Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«A na do Jehovai edhe pse jemi indianë?»

«A na do Jehovai edhe pse jemi indianë?»

Letër nga Meksika

«A na do Jehovai edhe pse jemi indianë?»

MELESIO, një burrë që flet gjuhën odame, herë pas here zbriste nga mali që të gjente punë. Ai shkonte në mbledhjet e krishtere dhe, kur kthehej, merrte me vete literaturë biblike që t’ua jepte banorëve të fshatit. U lut që dikush t’i vizitonte e t’i mësonte më shumë për Biblën.

Odamët, grup etnik në një zonë tepër të thellë, jetojnë në Sierra Madre Perëndimore, në veri të Meksikës Qendrore, rreth 240 kilometra larg kongregacionit më të afërt të afërt të Dëshmitarëve të Jehovait. Disa nga ne vendosëm të shkonim t’i takonim.

U nisëm nga qyteti i Durangos me kamionin e vogël, të pajisur me çadra, dyshekë portativë, si dhe me mjaft ushqime e benzinë për tri ditë. Duke filluar udhëtimin që në katër të mëngjesit, bëmë me makinë tetë orë rrugë sipër një shtegu malor tërë pluhur, derisa mbërritëm në fund të tij. Atje ishte hyrja për në rajonin e odamëve. Përpara shtrihej një grykë të thellë dhe një tjetër mal.

E lamë makinën në rançito (fshat i thellë) dhe për tri orë të tjera ecëm në këmbë duke mbajtur me vete pajisjet deri në fund të grykës. Atje bëmë një fushim, mblodhëm aq dru sa për një zjarr të madh që të largonim kafshët e egra, dhe fjetëm me turne nga tri orë secili që të mos e linim zjarrin të shuhej.

Herët mëngjesin tjetër, iu ngjitëm malit. Kishte shumë shtigje dhe e ngatërruam disa herë rrugën. Njëri prej nesh fliste pak gjuhën odame, kështu që ua çuam mesazhin e Biblës shtëpive gjatë rrugës. Për habinë tonë, njerëzit na treguan se në Los Arenales, vendi ku po shkonim, kishte disa njerëz që e quanin veten Dëshmitarë të Jehovait dhe se mbanin mbledhje biblike atje. Ky lajm na befasoi, por edhe na dha zemër.

Kur mbërritëm në Los Arenales, i kishim këmbët me flluska. Komuniteti përbëhej nga shtëpi të shpërndara me qerpiç e me çati kartoni. Nuk kishte shkollë dhe energji elektrike. Të shkëputur nga pjesa tjetër e botës, njerëzit jetonin në varfëri ekstreme, duke mbijetuar me tortija misri dhe me fare pak gjëra të tjera. Takuam Melesion, një të ri thatim, i cili ishte shend e verë. Ai na ftoi në shtëpinë e vet të thjeshtë dhe na tha se i ishte lutur çdo ditë Jehovait që të dërgonte Dëshmitarët e tij, që t’ia mësonin Biblën familjes dhe banorëve të tjerë odamë. Ai nuk ishte në gjendje t’u përgjigjej të gjitha pyetjeve që bënin banorët.

Odamët praktikojnë shamanizmin. Përdorin hajmali të tilla, si pendët dhe kockat e shqiponjës, adhurojnë forcat e natyrës dhe jetojnë me frikë nga shamanët që kontrollojnë jetën e tyre. Melesio shpjegoi se, kur mori vesh gjatë udhëtimeve në qytet se Jehovai është Perëndia i vërtetë, i shkatërroi të gjitha objektet idhujtare. Komuniteti priste që perënditë e tyre ta ndëshkonin me vdekje. Kur nuk ndodhi gjë, e kuptuan se Jehovai ishte më i fuqishëm se perënditë e tyre. Si pasojë, filluan të ndiqnin studimin e Biblës që bënte Melesio me familjen, duke përdorur literaturën tonë.

Melesio tha: «U thashë se në fillim duhej të digjnin të gjitha hajmalitë dhe idhujt.» Shumë mposhtën frikën nga besëtytnitë dhe numri i pjesëmarrësve arriti mbi 80. Kjo na mrekulloi kaq shumë sa vendosëm të mbanim një mbledhje po atë pasdite. Ata që mblidheshin rregullisht te shtëpia e Melesios, i njoftuam me anë të korrierëve që shkuan me kuaj. Megjithëse ishte mesjavë dhe nuk kishim mjaft kohë për t’i njoftuar, erdhën 25 veta, në këmbë ose me gomar.

Iu përgjigjëm pyetjeve të të pranishmëve me ndihmën e Melesios, i cili përkthente. Ata bënë pyetje të tilla si: «A na do Jehovai edhe pse jemi indianë? A i dëgjon lutjet në odame? Kur të vijë Harmagedoni, a do të kujdeset Jehovai për ne megjithëse jetojmë kaq larg qyteteve?» Ishim të lumtur t’i siguronim nga Bibla këta njerëz të përulur se Jehovai kujdeset për të butët, pavarësisht nga gjuha që flasin ose sa të izoluar janë. Na u lutën t’u dërgonim dikë që t’i mësonte më tepër.

Pas mbledhjes, ndamë ushqimin me këta miq të rinj. Kishte rënë nata dhe ishte shumë ftohtë atje lart, prandaj ishim mirënjohës kur na ofruan një dhomë për të fjetur, edhe pse e papërfunduar. Mëngjesin tjetër na çuan poshtë te kamioni ynë i vogël duke kaluar nga një rrugë e shkurtër, dhe u kthyem për në Durango të lodhur, por të kënaqur.

Çfarë privilegji ishte të takonim këta njerëz të sinqertë, shumica e të cilëve nuk dinë lexim e shkrim ose spanjisht, por që duan të mësojnë për Perëndinë e vërtetë dhe ta adhurojnë. Që nga vizita jonë e fundit, gjashtë Dëshmitarë kanë shkuar në këtë komunitet dhe kanë qëndruar tri javë. Ata u siguruan ndihmë frymore 45 njerëzve që donin vërtet t’i shërbenin Jehovait. Që të gjithë këta i ndjekin rregullisht mbledhjet.

Edhe diçka e fundit. I vetmi dyqan i vogël në Los Arenales nuk shet më cigare, sepse shumë njerëz po studiojnë Biblën dhe nuk pinë më duhan. Gjithashtu kanë celebruar martesën.

[Figura në faqen 24]

Melesio me gruan, katër vajzat dhe me vjehrrën

[Figurat në faqen 25]

Një studim biblik dhe një mbledhje në Los Arenales

[Burimi i figurës në faqen 25]

Servicio Postal Mexicano, Correos de Mexico