Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mësoji fëmijët

A ndihesh ndonjëherë i vetmuar dhe i frikësuar?

A ndihesh ndonjëherë i vetmuar dhe i frikësuar?

MJAFT njerëz sot ndihen të vetmuar; ndihen sikur asnjeri nuk do t’ia dijë për ta. Të moshuarit ndihen shpesh kështu. Por shumë fëmijë sot, edhe mjaft prej atyre që i shërbejnë Perëndisë, ndihen po ashtu të vetmuar dhe të frikësuar. A e di pse? . . . *

Mund të ketë shumë arsye. Le të marrim rastin e një burri që jetoi kohë më parë, gati një mijë vjet para se të lindte Jezui. Quhej Elija. Jetoi në kohën kur njerëzit e kombit të Izraelit nuk i shërbenim më Perëndisë së vërtetë, Jehovait. Shumica kishin filluar të adhuronin perëndinë e rremë Baal. Elija tha: «Kam mbetur vetëm unë.» A mendon se Elija ishte vërtet i vetmi që po i shërbente Jehovait? . . .

Ndonëse Elija nuk e kuptonte, në Izrael kishte të tjerë që po e adhuronin Perëndinë e vërtetë. Por ishin fshehur, se kishin frikë. A e di pse? . . .

Akabi, mbreti i Izraelit, nuk i shërbente Jehovait, por adhuronte Baalin, perëndinë e rremë të Jezebelës, gruas së tij të ligë. Prandaj ajo dhe Akabi po përpiqeshin të gjenin shërbëtorët e Jehovait që t’i vritnin, sidomos Elijan. Ja pse Elija ia mbathi. Kaloi pothuajse 480 kilometra nëpër shkretëtirë drejt Horebit, një vend që në Bibël quhet edhe Sinai. Atje, qindra vjet para kohës së Elijas, Jehovai i kishte dhënë popullit të tij Dhjetë Urdhërimet dhe pjesën tjetër të Ligjit. Elija u fsheh krejt i vetëm në një shpellë në Horeb. A duhej të kishte frikë Elija? . . .

Bibla tregon se më parë Jehovai e kishte përdorur Elijan që të kryente mrekulli të jashtëzakonshme. Një herë, Jehovai iu përgjigj lutjes së Elijas që të dërgonte zjarr nga qielli e të përpinte një flijim. Me këtë Jehovai tregoi se Ai ishte Perëndia i vërtetë dhe jo Baali. Kur Elija ishte në shpellë, Jehovai i foli.

«Ç’bën këtu?»​—e pyeti. Ky është momenti kur Elija i tha se ishte i vetmi që kishte mbetur nga adhuruesit e tij. Pastaj Jehovai e ndreqi me dashamirësi Elijan duke i thënë se kishte edhe shtatë mijë të tjerë që i shërbenin atij. Jehovai i tha Elijas të kthehej dhe i shpjegoi se kishte akoma punë për të.

Si mendon, çfarë mësojmë nga shembulli i Elijas? . . . Edhe ata që i shërbejnë Jehovait mund të kenë frikë ndonjëherë. Prandaj të gjithë ne, si të rinjtë edhe të moshuarit, të mos harrojmë t’i drejtohemi për ndihmë Jehovait. Bibla premton: «Jehovai u rri pranë tërë atyre që e thërrasin.»

Nxjerrim edhe një mësim tjetër: kudo kemi vëllezër e motra që duan si Jehovain, ashtu edhe ne. Bibla thotë: «Të njëjtat vuajtje po ndodhin në gjithë vëllazërinë [tonë] nëpër botë.» A nuk ndihesh mirë kur mendon se në të vërtetë nuk jemi asnjëherë vetëm? . . .

^ par. 3 Nëse po lexon bashkë me fëmijën, tri pikat shërbejnë për të të kujtuar që të ndalosh pak e ta nxitësh fëmijën që të shprehet.