Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse e hodhën poshtë Mesinë?

Pse e hodhën poshtë Mesinë?

Pse e hodhën poshtë Mesinë?

KUR Jezui ishte në tokë, turmat u magjepsën nga gjërat që tha dhe u mahnitën nga mrekullitë që kreu. Si rrjedhojë, shumë «treguan besim tek ai» dhe e pranuan si Mesia i parathënë ose Krishti. Ata arsyetuan: «Kur të mbërrijë Krishti, mos do të kryejë më shumë shenja nga sa ka kryer ky njeri?!»​—Gjoni 7:31.

Me gjithë dëshmitë e bollshme që mbështetnin identitetin e Jezuit si Mesia, shumica e atyre që e panë dhe e dëgjuan, nuk u bënë besimtarë. Mjerisht, më vonë u larguan edhe disa që fillimisht kishin besuar. Pse kaq shumë veta e hodhën poshtë Jezuin si Mesia, pavarësisht nga dëshmitë e forta? Le të shqyrtojmë arsyet, e ndërkohë, pyet veten: «A rrezikoj edhe unë sot të bëj të njëjtin gabim?»

Shpresa të parealizuara

Në kohën që lindi Jezui, mjaft judenj po pritnin të shfaqej Mesia. Ata «që pritnin çlirimin e Jerusalemit» nga Mesia i premtuar, e takuan foshnjën Jezu kur e çuan në tempull. (Luka 2:38) Më vonë, shumë nga ata që panë veprat e Gjon Pagëzorit pyetnin veten: «A thua është ai Krishti?» (Luka 3:15) Por, çfarë veprash pritnin nga Mesia judenjtë në shekullin e parë?

Një bindje e përhapur ndër judenjtë ato ditë, ishte se Mesia do të vinte që t’i çlironte nga zgjedha shtypëse romake dhe të rivendoste mbretërinë tokësore të Izraelit. Para se Jezui të fillonte shërbimin, disa udhëheqës të shquar u ngritën dhe e nxitën popullin t’i kundërviheshin dhunshëm sundimit politik ekzistues. Me sa duket, kjo ndikoi tek ajo që priste populli nga Mesia.

Shërbimi i Jezuit ishte në kontrast me këta Mesi të rremë. Ai nuk nxiste dhunën, por i mësonte dëgjuesit t’i donin armiqtë dhe t’u nënshtroheshin autoriteteve. (Mateu 5:41-44) Jezui nuk pranoi që populli ta bënte mbret. Përkundrazi, mësoi se mbretëria e tij nuk duhej të ishte «pjesë e kësaj bote». (Gjoni 6:15; 18:36) Mirëpo, idetë e ngulitura për Mesinë kishin ndikuar jashtë mase te populli.

Gjon Pagëzori i pa dhe i dëgjoi vetë dëshmitë e mrekullueshme që vërtetuan identitetin e Jezuit si Mesia. Prapëseprapë, kur ishte në burg, Gjoni dërgoi dishepujt e tij ta pyetnin Jezuin: «A je ti Ai që duhet të vijë, apo duhet të presim një tjetër?» (Mateu 11:3) Mbase Gjoni pyeste veten nëse Jezui ishte vërtet Çlirimtari i premtuar që do të realizonte shpresat e judenjve.

Apostujt e Jezuit e kishin të vështirë ta kuptonin se ai do të vritej e do të ringjallej. Njëherë, kur Jezui shpjegoi se Mesia duhej të vuante e të vdiste, Pjetri «e mori mënjanë dhe nisi ta qortonte». (Marku 8:31, 32) Ai ende nuk arrinte të kuptonte ç’lidhje kishte vdekja e Jezuit me rolin e tij si Mesia.

Pak para Pashkës së vitit 33 të e.s., sapo Jezui hyri në Jerusalem, turma entuziaste e mirëpritën dhe e nderuan si Mbret. (Gjoni 12:12, 13) Sa shpejt që ndryshoi ajo situatë! Brenda javës, Jezuin e arrestuan dhe e ekzekutuan. Pas vdekjes së tij, dy nga dishepujt thanë me keqardhje: «Ne shpresonim që ai të ishte njeriu që do të çlironte Izraelin.» (Luka 24:21) Edhe kur Jezui i ringjallur iu shfaq dishepujve, ende mendonin se Mesia do të themelonte një mbretëri tokësore. Ata e pyetën: «Zotëri, në këtë kohë do ta rivendosësh mbretërinë e Izraelit?» Qartë, ajo që gabimisht pritej nga Mesia, ishte rrënjosur thellë në mendjen dhe zemrën e dëgjuesve të Jezuit.​—Veprat 1:6.

Pas ngjitjes së Jezuit në qiell dhe pas derdhjes së frymës së shenjtë, dishepujt arritën të kuptonin qartë se Mesia do të sundonte si Mbret në qiell. (Veprat 2:1-4, 32-36) Apostujt Pjetër dhe Gjon predikuan me guxim për ringjalljen e Jezuit dhe dhanë prova se kishin mbështetjen e Perëndisë duke kryer edhe vetë mrekulli. (Veprat 3:1-9, 13-15) Mijëra veta në Jerusalem reaguan mirë dhe u bënë besimtarë. Sidoqoftë, kjo nuk u pëlqeu autoriteteve judaike. Ashtu si kishin kundërshtuar Jezuin, tani po kundërshtonin edhe apostujt e dishepujt e tij. Pse krerët fetarë judenj e hodhën poshtë me kaq egërsi Jezuin?

I hedhur poshtë nga krerë fetarë

Rreth kohës kur Jezui erdhi në tokë, pikëpamjet dhe praktikat fetare të judenjve kishin devijuar mjaft nga ajo që mësonin Shkrimet e frymëzuara. Krerët fetarë të asaj kohe, saducenjtë, farisenjtë dhe skribët, përkrahnin traditat shekullore në vend të Fjalës së shkruar të Perëndisë. Herë pas here e akuzonin Jezuin se shkelte Ligjin ngaqë kryente shërime me anë të mrekullive në sabat. Duke ua hedhur poshtë me forcë mësimet e pabazuara në Shkrime, Jezui sfidoi si autoritetin, ashtu edhe pretendimet e tyre se kishin një qëndrim të miratuar para Perëndisë. Ndryshe nga ata, Jezui vinte nga një familje e thjeshtë dhe nuk kishte arsimimin e tyre fetar. Nuk habitemi pse ata burra krenarë e kishin aq të vështirë ta pranonin Jezuin si Mesia. Përballje të tilla i tërbonin kaq shumë, saqë «u këshilluan kundër [Jezuit] për ta vrarë».​—Mateu 12:1-8, 14; 15:1-9.

Por, si mund ta shpjegonin krerët fetarë aftësinë e Jezuit për të kryer mrekulli? Ata nuk i mohuan mrekullitë, por me fjalë blasfemuese u përpoqën të minonin besimin te Jezui duke ia atribuar Satanait fuqinë e tij. Thanë: «Ky i dëbon demonët vetëm me anë të Belzebubit, sundimtarit të demonëve.»​—Mateu 12:24.

Ata refuzuan prerazi ta pranonin Jezuin si Mesia edhe për një arsye tjetër të rrënjosur thellë. Pasi Jezui ringjalli Lazarin, krerët e grupeve të ndryshme fetare u këshilluan së bashku dhe thanë: «Ç’të bëjmë? Se ky njeri po kryen shumë shenja. Po ta lëmë kështu, të gjithë do të tregojnë besim tek ai. Atëherë romakët do të vijnë e do të na heqin vendin tonë të adhurimit dhe kombin tonë.» Nga frika se mos humbitnin pushtetin dhe pozitën, krerët fetarë komplotuan të vritnin jo vetëm Jezuin, por edhe Lazarin.​—Gjoni 11:45-53; 12:9-11.

Paragjykohen dhe përndiqen nga judenjtë e tjerë

Qëndrimi i krerëve fetarë judenj të shekullit të parë krijoi një klimë shoqërore armiqësore ndaj kujtdo që e pranonte Jezuin si Mesia. Tepër krenarë për pozitën e shquar, ata përbuznin këdo që besonte te Jezui, me fjalët: «Mos ka treguar besim tek ai qoftë edhe një nga krerët a nga farisenjtë?» (Gjoni 7:13, 48) Disa udhëheqës judenj, si Nikodemi dhe Jozefi nga Arimatea, u bënë dishepuj të Jezuit, por nga frika, nuk e shfaqnin hapur besimin. (Gjoni 3:1, 2; 12:42; 19:38, 39) Udhëheqësit judenj kishin vendosur «të përjashtonin nga sinagoga këdo që thoshte se [Jezui] ishte Krishti». (Gjoni 9:22) Një njeri të tillë e shmangnin dhe e përçmonin si të përjashtuar nga shoqëria.

Kundërshtimi ndaj apostujve dhe dishepujve të Jezuit me kalimin e kohës u kthye në përndjekje të dhunshme. Për shkak të predikimit të guximshëm, apostujt vuajtën nga Sinedri, gjykata e lartë judaike. (Veprat 5:40) Kundërshtarët kurdisën akuza të rreme për blasfemi kundër dishepullit Stefan. Atë e dënoi Sinedri dhe e vranë me gurë. Më pas «u bë përndjekje e madhe kundër kongregacionit që ishte në Jerusalem. Të gjithë, përveç apostujve, u shpërndanë në mbarë viset e Judesë dhe të Samarisë». (Veprat 6:8-14; 7:54–8:1) Sauli, i cili më vonë u bë apostulli Pavël, mori pjesë në fushatën e përndjekjes që mbështetej zyrtarisht nga kryeprifti dhe «gjithë pleqësia».​—Veprat 9:1, 2; 22:4, 5.

Me gjithë këto rrethana të vështira, krishterimi mori hov në vitet pas vdekjes së Jezuit. Pavarësisht se mijëra u bënë besimtarë, të krishterët mbetën pakicë në popullsinë e Palestinës së shekullit të parë. Të identifikoheshe publikisht si dishepull i Krishtit, do të thoshte të rrezikoje të të dëbonin e madje të të keqtrajtonin.

Nxirr mësim nga ata që hodhën poshtë Jezuin

Siç e pamë, në shekullin e parë, idetë e gabuara, presioni i njerëzve përreth dhe përndjekja penguan shumë veta që të besonin te Jezui. Edhe sot idetë e gabuara për Jezuin dhe për mësimet e tij mund të kenë ndikim të ngjashëm. Për shembull, shumë njerëzve u është mësuar se Mbretëria e Perëndisë është në zemrën e tyre ose se do të vijë me anë të përpjekjeve njerëzore. Të tjerëve ua kanë mbushur mendjen t’i mbajnë sytë te shkenca apo teknologjia për zgjidhjet e problemeve të njerëzimit, duke shmangur kështu nevojën që të besojnë te Mesia. Mjaft kritikë sot minojnë besimin te Jezui si Mesia duke pohuar se ngjarjet që kanë ndodhur gjatë shërbimit të tij, të dokumentuara në Bibël, nuk janë fakte historike.

Ide dhe teori të tilla kanë bërë që mjaft veta të çorientohen në lidhje me rolin e Mesisë ose të mos e ndiejnë nevojën ta shqyrtojnë këtë çështje. Gjithsesi, për ata që duan të shqyrtojnë provat, faktikisht sot ka më tepër dëshmi se Jezui është Mesia, sesa në shekullin e parë. Kemi në dispozicion të gjitha Shkrimet Hebraike që përmbajnë shumë profeci për atë çka që do të bënte Mesia. Po ashtu, në katër ungjijtë e Biblës përshkruhen veprat e Jezuit si përmbushje e atyre profecive. *

Vërtet, nuk na mungon asnjë provë që secili prej nesh të marrë një vendim bazuar në fakte për këtë çështje, dhe ky vendim duhet marrë urgjentisht. Pse? Sepse Bibla tregon se, si Mbreti Mesianik i Mbretërisë së Perëndisë, së shpejti Jezui do të veprojë për të asgjësuar të gjithë ata që po rrënojnë tokën dhe do të sundojë me drejtësi që të gjithë nënshtetasit e bindur të jetojnë përgjithmonë në tokë, në kushte parajsore. (Danieli 2:44; Zbulesa 11:15, 18; 21:3-5) Kjo e ardhme e mrekullueshme mund të jetë jotja nëse përpiqesh të mësosh për Jezuin dhe të tregosh besim tek ai tani. Merri për zemër fjalët e tij: «Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.»​—Gjoni 3:16.

[Shënimi]

^ par. 22 Shih tabelën «Profecitë për Mesinë»faqen 200 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Diçitura në faqen 20]

A do ta kishe identifikuar Mesinë po të jetoje në kohën e Jezuit?

[Figura në faqen 21]

Mos lejo që idetë e ngulitura të të pengojnë të mësosh të vërtetën për Jezuin