Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Zgjidhje për ankesat e zakonshme

Zgjidhje për ankesat e zakonshme

Zgjidhje për ankesat e zakonshme

BIBLA nuk pohon se martesa është e lehtë. Apostulli Pavël u frymëzua nga Perëndia të shkruante se çiftet e martuara do të përballeshin me «shqetësime të përditshme». (1 Korintasve 7:28, Today’s English Version) Por një çift i martuar mund të bëjë shumë që t’i lehtësojë shqetësimet që përjetojnë dhe t’u sjellin më tepër gëzim njëri-tjetrit. Shqyrtoni në vazhdim gjashtë ankesa të zakonshme nga burrat dhe gratë dhe shihni si ndihmojnë parimet biblike kur zbatohen.

1

ANKESA:

«Unë dhe burri po ftohemi.»

PARIMI BIBLIK:

‘Sigurohuni për gjërat më të rëndësishme.’​FILIPIANËVE 1:10.

Martesa është një nga gjërat më të rëndësishme të jetës suaj. E meriton t’i jepet përparësi. Prandaj shihni nëse programi që keni i kontribuon kësaj ankese. Mos lini që rutina e përditshme t’ju bëjë të jetoni secili për hesap të vet. Sigurisht, puna dhe situata të tjera të pashmangshme mund t’ju detyrojnë përkohësisht të mos rrini me njëri-tjetrin. Por mund dhe duhet t’u vini kufi gjërave që keni nën kontroll: siç është koha që harxhoni për hobet dhe shokët.

Gjithsesi, disa të martuar mund të angazhohen tepër në punë ose në hobe, vetëm e vetëm që të mos kalojnë kohë me bashkëshortin. Individë të tillë nuk ‘po ftohen’ me gruan a burrin. Thjesht po shmangin problemet. Nëse ti ose bashkëshorti bëni pjesë në këtë kategori, keni nevojë të identifikoni rrënjën e problemit dhe ta zgjidhni. Vetëm duke kaluar kohë me bashkëshortin mund të rriteni të dy dhe ‘të bëheni një mish i vetëm’ në kuptimin më të plotë.​—Zanafilla 2:24.

Ja si e kanë zbatuar disa këtë këshillë: Andrea * dhe Tanja, një çift australian, kanë dhjetë vjet të martuar. Andrea thotë: «Kam mësuar se të punosh tepër dhe të marrësh përsipër shumë detyrime shoqërore mund të jetë e rrezikshme për martesën. Kështu që unë dhe gruaja lëmë kohë mënjanë që të flasim dhe t’ia shprehim ndjenjat njëri-tjetrit.»

Dejvi dhe Xhejni, që jetojnë në Shtetet e Bashkuara dhe kanë 22 vjet të martuar, e rezervojnë një gjysmë ore në fillim të çdo mbrëmjeje që të shkëmbejnë përvoja dhe mendime. Xhejni thotë: «Kjo është kohë e rëndësishme dhe nuk lëmë asgjë tjetër të ndërhyjë në të.»

2

ANKESA:

«Nuk po marr më atë që dua nga kjo lidhje.»

PARIMI BIBLIK:

«Secili le të vazhdojë të kërkojë jo përfitimin e vet, por atë të tjetrit.»

1 KORINTASVE 10:24.

Dikush që merakoset kryesisht për atë që po merr nga martesa, asnjëherë nuk do të jetë vërtet i lumtur, edhe nëse rimartohet shumë herë. Martesa funksionon kur secili bashkëshort përqendrohet më shumë të japë, se të marrë. Jezui e tregon arsyen: «Ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh.»​—Veprat 20:35.

Ja si e kanë zbatuar disa këtë këshillë: Maria dhe Martini, që jetojnë në Meksikë, kanë 39 vjet të martuar. Por, jo gjithnjë ka qenë fushë me lule. Ata kujtojnë një periudhë veçanërisht të vështirë. Maria sjell ndër mend: «Në mes të një debati të zjarrtë, i thashë diçka shumë pa respekt Martinit. Ai u nxeh jashtë mase. U përpoqa t’i shpjegoja se nuk e kisha me tërë mend çka i thashë, se thjesht isha e mërzitur. Por ai s’donte të dëgjonte.» Martini thotë: «Gjatë atij debati, fillova të mendoj se nuk mund të jetonim më bashkë, se s’duhej të përpiqesha më që kjo martesë të vazhdonte.»

Martini donte respekt. Maria dëshironte që ai ta kuptonte. Asnjëri s’po merrte atë që donte.

Si arritën ta zgjidhnin problemin? Martini thotë: «Lashë të kalonte kohë të qetësohesha dhe që të dy vendosëm të zbatonim këshillën e mençur të Biblës për të treguar respekt dhe mirëdashje. Me kalimin e viteve, kemi mësuar se, pavarësisht sa herë lindin problemet, mund t’i kapërcejmë nëse lutemi për ndihmën e Perëndisë dhe zbatojmë këshillat biblike.»​—Isaia 48:17, 18; Efesianëve 4:31, 32.

3

ANKESA:

«Bashkëshorti nuk i përmbush detyrimet që i takojnë.»

PARIMI BIBLIK:

«Secili nga ne do t’i japë llogari Perëndisë për veten.»​—ROMAKËVE 14:12.

Pa dyshim, martesa nuk funksionon më së miri nëse vetëm njëri bashkëshort përpiqet. Por situata do të ishte më keq nëse të dy bashkëshortët do të ishin moskokëçarës dhe do t’ia hidhnin përgjegjësinë tjetrit.

Nëse vazhdimisht mendon për atë që bashkëshorti duhet të bëjë, të pret një jetë e mjerë. Kjo do të jetë veçanërisht e vërtetë në rast se i përdor mangësitë e burrit a të gruas si justifikim për të hequr dorë nga përgjegjësitë vetjake. Nga ana tjetër, në qoftë se përpiqesh fort të jesh bashkëshort a bashkëshorte e mirë, ka të ngjarë që martesa juaj të përmirësohet. (1 Pjetrit 3:1-3) Ç’është më e rëndësishmja, i tregon Perëndisë se e nderon rregullin e tij për martesën dhe veprimet e tua do t’i sjellin atij shumë kënaqësi.​—1 Pjetrit 2:19.

Ja si e kanë zbatuar disa këtë këshillë: Kimi dhe burri i saj, që jetojnë në Kore, kanë 38 vjet të martuar. Kimi thotë: «Ndonjëherë im shoq mërzitet me mua e nuk më flet me gojë, madje s’e kuptoj as pse. Kjo më bën të mendoj se i është ftohur dashuria për mua. Nganjëherë më vijnë mendime si: ‘Pse ai pret që ta kuptoj atë, ndërkohë që nuk përpiqet të më kuptojë?’»

Kimi fare mirë mund të përqendrohet te padrejtësia dhe tek gjërat që i shoqi nuk bën. Përkundrazi, ajo zgjedh të veprojë ndryshe. Kimi thotë: «Në vend që të rri e mërzitur, kam mësuar se gjëja më e mirë është të marr iniciativën për të bërë paqe. Në fund, të dy arrijmë të qetësohemi dhe t’i diskutojmë gjërat paqësisht.»​—Jakovi 3:18.

4

ANKESA:

«Gruaja nuk më nënshtrohet.»

PARIMI BIBLIK:

«Kreu i çdo burri është Krishti.»​1 KORINTASVE 11:3.

Një burrë që mendon se e shoqja nuk i nënshtrohet, së pari duhet të shqyrtojë veten nëse është i gatshëm të tregojë nënshtrim ndaj kreut të tij, Jezu Krishtit. Burri tregon se i nënshtrohet Jezuit kur ndjek shembullin e tij.

Apostulli Pavël shkroi: «Burra, vazhdoni t’i doni gratë tuaja, ashtu si edhe Krishti e deshi kongregacionin dhe dorëzoi veten për të.» (Efesianëve 5:25) Jezui nuk ‘u soll si zotëri’ me dishepujt. (Marku 10:42-44) Ai u dha dishepujve drejtim të qartë dhe i ndreqi kur ishte e nevojshme. Por nuk ishte kurrë i ashpër. Ishte mirëdashës me ta dhe ua kuptonte kufizimet. (Mateu 11:29, 30; Marku 6:30, 31; 14:37, 38) Gjithmonë i vinte interesat e tyre para të vetave.​—Mateu 20:25-28.

Një burrë duhet t’i bëjë vetes këtë pyetje: «A është ndikuar më tepër pikëpamja që kam për kryesinë dhe për gratë në përgjithësi nga zakonet vendëse e jo nga këshillat e shembujt që gjenden në Bibël?» Për shembull, çfarë do të mendoje për një grua që nuk është dakord me pikëpamjen e të shoqit dhe me vendosmëri, por me respekt, ia shpreh pikëpamjen? Në Bibël, gruaja e Abrahamit, Sara, mbahet si shembull i një gruaje të nënshtruar. (1 Pjetrit 3:1, 6) Sidoqoftë, ajo foli hapur e me vendosmëri kur ishte e nevojshme, siç ishte rasti kur Abrahami nuk arrinte t’i shihte disa rreziqe që i kanoseshin familjes.​—Zanafilla 16:5; 21:9-12.

Është e qartë se Abrahami nuk e frikësonte Sarën që ajo të mos e hapte gojën. Nuk ishte tiran. Po ashtu, një bashkëshort që ndjek këshillat biblike nuk e kërcënon gruan, duke pretenduar që ajo t’i nënshtrohet për çdo tekë. Ai e fiton respektin e gruas duke e ushtruar kryesinë me dhembshuri.

Ja si e kanë zbatuar disa këtë këshillë: Xhejmsi, që jeton në Angli dhe ka tetë vjet i martuar, thotë: «Po mësoj të mos i marr vendimet e rëndësishme pa u këshilluar me gruan. Përpiqem të mos mendoj vetëm për veten. Por synoj të vë nevojat e saj para nevojave të mia.»

Xhorxhi jeton në Shtetet e Bashkuara dhe ka 59 vjet i martuar. Ai thotë: «Jam përpjekur ta trajtoj gruan jo si dikush që s’ka fare të drejta, por si një partnere inteligjente dhe të aftë.»​—Proverbat 31:10.

5

ANKESA:

«Burri nuk e merr drejtimin.»

PARIMI BIBLIK:

«Gruaja që është vërtet e mençur, e ndërton shtëpinë e saj, kurse e marra e shemb me duart e veta.»​PROVERBAT 14:1.

Nëse burri yt ngurron të marrë vendime ose të marrë nismën për drejtimin e shtëpisë, ke të paktën tri mundësi. (1) Mund t’ia vësh vazhdimisht në dukje të metat e tij, (2) mund të uzurposh rolin e tij si kreu i familjes ose (3) mund ta lavdërosh sinqerisht për çdo përpjekje që bën. Nëse zgjedh dy mundësitë e para, do ta shembësh shtëpinë me duart e tua. Nëse zgjedh mundësinë e tretë, do ta ndërtosh ose do ta forcosh martesën.

Shumë burra e vlerësojnë respektin më tepër se dashurinë. Prandaj, në qoftë se e bën bashkëshortin të ndihet i respektuar​—të ndiejë se përpjekjet e tij ndërsa merr drejtimin në familje janë të efektshme dhe të çmueshme​—ka të ngjarë ta përmirësojë rolin. Sigurisht do të ketë raste kur nuk do të jesh dakord me bashkëshortin për ndonjë çështje. Keni nevojë t’i diskutoni bashkë këto çështje. (Proverbat 18:13) Por, me fjalët që zgjedh dhe me tonin e zërit që përdor, ose do ta shembësh, ose do ta ndërtosh martesën. (Proverbat 21:9; 27:15) Shprehu me respekt dhe ka më shumë të ngjarë ta arrish atë që dëshiron: një burrë që nuk ngurron të marrë drejtimin.

Ja si e kanë zbatuar disa këtë këshillë: Mishela, e cila jeton në Shtetet e Bashkuara dhe ka 30 vjet e martuar, thotë: «Ngaqë mamaja na rriti mua dhe motrat pa mbështetjen e një bashkëshorti, ajo ishte një grua shumë e fortë dhe e pavarur. Prirem t’i imitoj këto tipare. Kështu që përpiqem vazhdimisht të tregoj nënshtrimin e duhur. Për shembull, kam mësuar të këshillohem me burrin në vend se thjesht t’i marr vetë vendimet.»

Edhe Rakela, që jeton në Australi dhe ka 21 vjet e martuar me Markun, është ndikuar nga prejardhja e saj. Ajo kujton: «Mamaja nuk i nënshtrohej kurrë babait. Debatet dhe mosrespekti ishin normale. Vitet e para të martesës, imitoja mamanë. Por me kalimin e viteve kam mësuar vlerën e zbatimit të këshillave biblike për sa i përket shfaqjes së respektit. Tani, unë dhe Marku gëzojmë një martesë shumë më të lumtur.»

6

ANKESA:

«S’mund t’i duroj më huqet e mërzitshme të bashkëshortit.»

PARIMI BIBLIK:

«Vazhdoni të duroni dhe të falni bujarisht njëri-tjetrin, edhe nëse ndokush ka shkak për t’u ankuar kundër një tjetri.» ​KOLOSIANËVE 3:13.

Kur po njiheshit në fillim, ka të ngjarë të ishe kaq i përqendruar te cilësitë e mundshme të shkëlqyera të bashkëshortit, sa zor se i ke vënë re të metat e tij apo të saj. A mund të bësh të njëjtën gjë edhe tani? Pa dyshim, ke arsye të vlefshme për t’u ankuar për bashkëshortin. Megjithatë, pyet veten: «Te cilat cilësi të bashkëshortit do të zgjedh të përqendrohem, te të mirat apo të këqijat?»

Jezui përdori një ilustrim të goditur, i cili tregon nevojën që t’i anashkalojmë të metat e të tjerëve. Ai pyeti: «Pse shikon lëmishten në syrin e vëllait, dhe nuk vëren traun në syrin tënd?» (Mateu 7:3) Një lëmishte mund të jetë një copë e vogël bari. Nga ana tjetër, një tra është një dru i madh që përdoret për të mbajtur çatinë e shtëpisë. Ku donte të dilte? «Hiq më parë traun nga syri yt, e pastaj do të shohësh qartë se si të heqësh lëmishten nga syri i vëllait.»​—Mateu 7:5.

Para se të thoshte këtë ilustrim, Jezui dha një paralajmërim serioz. Ai tha: «Mos i gjykoni më të tjerët, që të mos gjykoheni, sepse ju do të gjykoheni me po atë gjykim që gjykoni.» (Mateu 7:1, 2) Nëse ti do të doje që Perëndia t’i anashkalonte të metat e tua​—traun në syrin tënd​—atëherë është në të mirën tënde t’i anashkalosh të metat e bashkëshortit.​—Mateu 6:14, 15.

Ja si e kanë zbatuar disa këtë këshillë: Xheni, e cila jeton në Angli dhe ka nëntë vjet e martuar me Sajmonin, thotë: «Kam kuptuar se ajo që më acaron më shpesh te burri, është prirja e tij për të mos planifikuar më përpara; i lë gjërat për minutën e fundit. Kjo është ironike, sepse në kohën kur po njiheshim, e dashuroja ngaqë ishte shumë spontan. Sidoqoftë, tani e pranoj se edhe unë kam të meta, si për shembull, t’u diktoj të tjerëve si të sillen ose të mendojnë. Sajmoni dhe unë po mësojmë t’i anashkalojmë papërsosmëritë e vogla të njëri-tjetrit.»

Kurti, i martuar me Mishelën, që u citua më sipër, thotë: «Nëse përqendrohesh te tiparet e mërzitshme të bashkëshortit, këto të meta do të të duken gjithnjë e më të mëdha. Parapëlqej të përqendrohem te cilësitë që më bënë të dashurohesha me Mishelën.»

Sekreti i suksesit

Këta pak shembuj ilustrojnë se vështirësitë në martesë janë të pashmangshme, por jo të pakapërcyeshme. Cili është sekreti për të pasur sukses? Zhvilloni dashuri për Perëndinë dhe jini të gatshëm të zbatoni këshillat që gjenden në Fjalën e tij, në Bibël.

Aleksi dhe Itohanga që jetojnë në Nigeri dhe kanë më se 20 vjet të martuar, e kanë mësuar këtë sekret. Aleksi thotë: «Kam zbuluar se gati çdo vështirësi martesore mund të zgjidhet nëse çifti zbaton parimet biblike.» E shoqja thotë: «Kemi mësuar sa e rëndësishme është të lutemi rregullisht së bashku, si dhe të zbatojmë këshillën biblike për ta dashur dhe duruar sinqerisht njëri-tjetrin. Tani kemi më pak probleme se në fillim të martesës.»

A dëshiron të mësosh më shumë se si mund t’i sjellin dobi familjes sate këshillat praktike që gjenden në Fjalën e Perëndisë? Në qoftë se po, kërkoju Dëshmitarëve të Jehovait të diskutojnë me ty kapitullin 14 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?  *

[Shënimet]

^ par. 10 Disa emra janë ndryshuar.

^ par. 63 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Figura në faqen 4]

A lëmë kohë mënjanë që të flasim me njëri-tjetrin?

[Figura në faqen 5]

A përpiqem më shumë të jap apo të marr?

[Figura në faqen 6]

A marr iniciativën për të zgjidhur grindjet?

[Figura në faqen 7]

A e marr parasysh mendimin e gruas para një vendimi?

[Figura në faqen 9]

A përqendrohem te cilësitë e mira të bashkëshortit?