Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse përdori një gjarpër Satanai për t’i folur Evës?

Pse përdori një gjarpër Satanai për t’i folur Evës?

Lexuesit pyesin . . .

Pse përdori një gjarpër Satanai për t’i folur Evës?

▪ Mund të jesh dakord se, siç u diskutua në faqen 8, Satanai ishte forca që qëndronte pas gjarprit që foli me Evën. Pikërisht këtë mëson Bibla. Megjithatë mund të pyesësh veten: «Pse një krijesë frymore e fuqishme foli nëpërmjet një gjarpri?»

Bibla i quan taktikat e Satanait ‘intriga’, dhe kjo ngjarje na ndihmon për ta vërtetuar këtë. (Efesianëve 6:11) Ajo që ndodhi në Eden nuk është fabul për një kafshë që flet, por na hap sytë pasi është shembull i një strategjie dinake për t’i larguar njerëzit nga Perëndia. Si?

Satanai e zgjodhi me kujdes shënjestrën e tij. Eva ishte krijesa më e re me intelekt në univers. Ai shfrytëzoi faktin që ajo ishte e papërvojë dhe vendosi t’ia hidhte e ta joshte. Duke u fshehur pas një gjarpri, një krijesë shumë e kujdesshme, Satanai me mprehtësi mbuloi qëllimet e veta të guximshme e ambicioze. (Zanafilla 3:1) Le të shohim edhe çfarë arriti ai duke e bërë gjarprin të dukej sikur fliste.

Së pari, tërhoqi dhe e mbajti drejt tij vëmendjen e Evës. Ajo e dinte se gjarpërinjtë nuk flasin; vetë burri i saj u kishte vënë emra të gjitha kafshëve, përfshirë gjarprin, ndoshta pasi i kishte vërejtur mirë. (Zanafilla 2:19) Pa dyshim, edhe Eva e kishte parë nga afër këtë krijesë të kujdesshme. Kështu, taktika e Satanait nxiti kureshtjen e Evës; e bëri të përqendrohej në të vetmen gjë që i ishte ndaluar në të gjithë kopshtin. Së dyti, nëse gjarpri qëndronte në degët e pemës së ndaluar, në çfarë përfundimi mund të ketë arritur Eva? Fare mirë mund të ketë arsyetuar se, kjo krijesë e ulët dhe e paaftë për të folur, kishte ngrënë nga ai fryt dhe prandaj arriti të fliste. Nëse fryti bëri kaq shumë për një gjarpër, a nuk mund të bënte më tepër për të? Nuk jemi të sigurt se çfarë mendoi Eva apo nëse gjarpri e kafshoi atë fryt, por dimë se kur gjarpri i tha Evës që fryti do ta bënte «si Perëndi», ajo ishte gati ta besonte gënjeshtrën.

Edhe fjalët që zgjodhi Satanai tregojnë shumë për të. Ai mbolli dyshime në mendjen e Evës, duke nënkuptuar se Perëndia po i mbante diçka të mirë dhe se po ia kufizonte më kot lirinë. Suksesi i planit të Satanait varej nga zgjedhja që do të bënte Eva: nëse do të lejonte që egoizmi ta tejkalonte dashurinë për Perëndinë që i kishte dhënë gjithçka. (Zanafilla 3:4, 5) Mjerisht strategjia e Satanait funksionoi. As Eva, as Adami nuk kishin zhvilluar në zemër atë dashuri dhe çmueshmëri që duhej të kishin për Jehovain. A nuk nxit edhe sot Satanai të njëjtin egoizëm dhe të njëjtat mënyra të arsyetuari?

Por çfarë motivi kishte Satanai? Çfarë donte të arrinte? Në Eden u përpoq të fshihte jo vetëm identitetin, por edhe motivin. Megjithatë, me kalimin e kohës, i zbuloi këto. Kur tundoi Jezuin, me siguri e dinte se maskimet nuk pinin ujë. Prandaj e nxiti drejtpërdrejt: ‘Bjer përmbys dhe më bëj një akt adhurimi.’ (Mateu 4:9) Dukej qartë se Satanai kishte qenë prej kohësh xheloz për adhurimin që i bëhej Jehovait. Ai s’do të lërë gurë pa lëvizur që të tjerët të mos adhurojnë Perëndinë ose që të mos e adhurojnë në mënyrën e duhur. Ai vdes që të na e thyejë besnikërinë ndaj Perëndisë.

Bibla tregon qartë se Satanai është një strateg i betuar për të shkatërruar ata që ka në shënjestër. Por jemi të kënaqur që nuk kemi pse të mashtrohemi si Eva, «sepse nuk jemi në padije të intrigave të tij».​—2 Korintasve 2:11.