Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A ishte Edeni shtëpia fillestare e njerëzimit?

A ishte Edeni shtëpia fillestare e njerëzimit?

A ishte Edeni shtëpia fillestare e njerëzimit?

PËRFYTYRO sikur je në një kopsht. Nuk ka shpërqendrime a zhurma të jetës së rrëmujshme të qytetit që dëgjohen nga prapa murit. Ky kopsht është tejet i madh dhe asgjë nuk ia prish qetësinë. Për më tepër, mendjen e ke të lirë nga shqetësimet dhe shëndetin nuk ta cenon asnjë sëmundje, alergji a dhembje. Je krejtësisht i lirë për të shijuar ambientin përreth.

Në fillim sytë e tu kënaqen duke parë ngjyrat e gjalla të lulëzimit përreth, më pas vezullimin e një përroi e më tej nuancat e panumërta të gjethnajës dhe barit në diell e në hije. Ndien puhizën e lehtë në lëkurë dhe nuhat aromat e këndshme që sjell. Dëgjon fëshfërimën e gjetheve, stërkalat e ujit që përplasen nëpër shkëmbinj, thirrjet e këngët e zogjve dhe zukatjen e insekteve që punojnë. Ndërsa imagjinon këtë pamje, a nuk dëshiron me zjarr të jesh në një vend si ky?

Në mbarë botën besohet se njerëzimi i pati fillesat në një vend të tillë. Për shekuj me radhë, pjesëtarëve të judaizmit, të krishterizmit dhe të islamizmit u është mësuar për kopshtin e Edenit, ku Perëndia vuri të jetonte Adamin dhe Evën. Sipas Biblës, ata jetonin në paqe dhe të lumtur. Ishin në paqe me njëri-tjetrin, me kafshët dhe me Perëndinë, i cili me dashamirësi u dha shpresën e jetës së përhershme në atë ambient të mrekullueshëm.​—Zanafilla 2:15-24.

Edhe hinduistët kanë konceptet e tyre për parajsën e kohëve të lashta. Budistët besojnë se udhëheqësit e mëdhenj shpirtërorë, ose Budat, shfaqen në epoka të tilla të arta, kur bota është si parajsë. Gjithashtu, fe të shumta në Afrikë mësojnë histori tepër të ngjashme me atë të Adamit dhe të Evës.

Në fakt, ideja e një parajse të hershme gjendet në mjaft fe dhe tradita të njerëzimit. Një historian tha: «Shumë qytetërime besonin në një parajsë të hershme që karakterizohej nga përsosmëria, liria, paqja, lumturia, bollëku dhe mungesa e kërcënimit, tensioneve dhe mosmarrëveshjeve. . . . Ky besim bëri që shoqëria në përgjithësi të dëshironte parajsën e humbur, dhe të gjente një mënyrë për ta rifituar atë.»

Mos vallë të gjitha këto histori e tradita vijnë nga i njëjti burim? A ka mundësi që ‘dëshira’ e njerëzimit për një parajsë të jetë ndikuar nga kujtimi i diçkaje reale? Faktikisht, a ka ekzistuar vërtet në të kaluarën e largët kopshti i Edenit, si dhe Adami e Eva?

Skeptikët tallen me këtë ide. Në epokën tonë shkencore shumë veta mendojnë se tregime të tilla janë thjesht legjenda e mite. Ajo që të habit është se skeptikë nuk janë vetëm jofetarët. Mjaft udhëheqës fetarë nxitin mosbesimin te kopshti i Edenit. Ata thonë se nuk ka pasur kurrë një vend të tillë. Thonë se tregimi është thjesht një përrallë, një gojëdhënë, një fabul ose një shëmbëlltyrë.

Sigurisht, Bibla përmban shëmbëlltyra ose parabola. Më të famshmet i tha vetë Jezui. Megjithatë, Bibla e paraqet tregimin për Edenin jo si shëmbëlltyrë, por si histori, as më shumë e as më pak. Por, nëse ngjarjet e përshkruara nuk ndodhën kurrë, atëherë si mund t’i besohet pjesës tjetër të Biblës? Le të shqyrtojmë pse disa janë skeptikë për kopshtin e Edenit dhe të shohim nëse arsyet janë të shëndosha. Më pas do të shqyrtojmë pse tregimi duhet t’i interesojë secilit prej nesh.