Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të marrim vendime që nderojnë Perëndinë

Të marrim vendime që nderojnë Perëndinë

Të marrim vendime që nderojnë Perëndinë

«Kush është mendjehollë, i shqyrton hapat e tij.»​—PROV. 14:15.

1, 2. (a) Cili duhet të jetë shqetësimi ynë kryesor sa herë që marrim vendime? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë?

KA TË ngjarë që marrim dhjetra të tilla në ditë. Shumë prej tyre kanë pasoja që nuk zgjatin. Megjithatë, disa të tjera mund të kenë një ndikim të madh në jetën tonë. Për çfarë e kemi fjalën? Për vendimet. Sa herë që marrim vendime, të mëdha a të vogla, shqetësimi ynë kryesor është të nderojmë Perëndinë.​—Lexo 1 Korintasve 10:31.

2 Po ti, a e ke të lehtë apo të vështirë të marrësh vendime? Nëse duhet të përparojmë drejt pjekurisë së krishterë, duhet të mësojmë të shquajmë të drejtën nga e gabuara e më pas të marrim vendime që pasqyrojnë bindjet tona, dhe jo të dikujt tjetër. (Rom. 12:1, 2; Hebr. 5:14) Ç’arsye të tjera të forta kemi se përse duhet të mësojmë të marrim vendime të mençura? Pse ndonjëherë është kaq e vështirë? Cilët hapa mund të marrim që të sigurohemi se vendimet tona do të nderojnë Perëndinë?

Pse duhet të marrim vendime?

3. Çfarë s’duhet të lejojmë të ndërhyjë në vendimet që marrim?

3 Nëse jemi të pavendosur në çështje ku përfshihen normat e Biblës, shokët e shkollës ose të punës mund të mendojnë se nuk jemi vërtet të sigurt për bindjet tona dhe se mund të ndikohemi lehtësisht. Ata mund të gënjejnë, të mashtrojnë ose të vjedhin e pastaj ndoshta përpiqen të na bindin ‘të shkojmë pas shumicës’, duke u bashkuar me ta ose, të paktën, duke ua mbuluar ato që bëjnë. (Dal. 23:2) Megjithatë, ai që di si të marrë vendime që nderojnë Perëndinë, nuk lejon që nga frika ose dëshira për të qenë i pranuar nga të tjerët, të sillet në një mënyrë që bie ndesh me ndërgjegjen e tij të stërvitur sipas Biblës.​—Rom. 13:5.

4. Përse të tjerët mund të duan të marrin vendime në vendin tonë?

4 Jo të gjithë ata që duan të marrin vendime në vendin tonë, kanë ndër mend të na dëmtojnë. Të nisur nga qëllime të mira, miqtë mund të këmbëngulin që të ndjekim këshillat e tyre. Nëse jetojmë larg shtëpisë, ka të ngjarë që të afërmit të jenë ende mjaft të merakosur për mirëqenien tonë dhe të ndiejnë detyrimin që të vazhdojnë të përfshihen kur na duhet të marrim vendime të rëndësishme. Për shembull, le të marrim rastin e trajtimit mjekësor. Bibla e dënon qartazi keqpërdorimin e gjakut. (Vep. 15:28, 29) Gjithsesi, disa çështje të tjera që lidhen me kujdesin shëndetësor nuk janë kaq të prera me thikë, dhe kërkojnë nga secili prej nesh të marrë vendime personale se ç’lloj trajtimi do të pranojë ose do të refuzojë. * Njerëzit tanë të dashur mund të kenë bindje të forta për këto çështje. Sidoqoftë, kur të vendosë për çështje të tilla, çdo i krishterë i kushtuar dhe i pagëzuar duhet të mbajë «ngarkesën e vet» të përgjegjësive. (Gal. 6:4, 5) Shqetësimi ynë kryesor është të mbajmë një ndërgjegje të pastër para Perëndisë, jo të kemi miratimin e njerëzve.​—1 Tim. 1:5.

5. Ç’mund të bëjmë që të mos të na rrënohet besimi?

5 Pavendosmëria mund të na vërë në rrezik të madh. Dishepulli Jakov shkroi se një person i pavendosur është «i paqëndrueshëm në të gjitha udhët e tij». (Jak. 1:8) Si një njeri në një varkë pa timon në det të trazuar, ai do të hidhet andej-këtej nga mendimet njerëzore që ndryshojnë. Sa kollaj është që besimi i një njeriu të tillë të rrënohet si një anije që shkallmohet, e pastaj të fajësojë të tjerët për gjendjen e tij të vajtueshme! (1 Tim. 1:19) Si mund ta shmangim këtë fund? Duhet të bëhemi «të qëndrueshëm në besim». (Lexo Kolosianëve 2:6, 7.) Për të arritur qëndrueshmërinë, kemi nevojë të mësojmë të marrim vendime që pasqyrojnë besimin tonë në Fjalën e frymëzuar të Perëndisë. (2 Tim. 3:14-17) Por, çfarë mund të na pengojë të zhvillojmë aftësinë që të marrim vendime të mençura?

Pse mund të jetë e vështirë të marrim vendime?

6. Si mund të ndikojë frika te ne?

6 Frika mund të na paralizojë​—frika se mos marrim vendimin e gabuar, frika se mos dështojmë ose frika se mos dukemi budallenj në sy të të tjerëve. Këto shqetësime janë të kuptueshme. Askush nuk dëshiron të marrë vendime të dobëta, që sjellin telashe ose mbase të turpërojnë. Gjithsesi, dashuria për Perëndinë dhe Fjalën e tij mund të na ndihmojë të mpakim frikën. Në ç’mënyra? Dashuria për Perëndinë do të na motivojë gjithnjë të këshillohemi me Fjalën e tij dhe me botimet e bazuara në Bibël para se të marrim vendime të rëndësishme. Në këtë mënyrë, do të pakësojmë gabimet. Përse? Sepse Bibla mund «t’u japë të papërvojëve mendjehollësi, të rinjve njohuri dhe aftësi për të menduar».​—Prov. 1:4.

7. Çfarë mund të na mësojë shembulli i mbretit David?

7 A do të marrim gjithmonë vendimin e duhur? Jo. Të gjithë gabojmë. (Rom. 3:23) Mbreti David, për shembull, ishte një burrë i mençur dhe besnik. Megjithatë, në disa raste mori vendime të dobëta që i sollën vuajtje atij vetë dhe të tjerëve. (2 Sam. 12:9-12) Mirëpo, Davidi nuk lejoi që gabimet t’i dobësonin aftësinë për të marrë vendime që kishin pëlqimin e Perëndisë. (1 Mbret. 15:4, 5) Pavarësisht nga gabimet e së shkuarës, mund të jemi të aftë të marrim vendime nëse, si Davidi, mbajmë ndër mend që Jehovai nuk do të ndalet te gabimet tona dhe do të na i falë mëkatet. Ai do të vazhdojë të mbështetë ata që e duan dhe i binden.​—Psal. 51:1-4, 7-10.

8. Ç’mësojmë nga fjalët e apostullit Pavël për martesën?

8 Mund ta pakësojmë ankthin që ndiejmë kur marrim vendime. Si? Duke kuptuar se ka raste kur ekzistojnë disa mundësi zgjedhjeje të drejta. Të shqyrtojmë se si arsyetoi apostulli Pavël për temën e martesës. Ai shkroi nën frymëzim: «Nëse dikush mendon se nuk po sillet siç duhet me virgjërinë e vet, atëherë po ta ketë kaluar kështu lulen e rinisë dhe nëse gjëja më e mirë për të është të martohet, le të bëjë ç’të dojë, nuk mëkaton. Le të martohen. Por, nëse dikush qëndron i vendosur në zemër të vet dhe nuk e ndien këtë nevojë, por i ka nën kontroll dëshirat e veta dhe e ka vendosur në zemër të ruajë virgjërinë, do të bëjë mirë.» (1 Kor. 7:36-38) Pavli sugjeroi beqarinë si zgjedhjen më të mirë, por kjo nuk ishte e vetmja mundësi e drejtë.

9. A duhet të shqetësohemi se ç’mendojnë të tjerët për vendimet tona? Shpjego.

9 A duhet të shqetësohemi se ç’mendojnë të tjerët për vendimet tona? Deri diku po. Vër re çfarë tha Pavli për ngrënien e ushqimeve që mund t’u ishin flijuar idhujve. Ai pranoi se një vendim mund të mos jetë i gabuar në vetvete, por mund t’i shkaktojë dëm dikujt me ndërgjegje të dobët. Çfarë vendosi të bënte Pavli? Ai shkroi: «Prandaj, nëse ushqimi bëhet pengesë për vëllanë tim, unë nuk do të ha më kurrë mish, që të mos bëhem pengesë për vëllanë tim.» (1 Kor. 8:4-13) Edhe ne duhet të mbajmë parasysh si do të ndikojnë në ndërgjegjen e të tjerëve vendimet që marrim. Natyrisht, shqetësimi ynë kryesor është ndikimi që do të kenë zgjedhjet tona te miqësia me Jehovain. (Lexo Romakëve 14:1-4.) Cilat parime biblike do të na ndihmojnë të marrim vendime që nderojnë Perëndinë?

Gjashtë hapa për të marrë vendime të mençura

10, 11. (a) Si të shmangim arrogancën brenda familjes? (b) Ç’duhet të mbajnë në mendje pleqtë kur marrin vendime që prekin kongregacionin?

10 Mos ji arrogant. Para se të zgjedhim si të veprojmë, duhet të pyesim veten: «A më takon mua të marr këtë vendim?» Mbreti Solomon shkroi: «Kur vjen arroganca, vjen edhe çnderimi; por mençuria është me modestët.»​—Prov. 11:2.

11 Prindërit mund t’u japin fëmijëve mundësi të marrin disa vendime, mirëpo fëmijët nuk duhet ta pretendojnë këtë autoritet. (Kolos. 3:20) Gratë dhe nënat kanë njëfarë autoriteti brenda familjes, por bëjnë mirë të pranojnë kryesinë e burrave të tyre. (Prov. 1:8; 31:10-18; Efes. 5:23) Në mënyrë të ngjashme, burrat duhet të pranojnë që autoriteti i tyre është i kufizuar dhe janë të nënshtruar ndaj Krishtit. (1 Kor. 11:3) Pleqtë marrin vendime që prekin gjithë kongregacionin. Sidoqoftë, bëjnë çmos ‘të mos shkojnë përtej gjërave të shkruara’ në Fjalën e Perëndisë. (1 Kor. 4:6) Gjithashtu, ata ndjekin nga afër drejtimin që marrin nga skllavi i besueshëm. (Mat. 24:45-47) Mund të shmangim shumë ankth e hidhërim për veten dhe për të tjerët, nëse me modesti marrim vendime vetëm atëherë kur na është dhënë autoritet për këtë.

12. (a) Pse duhet të bëjmë kërkime? (b) Shpjego si mund të bëjmë kërkime.

12 Bëj kërkime. Solomoni shkroi: «Planet e atij që ngulmon, sjellin me siguri përfitim, por kush është i nxituar, me siguri shkon drejt skamjes.» (Prov. 21:5) Për shembull, ta zëmë se po shqyrton një ofertë biznesi. Mos lejo të drejtohesh nga ndjenjat. Mblidh gjithë faktet që lidhen me të, kërko këshilla nga ata që i njohin mirë çështje të tilla dhe përcakto cilat parime biblike përfshihen. (Prov. 20:18) Që të organizosh kërkimet, përgatit dy lista: njëra që përshkruan me hollësi dobitë dhe tjetra rreziqet. Para se të marrësh një vendim, ‘llogarit shpenzimet’. (Luka 14:28) Shqyrto ndikimet e mundshme të atij vendimi jo vetëm te gjendja jote financiare, por edhe te mirëqenia frymore. Duhen kohë dhe përpjekje për të bërë kërkime. Por, në këtë mënyrë, mund të shmangësh vendimet e nxituara që shkaktojnë ankth të kotë.

13. (a) Çfarë sigurie gjejmë te Jakovi 1:5? (b) Ç’ndihmë mund të kemi kur lutemi për mençuri?

13 Lutu për mençuri. Vendimet tona do të nderojnë Perëndinë vetëm nëse e ftojmë të na ndihmojë kur i marrim ato. Dishepulli Jakov shkroi: «Nëse ndonjëri nga ju nuk ka mjaft mençuri, le të vazhdojë t’ia kërkojë Perëndisë, sepse ai u jep të gjithëve bujarisht dhe pa i qortuar, e do t’i jepet.» (Jak. 1:5) S’është turp të pranojmë se kemi nevojë për mençurinë e Perëndisë që të na ndihmojë të marrim vendime. (Prov. 3:5, 6) Në fund të fundit, nëse mbështetemi vetëm në kuptueshmërinë tonë, mund të shkojmë lehtësisht në drejtim të gabuar. Kur lutemi për mençuri dhe shqyrtojmë parimet e Fjalës së Perëndisë, po lejojmë që fryma e shenjtë të na ndihmojë të shquajmë motivet e vërteta se përse duam të veprojmë në njëfarë mënyre.​—Hebr. 4:12; lexo Jakovin 1:22-25.

14. Pse nuk duhet ta zvarritim marrjen e vendimeve?

14 Merre vendimin. Mos shko drejt e në këtë hap, pa bërë kërkime dhe pa u lutur për mençuri. Njeriu i mençur gjen kohë ‘të shqyrtojë hapat e tij’. (Prov. 14:15) Gjithsesi, mos e zvarrit marrjen e vendimit. Kush i zvarrit gjërat, mund të nxjerrë pretekste të çuditshme për të justifikuar mosveprimin e tij. (Prov. 22:13) Sido që të jetë, ai prapëseprapë po merr një vendim: faktikisht, vendos që jetën e tij ta kontrollojnë të tjerët.

15, 16. Çfarë përfshin të vësh në jetë një vendim?

15 Vëre në jetë vendimin. Përpjekjet që bëjmë për të marrë një vendim të mirë, mund të shkojnë kot nëse nuk i përmbahemi dhe nuk e vëmë në jetë me të gjitha forcat. «Gjithë sa dora jote gjen për të bërë, bëje me fuqinë tënde»,—shkroi Solomoni. (Ekl. 9:10) Që të kemi sukses, duhet të jemi të gatshëm të caktojmë çdo gjë që na nevojitet për të vënë në jetë vendimet tona. Për shembull, një lajmëtar mund të vendosë të shërbejë si pionier. A do t’ia dalë mbanë? Ka të ngjarë që po, nëse nuk lejon që puna e tepërt dhe zbavitjet t’i thithin energjitë e t’i vjedhin kohën që i duhet për t’u kujdesur për shërbimin.

16 Vendimet më të mira rrallë janë me të lehtat për t’u vënë në jetë. Përse? Sepse «e gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut». (1 Gjon. 5:19) Duhet të përleshemi me «sundimtarët botërorë të kësaj errësire, me forcat e liga frymore në vendet qiellore». (Efes. 6:12) Apostulli Pavël dhe dishepulli Judë treguan se atyre që vendosin të nderojnë Perëndinë, do t’u duhet të luftojnë.​—1 Tim. 6:12; Jud. 3.

17. Çfarë pret Jehovai nga ne kur bëhet fjalë për vendimet që kemi marrë?

17 Rishikoje vendimin dhe, nëse është e nevojshme, bëj rregullime. Jo të gjitha vendimet dalin saktësisht siç ishin planifikuar. ‘Të gjithëve na rastis të kalojmë kohë të vështira dhe të përjetojmë ngjarje të paparashikuara.’ (Ekl. 9:11) Prapëseprapë, Jehovai pret që të ngulmojmë në disa vendime që kemi marrë, pavarësisht nga sprovat që mund të hasim. Vendimi që ka marrë dikush për t’i kushtuar jetën Jehovait ose për të bërë betimin martesor, nuk vihet më në diskutim. Perëndia pret që t’u përmbahemi vendimeve të tilla. (Lexo Psalmin 15:1, 2, 4.) Megjithatë, shumica e vendimeve s’janë me kaq shumë peshë. Një person i mençur i rishikon herë pas here vendimet që ka marrë. Ai nuk lejon që krenaria ose kokëfortësia ta pengojnë të bëjë rregullime e madje edhe ta prapësojë një vendim. (Prov. 16:18) Për të shqetësimi kryesor është të sigurohet se me jetën e tij po vazhdon të nderojë Perëndinë.

T’i stërvitim të tjerët të marrin vendime që nderojnë Perëndinë

18. Si mund t’i stërvitin prindërit fëmijët që të marrin vendime të mençura?

18 Prindërit kanë shumë në dorë për t’i ndihmuar fëmijët që të mësojnë si të marrin vendime që nderojnë Perëndinë. Një nga mësuesit më të mirë është shembulli i shkëlqyer. (Luka 6:40) Kur është e përshtatshme, prindërit mund t’u shpjegojnë fëmijëve se si i kanë marrë ata vetë disa vendime. Po ashtu, mund t’i lejojnë fëmijët të marrin vetë disa vendime e më pas t’i lavdërojnë kur dalin për mirë. Po sikur fëmija të marrë një vendim të dobët? Reagimi i parë i prindit mund të jetë ta mbrojë fëmijën nga pasojat, por kjo mund të mos jetë gjithnjë në të mirë të fëmijës. Për shembull, prindi mund ta lejojë fëmijën të marrë patentën e makinës. Ta zëmë se fëmija shkel një rregull të qarkullimit dhe merr gjobë. Prindi ka mundësi ta paguajë gjobën. Por, nëse i kërkon fëmijës të punojë për të paguar gjobën, ka më shumë të ngjarë që ai të mësojë të jetë i përgjegjshëm për veprimet e veta.​—Rom. 13:4.

19. Ç’duhet t’u mësojmë studentëve të Biblës dhe si mund ta bëjmë këtë?

19 Jezui u tha dishepujve t’i mësonin të tjerët. (Mat. 28:20) Një nga mësimet më të rëndësishme që mund t’u përcjellim studentëve të Biblës, është si të marrin vendime të mençura. Që ta bëjmë këtë me efektshmëri, duhet t’i rezistojmë nxitjes për t’u thënë si duhet të veprojnë. Është më mirë t’u mësojmë të arsyetojnë mbi parimet biblike, që të vendosin vetë se ç’duhet të bëjnë. Fundja, «secili nga ne do t’i japë llogari Perëndisë për veten». (Rom. 14:12) Prandaj, të gjithë kemi arsye të forta të marrim vendime që nderojnë Perëndinë.

[Shënimi]

^ par. 4 Për një trajtim të këtij argumenti, shih shtojcën «Si t’i konsideroj fraksionet e gjakut dhe procedurat mjekësore ku përdoret gjaku im?», te Shërbimi ynë i Mbretërisë, nëntor 2006, faqet 3-6.

Si do të përgjigjeshe?

• Pse duhet të mësojmë si të marrim vendime?

• Si mund të ndikojë frika te ne dhe si ta kapërcejmë frikën?

• Cilët janë gjashtë hapat për të qenë të sigurt se vendimet tona do të nderojnë Perëndinë?

[Pyetjet]

[Kutia dhe figura në faqen 16]

Hapa për të marrë vendime të mençura

1 Mos ji arrogant

2 Bëj kërkime

3 Lutu për mençuri

4 Merre vendimin

5 Vëre në jetë vendimin

6 Rishikoje dhe bëj rregullime

[Figura në faqen 15]

Një person i pavendosur është si një njeri në një varkë pa timon në det të trazuar