Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Qëndroi i patundur pavarësisht nga zhgënjimet

Qëndroi i patundur pavarësisht nga zhgënjimet

Imitoni besimin e tyre

Qëndroi i patundur pavarësisht nga zhgënjimet

SAMUELI e ndiente pikëllimin e Shilohut. Qyteti dukej thuajse i larë nga lotët. Sa gra e fëmijë po qanin e po vajtonin ngaqë morën vesh se nuk do t’u kthehen më në shtëpi etërit, bashkëshortët, bijtë dhe vëllezërit! Dimë vetëm që Izraeli kishte humbur 30.000 ushtarë në një betejë të tmerrshme me filistinët, jo shumë kohë pas humbjes së 4.000 vetave në një betejë tjetër.​—1 Samuelit 4:1, 2, 10.

Kjo ishte vetëm një nga tragjeditë e shumta që ndodhën njëra pas tjetrës. Kryeprifti Eli kishte dy bij të ligj, Hofnin dhe Finehasin, të cilët kishin marshuar jashtë Shilohut me arkën e shenjtë të besëlidhjes. Kjo arkë e çmuar simbolizonte praninë e Perëndisë dhe zakonisht mbahej në ndarjen e shenjtë të tabernakullit​—një tempull në formë tende. Populli e mori arkën në betejë, duke menduar marrëzisht se do të vepronte si hajmali mbrojtëse dhe do t’u jepte fitoren. Por filistinët e morën arkën dhe vranë Hofnin e Finehasin.​—1 Samuelit 4:3-11.

Tabernakulli në Shiloh ishte nderuar për shekuj me radhë nga prania e arkës. Tani arka nuk ishte më. Me të dëgjuar këtë, 98-vjeçari Eli u rrëzua praptas nga ndenjësja dhe vdiq. Nusja e të birit, që u bë vejushë po atë ditë, vdiq duke lindur. Para se të vdiste, ajo tha: «Lavdia iku nga Izraeli.» Vërtet, Shilohu nuk do të ishte më si më parë.​—1 Samuelit 4:12-22.

Si do t’i përballonte Samueli këto zhgënjime të thella? A do të qëndronte i fortë në besim përballë sfidës që të ndihmonte një popull që kishte humbur mbrojtjen dhe pëlqimin e Jehovait? Të gjithëve na ndodh herë pas here të hasim vështirësi e zhgënjime që na e vënë në provë besimin. Ndaj, le të shohim çfarë mund të mësojmë nga Samueli.

‘Vuri në veprim drejtësinë’

Tregimi biblik tani nuk përqendrohet te Samueli, por tek arka e shenjtë dhe na tregon si vuajtën filistinët ngaqë e morën atë dhe si u detyruan ta kthenin sërish. Do të kalojnë 20 vjet para se të flitet përsëri për Samuelin. (1 Samuelit 7:2) Me çfarë u mor ai gjatë këtyre viteve? Përgjigjen e gjejmë në Bibël.

Mësojmë, se para kësaj periudhe 20-vjeçare, «Samueli vazhdoi t’i fliste tërë Izraelit». (1 Samuelit 4:1) Tregimi thotë se pas kësaj periudhe, Samueli e kishte zakon të vizitonte tri qytete në Izrael duke u rënë qark çdo vit, që të zgjidhte mosmarrëveshjet e të merrej me çështje të tjera. Pastaj kthehej në qytetin e tij, në Ramah. (1 Samuelit 7:15-17) Qartë, Samueli ishte gjithmonë i zënë dhe, gjatë atij intervali 20-vjeçar, kishte shumë për të bërë.

Imoraliteti dhe korruptimi i bijve të Eliut ua kishin gërryer besimin popullit. Si pasojë, me sa duket, mjaft veta iu kthyen idhujtarisë. Por, pas dy dekadash pune të palodhur, Samueli i dha këtë mesazh popullit: «Nëse doni të ktheheni me gjithë zemër te Jehovai, atëherë flakini perënditë e huaja që janë mes jush dhe shëmbëlltyrat e Ashtorethit. Drejtojeni zemrën te Jehovai pa u shmangur dhe shërbejini vetëm atij, e ai do t’ju çlirojë nga dora e filistinëve.»​—1 Samuelit 7:3.

«Dora e filistinëve» e kishte zaptuar popullin. Kur ushtria e Izraelit u mund me sukses, filistinët morën hov që ta shtypnin popullin e Perëndisë pa frikën e ndëshkimit. Por Samueli e siguroi popullin se gjërat do të ndryshonin nëse ktheheshin te Jehovai. A ishin të gatshëm për këtë? Për kënaqësinë e Samuelit, ata i flakën idhujt dhe «filluan t’i shërbenin vetëm Jehovait». Samueli organizoi një asamble në Mizpah, qytet në rajonin malor, në veri të Jerusalemit. Populli u mblodh, agjëroi dhe u pendua për mëkatet e shumta lidhur me idhujt.​—1 Samuelit 7:4-6.

Megjithatë, filistinët morën vesh për këtë grumbullim të madh dhe shfrytëzuan rastin. Dërguan ushtrinë në Mizpah që t’i shtypte ata adhurues të Jehovait. Izraelitët dëgjuan për rrezikun që po u kanosej. Të tmerruar, i kërkuan Samuelit të lutej për ta. Ai u lut, madje ofroi edhe një flijim. Ndërkohë që mbahej ceremonia e shenjtë, ushtria filistine po afrohej në Mizpah. Atëherë Jehovai iu përgjigj lutjes së Samuelit. Në fakt, Jehovai tregoi indinjatën e tij. «Atë ditë [ai] shkaktoi bubullima të forta kundër filistinëve.»​—1 Samuelit 7:7-10.

A duhet t’i përfytyrojmë ata filistinë si fëmijët e vegjël që turren për t’u fshehur pas mamit kur dëgjojnë një bubullimë? Jo, ata ishin ushtarë të fortë, të stërvitur nga betejat. Por këto bubullima duhet të kenë qenë shumë të veçanta. Mos ishte volumi shurdhues i atyre bubullimave «të forta»? Mos vinte nga qielli blu e i pastër apo jehonte çuditërisht nga faqet e kodrave? Sidoqoftë, ato i tmerruan deri në palcë filistinët. Në hutim të plotë, shpejt u kthyen nga trima në viktima. Burrat e Izraelit u hodhën në sulm nga Mizpahu, i mundën dhe iu vunë në ndjekje për kilometra të tërë, deri në jugperëndim të Jerusalemit.​—1 Samuelit 7:11.

Ajo betejë ishte pikë kthese. Që nga ajo kohë, filistinët vazhdonin të tërhiqeshin gjatë gjithë ditëve që Samueli shërbeu si gjykatës. Qytet pas qyteti u rivendos nën kontrollin e popullit të Perëndisë.​—1 Samuelit 7:13, 14.

Mjaft shekuj më vonë, apostulli Pavël e radhiti Samuelin mes gjykatësve dhe profetëve besnikë që «vunë në veprim drejtësinë». (Hebrenjve 11:32, 33) Samueli ndihmoi vërtet që të bëhej ajo që ishte e mirë dhe e drejtë në sytë e Perëndisë. Ai pati gjithmonë rezultat, sepse priste me durim Jehovain, duke vazhduar me besnikëri punën që i kishte caktuar, pavarësisht nga zhgënjimet. Gjithashtu tregoi një frymë mirënjohjeje. Pas fitores në Mizpah, Samueli ngriti një përmendore që të kujtohej si e kishte ndihmuar Jehovai popullin e tij.​—1 Samuelit 7:12.

Po ti, a dëshiron ‘të vësh në veprim drejtësinë’? Nëse po, bën mirë të mësosh nga durimi i Samuelit dhe nga qëndrimi i tij i përulur e mirënjohës. E kush nga ne nuk ka nevojë për cilësi të tilla? Sa mirë që Samueli i përvetësoi dhe i shfaqi këto cilësi kur ishte disi i ri, pasi, më vonë në jetë, do të përballonte zhgënjime edhe më të mëdha.

«Bijtë e tu nuk ecin në udhët e tua»

Herën tjetër që flitet për Samuelin, ishte ‘plakur’. Në këtë kohë, ai kishte dy bij të rritur, Joelin dhe Abijahun, të cilëve u besoi përgjegjësinë që ta ndihmonin në punën si gjykatës. Por mjerisht u besoi personave të gabuar. Sado i ndershëm e i drejtë që ishte Samueli, bijtë e tij e përdorën pozitën për qëllime egoiste, duke shtrembëruar drejtësinë e duke marrë ryshfete.​—1 Samuelit 8:1-3.

Një ditë, pleqtë e Izraelit iu afruan profetit të moshuar që të ankoheshin. Ata i thanë: «Bijtë e tu nuk ecin në udhët e tua.» (1 Samuelit 8:4, 5) A ishte në dijeni të problemit Samueli? Tregimi nuk e thotë. Por ndryshe nga Eliu, pa dyshim që Samuelin nuk kishe pse ta qortoje si baba. Jehovai e kishte qortuar dhe ndëshkuar Eliun ngaqë nuk e ndreqi ligësinë e të bijve, ngaqë nderoi ata më tepër se Perëndinë. (1 Samuelit 2:27-29) Jehovai kurrë nuk gjeti asnjë faj të tillë te Samueli.

Tregimi nuk thotë sa u turpërua, sa u trazua apo sa u zhgënjye Samueli kur dëgjoi për sjelljen e ligë të të bijve. Mjerisht, shumë prindër kanë kaluar ndjenja të tilla. Në kohët e errëta që jetojmë, rebelimi ndaj autoritetit dhe disiplinës prindërore është tejet i përhapur. (2 Timoteut 3:1-5) Prindërit që po përballen me një dhembje të tillë mund të gjejnë njëfarë ngushëllimi dhe drejtimi te shembulli i Samuelit. Ai nuk lejoi që sjellja jobesnike e të bijve të ndikonte sikur edhe një fije në drejtimin e jetës së tij. Mos harro, edhe kur fjalët dhe disiplina nuk arrijnë zemrat e ngurtësuara, shembulli i prindit mbetet një mësues i fuqishëm. Përveç kësaj, prindërit kanë përherë mundësi të bëjnë krenar vetë Atin e tyre, Perëndinë Jehova, siç bëri Samueli.

«Caktona, pra, një mbret»

Bijtë e Samuelit as nuk e imagjinonin deri ku do të arrinin pasojat e lakmisë dhe egoizmit të tyre. Pleqtë vazhduan t’i thoshin Samuelit: «Caktona, pra, një mbret, si kanë tërë kombet.» A iu duk Samuelit sikur po e hidhnin poshtë? Në fund të fundit, ai i kishte gjykuar për dekada ata njerëz në emër të Jehovait. Kurse tani, donin t’i gjykonte një mbret, jo thjesht një profet si Samueli. Popujt përreth kishin mbretër, ndaj edhe Izraeli donte një mbret. Si reagoi Samueli? Lexojmë: «Kjo nuk i pëlqeu.»​—1 Samuelit 8:5, 6.

Vër re si u përgjigj Jehovai kur Samueli ia parashtroi çështjen në lutje: «Dëgjoje zërin e popullit për gjithë sa të thonë, sepse nuk të kanë hedhur poshtë ty, por më kanë hedhur poshtë mua, që të mos jem mbret i tyre.» Sa ngushëlluese për Samuelin, e në të njëjtën kohë, sa fyerje e rëndë për Perëndinë e Plotfuqishëm! Jehovai i tha profetit të tij që t’i paralajmëronte izraelitët për çmimin e lartë që do të paguanin nëse donin një mbret njerëzor. Kur Samueli bëri si i tha Jehovai, ata ngulën këmbë: «Jo, sido që të jetë, duam të kemi një mbret.» Gjithmonë i bindur ndaj Perëndisë së tij, Samueli shkoi dhe mirosi mbretin që zgjodhi Jehovai.​—1 Samueli 8:7-19.

Por si u bind Samueli? A u bind në zemërim e sipër, sa për sy e faqe? A lejoi që zhgënjimi t’i helmonte zemrën e të linte zemërimin të hidhte rrënjë? Shumë do të reagonin kështu në situata të ngjashme, por jo Samueli. Ai e mirosi Saulin dhe e pranoi që e kishte zgjedhur vetë Jehovai. Ai e puthi Saulin në shenjë mirëseardhjeje dhe nënshtrimi ndaj mbretit të ri. Gjithashtu i tha popullit: «A e patë atë që ka zgjedhur Jehovai? Mes gjithë popullit nuk ka asnjë si ai.»​—1 Samuelit 10:1, 24.

Samueli nuk u përqendrua te të metat, por te të mirat e të zgjedhurit të Jehovait. E sa për veten, u përqendrua te besnikëria e vazhdueshme ndaj Perëndisë, dhe jo te miratimi i njerëzve të lëkundur. (1 Samuelit 12:1-4) Po ashtu, e përmbushi me besnikëri caktimin, duke e këshilluar popullin e Perëndisë për rreziqet frymore që haste e duke i dhënë zemër që t’i qëndronte besnik Jehovait. Këshillat e tij e prekën popullin dhe iu përgjëruan t’i lutej Perëndisë për ta. Ai u dha këtë përgjigje të bukur: «Nuk më ka shkuar kurrë ndër mend të mëkatoj kundër Jehovait, e të mos lutem më për ju. Unë do t’ju mësoj udhën e mirë e të drejtë.»​—1 Samuelit 12:21-24.

A je zhgënjyer ndonjëherë kur dikush tjetër është zgjedhur për një detyrë a privilegj? Shembulli i Samuelit është një përkujtues i fuqishëm se nuk duhet të lejojmë kurrë që xhelozia ose zemërimi të hedhin rrënjë në zemrën tonë. Perëndia ka mjaft punë shpërblyese dhe të kënaqshme për secilin nga shërbëtorët e tij besnikë.

«Deri kur do të mbash zi për Saulin?»

Samueli kishte të drejtë që shihte të mirën te Sauli. Nuk ishte vetëm i gjatë dhe shumë tërheqës, por edhe i guximshëm dhe i shkathët. Pavarësisht nga këto, fillimisht ishte modest dhe pa pretendime. (1 Samuelit 10:22, 23, 27) Përveç këtyre dhuratave, kishte edhe një dhuratë të çmuar—vullnetin e lirë, aftësinë për të zgjedhur drejtimin e jetës e për të marrë vetë vendime. (Ligji i përtërirë 30:19) A e përdori siç duhet këtë dhuratë?

Mjerisht, kur dikush përkëdhelet në shkëlqimin e ngrohtë të pushtetit të sapofituar, shpesh modestia është cilësia e parë që fashitet. S’kaloi shumë dhe Sauli u bë arrogant. Ai zgjodhi të mos u bindej urdhrave që Jehovai i jepte me anë të Samuelit. Në një rast, Sauli humbi durimin dhe ofroi një flijim që vetëm Samueli kishte të drejtën ta ofronte. Samuelit iu desh ta qortonte ashpër dhe të parathoshte se mbretëria do të hiqej nga familja e Saulit. Në vend që të mësonte nga disiplina, Sauli vazhdoi të kryente vepra edhe më të këqija mosbindjeje.​—1 Samuelit 13:8, 9, 13, 14.

Nëpërmjet Samuelit, Jehovai i tha Saulit të luftonte kundër amalekitëve. Udhëzimet e Jehovait përfshinin urdhrin për të ekzekutuar mbretin e tyre të lig, Agagun. Por Sauli ia kurseu jetën Agagut dhe pjesës më të mirë të plaçkës që duhej shfarosur. Kur Samueli erdhi ta qortonte, Sauli tregoi sa shumë kishte ndryshuar. Në vend që ta pranonte me modesti qortimin, justifikoi veprimet e veta, e anashkaloi çështjen dhe u përpoq t’ia hidhte fajin popullit. Kur Sauli u përpoq t’i shmangej me lezet disiplinës duke thënë se një pjesë e plaçkës ishte për t’ia flijuar Jehovait, Samueli tha fjalët e njohura: «Të bindesh është më mirë se flijimi.» Me guxim Samueli e qortoi dhe i tha vendimin e Jehovait: Mbretëria do t’i hiqej Saulit e do t’i jepej një tjetri​—që ishte më i mirë se ai.​—1 Samuelit 15:1-33.

Samueli ishte mjaft i mërzitur për të metat e Saulit. Ai e kaloi natën duke iu lutur Jehovait për çështjen. Madje mbajti zi për Saulin. Samueli kishte parë një potencial shumë të madh te Sauli, kaq gjëra të mira, kurse tani shpresat e tij u shkatërruan. Burri që njihte dikur, tani kishte ndryshuar​—i kishte humbur cilësitë më të mira dhe ishte kthyer kundër Jehovait. Samueli nuk donte ta shihte më Saulin. Megjithatë, me kalimin e kohës, Jehovai e ndreqi me butësi pikëpamjen e Samuelit: «Deri kur do të mbash zi për Saulin, ndërkohë që unë e kam hedhur poshtë, që të mos mbretërojë në Izrael? Mbushe bririn tënd me vaj dhe nisu. Unë do të të dërgoj te Jeseu, betlehemiti, sepse kam zgjedhur për mbret një nga bijtë e tij.»​—1 Samuelit 15:34, 35; 16:1.

Qëllimi i Jehovait nuk varet nga njerëzit e papërsosur, të cilët nuk janë gjithmonë besnikë. Nëse dikush nuk qëndron besnik, Jehovai do të gjejë një tjetër që të përmbushë vullnetin e Tij. Kështu, Samuelit të moshuar i kaloi hidhërimi për Saulin. Nën drejtimin e Jehovait, shkoi në shtëpinë e Jeseut, në Betlehem, ku takoi disa nga bijtë e tij me pamje tërheqëse. Megjithatë, që në fillim Jehovai i kujtoi Samuelit: «Mos i shiko pamjen dhe shtatin e lartë. . . . Perëndia nuk sheh si sheh njeriu, sepse njeriu sheh atë që sheh syri, kurse Jehovai sheh zemrën.» (1 Samuelit 16:7) Më në fund, Samueli takoi më të voglin, Davidin, i cili ishte edhe i zgjedhuri i Jehovait.

Vitet e fundit të jetës, Samueli e pa gjithnjë e më qartë sa i drejtë ishte vendimi i Jehovait që ta zëvendësonte Saulin me Davidin. Sauli ra aq poshtë, sa donte të vriste Davidin nga xhelozia, si dhe u bë apostat. Megjithatë, Davidi shfaqi cilësi të bukura​—guxim, integritet, besim dhe besnikëri. Teksa jetës së Samuelit i vinte fundi, besimi i forcohej më shumë se kurrë. Ai kuptoi se asnjë problem apo situatë shkurajuese nuk është aq e vështirë sa Jehovai të mos e zgjidhë apo ta kthejë në bekim. Në fund Samueli vdiq, duke lënë pas dokumentimin e një jete të jashtëzakonshme që zgjati thuajse një shekull. I gjithë Izraeli e vajtoi humbjen e atij njeriu besnik, dhe kjo s’na habit. Edhe sot e kësaj dite, shërbëtorët e Jehovait bëjnë mirë të pyesin: «A do ta imitoj besimin e Samuelit?»

[Figura në faqen 25]

Si mund ta ndihmonte Samueli popullin e tij të përballonte humbjen dhe zhgënjimin e thellë?

[Figura në faqen 26]

Si e përballoi Samueli zhgënjimin që i solli sjellja e keqe e të bijve?