Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ta duam drejtësinë me gjithë zemër

Ta duam drejtësinë me gjithë zemër

Ta duam drejtësinë me gjithë zemër

«Ti e do drejtësinë.»​—PSAL. 45:7.

1. Çfarë do të na ndihmojë të ndjekim «shtigjet e drejtësisë»?

NËPËRMJET Fjalës dhe frymës së shenjtë, Jehovai po e drejton popullin e tij në «shtigjet e drejtësisë». (Psal. 23:3) Megjithatë, ngaqë jemi të papërsosur, kemi prirjen të devijojmë nga këto shtigje. Që të kthehemi e të bëjmë çka është e drejtë, kërkohen përpjekje këmbëngulëse. Çfarë do të na ndihmojë t’ia dalim mbanë? Ashtu si Jezui, duhet të duam të bëjmë atë që është e drejtë.​—Lexo Psalmin 45:7.

2. Çfarë janë «shtigjet e drejtësisë»?

2 Çfarë janë «shtigjet e drejtësisë»? Një shteg është një udhë ose kalim i ngushtë. «Shtigjet e drejtësisë» përcaktohen me anë të standardit të Jehovait për drejtësinë. Në hebraisht dhe në greqisht, fjala «drejtësi» nënkupton t’u përmbahesh ngushtësisht parimeve morale. Meqë Jehovai është ‘vatra e drejtësisë’, adhuruesit e tij i drejtohen me kënaqësi për të përcaktuar shtigjet moralisht të drejta që duhet të ndjekin.​—Jer. 50:7.

3. Si mund të mësojmë më shumë për drejtësinë e Perëndisë?

3 Vetëm duke u përpjekur me gjithë zemër që të përputhemi me standardet e drejta të Jehovait, do t’i pëlqejmë atij plotësisht. (Ligj. 32:4) Hapi i parë drejt kësaj është të mësojmë gjithçka mundemi për Perëndinë Jehova nga Fjala e tij, Bibla. Sa më shumë të mësojmë për Të, duke iu afruar çdo ditë e më tepër, aq më shumë do ta duam drejtësinë e tij. (Jak. 4:8) Gjithashtu, duhet të pranojmë drejtimin e Fjalës së frymëzuar të Perëndisë kur kërkohet të marrim vendime të rëndësishme në jetë.

Të kërkojmë drejtësinë e Perëndisë

4. Çfarë përfshin të kërkojmë drejtësinë e Perëndisë?

4 Lexo Mateun 6:33. Të kërkojmë drejtësinë e Perëndisë përfshin më shumë sesa të harxhojmë kohën tonë duke predikuar lajmin e mirë për Mbretërinë. Që shërbimi ynë i shenjtë të jetë i pranueshëm për Jehovain, duhet që sjellja jonë e përditshme të përputhet me standardet e tij të larta. Çfarë duhet të bëjnë të gjithë ata që kërkojnë drejtësinë e Jehovait? Duhet ‘të veshin personalitetin e ri, i cili u krijua sipas vullnetit të Perëndisë në drejtësi dhe besnikëri të vërtetë’.​—Efes. 4:24.

5. Çfarë do të na ndihmojë të kapërcejmë shkurajimin?

5 Ndërsa përpiqemi të jetojmë sipas standardeve të drejta të Perëndisë, ndonjëherë mund të shkurajohemi për shkak të mangësive tona. Çfarë mund të na ndihmojë të kapërcejmë shkurajimin që na shteron fuqitë dhe të mësojmë ta duam drejtësinë e të veprojmë gjithnjë me drejtësi? (Prov. 24:10) Duhet t’i afrohemi rregullisht Jehovait në lutje «me zemër të sinqertë, me siguri të plotë e me besim». (Hebr. 10:19-22) Pavarësisht nëse jemi të krishterë të mirosur apo kemi shpresë tokësore, të tregojmë besim te flijimi shpërblyes i Jezu Krishtit dhe te shërbimet e tij si Kryeprifti ynë i madh. (Rom. 5:8; Hebr. 4:14-16) Se sa i efektshëm është gjaku i derdhur i Jezuit, u ilustrua në numrin e parë të kësaj reviste. (1 Gjon. 1:6, 7) Në artikull thuhej: «Është një fakt se [kur] një objekt me ngjyrë kërmëzi ose të kuqe të ndezur shihet përmes një xhami të kuq në dritë, objekti duket i bardhë. Kështu, megjithëse mëkatet tona janë ngjyrë kërmëzi ose të kuqe të ndezur, kur i shohim nga këndvështrimi i Perëndisë, pra përmes gjakut të Krishtit, ato konsiderohen të bardha.» (Korrik 1879, f. 6, angl.) Ç’masë të mrekullueshme ka marrë Jehovai për ne, me anë të flijimit shpërblyes të Birit të tij të shtrenjtë!​—Isa. 1:18.

Të kontrollojmë armaturën frymore

6. Pse është jetësore të kontrollojmë armaturën tonë frymore?

6 Gjithmonë nevojitet të kemi të veshur «parzmoren e drejtësisë», pasi ajo është një pjesë thelbësore e armaturës frymore që na siguron Perëndia. (Efes. 6:11, 14) Pavarësisht nëse i jemi kushtuar Jehovait kohët e fundit apo i bëjmë shërbim të shenjtë prej dekadash, është jetësore të kontrollojmë çdo ditë armaturën tonë frymore. Pse? Sepse Djalli dhe demonët janë hedhur në afërsi të tokës. (Zbul. 12:7-12) Satanai është i zemëruar dhe e di se koha e tij është e kufizuar. Prandaj, i ka shtuar sulmet kundër popullit të Perëndisë. A e kuptojmë sa e rëndësishme është të kemi të veshur «parzmoren e drejtësisë»?

7. Si do të sillemi nëse kuptojmë nevojën për të pasur «parzmoren e drejtësisë»?

7 Parzmorja mbron zemrën e mirëfilltë. Për shkak të natyrës sonë të papërsosur, zemra jonë e figurshme priret të jetë e pabesë dhe e rrezikshme. (Jer. 17:9) Meqë zemra priret të bëjë të keqen, është shumë e rëndësishme që të stërvitet dhe të disiplinohet. (Zan. 8:21) Në qoftë se e kuptojmë nevojën për të pasur «parzmoren e drejtësisë», nuk do ta heqim përkohësisht duke zgjedhur të zbavitemi me gjëra që Perëndia i urren dhe nuk do të ndalemi të fantazojmë keqbërjen. Nuk do të çojmë dëm sasi të mëdha kohe të çmuar duke parë televizor. Përkundrazi, do të vazhdojmë të përpiqemi fort për të bërë atë që i pëlqen Jehovait. Edhe nëse ndonjëherë pengohemi ngaqë mendojmë dhe bëjmë gjëra të gabuara, nuk dorëzohemi. Ngrihemi përsëri me ndihmën e Jehovait.​—Lexo Proverbat 24:16.

8. Pse kemi nevojë për «mburojën e madhe të besimit»?

8 Ndër pjesët e armaturës sonë frymore është edhe ‘mburoja e madhe e besimit’. Ajo na ndihmon ‘të shuajmë të gjitha shigjetat e zjarrta të të ligut’. (Efes. 6:16) Pastaj, besimi bashkë me dashurinë me gjithë zemër për Jehovain, na ndihmojnë të veprojmë gjithnjë me drejtësi dhe të qëndrojmë në udhën e jetës së përhershme. Sa më shumë të mësojmë ta duam Jehovain, aq më shumë do ta vlerësojmë drejtësinë e tij. Por, ç’mund të themi për ndërgjegjen tonë? Si na ndihmon ajo në përpjekjet për të dashur drejtësinë?

Të mbajmë një ndërgjegje të mirë

9. Si nxjerrim dobi duke mbajtur një ndërgjegje të mirë?

9 Kur u pagëzuam, i bëmë Jehovait një kërkesë për «një ndërgjegje të mirë». (1 Pjet. 3:21) Ngaqë tregojmë besim te shpërblesa, gjaku i Jezuit na i mbulon mëkatet dhe si rrjedhim kemi një qëndrim të pastër para Perëndisë. Por, që të vazhdojmë të kemi këtë qëndrim të pastër, nevojitet të mbajmë një ndërgjegje të mirë. Nëse ndonjëherë ndërgjegjja na paralajmëron, duhet të jemi mirënjohës që po punon siç duhet. Këto sinjale të ndërgjegjes tregojnë se nuk është bërë e pandjeshme për sa u përket udhëve të drejta të Jehovait. (1 Tim. 4:2) Por ndërgjegjja mund të luajë një rol tjetër për ata që dëshirojnë ta duan drejtësinë.

10, 11. (a) Tregoni një përvojë që shpjegon pse duhet t’i vëmë veshin ndërgjegjes sonë të stërvitur sipas Biblës. (b) Pse dashuria për drejtësinë mund të na sjellë kënaqësi të madhe?

10 Kur bëjmë diçka të gabuar, ndërgjegjja mund të na dënojë ose të na mundojë. Një i ri devijoi nga «shtigjet e drejtësisë». U bë i varur ndaj pornografisë dhe filloi të pinte marihuanë. Ndihej fajtor kur shkonte në mbledhje dhe hipokrit kur merrte pjesë në shërbim, prandaj i braktisi këto aktivitete të krishtere. «Por nuk e dija se ndërgjegjja do të më konsideronte përgjegjës për veprimet e mia»,—tha ai. Më tej shtoi: «Marrëzia ime zgjati rreth katër vjet.» Më pas, filloi të mendonte për t’u kthyer tek e vërteta. Megjithëse mendonte se Jehovai nuk do t’ia dëgjonte lutjen, prapëseprapë u lut dhe kërkoi falje. As dhjetë minuta më vonë, erdhi për vizitë e ëma, e cila e nxiti të vinte përsëri në mbledhje. Ai shkoi në Sallën e Mbretërisë dhe i kërkoi një plaku të studionte me të. Me kalimin e kohës u pagëzua dhe i është mirënjohës Jehovait që ia shpëtoi jetën.

11 A nuk e kemi vënë re se ç’kënaqësi e madhe mund të vijë kur bën atë që është e drejtë? Ndërsa mësojmë ta duam drejtësinë dhe tregojmë drejtësi në mënyrë më të plotë, do të provojmë edhe më tepër gëzim duke bërë atë që i pëlqen Atit tonë qiellor. Dhe të mendojmë pak: po vjen dita kur tërë njerëzit do të provojnë vetëm kënaqësi nga ndërgjegjja e tyre. Ata do të pasqyrojnë në mënyrë të përsosur shëmbëlltyrën e Perëndisë. Prandaj, që tani le të rrënjosim thellë në zemër dashurinë për drejtësinë duke e bërë kështu Jehovain të gëzojë!​—Prov. 23:15, 16.

12, 13. Si mund ta stërvitim ndërgjegjen?

12 Çfarë mund të bëjmë për ta stërvitur ndërgjegjen? Kur studiojmë Shkrimet dhe botimet tona të bazuara në to, është e rëndësishme të kujtojmë se «zemra e të drejtit mediton para se të përgjigjet». (Prov. 15:28) Të shohim si na sjell dobi kjo kur kemi pyetje për punësimin. Nëse një lloj pune është haptazi në kundërshtim me kërkesat biblike, shumica prej nesh vepron menjëherë sipas drejtimit që na sigurohet përmes klasës së skllavit të besueshëm dhe të matur. Por kur përgjigjja për një pyetje lidhur me punën nuk është e përcaktuar qartë, duhet të gjejmë parime biblike dhe t’i shqyrtojmë ato në lutje. * Kjo vlen për parime të tilla, si për shembull, të mos fyejmë ndërgjegjen e të tjerëve. (1 Kor. 10:31-33) Në veçanti duhet të interesohemi për parimet që lidhen me marrëdhënien tonë me Perëndinë. Nëse Jehovai është real për ne, në radhë të parë do të pyesim veten: «Po të bëj këtë punë, a do ta lëndoj Jehovain dhe a do t’i shkaktoj dhembje atij?»​—Psal. 78:40, 41.

13 Kur përgatitemi për Studimin e Kullës së Rojës ose për Studimin e Biblës në Kongregacion, duhet të mbajmë ndër mend se kemi nevojë të meditojmë për informacionin e paraqitur. A vërejmë se e kemi zakon ta nënvizojmë shpejt e shpejt përgjigjen e një pyetjeje dhe pastaj të kalojmë në paragrafin vijues? Ky lloj studimi nuk ka të ngjarë të na thellojë dashurinë për drejtësinë ose të zhvillojë te ne një ndërgjegje të ndjeshme. Që të duam drejtësinë, nevojitet të studiojmë me kujdes dhe të meditojmë rreth asaj që lexojmë në Fjalën e shkruar të Perëndisë. Nuk kemi si t’i biem shkurt kur bëhet fjalë që të mësojmë ta duam drejtësinë me gjithë zemër.

Uri dhe etje për drejtësinë

14. Çfarë dëshirojnë Perëndia Jehova dhe Jezu Krishti për shërbimin tonë të shenjtë?

14 Perëndia Jehova dhe Jezu Krishti duan të jemi të lumtur ndërsa bëjmë shërbim të shenjtë. Çfarë do të na ndihmojë të jemi të lumtur? Dashuria për drejtësinë. Në Predikimin në Mal Jezui tha: «Lum ata që kanë uri dhe etje për drejtësinë, sepse do të ngopen!» (Mat. 5:6) Ç’domethënie kanë këto fjalë për ata që dëshirojnë ta duan drejtësinë?

15, 16. Si do të shuhen uria dhe etja frymore për ata që e duan drejtësinë?

15 Bota ku jetojmë sundohet nga i ligu. (1 Gjon. 5:19) Po të marrim një gazetë në çfarëdo vendi, lexojmë për mizori dhe dhunë në shkallë të paparë. Kur mendon për sjelljen çnjerëzore të njeriut ndaj njeriut, i drejti tronditet. (Ekl. 8:9) Ngaqë e duam Jehovain, e dimë se vetëm ai mund të shuajë urinë dhe etjen frymore të individëve që dëshirojnë të mësojnë drejtësinë. Të paperëndishmit do të zhduken së shpejti dhe ata që duan drejtësinë nuk do të përjetojnë më brengën e shkaktuar nga njerëzit që sfidojnë ligjin dhe nga veprat e tyre të liga. (2 Pjet. 2:7, 8) Ç’lehtësim do të jetë!

16 Si shërbëtorë të Jehovait dhe dishepuj të Jezu Krishtit, e dimë se të gjithë ata që kanë uri dhe etje për drejtësinë «do të ngopen». Do të kënaqen plotësisht falë masës që ka marrë Perëndia për qiej të rinj dhe një tokë të re, në të cilët «do të banojë drejtësia». (2 Pjet. 3:13) Prandaj, të mos shkurajohemi ose të mos habitemi që shtypja dhe dhuna e kanë hequr drejtësinë në këtë botë satanike. (Ekl. 5:8) Jehovai, Më i Larti, e di se ç’po ndodh dhe së shpejti do t’i çlirojë ata që duan drejtësinë.

Dobitë që vijnë kur duam drejtësinë

17. Cilat janë disa dobi që vijnë kur duam drejtësinë?

17 Psalmi 146:8 nxjerr në pah një dobi të jashtëzakonshme që vjen kur ndjekim shtigjet e drejtësisë. Psalmisti këndoi: «Jehovai i do të drejtët.» Të imagjinojmë pak: Sovrani i universit na do sepse duam drejtësinë. Meqë duam Jehovain, jemi të sigurt se ai do të na sigurojë gjërat e nevojshme ndërsa mbajmë në vend të parë në jetë interesat e Mbretërisë. (Lexo Psalmin 37:25; Proverbat 10:3.) Në fund, tërë tokën do ta gëzojnë ata që duan drejtësinë. (Prov. 13:22) Shumica e popullit të Perëndisë do të shpërblehet me gëzim të pakufishëm dhe jetë pa fund në një parajsë të bukur në tokë, ngaqë ka vepruar me drejtësi. Edhe tani, ata që duan drejtësinë shpërblehen me një paqe të brendshme, e cila i ndihmon të kenë harmoni në familjet dhe në kongregacionet e tyre.​—Filip. 4:6, 7.

18. Cilat gjëra mund të bëjmë teksa presim ditën e Jehovait?

18 Teksa presim të vijë dita e madhe e Jehovait, duhet të vazhdojmë të kërkojmë drejtësinë e tij. (Sof. 2:2, 3) Prandaj, le të shfaqim dashuri të sinqertë për udhët e drejta të Perëndisë Jehova. Kjo përfshin të mbajmë fort «parzmoren e drejtësisë» që të mbrojmë zemrën tonë të figurshme. Gjithashtu, kemi nevojë të mbajmë një ndërgjegje të mirë, një ndërgjegje që do të na sjellë kënaqësi neve dhe do t’ia gëzojë zemrën Perëndisë.​—Prov. 27:11.

19. Çfarë duhet të jemi të vendosur të bëjmë dhe çfarë do të shqyrtohet në artikullin vijues?

19 «Sytë e Jehovait enden nëpër gjithë tokën për të treguar forcën e tij në dobi të atyre që i janë kushtuar me gjithë zemër atij.» (2 Kron. 16:9) Sa na ngushëllojnë këto fjalë ndërsa bëjmë atë që është e drejtë në këtë botë të trazuar ku paqëndrueshmëria, dhuna dhe ligësia po rriten! Vërtet, udhët tona të drejta mund t’i çuditin njerëzit që janë larguar nga Perëndia. Megjithatë, ne nxjerrim jashtëzakonisht dobi duke iu përmbajtur drejtësisë së Jehovait. (Isa. 48:17; 1 Pjet. 4:4) Kështu, le të jemi të vendosur me gjithë zemër që të vazhdojmë të gjejmë kënaqësi duke dashur drejtësinë dhe duke vepruar me drejtësi! Por, të jemi të kushtuar me gjithë zemër përfshin edhe të urrejmë paligjshmërinë. Artikulli vijues do të na tregojë se ç’do të thotë kjo.

[Shënimi]

^ par. 12 Për një shqyrtim të parimeve biblike që lidhen me pyetjet për punësimin, shih Kullën e Rojës të 15 prillit 1999, faqet 28-30.

Si do të përgjigjeshit?

• Pse çmueshmëria për shpërblesën është e nevojshme që të duam drejtësinë?

• Pse është jetësore të veshim «parzmoren e drejtësisë»?

• Si mund ta stërvitim ndërgjegjen?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 26]

Një ndërgjegje e stërvitur na ndihmon të marrim përgjigje lidhur me pyetjet për punësimin