai bashkë me engjëjt e tij.»​—Zbulesa 12:7-9.

Vini re se për Satanain thuhet se «mashtron gjithë tokën e banuar». Ai i mashtron njerëzit duke trumbetuar gënjeshtra fetare që t’i largojë nga Jehovai dhe Fjala e tij. Një nga këto është gënjeshtra se pas vdekjes të gjithë njerëzit shkojnë në qiell. Ka mjaft variante për këtë ide. Për shembull, në Afrikë dhe në Azi shumë besojnë se pas vdekjes njerëzit shkojnë në një botë shpirtrash ku banojnë të parët e tyre. Edhe mësimet për purgatorin e për ferrin bazohen në idenë se njerëzit vazhdojnë të jetojnë pas vdekjes.

Jetë në qiell pas vdekjes?

Gjithsesi, ç’të themi për bindjen e miliona vetave përreth botës, se të gjithë njerëzit e mirë shkojnë në qiell? Është e vërtetë se disa njerëz të mirë shkojnë në qiell, por numri i tyre është i vogël në krahasim me miliarda njerëz që kanë vdekur. Bibla zbulon se 144.000 veta ‘do të blihen nga toka’ dhe do të shërbejnë si «priftërinj» e «do të mbretërojnë mbi tokën». (Zbulesa 5:9, 10; 14:1, 3) Bashkë me Birin e njeriut, Jezu Krishtin, do të formojnë një qeveri qiellore, Mbretërinë e Perëndisë. Kjo qeveri do t’u sjellë fundin Satanait dhe demonëve e do ta kthejë tokën në parajsë. Shumica e atyre që kanë vdekur do të kthehen në jetë në të ardhmen, me mundësinë për të jetuar përgjithmonë në këtë parajsë mbi tokë.​—Luka 23:43.

Pra, për ta përmbledhur: në botën frymore banojnë shumë e shumë persona frymorë. Më i larti mbi të gjithë është Perëndia Jehova, Krijuesi i çdo jete. Atij i shërbejnë me besnikëri mori engjëjsh. Engjëj të tjerë, të kryesuar nga Satanai, janë kthyer kundër Jehovait dhe orvaten të mashtrojnë njerëzit. Përveç kësaj, një numër i kufizuar njerëzish janë «blerë» ose zgjedhur nga toka për të marrë përgjegjësi të veçanta në qiell. Me këtë në mendje, le të shqyrtojmë tani se me kë mund të komunikojmë në botën frymore dhe si mund ta bëjmë këtë.