Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Këndojini Jehovait!

Këndojini Jehovait!

Këndojini Jehovait!

«Do të këndoj për Perëndinë tim sa të jem.»​—PSAL. 146:2.

1. Ç’e motivoi të riun David të kompozonte disa nga psalmet e tij?

KUR ishte i ri, Davidi kaloi kushedi sa orë arave afër Betlehemit duke ruajtur kopetë e të atit. Teksa kujdesej për delet, Davidi kishte mundësi të shihte krijimin e mrekullueshëm të Jehovait: qiejt plot yje, «kafshët e fushës» dhe «zogjtë e qiellit». Ato që pa, e prekën thellë dhe e shtynë të kompozonte për Bërësin e këtyre mrekullive këngë lëvdimi që ta çonin zemrën peshë. Shumë nga kompozimet e Davidit gjenden në librin e Psalmeve. *​—Lexo Psalmin 8:3, 4, 7-9.

2. (a) Ç’ndikim mund të ketë muzika te njeriu? Jep një shembull. (b) Ç’mund të mësojmë për marrëdhënien e Davidit me Jehovain nga Psalmi 34:7, 8 dhe Psalmi 139:2-8?

2 Ka të ngjarë që gjatë kësaj periudhe të jetës së tij, Davidi t’i ketë përsosur aftësitë e veta si muzikant. Ai u bë aq i aftë, sa e ftuan t’i binte harpës para mbretit Saul. (Prov. 22:29) Muzika e Davidit e qetësonte mbretin e trazuar, siç ndodh edhe me ne sot kur dëgjojmë një muzikë të bukur. Kur Davidi merrte veglën, «Sauli lehtësohej e ndihej mirë». (1 Sam. 16:23) Këngët e kompozuara nga ky muzikant dhe autor këngësh me frikë Perëndie, i kanë rezistuar kohës. Mendo vetëm këtë: sot, më shumë se 3.000 vjet pas lindjes së Davidit, miliona njerëz të të gjitha shtresave, në çdo kënd të tokës, gjejnë vazhdimisht ngushëllim e shpresë nga psalmet e Davidit.​—2 Kron. 7:6; lexo Psalmin 34:7, 8; 139:2-8; Amo. 6:5.

Vendi i nderuar i muzikës në adhurimin e vërtetë

3, 4. Ç’masa u morën në kohën e Davidit që të përfshihej muzikë në adhurimin e pastër?

3 Davidi kishte talent dhe e përdori në mënyrën më të mirë të mundshme​—për t’i dhënë lavdi Jehovait. Pasi u bë mbret i Izraelit, ai u kujdes që në shërbimet që kryheshin në tabernakull të përfshihej edhe muzikë e bukur. Më shumë se një e dhjeta e tërë levitëve në shërbim​—rreth 4.000 burra​—ishin caktuar ‘të thurnin lavde’ bashkë me 288 mjeshtrat e «stërvitur për t’i kënduar Jehovait».​—1 Kron. 23:3, 5; 25:7.

4 Shumë nga këngët që levitët këndonin dhe luanin në vegla i kishte kompozuar Davidi. Izraelitët që patën privilegjin të ishin të pranishëm kur këndoheshin psalmet e Davidit, duhet të jenë prekur thellë nga ajo që kanë dëgjuar. Më vonë, kur arkën e besëlidhjes e çuan në Jerusalem, «Davidi u tha krerëve të levitëve t’i vinin vëllezërit e tyre këngëtarë me vegla muzikore, me vegla me tela, me harpa dhe me cimbale, që t’u binin fort e të dëgjohej një tingull gëzimi».​—1 Kron. 15:16.

5, 6. (a) Pse i kushtohej kaq shumë vëmendje muzikës gjatë mbretërimit të Davidit? (b) Si e dimë se muzika zinte një vend të rëndësishëm në adhurim në Izraelin e lashtë?

5 Pse i kushtohej kaq shumë vëmendje muzikës në kohën e Davidit? Mos ndoshta thjesht ngaqë mbreti ishte muzikant? Jo, kishte një arsye tjetër që u zbulua shekuj më vonë, kur mbreti i drejtë Hezekia rimëkëmbi shërbimet në tempull. Te 2 Kronikave 29:25 lexojmë: «Mbreti [Hezekia] i vendosi levitët në shtëpinë e Jehovait, me cimbale, me vegla me tela dhe me harpa, sipas urdhrit të Davidit, të Gadit, vegimtarit të mbretit, dhe të profetit Natan, sepse urdhri vinte nga Jehovai me anë të profetëve të tij.»

6 Po, me anë të profetëve Jehovai i urdhëroi adhuruesit e tij që ta lëvdonin me këngë. Madje këngëtarët nga fisi priftëror ishin përjashtuar nga detyrat që duhej të kryenin levitët e tjerë, me qëllim që t’u kushtonin kohë të mjaftueshme pjesëve të kompozuara, e ka shumë të ngjarë edhe provave.​—1 Kron. 9:33.

7, 8. Çfarë ka më tepër rëndësi se talenti kur këndojmë këngët e Mbretërisë?

7 Ndoshta ti thua: «Po qe për të kënduar, me siguri unë s’do të kisha bërë pjesë në grupin e mjeshtrave që këndonin në tabernakull!» Por jo të gjithë muzikantët levitë ishin mjeshtra. Sipas 1 Kronikave 25:8, kishte edhe ‘fillestarë’. Gjithashtu, vlen të themi se mund të ketë pasur muzikantë e këngëtarë shumë të talentuar nga fiset e tjera të Izraelit, por Jehovai caktoi levitët që të merreshin me muzikën. ‘Mjeshtra’ apo ‘fillestarë’, mund të jemi të sigurt se të gjithë levitët besnikë iu kushtuan me gjithë zemër caktimit.

8 Davidi e donte muzikën dhe ishte i talentuar. Por, a është talenti e vetmja gjë që ka rëndësi për Perëndinë? Te Psalmi 33:3 Davidi shkroi: «Bjeruni telave me gjithë zemër dhe brohoritni.» Pra, është e qartë: ajo që ka vërtet rëndësi është ta lëvdojmë Jehovain «me gjithë zemër».

Roli i muzikës pas kohës së Davidit

9. Përshkruaj çfarë mund të kishe parë e dëgjuar po të ishe i pranishëm në përurimin e tempullit gjatë mbretërimit të Solomonit.

9 Gjatë mbretërimit të Solomonit, muzika kishte një rol të rëndësishëm në adhurimin e pastër. Në përurimin e tempullit pati një orkestër të plotë dhe vetëm në sektorin e veglave të tunxhit kishte 120 trumbeta. (Lexo 2 Kronikave 5:12.) Në Bibël thuhet se «trumbetarët [që ishin të gjithë priftërinj] dhe këngëtarët si një trup i vetëm nisën të lëvdonin dhe të falënderonin Jehovain njëzëri, . . . ‘sepse ai është i mirë dhe dashamirësia e tij vazhdon përjetë’». Sapo u dëgjua ai tingull i gëzueshëm, «shtëpia e Jehovait, u mbush me një re», shenjë e miratimit të tij. Sa emocionuese dhe mbresëlënëse duhet të ketë qenë të dëgjoje tingullin e gjithë atyre trumbetave dhe zërin e mijëra këngëtarëve që shkriheshin në një!​—2 Kron. 5:13.

10, 11. Ç’gjë tregon se të krishterët e hershëm përdornin muzikë në adhurim?

10 Muzika përdorej në adhurim edhe nga të krishterët e hershëm. Sigurisht që adhuruesit e shekullit të parë nuk mblidheshin nëpër tabernakuj ose tempuj, por në shtëpi private. Për shkak të përndjekjes dhe faktorëve të tjerë, shpesh kushtet në të cilat mblidheshin ishin të pafavorshme. E megjithatë, ata e lëvduan Perëndinë me këngë.

11 Apostulli Pavël i nxiti vëllezërit e krishterë në Kolose: «Vazhdoni . . . të këshilloni njëri-tjetrin me psalme, lavde dhe këngë frymore me hir.» (Kolos. 3:16) Pasi i futën në burg, Pavli dhe Sila «po luteshin dhe po lëvdonin Perëndinë me këngë», edhe pse s’kishin libër këngësh. (Vep. 16:25) Po të të fusnin në burg, sa këngë Mbretërie do të këndoje përmendsh?

12. Si mund të tregojmë vlerësim për këngët e Mbretërisë?

12 Përderisa muzika ka një vend të nderuar në adhurimin tonë, bëjmë mirë të pyesim veten: «A e vlerësoj sa duhet? A bëj çmos të arrij në kohë në mbledhje, asamble e kongrese që të këndoj bashkë me motrat e vëllezërit këngën hapëse dhe a këndoj me ndjenjë? A i mësoj fëmijët që këngën mes Shkollës së Shërbimit Teokratik dhe Mbledhjes së Shërbimit ose atë mes fjalimit publik dhe Studimit të Kullës së Rojës të mos e shohin si një lloj pushimi, si një rast që të lëvizin pa qenë nevoja, mbase thjesht për të shkrydhur këmbët?» Këngët janë pjesë e adhurimit tonë. Po, ‘mjeshtra’ apo ‘fillestarë’, që të gjithë mund dhe duhet t’i bashkojmë zërat për të lëvduar Jehovain.​—Krahaso 2 Korintasve 8:12.

Ndryshojnë kohët dhe nevojat

13, 14. Sa vlerë ka kur këndojmë me gjithë zemër në mbledhjet e kongregacionit? Ilustroje.

13 Më shumë se 100 vjet më parë, Kulla e Rojës e Sionit shpjegoi një nga arsyet pse këngët e Mbretërisë janë kaq të rëndësishme. Në të thuhej: «Këngët janë një mënyrë e mirë për ta ngulitur të vërtetën në mendjen dhe zemrën e popullit të Perëndisë.» Shumë nga tekstet e këngëve gërshetohen me vargje biblike, ndaj një mënyrë e mirë për ta çuar të vërtetën thellë në zemër, është të mësojmë fjalët e të paktën disa këngëve. Shpesh, ata që vijnë për herë të parë në mbledhjet tona janë prekur thellë kur kanë parë që në kongregacion këndohet me gjithë zemër.

14 Një mbrëmje në vitin 1869, Ç. T. Rasëlli po kthehej në shtëpi nga puna, kur dëgjoi një këngë që vinte nga një sallë në bodrum. Në atë pikë të jetës, ai i kishte humbur shpresat të gjente të vërtetën për Perëndinë. Ndaj kishte vendosur t’i kushtohej biznesit të vet, duke arsyetuar se, nëse nuk mund t’i ndihmonte njerëzit të njihnin të vërtetën për Perëndinë, po të bënte para, të paktën do të plotësonte ca nga nevojat e tyre fizike. Vëllai Rasëll hyri në sallën e errët e gjithë pluhur dhe pa se atje mbaheshin shërbesa fetare. U ul dhe dëgjoi. Më vonë, ai shkroi se ajo që dëgjoi atë natë ‘mjaftoi të rimëkëmbte besimin e tij të lëkundur se Bibla është e frymëzuar nga Perëndia’. Sidoqoftë, ishte kënga që e tërhoqi fillimisht vëllanë Rasëll për t’u futur në mbledhje.

15. Cilat përmirësime në kuptueshmëri e bënë të nevojshëm rishikimin e librit të këngëve?

15 Me kalimin e kohës janë bërë disa përmirësime në kuptueshmërinë tonë për Shkrimet. Proverbat 4:18 thotë: «Shtegu i të drejtëve është si drita e agimit, që ndriçon gjithnjë e më shumë, derisa bëhet ditë e plotë.» Drita në rritje çon domosdoshmërisht në disa rregullime në brendinë e ‘këngëve të së vërtetës’. Gjatë 25 viteve të kaluara, Dëshmitarët e Jehovait në shumë vende janë kënaqur me librin e këngëve të titulluar Këndojini lavdi Jehovait. * Që nga koha kur doli për herë të parë ky libër, drita ka ndriçuar gjithnjë e më shumë për disa tema, dhe disa nga shprehjet e përdorura në atë libër janë vjetëruar. Për shembull, tani themi që emri i Jehovait «do të shenjtërohet», jo «do të shfajësohet». Pra, është e qartë se në këndvështrimin doktrinal, ka qenë e nevojshme që libri i këngëve të përditësohej.

16. Si do të na ndihmojë libri i ri i këngëve që të ndjekim këshillën që dha Pavli tek Efesianëve 5:19?

16 Për këtë arsye dhe për të tjera, Trupi Udhëheqës miratoi botimin e një libri të ri këngësh me titull Këndojini Jehovait. Libri i ri ka vetëm 135 këngë. Meqenëse ka më pak këngë, është e mundur të mësojmë fjalët e të paktën disave prej tyre. Kjo është në harmoni me këshillën e Pavlit tek Efesianëve 5:19.​—Lexo.

Të tregojmë mirënjohje

17. Çfarë mund të na ndihmojë të mos jemi në siklet kur këndojmë në kongregacion?

17 A duhet të ndihemi aq në siklet sa të stepemi e të mos këndojmë në mbledhjet e krishtere? Le ta shohim me këtë sy: kur bëhet fjalë për të folurit, a nuk është e vërtetë se «të gjithë ne pengohemi shumë herë»? (Jak. 3:2) Megjithatë, nuk lejojmë që të folurit tonë të papërsosur të na pengojë të lëvdojmë Jehovain shtëpi më shtëpi. Prandaj, edhe nëse nuk dimë të këndojmë mirë, a duhet të na pengojë kjo që ta lëvdojmë Perëndinë me këngë? Jehovai, që «i dha gojë njeriut», kënaqet kur na dëgjon t’i përdorim zërat tanë për ta lëvduar me këngë.​—Dal. 4:11.

18. Jep sugjerime si mund të mësohen fjalët e këngëve.

18 Në disa gjuhë kanë dalë CD-të me titull Këndojini Jehovait​—Interpretime vokale. Ato përmbajnë ekzekutime të bukura orkestrale dhe korale të këngëve të reja. Orkestrimet janë shumë të këndshme për t’u dëgjuar. Dëgjoji shpesh; kështu do të mësosh shpejt fjalët e të paktën disa prej këngëve të reja. Vargjet e shumë prej këngëve janë thurur në një mënyrë që kur këndon një rresht, pothuaj e kupton se si vazhdon më pas. Kështu, kur dëgjon CD-të, pse të mos përpiqesh të këndosh bashkë me korin? Nëse njihesh mirë me tekstin dhe muzikën në shtëpi, me siguri që do të ndihesh më i sigurt kur të këndosh në Sallën e Mbretërisë.

19. Si përgatiten interpretimet orkestrale të këngëve të Mbretërisë?

19 Ndonjëherë në asambletë speciale njëditore, asambletë qarkore dhe në kongrese, ndodh që të mos u kushtojmë shumë rëndësi pjesëve orkestrale. Mirëpo është dashur shumë punë për t’i përgatitur. Pas përzgjedhjes së muzikës, pjesët orkestrohen me kujdes për orkestrën e Shoqatës Watchtower të përbërë nga 64 muzikantë. Këta kalojnë orë pa fund duke studiuar materialin që do të provojnë dhe më pas bëhet regjistrimi në studiot tona në Paterson, Nju-Jork. Dhjetë prej këtyre vëllezërve e motrave nuk jetojnë në Shtetet e Bashkuara. Të gjithë e quajnë privilegj të bëjnë pjesën e tyre që ne të shijojmë muzikë të bukur në ngjarjet tona teokratike. Ne, nga ana jonë, mund të tregojmë mirënjohje për përpjekjet e tyre të dashura. Kur në asamble dhe kongrese drejtuesi na fton të zëmë vend, le ta bëjmë menjëherë e të dëgjojmë në qetësi muzikën që është përgatitur me kaq dashuri.

20. Çfarë je i vendosur të bësh?

20 Jehovai u kushton vëmendje këngëve tona të lëvdimit. Për të janë të rëndësishme. Ne mund t’ia gëzojmë zemrën duke kënduar me gjithë shpirt sa herë që mblidhemi për të adhuruar. Po, mjeshtra apo fillestarë, le ‘t’i këndojmë Jehovait’!​—Psal. 104:33.

[Shënimet]

^ par. 1 Është interesante të thuhet se dhjetë shekuj pas vdekjes së Davidit, një ushtri engjëjsh lajmëroi për lindjen e Mesisë barinjtë që po ruanin kopetë në arat afër Betlehemit.​—Luka 2:4, 8, 13, 14.

^ par. 15 I gjithë libri me 225 këngë ishte në dispozicion në 100 gjuhë.

Si mendon?

• Cilët shembuj nga kohët biblike tregojnë se muzika ka një rol të rëndësishëm në adhurimin tonë?

• Ç’lidhje ka bindja ndaj urdhërimit të Jezuit te Mateu 22:37 me këndimin me gjithë zemër të këngëve të Mbretërisë?

• Në cilat mënyra mund të tregojmë vlerësimin e duhur për këngët e Mbretërisë?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 23]

A i lë fëmijët të lëvizin gjatë këngës pa qenë nevoja?

[Figura në faqen 24]

A po i mëson në shtëpi fjalët e këngëve të reja?