Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e krijoi Perëndia Djallin?

A e krijoi Perëndia Djallin?

Lexuesit pyesin . . .

A e krijoi Perëndia Djallin?

▪ Meqenëse Bibla thotë se Perëndia «krijoi gjithçka», disa kanë nxjerrë përfundimin se Ai duhet ta ketë krijuar Djallin. (Efesianëve 3:9; Zbulesa 4:11) Bibla e tregon qartë se kjo nuk është e vërtetë.

Jehovai krijoi personin që u bë Djalli. Kështu, ekzistenca e këtij si kundërshtari më i madh i Perëndisë duhet krahasuar me atë që zbulojnë Shkrimet për Jehovain si Krijuesi. Për të lexojmë: «E përsosur është vepra e tij, sepse të gjitha udhët e tij janë drejtësi. Një Perëndi i besueshëm, tek i cili nuk ka padrejtësi. I drejtë dhe i ndershëm është ai.» (Ligji i përtërirë 32:3-5) Nga ky pohim, mund të nxjerrim përfundimin se Satanai ishte i përsosur dhe i drejtë në fillim, domethënë, një nga bijtë engjëllorë të Perëndisë. Te Gjoni 8:44, Jezui tha se Djalli «nuk qëndroi i vendosur në të vërtetën», duke nënkuptuar se njëherë e një kohë Satanai nuk gënjente dhe ishte i pafaj.

Megjithatë, ashtu si krijesat e tjera inteligjente të Jehovait, ky engjëll që u bë Satana, ishte i lirë të zgjidhte mes të drejtës dhe të gabuarës. Ngaqë zgjodhi një drejtim që kundërshtonte Perëndinë dhe nxiti çiftin e parë njerëzor t’i bashkohej atij, e bëri veten Satana, që do të thotë Kundërshtar.​—Zanafilla 3:1-5.

Gjithashtu, kjo krijesë e ligë e padukshme e bëri veten Djall, që do të thotë Shpifës. Satanai ishte shtiracaku i padukshëm që fshihej pas gjarprit dhe me dinakëri përdori gënjeshtra për ta mashtruar Evën që të mos i bindej ligjit që Krijuesi kishte shpallur qartë. Ja pse Jezui e quajti Satanain «ati i gënjeshtrës».​—Gjoni 8:44.

Por, si është e mundur që një krijesë e padukshme e përsosur​—që s’kishte as dobësi përbrenda, as ndikime të këqija përreth—​të zhvillonte prirje të gabuara? Me sa duket ai vdiste të kishte adhurimin që i përkiste vetëm Perëndisë dhe pa një mundësi për t’i vënë njerëzit nën sundimin e tij e jo të Jehovait. Meqë vazhdoi ta mbante mendjen te kjo mundësi sundimi, në vend që ta largonte, lejoi që ky mendim të zinte rrënjë, derisa në fund veproi në përputhje me të. Ky proces përshkruhet në librin e Jakovit: «Secili sprovohet, i tërhequr dhe i joshur nga dëshira e vet. Pastaj dëshira, si bëhet pjellore, lind mëkatin.»​—Jakovi 1:14, 15; 1 Timoteut 3:6.

Ta ilustrojmë: imagjinoni një llogaritar që sheh një mundësi t’i manipulojë llogaritë për të përfituar duke vjedhur nga firma ku punon. Mund ta heqë menjëherë nga mendja këtë mendim të gabuar. Por, nëse e mban mendjen te kjo mundësi, kjo ide do të fillojë t’i pëlqejë dhe ka të ngjarë të veprojë në përputhje me të. Nëse vepron, faktikisht e bën veten hajdut. Nëse gënjen për këtë krim, bëhet edhe gënjeshtar. Në mënyrë të ngjashme, duke bluar dëshira të gabuara dhe duke vepruar sipas tyre, engjëlli, të cilin e krijoi Perëndia, e përdori vullnetin e lirë që të mashtronte e të rebelohej kundër Atit të tij, duke e bërë kështu veten Satana Djalli.

Sa mirë që Satana Djalli do të shkatërrohet në kohën e duhur sipas Perëndisë. (Romakëve 16:20) Ndërkohë, adhuruesit e Perëndisë Jehova janë në dijeni të intrigave të Satanait dhe janë të mbrojtur prej tyre. (2 Korintasve 2:11; Efesianëve 6:11) Prandaj, me çdo kusht, «kundërvijuni Djallit, e ai do të ikë nga ju».​—Jakovi 4:7.

[Diçitura në faqen 21]

Ngaqë zgjodhi një drejtim që kundërshtonte Perëndinë, një krijesë e përsosur engjëllore e bëri veten Satana.