Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A është Gehena një vend mundimi me zjarr?

A është Gehena një vend mundimi me zjarr?

Lexuesit pyesin . . .

A është Gehena një vend mundimi me zjarr?

▪ Në tregimet e ungjijve, Jezui i paralajmëroi dishepujt që të mos pësonin gjykimin e Gehenës. Është e qartë, Jezui donte që ta merrnin seriozisht këtë paralajmërim. Gjithsesi, a e kishte fjalën për një ferr të zjarrtë me mundime të përhershme?​—Mateu 5:22.

Së pari, le t’i hedhim një sy vetë fjalës. Fjala greke Géena korrespondon me fjalën hebraike geh Hinóm, që do të thotë «lugina e Hinomit» ose më plotësisht geh benei-Hinóm, ‘lugina e bijve të Hinomit’. (Josiu 15:8; 2 Mbretërve 23:10) Ky vend gjeografik, i njohur sot si Vadi-er-Rababi, është një luginë e thellë dhe e ngushtë në jug dhe jugperëndim të Jerusalemit.

Në kohën e mbretërve të Judës, që nga shekulli i tetë p.e.s, ky vend përdorej për rite pagane, përfshirë djegien e fëmijëve në zjarr si flijim. (2 Kronikave 28:1-3; 33:1-6) Profeti Jeremia paratha se e njëjta luginë do të bëhej vendi ku judenjtë do të masakroheshin nga babilonasit, si gjykim nga Perëndia për ligësinë e tyre. *​—Jeremia 7:30-33; 19:6, 7.

Sipas studiuesit hebre David Kimhi (rreth viteve 1160-1235 të e.s.), lugina u kthye më vonë në një vend për grumbullimin e plehrave të qytetit të Jerusalemit. Atje zjarri mbahej ndezur për të asgjësuar plehrat. Çdo gjë që hidhej në atë pirg, shkatërrohej plotësisht, bëhej shkrumb e hi.

Mjaft përkthyes të Biblës i kanë dhënë vetes liri të tepruar duke e përkthyer fjalën Géena, ‘ferr’. (Mateu 5:22, Simon Filipaj) Pse? Sepse konceptin pagan të gjykimit të zjarrtë pas vdekjes së të ligjve, ata e shoqërojnë me zjarrin e mirëfilltë të luginës jashtë Jerusalemit. Gjithsesi, Jezui asnjëherë nuk nënkuptonte mundime kur foli për Gehenën.

Jezui e dinte se vetë mendimi i djegies së gjallë të njerëzve është i neveritshëm për Atin e tij qiellor, Jehovain. Duke iu referuar Gehenës në mënyrën siç njihej në ditët e profetit Jeremia, Perëndia tha: «Ata kanë ngritur vendet e larta të Tofetit, i cili ndodhet në luginën e birit të Hinomit, për të djegur bijtë dhe bijat e tyre në zjarr, gjë që nuk e urdhërova dhe nuk më ka shkuar kurrë ndër mend.» (Jeremia 7:31) Për më tepër, ideja e mundimit të të vdekurve është në kundërshtim me personalitetin e dashur të Perëndisë, si dhe me mësimin e qartë të Biblës se të vdekurit «s’janë të vetëdijshëm për asgjë».​—Eklisiastiu 9:5, 10.

Jezui e përdori termin «Gehenë» për të simbolizuar shkatërrimin e plotë si pasojë e gjykimit të pafavorshëm të Perëndisë. Kështu, fjala «Gehenë» ka kuptim të ngjashëm me «liqenin e zjarrit», që përmendet në librin e Zbulesës. Të dyja simbolizojnë shkatërrimin e përjetshëm, pas të cilit nuk ka ringjallje.​—Luka 12:4, 5; Zbulesa 20:14, 15.

[Shënimi]

^ par. 5 Duke komentuar për këtë profeci, një enciklopedi katolike thotë: «Kur Jerusalemi të shkatërrohej, do të vriteshin kaq shumë banorë të tij, sa kufomat do të hidheshin të pavarrosura në luginë, që të dekompozoheshin ose të digjeshin.»​—New Catholic Encyclopedia.