Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Ndihem kaq e bekuar!»

«Ndihem kaq e bekuar!»

Letër nga Haiti

«Ndihem kaq e bekuar!»

PAS tërmetit në Haiti, më 12 janar 2010, e kisha të vështirë qoftë edhe vetëm të shihja rrënimin që jepej në lajme. Më vonë, më 20 janar, më telefonoi shoqja ime e dashur Karmen dhe sugjeroi të shkonim të punonim si vullnetare në Haiti. E kam takuar Karmenin disa vjet më parë kur të dyja punonim si infermiere vullnetare në një kantier ndërtimi të një Salle Mbretërie. Që atëherë, kemi dalë vullnetare për projekte të tjera dhe jemi bërë shoqe të ngushta.

I thashë Karmenit se mund të mos isha aq e fortë fizikisht dhe emocionalisht që të ndihmoja në Haiti. Ajo më kujtoi se punonim mirë si skuadër dhe mund të mbështetnim njëra-tjetrën. Fjalët e saj më dhanë zemër, ndaj i telefonova selisë qendrore të Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin, Nju-Jork. Fola me përgjegjësin që po organizonte ndihmat nga SHBA-ja në raste katastrofash. I dhashë emrin tim si vullnetare. Përmenda edhe Karmenin dhe i thashë se do të na pëlqente të punonim bashkë. Më tha se nuk ishte e sigurt nëse do të na telefononin apo nëse do të punonim së bashku.

Kështu vazhdova me rutinën e përditshme me mendimin se nuk do të më ftonin të shkoja si vullnetare. Katër ditë më vonë, të hënën, më 25 janar, më telefonuan nga Bruklini dhe më pyetën nëse mund të udhëtoja për në Haiti, mundësisht që të nesërmen. Nuk u besoja dot veshëve. Isha e gatshme të bëja më të mirën. Së pari, i rregullova gjërat që të merrja leje nga puna. Më pas, fola me Karmenin dhe kuptova se nuk i kishin telefonuar ngaqë nuk flet frëngjisht. Isha sa e emocionuar aq dhe e frikësuar. Më 28 janar, pasi ia dola të merrja një biletë avioni, u nisa nga Nju-Jorku për në Santo-Domingo, në Republikën Domenikane, që kufizohet me Haitin.

Një Dëshmitar i ri në moshë më priti në aeroport dhe më çoi me makinë në zyrën e degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Republikën Domenikane. Në të njëjtën ditë erdhën edhe dy infermiere nga SHBA-ja dhe qëndruam bashkë në dhomë atë natë. Mëngjesin pasues na çuan me makinë në zyrën e degës të Haitit, në Port-o-Prens, udhëtim që zgjati shtatë orë e gjysmë.

Kur hymë në kufirin e Haitit, dukej qartë shkretimi. Ishte thuajse e pabesueshme të shihje si ishte katandisur ky vend i bukur nga një tërmet prej 35 sekondash. E kisha pasur tejet të vështirë ta shihja shkretimin në televizor por, kur e pashë drejtpërdrejt, mbeta pa fjalë. Shumë shtëpi, përfshirë pallatin presidencial, ishin dëmtuar, kurse të tjera ishin kthyer në grumbuj gërmadhash. Në mjaft prej tyre ishte derdhur mundi i një pune të rëndë dhe i një jete të tërë me kursime, vetëm për të humbur në pak sekonda. Mendoja vazhdimisht se gjërat vërtet të rëndësishme në jetë nuk janë të mirat materiale.

Kur mbërritëm në degë, recepsionistja na pa të hynim dhe erdhi me vrap te dera të na përqafonte fort me një buzëqeshje të ngrohtë. Na falënderoi që kishim lënë mënjanë punët personale që të ishim atje. Pasi hëngrëm drekë, shkuam te Salla e Asambleve aty afër që përdorej si spital. Aty takova Dëshmitarë të tjerë që kishin ardhur vullnetarë, përfshirë një çift nga Gjermania, të dy mjekë, ndihmësin e tyre dhe një mamí nga Zvicra.

Fillova të punoja që atë natë, që t’u vija në ndihmë 18 pacientëve të shtrirë në dyshekët e vënë përtokë në Sallën e Asambleve. Disa ishin Dëshmitarë, disa jo. Çdo pacienti iu kushtua e njëjta vëmendje dhe kujdes mjekësor falas nga personeli i mjekëve Dëshmitarë.

Atë natë vdiq një pacient 80-vjeçar. Pranë kishte gruan, mua dhe shoqen time të dhomës. Pas kësaj, një e re që quhej Ketli filloi të ulërinte nga dhembja. I kishin prerë krahun e djathtë për shkak të dëmtimeve nga tërmeti. Pranë saj ishte një Dëshmitare, mësuesja e vet e Biblës. Ajo kishte fjetur thuajse çdo natë pranë Ketlit në Sallën e Asambleve.

Shkova te Ketli me dëshirën e madhe që t’ia lehtësoja dhembjen, mirëpo kjo dhembje nuk ishte vetëm fizike, por edhe emocionale. Më tregoi se ndodhej në shtëpinë e një shoqeje kur ra tërmeti. Nuk po kuptonin ç’po ndodhte. Duke shtrënguar krahët e njëra-tjetrës, vrapuan drejt verandës, kur papritur një mur u ra përsipër dhe përfunduan nën rrënoja. Ketli kishte thirrur shoqen, por nuk kishte marrë përgjigje. Tha se e kishte kuptuar menjëherë që kishte vdekur. Trupi i shoqes shtrihej pjesërisht mbi Ketlin derisa mbërritën t’i nxirrnin që aty katër orë më vonë. Ketli humbi tërë krahun e djathtë.

Gjatë natës së parë që kalova atje, Ketlit vazhdimisht i kujtohej ajo përvojë sa herë përpiqej të flinte. Duke qarë me dënesë, më tha: «E di se çfarë thonë Shkrimet për ditët e fundit dhe për tërmetet. E di që kemi një shpresë të shkëlqyer për të ardhmen. E di se duhet të jem mirënjohëse që jam gjallë. Por, mendo pak po të ishe në vendin tim. Jeta të shkon vaj, kur papritur, ja si përfundon.» Krejt e pafuqishme, vetëm sa e përqafova dhe fillova të qaja. S’pushuam së qari derisa e zuri gjumi.

Çdo ditë, një mjek dhe dy infermiere i dërgonin që të ndihmonin ata që kishin nevojë për kujdes mjekësor. Mua më dërguan në Petit-Guav, rreth dy orë me makinë nga Port-o-Prensi. Shkova me dy vullnetarë të tjerë, një infermiere nga Florida dhe një mjek nga Franca. Mbërritëm në 9.30 të mëngjesit, shkarkuam furnizimet dhe i çuam në Sallën e Mbretërisë atje. Njerëzve u kishin thënë se po shkonim tek ata, ndaj ishin ulur e po na pritnin.

Iu futëm punës menjëherë. Bënte shumë vapë dhe radhët e njerëzve që kishin nevojë për mjekë bëheshin gjithnjë e më të gjata. Punuam pa pushim deri në orën tre. Atë ditë, ne të tre bëmë 114 vaksina dhe 105 konsulta mjekësore. Isha e sfilitur por e lumtur që bëmë pjesën tonë për të ndihmuar ata në nevojë.

Gjithsej, kalova më shumë se dy javë duke ndihmuar për katastrofën në Haiti. Thuajse çdo natë punoja për 12 orë në Sallën e Asambleve. S’kisha pasur më parë një përgjegjësi kaq të madhe. Megjithatë, ishte privilegj dhe bekim të shkoja atje. Jam tepër e lumtur që i solla sadopak ngushëllim e lehtësim popullit të Haitit, i cili ka vuajtur tej mase.

Mund të mësojmë kaq shumë nga ata. Për shembull, Elizerit 15-vjeçar për të cilin u kujdesa, u desh t’ia pritnin njërën këmbë. Vura re se e ruante ushqimin e vet që ta ndante me Xhimin, kushëririn që i kishte ndenjur pranë gjatë natës. Më shpjegoi se Xhimi jo gjithnjë kishte ç’të hante para se të vinte mbrëmjeve. Elizeri më nguliti në mendje se nuk ka pse të jemi të pasur, e jo medoemos të shëndetshëm, që të ndajmë me të tjerët atë që kemi.

Kjo frymë bujare dukej qartë edhe midis vullnetarëve në skuadrën time. Një vullnetare nuk ndihej mirë vetë, një tjetër kishte dhembje shpine. Prapëseprapë, të gjithë vunë nevojat e pacientëve para rehatisë së tyre. Kjo më dha inkurajimin e nevojshëm për të vazhduar. Herë pas here, të gjithë ndiheshim të sfilitur emocionalisht, mendërisht dhe fizikisht, por mbështetnim njëri-tjetrin dhe vazhdonim përpara. Ç’përvojë e paharrueshme! Jam e lumtur që bëj pjesë në një organizatë me të krishterë të shkëlqyer, të cilët janë dashamirës, të dhembshur dhe vetëmohues.

Para se të largohesha nga Haiti, dy paciente të cilave u ishte prerë krahu i djathtë, ia dolën të më shkruanin letra falënderimi dhe ngulën këmbë t’i lexoja vetëm pasi të kisha hipur në avion. Ashtu bëra. Letrat më prekën në zemër dhe nuk pushoja dot së qari.

Që kur u ktheva në shtëpi, kam mbajtur lidhje me disa nga miqtë e rinj që takova në Haiti. Miqësitë e forta lindin dhe sprovohen në kohë të vështira e kritike. Mendoj se miqësitë tona do t’i rezistojnë çdo vështirësie në të ardhmen. Ndihem kaq e bekuar!