Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Me kë duhet të komunikojmë në botën frymore?

Me kë duhet të komunikojmë në botën frymore?

Me kë duhet të komunikojmë në botën frymore?

PERËNDIA i Plotfuqishëm u ka deleguar përgjegjësi të veçanta krijesave frymore. Për shembull, ai ka caktuar Jezu Krishtin të sundojë mbi tokë, si dhe engjëj besnikë që të mbështetin veprën e shpalljes së lajmit të mirë. (Zbulesa 14:6) Por me lutjet është ndryshe. Dëgjimin e lutjeve nuk ia ka deleguar askujt tjetër. Lutjet tona duhet t’i drejtohen vetëm Perëndisë.

Jehovai është «Dëgjues i lutjes». (Psalmi 65:2) Ai i dëgjon dhe u përgjigjet lutjeve tona. Për lutjen, apostulli Gjon u shkroi shërbëtorëve të tjerë të Jehovait: «Çfarëdo që të kërkojmë sipas vullnetit të tij, ai na dëgjon. Për më tepër, nëse e dimë se ai na dëgjon për çfarëdo gjëje që i kërkojmë, e dimë se do t’i kemi ato që kërkuam, sepse ia kërkuam atij.»​—1 Gjonit 5:14, 15.

Engjëjt besnikë nuk dëshirojnë t’u drejtohemi ose t’u lutemi atyre. Ata e kuptojnë dhe bashkëpunojnë me masën e Perëndisë për lutjen, që ndonjëherë i përfshin drejtpërdrejt. Në ç’mënyrë? Kur profeti Daniel iu lut Jehovait në lidhje me shkretimin e Jerusalemit, Perëndia iu përgjigj lutjes së tij duke dërguar engjëllin Gabriel me një mesazh inkurajimi.​—Danieli 9:3, 20-22.

Mesazhe nga të vdekurit?

A duhet të përpiqemi të flasim me të vdekurit? Ka shumë histori për bisedat që gjoja kanë bërë njerëzit me shpirtrat e të vdekurve. Për shembull, një grua në Irlandë, së cilës i kishte vdekur i shoqi para pak javësh, e takon një mediume dhe i tregon se një natë më parë kishte folur me Fredin, të shoqin e kësaj gruaje. Gruaja mediume, i tregoi çfarë i kishte thënë gjoja Fredi, të cilat e shoqja besonte se i dinte vetëm ajo. Mund të dukej e logjikshme të nxirrte përfundimin se Fredi ishte gjallë në botën e shpirtrave dhe se po përpiqej të fliste me të nëpërmjet asaj të panjohure. Por ky përfundim do të kundërshtonte atë që Bibla thotë qartë për gjendjen e të vdekurve.—Shih kutinë më poshtë.

Atëherë, si shpjegohen histori të tilla? Një mënyrë si mashtrojnë demonët është të hiqen si të vdekurit, si në rastin e Fredit që u përmend më lart. Përse e bëjnë këtë? Që t’i largojnë njerëzit nga ajo që mëson Bibla dhe t’ua dobësojnë besimin te Jehovai. Pa dyshim, Satanai dhe demonët i mashtrojnë njerëzit «me çdo vepër të fuqishme, shenja e çudira të gënjeshtërta dhe me çdo mashtrim që mund të sjellë padrejtësia. Të gjitha këto do t’i pësojnë ata që po marrin fund».​—2 Selanikasve 2:9, 10.

Me siguri ka mediume dhe persona që shkojnë tek ata, të cilët besojnë vërtet se flasin me të vdekurit. Ç’është e vërteta, nëse komunikojnë me ndonjë person të tillë, po flasin me qenie frymore që janë kundër Jehovait. Po kështu, ka nga ata që besojnë se po adhurojnë Perëndinë, por e kanë gabim. Apostulli Pavël u frymëzua të shkruante këtë paralajmërim serioz: «Gjërat që flijojnë kombet, ua flijojnë demonëve dhe jo Perëndisë.»​—1 Korintasve 10:20, 21.

Përse t’i lutemi dikujt tjetër kur e dimë se mund t’i lutemi të Plotfuqishmit, i cili na do dhe kujdeset për ne? Mbi të gjitha, Bibla na siguron: «Sytë e Jehovait enden nëpër gjithë tokën për të treguar forcën e tij në dobi të atyre që i janë kushtuar me gjithë zemër atij.»​—2 Kronikave 16:9.

[Diçitura në faqen 9]

Përse t’i lutemi dikujt tjetër kur e dimë se mund t’i lutemi të Plotfuqishmit, i cili na do dhe kujdeset për ne?

[Kutia dhe figura në faqet 8, 9]

Fakt dhe trillim

FAKT: SATANAI ËSHTË PERSON REAL

«Vetë Satanai vazhdon të shndërrohet në engjëll drite.»​—2 Korintasve 11:14.

«Ruani gjykimin, jini syçelë. Kundërshtari juaj, Djalli, vjen rrotull si një luan që ulërin, duke kërkuar të gllabërojë dikë.»​—1 Pjetrit 5:8.

«Ai që praktikon mëkatin, vjen nga Djalli, sepse Djalli po mëkaton që nga fillimi.»​—1 Gjonit 3:8.

«Ndaj nënshtrojuni Perëndisë dhe kundërvijuni Djallit, e ai do të ikë nga ju.»​—Jakovi 4:7.

«Djalli . . . ishte vrasës që nga fillimi dhe nuk qëndroi i vendosur në të vërtetën, sepse e vërteta nuk është në të. Kur thotë gënjeshtra, i thotë se ashtu e ka natyrën, sepse ai është gënjeshtar dhe ati i gënjeshtrës.»​—Gjoni 8:44.

TRILLIM: PAS VDEKJES TË GJITHË SHKOJNË NË QIELL

«Do të hash bukë me djersën e ballit, derisa të kthehesh në dhé, sepse prej tij u more. Sepse ti je pluhur, dhe në pluhur do të kthehesh.»​—Zanafilla 3:19.

«Të gjallët janë të vetëdijshëm se do të vdesin, por të vdekurit s’janë të vetëdijshëm për asgjë.»​—Eklisiastiu 9:5.

«Gjithë sa dora jote gjen për të bërë, bëje me fuqinë tënde, sepse nuk ka asnjë punë, as plan, as njohuri, as mençuri në Sheol [varr], në vendin ku po shkon.»​—Eklisiastiu 9:10.

«Kur fryma i del, ai kthehet prapë në dhé. Po atë ditë marrin fund mendimet e tij.»​—Psalmi 146:4.

FAKT: ENGJËJT BESNIKË INTERESOHEN PËR NE

«Engjëlli i Jehovait fushon përreth atyre që i frikësohen atij, dhe i çliron.»​—Psalmi 34:7; 91:11.

«A nuk janë të gjithë ata [engjëjt] frymëra për shërbim publik, të dërguar që t’u shërbejnë atyre që do të trashëgojnë shpëtimin?»​—Hebrenjve 1:14.

«Pashë një engjëll tjetër që fluturonte në mes të qiellit dhe kishte një lajm të mirë të përhershëm, që t’ua shpallte si sihariq atyre që banojnë në tokë, çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli, dhe thoshte me një zë të fortë: ‘Kini frikë Perëndinë dhe jepini lavdi!’»​—Zbulesa 14:6, 7.

TRILLIM: JEZUI ËSHTË I BARABARTË ME PERËNDINË

«Por dua të dini se kreu i çdo burri është Krishti, kreu i gruas është burri, dhe kreu i Krishtit është Perëndia.»​—1 Korintasve 11:3.

«Kur çdo gjë t’i jetë nënshtruar atij, atëherë edhe vetë Biri do t’i nënshtrohet Atij që i nënshtroi çdo gjë, që Perëndia të jetë gjithçka për të gjithë.»​—1 Korintasve 15:28.

«Me të vërtetë po ju them se Biri s’mund të bëjë as edhe një gjë me nismën e vet, por vetëm atë që sheh se bën Ati.»​—Gjoni 5:19.