Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kurrë mos i harro bashkëbesimtarët

Kurrë mos i harro bashkëbesimtarët

Kurrë mos i harro bashkëbesimtarët

«PËR dhjetë vjet ishim të hipnotizuar nga shkëlqimi i botës së biznesit dhe kishim goxha pasuri. Megjithëse të rritur në të vërtetën, ishim larguar shumë prej saj dhe s’kishim forcë frymore që të ktheheshim»,—tregon Jarosuavi dhe gruaja e tij, Beata. *

Një vëlla tjetër, Mareku, kujton: «Për shkak të ndryshimeve shoqërore dhe politike në Poloni, i humba punët njëra pas tjetrës. Isha i zhgënjyer. Kisha pasur frikë të filloja një biznes timin, ngaqë nuk kisha damar për këtë gjë. Por pastaj u tundova ta filloja, duke menduar se kjo do të më ndihmonte të kujdesesha më mirë për nevojat materiale të familjes pa pasur ndonjë ndikim negativ në gjendjen time frymore. Me kalimin e kohës zbulova sa gabim e kisha.»

Në një botë ku kostoja e jetesës po rritet pareshtur dhe papunësia po përshkallëzohet, disa bien në dëshpërim dhe si pasojë marrin vendime jo të mençura. Disa vëllezër kanë vendosur të pranojnë punë jashtë orarit, të gjejnë një punë të dytë ose të fillojnë një biznes të tyrin, ndonëse nuk kishin përvojë. Ata pandehin se të ardhurat shtesë do të ndihmojnë familjen dhe nuk do të sjellin ndonjë dëm frymor. Gjithsesi, rrethanat e papritura dhe ekonomia e paqëndrueshme mund të prishin edhe planet e bëra me motive të mira. Si pasojë, disa kanë rënë në grackën e lakmisë dhe kanë sakrifikuar interesat frymore për ato materiale.​—Ekl. 9:11, 12.

Disa vëllezër e motra janë dhënë kaq shumë pas synimeve të botës, sa nuk kanë më kohë për studimin personal, mbledhjet ose shërbimin. Sigurisht, kjo neglizhencë u dëmton gjendjen frymore dhe marrëdhënien me Jehovain. Po ashtu, mund të braktisin një marrëdhënie tjetër të rëndësishme​—marrëdhënien me ata ‘që janë të lidhur me ta në besim’. (Gal. 6:10) Ca veçohen gradualisht nga vëllazëria e krishterë. Shqyrtoje seriozisht këtë çështje.

Detyrimi ynë ndaj bashkëbesimtarëve

Si vëllezër e motra, kemi shumë raste që të tregojmë ndjenja të përzemërta për njëri-tjetrin. (Rom. 13:8) Ka të ngjarë që në kongregacionin tënd ke parë ‘të munduar që thërrasin për ndihmë’. (Jobi 29:12) Disave mund t’u mungojnë nevojat materiale kryesore. Apostulli Gjon na kujtoi mundësinë që na jepet në këtë rast: «Si qëndron dashuria e Perëndisë tek ai që ka zotërimet e kësaj bote, e megjithatë, kur sheh vëllanë e tij në nevojë, e mbyll derën e dhembshurive të tij të buta?»​—1 Gjon. 3:17.

Ndoshta u je përgjigjur këtyre nevojave dhe i ke ndihmuar bujarisht të tjerët. Sidoqoftë, interesimi ynë për vëllazërinë nuk kufizohet vetëm me ndihmën materiale. Disa mund të thërrasin për ndihmë ngaqë janë të vetmuar ose të shkurajuar. Mund të ndihen të padenjë, vuajnë nga një sëmundje e rëndë ose u ka vdekur një i afërm. Një mënyrë si mund t’i inkurajojmë është duke i dëgjuar dhe duke folur me ta, duke qenë kështu të ndjeshëm ndaj nevojave të tyre emocionale dhe frymore. (1 Sel. 5:14) Shpesh kjo e çimenton më tej lidhjen e dashurisë me vëllezërit.

Në veçanti, barinjtë frymorë mund të jenë në gjendje të dëgjojnë me empati, të tregojnë kuptueshmëri dhe të japin këshilla të dashura biblike. (Vep. 20:28) Kështu mbikëqyrësit imitojnë apostullin Pavël, i cili kishte ‘përzemërsi të butë’ për vëllezërit dhe motrat frymore.​—1 Sel. 2:7, 8.

Por, nëse një i krishterë largohet nga kopeja, çfarë ndodh me detyrimin që ka ndaj bashkëbesimtarëve? As mbikëqyrësit nuk janë të imunizuar nga tundimi për t’u dhënë pas synimeve materialiste. Po sikur një i krishterë t’i dorëzohet një tundimi të tillë?

Të rënduar nga ankthet e jetës

Siç u tha, rropatja për të plotësuar nevojat kryesore fizike të familjes shpesh sjell ankth dhe mund të na e zbehë këndvështrimin për vlerat frymore. (Mat. 13:22) Mareku, i përmendur më parë, shpjegon: «Kur biznesi im dështoi, vendosa të gjeja një punë me rrogë të mirë jashtë shtetit. U largova për tre muaj, pastaj për tre muaj të tjerë, e kështu me radhë, duke u kthyer në shtëpi për periudha të shkurtra. Si pasojë, gruaja ime jobesimtare vuajti emocionalisht.»

Por kjo nuk ndikoi vetëm në jetën familjare. «Përveç orëve të gjata në punë, në të nxehtët mbytës,—vazhdon Mareku,—kisha të bëja me njerëz vulgarë që përpiqeshin t’i shfrytëzonin të tjerët. Ata silleshin si gangsterë të rëndomtë. Ndihesha i dëshpëruar dhe i shtypur. Duke mos pasur kohë as të kujdesesha për veten, nisa të dyshoja tek aftësitë e mia për t’u shërbyer të tjerëve.»

Pasojat e trishtueshme të vendimit të Marekut duhet të na nxitin që të ndalemi e të mendojmë. Edhe nëse duket sikur transferimi jashtë shtetit do të zgjidhë vështirësitë financiare, a nuk do të krijojë probleme të tjera? Për shembull, çfarë do të ndodhë me gjendjen frymore dhe emocionale të familjes? A do të çojë ky transferim në shkëputjen e lidhjeve me kongregacionin? A do të na privojë nga privilegji që t’u shërbejmë bashkëbesimtarëve?​—1 Tim. 3:2-5.

Por, siç ndoshta e kupton, jo vetëm ata që punojnë jashtë vendit të tyre mund të përpihen nga puna. Shqyrto rastin e Jarosuavit dhe të Beatës. «Gjithçka nisi në mënyrë krejt të pafajshme,—thotë ai.—Si të sapomartuar, hapëm një kioskë të vogël ku shitnim hot-dogë në një zonë të mirë. Fitimet e majme na joshën të zgjeronim biznesin. Gjithsesi, kishim pak kohë, prandaj mungonim në mbledhjet e krishtere. S’kaloi shumë dhe unë hoqa dorë nga shërbimi si pionier e si shërbëtor ndihmës. Të entuziazmuar nga fitimet që po nxirrnim, e zgjeruam më tej biznesin dhe u bëmë ortakë me një jobesimtar. Shumë shpejt po udhëtoja jashtë shtetit që të firmosja kontrata prej miliona dollarësh. Rrallë gjendesha në shtëpi dhe lidhjet familjare me gruan e vajzën u keqësuan. Si përfundim biznesi që po lulëzonte, na nanuriti frymësisht. Të veçuar nga kongregacioni, as që e çonim mendjen te vëllezërit.»

Ç’mësim mund të nxjerrim nga kjo? Dëshira për të krijuar një «parajsë» personale mund ta zërë në lak një të krishterë e si pasojë të bjerë në vetëkënaqësi​—madje të humbë «rrobat e tij», pra identitetin e krishterë. (Zbul. 16:15) Kjo mund të na veçojë nga vëllezërit, të cilët ishim në gjendje t’i ndihmonim më parë.

Bëj një shqyrtim të ndershëm

«Kjo s’ka për të më ndodhur mua»,—mund të priremi të mendojmë. Sidoqoftë, të gjithë duhet të shqyrtojmë seriozisht se sa gjëra na nevojiten vërtet në jetë. Pavli shkroi: «Asgjë nuk kemi sjellë në botë, e asgjë nuk mund të marrim prej saj. Prandaj, nëse kemi ç’të hamë, ç’të veshim e ku të futim kokën, le të kënaqemi me kaq.» (1 Tim. 6:7, 8) Sigurisht, niveli i jetesës ndryshon nga njëri vend në tjetrin. Ajo që mund të konsiderohet minimumi i nevojshëm në një vend të zhvilluar, mund të konsiderohet një luks në shumë vende të tjera.

Cilido qoftë niveli i jetesës në vendin tonë, të shqyrtojmë fjalët vijuese të Pavlit: «Ata që janë të vendosur të pasurohen, bien në tundim, në lak dhe në shumë dëshira të pamenda e të dëmshme, të cilat i zhytin njerëzit në shkatërrim dhe në rrënim.» (1 Tim. 6:9) Një lak është i fshehur për prenë. Është bërë me qëllim që ta zërë viktimën në befasi. Ç’mund të bëjmë që të mos biem në lak nga ‘dëshirat e dëmshme’?

Përcaktimi i gjërave që kanë më shumë rëndësi në jetë mund të na shtyjë të gjejmë më tepër kohë për interesat e Mbretërisë, përfshirë studimin personal. Një studim i tillë, bashkë me lutjet, mund ta ndihmojë një të krishterë që të bëhet «krejtësisht i zoti, plotësisht i pajisur» për t’i ndihmuar të tjerët.​—2 Tim. 2:15; 3:17.

Për disa vjet, pleq të dashur u përpoqën ta ndërtonin frymësisht dhe ta inkurajonin Jarosuavin. Ai u nxit të bënte ndryshime rrënjësore. Jarosuavi thotë: «Gjatë një bisede vendimtare, pleqtë cituan shembullin biblik të një të riu të pasur që donte të jetonte përgjithmonë, por nuk ishte i gatshëm të hiqte dorë nga zotërimet e tij. Pastaj, me takt më pyetën nëse ky informacion mund të zbatohej për mua. Kjo m’i hapi sytë vërtet.»​—Prov. 11:28; Mar. 10:17-22.

Jarosuavi e shqyrtoi me ndershmëri situatën dhe vendosi ta linte biznesin e tij të madh. Brenda dy vjetëve, ai dhe familja e tij e rifituan shëndetin frymor. Tani po u shërben vëllezërve si plak. Jarosuavi thotë: «Kur ndonjë vëlla jepet pas biznesit deri në atë pikë sa lë pas dore gjendjen frymore, përdor shembullin tim për t’i treguar sa e pamençur është të futesh nën të njëjtën zgjedhë me jobesimtarët. Nuk është e lehtë t’u rezistosh ofertave tunduese dhe të qëndrosh larg praktikave të pandershme.»​—2 Kor. 6:14.

Edhe Mareku mësoi duke e pësuar. Ndonëse një punë me rrogë të mirë e ndihmoi nga ana financiare familjen, kjo ndikoi për keq në marrëdhënien e tij me Perëndinë dhe vëllezërit. Por, më pas, ai arriti të përcaktonte se cilat gjëra duhej të kishin më shumë rëndësi në jetë. «Gjatë viteve, situata ime ngjante me atë të Barukut të kohës së lashtë, i cili ‘kërkonte gjëra të mëdha për veten’. Në fund, ia zbraza zemrën Jehovait duke i folur për ankthet e mia, dhe tani ndiej se kam rifituar ekuilibrin frymor.» (Jer. 45:1-5) Tani Mareku po synon ‘punën e shkëlqyer’ të mbikëqyrësit në kongregacion.​—1 Tim. 3:1.

Mareku u jep këtë paralajmërim atyre që ndoshta po mendojnë të shkojnë jashtë shtetit për të gjetur një punë me pagë më të mirë: «Kur je jashtë shtetit, është mjaft e lehtë të biesh në grackat e kësaj bote të ligë. Kur s’di mirë gjuhën vendëse, nuk arrin të komunikosh siç duhet me të tjerët. Mund të kthehesh në shtëpi me para, por edhe me plagë frymore që duan kohë të shërohen.»

Ruajtja e ekuilibrit midis punës dhe detyrimit tonë ndaj vëllezërve, do të na ndihmojë t’i pëlqejmë Jehovait. Gjithashtu, mund të lëmë një shembull të gjallë që mund t’i nxitë të tjerët të marrin një vendim të mençur. Ata që janë të rënduar nga problemet kanë nevojë për mbështetjen, dhembshurinë dhe shembullin e mirë të vëllezërve e të motrave. Pleqtë e kongregacionit dhe të krishterë të tjerë të pjekur mund t’i ndihmojnë bashkëbesimtarët që të ruajnë ekuilibrin dhe të mos i gërryejnë ankthet e jetës.​—Hebr. 13:7.

Po, kurrë të mos i harrojmë bashkëbesimtarët duke u përpirë nga puna. (Filip. 1:10) Përkundrazi, le të jemi ‘të pasur në sytë e Perëndisë’ ndërsa vëmë në vend të parë në jetë interesat e Mbretërisë.​—Luka 12:21.

[Shënimi]

^ par. 2 Disa emra janë ndryshuar.

[Figurat në faqen 21]

A të pengon puna të ndjekësh mbledhjet?

[Figurat në faqen 23]

A i çmon mundësitë që ke për t’i ndihmuar vëllezërit dhe motrat frymore?